Zbardhen detaje të reja të vrasjes së dy turistëve çekë në fshatin Prekal të Dukagjinit, pranë Shkodrës. Sipas policisë mësohet se njëri nga autorët ndodhej në makinë, bashkë me dy çekët, të cilët po udhëtonin drejt Shkodrës dhe i ka vrarë ata me plumb pas kokës. Policia e Shkodrës akoma nuk ka identifikuar autorët e dyshuar të ngjarjes së rëndë në fshatin Prekal të komunës Postribë, ku vranë turistët çekë Michael Svatos, 27 vjeç dhe Anna Kosinova, 36 vjeç. Ndonëse janë shoqëruar rreth 30 persona dhe është bërë krehja e zonës, duke përfshirë thuajse krejt Dukagjinin, nga policia konfirmohet se akoma nuk ka persona të ndaluar. Edhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit kanë ndjekur operacionet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Nga hetimet e deritanishme mësohet se dy të rinjtë janë vrarë nga një person, i cili ka qenë në makinë me ta dhe i ka qëlluar nga pas. Hetimet drejtohen nga prokurori Besnik Cani dhe specialistë të policisë. Grupi hetimor po vijon veprimet, ku vazhdon këqyrja e vendit të ngjarjes, e automjetit, si dhe fiksimi i provave në vendngjarje. Policia e Shkodrës, e mbështetur edhe nga grupe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, vijoi krehjen e zonës. Hetimet janë shtrirë, duke pyetur të gjithë personat që e kishin parë çiftin nga Çekia dhe duke marrë informacion nëse ata kanë qenë të shoqëruar apo kanë patur udhërrëfyes. Sipas policisë, dyshohet se gjithçka ka qenë e organizuar dhe gjurmët e gishtërinjve të gjetur në mjet tregojnë se aty ka qenë dhe një person tjetër. Dyshimet kanë rënë mbi disa persona me precedentë penalë në zonë, por akoma nuk është gjetur asnjë element që i përfshin në ngjarje. Mësohet se turistët çekë, pasi janë qëlluar, janë plaçkitur. Në momentin kur drejtuesi i mjetit ka humbur jetën nga plumbat e marrë në kokë, në mënyrë të pavetëdijshme e ka drejtuar mjetin drejt malit, çka ka bërë që makina të anohet dhe të përmbyset në rrugë. Targa e mjetit të çekëve është 4P8:9798. Policia konfirmon se brenda automjetit tip “Nissan”, ku udhëtonin dy të rinjtë çekë, është gjetur një armë automatik dhe jashtë automjetit, rreth 30 metra larg, është gjetur një krëhër me fishekë dhe 2 gëzhoja rreth 10 metra më tej. Gjithashtu mësohet se brenda në makinë ka shumë gjurmë gishtash, që mund të çojnë drejt identifikimit të autorëve të vrasjes.
Një nga pistat e hetimit është grabitja
Grupi hetimor i ngritur për ngjarjen bën me dije se bëhet fjalë për një grabitje, si start të ngjarjes tragjike. Sipas bluve, çifti i turistëve janë grabitur, më pas qëlluar me kallashnikov. Për të fshehur gjurmët, grabitësit kanë hedhur në humnerë makinën nga 15 metra lartësi. Kjo ishte edhe arsyeja që fillimisht ngjarja e rëndë u raportua si aksident. Blutë mësohet se kanë gjetur në vendngjarje gëzhoja të automatikut, ndërkohë që edhe vetë banorët e zonës deklarojnë se kanë dëgjuar të shtëna, për të cilat kanë lajmëruar dhe policinë. /Shekulli/