17.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

U mbajt rigjykimi ndaj të akuzuarve Alfred Bobaj e Besnik Ukaj

Në Gjykatën Themelore në Prizren është mbajtur rigjykimi ndaj të akuzuarve Alfred Bobaj e Besnik Ukaj, të cilët akuzohen për veprën penale të Vrasjes së Rëndë, dhe Shqipron Ahmetaj, i cili akuzohet për veprën penale të Ndihmës ndaj kryerësve pas kryerjes së veprës penale.

Prokurori Genc Nixha, i propozoi trupit gjykues dhe të akuzuarve së bashku me mbrojtësit e tyre që të hyjnë në negocimin për marrëveshje për pranimin e fajësisë, nëse ata e shohin të arsyeshme, pasi këto janë vërejtjeje edhe të Gjykatës së Apelit.

“Kolegëve avokatë mbrojtës i propozoj që të hyjë për negocimin për marrëveshje, për pranimin e fajësisë, nëse ata e shohin të arsyeshme një gjë të tillë”, tha Nixha.

Mbrojtësit e të akuzuarve u pajtuan me propozimin e prokurorit që të hyjnë në negocimin për marrëveshje për pranimin e fajësisë.

Por këtë propozim e kundërshtoi avokati i të dëmtuarit Skender Morina. Ai nuk pajtohet me këtë propozim, duke qenë se sipas tij, pasi të akuzuarit nuk janë treguar të sinqertë, duke mos u penduar dhe kërkuar falje për një veprim të tillë.

I akuzuarit Alfred Bobaj, në fillim të seancës ia dorëzoi një letër trupit gjykues, me anë të së cilës, për shkaqe shëndetësore-psikike, kërkoi që të shkojë në trajtim psikiatrik, duke u arsyetuar se ka probleme shëndetësore.

Trupi gjykues nuk vendosi me kërkesën e të akuzuarit në këtë seancë.

Sipas prokurorisë, vrasja e Salajdin Ukimerit, rojës së pompës së benzinës “Albes Petrol”, ndodhi më 21 maj 2008.

Aktakuza ngarkonte Alfred Bobajn dhe Besnik Ukajn se kishin shkuar në afërsi të kësaj pompe me qëllim që ta plaçkitin këtë pikë karburanti për të përfituar materialisht.

Te pompa që ndodhet në magjistralen Prishtinë-Prizren, Bobajn e Ukajn i kishte dërguar Shqipron Ahmetaj me automjetin e tij.

Alfred Bobaj, me vete mbante një automatik AK-47, me të cilin qëlloi dy herë me armë zjarri në drejtim të rojës, edhe pse Besnik Ukaj i kërkoi të largoheshin kur pa rojën, pasi i tha Bobajt se tash të ndjerin e kishte kushëri.

Të dy pastaj u larguan me vrap drejt makinës së Shqipron Ahmetajt, për t’u larguar me shpejtësi drejt fshatit Korishë të Prizrenit.

Ahmetaj akuzohej nga prokuroria për dhënie të ndihmës personave pas kryerjes së veprës penale dhe për fshehje të provave, pasi kishte dëgjuar në makinën e tij diskutimin mes atyre që qëlluan drejt rojës.

Megjithatë, më pas, falë bashkëpunimit të tij me organet e rendit, kjo vepër penale u zbulua pas 5 viteve.

Trupi gjykues e aprovoi propozimin e prokurorit, me pajtimin e mbrojtësve të të akuzuarve, që palët të negociojnë marrëveshjen për pranimin e fajësisë, te cilëve i japi afat njëmujor palëve për negocimin e marrëveshjes, ndërsa e obligoi prokurorin që ta njoftojë gjykatën pas një muaji për rezultatin e negocimit./kallxo.com/

Më Shumë

Guardiola: Gara për titull është e hapur

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola është shprehur i kënaqur me fitoren e thellë 4-0 në udhëtim te Brightoni. “Jap shumë merita sepse e njoh...

Vdes veterani i UÇK-së nga Dragashi, Osman Shala

Ka vdekur veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Dragashi, Osman Shala. Lajmi për vdekjen e tij u bë i ditur nga bashkëluftëtarët e tij. “Sot...

Lajmet e Fundit