33.2 C
Prizren
E premte, 8 Gusht, 2025

Trumpi karshi demokracisë – beteja e përnjëmendtë e zgjedhjeve të nëntorit

Oratoria e ashpërsuar ia ka zënë vendin angështisë së dukshme. Barack Obama doli në Philadelphia, ku nënshkrimi i Kushtetutës ia vuri gurthemelin demokracisë amerikane, dhe paralajmëroi se pasuesi i tij është i gatshëm të shkelë mbi të me të dyja këmbë për t’u mbajtur në pushtet.

Sulmi i pashembullt i një ish-presidenti ndaj atij aktuali në Konventën virtuale demokrate të javës së shkuar e kristalizoi frikën se Trumpi përbën rrezik shumë më të madh për eksperimentin amerikan 244-vjeçar sesa cilido kundërshtar i jashtëm.

Teksa më 2016 ishte Rusia e Vladimir Putinit ajo që ndërhyri në zgjedhje, tani është njeriu që aktualisht e mban ulësen më lart në Shtëpinë e Bardhë ai që duket i vendosur t’i shkatërrojë zgjedhjet amerikane.

“Kërcënimi më i madh me të cilin përballej vendi ishte prej brenda dhe ende është”, ka thënë Frank Figliuzzi, ish-ndihmësdrejtori i FBI-së për kundërinteligjencë, duke folur për MSNBC-në gjatë kësaj jave. “Kërcënimi i brendshëm rri në Shtëpinë e Bardhë”.

Rreziku nga shkelja e traditës

Trumpi do të nominohet gjatë kësaj jave nga partia e tij republikane për një mandat të dytë si president. Fjalimin e pranimit ai do ta mbajë nga Shtëpia e Bardhë, në shkëputje të plotë nga tradita. Dhe kësaj here, thonë kritikët, Trumpi po zhvillon dy fushata.

Njëra është ajo e përpjekjes brutale për ta demonizuar rivalin e tij, Joe Biden dhe bashkëgaruesen e tij, Kamala Harris, e cila është e para grua me ngjyrë që e merr këtë post e të cilën ai e cilësoi si “të ligë”, “të ndryrë” dhe “grua të çmendur”. Tjetra është fushata tinëzare e potencialisht katastrofale kundër integritetit të vet zgjedhjeve.

Presidenti që i sfidon kufijtë i ka çuar katër vjetët e mandatit duke e gërryer sundimin e ligjit, duke i rrezikuar normat kushtetuese dhe përgojuar komunitetin e Inteligjencës. Gjatë muajve të fundit, i ballafaquar me rezultatet e pafavorshme të sondazheve që e nxjerrin humbës, ai është angazhuar në përhapjen e dezinformatave, në mbjelljen e mosbesimit në institucionet demokratike dhe në ndjelljen e dyshimeve nëse zgjedhjet do të jenë të lira dhe të drejta.

E ngriti madje idenë e anulimit të zgjedhjeve shkaku i pandemisë së koronavirusit, ani pse nuk ka kompetenca për ta bërë një gjë të tillë. Ka refuzuar vazhdimisht që të tregojë nëse do ta pranonte rezultatin, duke nxitur një debat dikur të paparashikueshëm se si mund të largohej ai fizikisht nga Shtëpia e Bardhë. Në ndalesën e tij për fushatë në Wisconsin, javën e shkuar paralajmëroi keqas: “Mënyra e vetme se si do të mund t’i humbnim zgjedhjet është nëpërmjet manipulimit të zgjedhjeve”.

Më Shumë

Takim i veçantë mes dy ikonave: Shqipe Kastrati dhe Shyhrete Behluli

Këngëtarja e njohur Shqipe Kastrati ndau në rrjetet sociale një moment të veçantë me kolegen dhe mikeshën e saj, Shyhrete Behluli, raporton PrizrenPress. Në postimin...

Roli i kolonelit të Policisë në Prizren, dyshohet se detyroi një person të heq dorë nga një pronë

Një hetim që kishte filluar muaj më parë ka rezultuar me arrestimin e katër personave në Prizren, në mesin e tyre edhe kolonelin e...

Lajmet e Fundit