14.6 C
Prizren
E premte, 9 Maj, 2025

Tri kushtet e VV-së: Bisedimet me Serbinë, PTK dhe Trepça

GlaukKonjufcaGlauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje! ka thënë se iniciativa për të formuar një bllok opozitar, për t’ia pamundësuar PDK-së formimin e qeverisë së re, ishte e Vetëvendosje!-s.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, ai ka vlerësuar se, pasi është prezantuar kjo iniciativë, LDK-ja, AAK-ja dhe NISMA për Kosovën e kanë përkrahur. Ai ka treguar se edhe këto subjekte politike kishin të njëjtin qëndrim si të Lëvizjes Vetëvendosje! lidhur me qeverisjen Thaçi. “Iniciativa ka qenë e Lëvizjes Vetëvendosje! Kur kemi shkuar atje kemi hasur të njëjtin disponim. Pra, kur kemi folur me subjektet e tjera politike, ata kanë thënë se është e vërtetë ajo që ne po themi, dhe se edhe ato qëndrojnë në të njëjtat pozicione. Ndërsa ne u kemi thënë të bashkohemi dhe ta dërgojmë Hashim Thaçin në opozitë”, ka thënë Konjufca.

Ai ka deklaruar se në këto takime i kanë paralajmëruar gjithë liderët e këtyre partive se, nëse shkojnë me Hashim Thaçin, do ta kenë fatin e AKR-së. Sipas Konjufcës, populli nuk i do subjektet politike që i nënshtrohen PDK-së. “Së pari u kemi thënë se kjo do të ishte e dëmshme për Kosovën, së dyti u kemi thënë se nëse shkojnë me Hashim Thaçin do ta kenë fatin e AKR-së, e cila vazhdimisht i ka qëndruar në prehër PDK-së dhe po i shohim rezultatet e sotme. Pra, populli nuk ka respekt për subjektet politike të cilat i nënshtrohen PDK-së”, është shprehur Konjufca.

Ish-nënkryetari i Kuvendit të Kosovës ka pranuar se Lëvizja Vetëvendosje! do të ketë më lehtë të përballet me LDK-në e AAK-në. “Po kjo mund të jetë ndoshta edhe taktikë e Lëvizjes Vetëvendosje!, mirëpo ajo që është më parimore ka të bëjë me ndryshimin e pushtetit të deritashëm që e kemi prej vitit 2007”, ka thënë ai.

Konjufca nuk i ka mohuar akuzat që kjo lëvizje ka bërë vazhdimisht ndaj LDK-së dhe AAK-së për korrupsion dhe për haraç. “Gjithçka që kemi thënë gjatë fushatës për Ramush Haradinajn dhe Isa Mustafën qëndrojnë. Ne nuk i ndërrojmë fjalët, mirëpo e keqja e Hashim Thaçit për 10 apo 15 për qind ua tejkalon të këqijave që i kemi artikuluar për taborin opozitar. Pra, e keqja e Hashim Thaçit ua mund këtyre”, ka thënë Konjufca.

Ai ka treguar se për ta marrë votën e Vetëvendosje!-s qeveria e re e dalë nga opozita duhet t’i plotësojë tri kushte: pezullimin e negociatave me Serbinë për një afat të caktuar kohor; pezullimin e shitjes së PTK-së; mosprivatizimin e “Trepçës”. Sipas Konjufcës, Lëvizja Vetëvendosje! nuk i ka vënë këto kushte të përfitojë vetë, por të përfitojë shteti i Kosovës.

Më Shumë

Aksident mes dy kamionëve në Carralevë, lëndohet rëndë njëri nga shoferët

Një aksident trafiku mes dy kamionëve ka ndodhur në Carralevë. Të dy shoferët e kamionëve kanë pësuar lëndime, njëri nga ta lëndime të rënda. Lajmin...

Shtetasi turk theri për vdekje vajzën në Prizren, plagosi gruan dhe vajzën tjetër, Prokuroria atje del me njoftim të ri

Prokuroria Themelore në Prizren ka lëshuar një komunikatë për rastin e rëndë që ndodhi mëngjesin e së martës në Prizren. Bazuar në hetimin fillestar, dyshohet...

Lajmet e Fundit