19.8 C
Prizren
E diel, 8 Shtator, 2024

Ujërat e turbullta të letërsisë së pas ’90-ës

letersiaKritikun e njohur Josif Papagjoni lexuesi e ka njohur më së shumti si për-cjellës të zhvillimeve të teatrit dhe kinematografisë shqiptare ndër vite, të dukurive, vlerave dhe individualiteteve të spikatur të këtyre arteve në mbi 20 libra që ai ka botuar. Sakaq, pas vitit 1990 ai është marrë po aq edhe me kritikën letrare, duke botuar mjaft shkrime për letërsinë shqipe. Shtëpia botuese “Toena” botoi tani së fundi librin e tij me shënime kritike “Grishje për/nga letërsia”, ku hasen shqyrtime kritike të mprehta për dhjetëra e dhjetëra libra nga shkrimtarët shqiptarë, romancierë, poetë e dramaturgë. “Bëra një përzgjedhje, – nënvizon autori për shkrimet dhe lëndën që mbush faqet e librit të tij, – shumëçka mbeti jashtë faqeve të tij, jo me patjetër e një steke të ulët, por sepse vëllimi u rrit. Ndoshta në një rast të dytë, nëse fati e sjell mbarë, pse jo të mos mendoj edhe një libër të dytë për letërsinë”.
Letërsia sot
Ku është letërsia sot sipas Papagjonit?

Shumë më përpara se ajo që u gatua në magjet e shtrembra të socrealizmit, pohon ai. Sot ajo është pah, shpirt. Është ku e ku më e çlirët, ku e ku më europiane! Arkapiat kanë rënë dhe horizonti tjetër që erdhi pas rrëzimit të diktaturës dhe klisheve të vdekura s’kishte më napë. Sipas tij, në fillimet e viteve ’90, sikurse drita e mëngjesit të lëbyr sytë pas natës, jo pak shkrimtarë u gënjyen nga spekulacionet formale dhe stilistike duke humbur “hijet” e shpirtrave të personazheve në mundim e zhgënjim.
Ja që, ca ligje të rrepta që letërsia vetë ka, refuzojnë tepritë dhe manitë. Janë ligjet e hekurta që nga Aristoteli. Luspat diku mbeten përherë: dje luspat e miteve politike, sot luspat e disa shkrimtarëve snobë e mburravecë. Luspat, luspa mbeten, jo tul, – nënvizon kritiku. Ato s’kanë kohë. I përkasin ngaherë syprinës. Për këtë shkak, letërsia edhe sot lufton që dritën e vet ta marrë nga përbrenda, jo ta qisë nga jashtë. Me veprat dhe autorët që janë marrë në shqyrtim, autori u mëshon pikërisht këtyre ideve. Letërsia shqipe, sipas tij, sot është si gjithë simotrat e saj në Europë e botë. Ndryshimet i prek ngado, veç të shkosh për pak në një panair libri dhe të shohësh. Botime pa fund, emra pa fund. Një superprodhim. Afërmendsh, se në këtë numër të madh librash, autorësh, promovimesh, shtëpish botimi, dora e lexuesit ngurron: kë të zgjedh, kë të anashkaloj e kë të braktis?

Kritika
Kritika, jo se mungon, por siç me të drejtë konstaton edhe Papagjoni në një shkrim të tij për gjendjen e kritikës letrare, është tejet e brishtë, gjysmë e institucionalizuar, gjysmë e braktisur në fatin e vet. Vetë kritiku refuzon ta quajë librin e tij pjesë të mendimit të “rëndë” shkencor. Jo, thjesht është fryma e tij…

Ndryshimet më të mëdha në letërsinë e shkruar pas vitit 1990 u shfaqën në poezi, ajo është tjetërfarë sot. Poezia e Lleshanakut, Açkës, Teferiçit, Zeqos, Kacalidhës etj., vjen e ëndshme e plot nerv. Por edhe romani, me Kadarenë që prin, Kongolin, Blushin, Mustafain, Çelën, Açkën, Shehun etj., paçka se në madhështinë dhe zymtimin e tij kështjellor, ka ndryshuar shumëçka nga teknikat e rrëfimit, nga arkitektura e mendimit dhe nga mënyrat e kompozimit, nga suspansa dhe arritja e impaktit emocional. Letërsia e kësaj periudhe është shumë më kritike se dje, shumë më e shpejtë, atletike.

Krenaria e letërsisë shqipe, Ismail Kadare, ka shkruar pas vitit 1990 një seri romanesh. Sipas Papagjonit, nuk është më nënteksti ai që bën lojën e dyfishtë të receptimit te lexuesi, përkundrazi, shkrimtari vjen më i hapur në pohimet e tij, e megjithatë vesku i misterit, magjikes, zhbirilimit tek e pathëna mbeten po njësoj tërheqëse e tunduese. Romanet e tij të rinj janë një anatomi e vërtetë e diktaturës që shkoi, e gjithë mynxyrës dhe “ububusë” së saj (një fjalë e përdorur nga vetë shkrimtari). Kadare ka sjellë një Shqipëri madhështore, epike dhe tragjike. Pas viteve ’90 drita e romaneve të tij u hodh posaçërisht në mekanizmin e krimit që pillte diktatura, te vuajtja dhe mundimi, te tragjedia dhe shpresa. Kritiku bën me dije përmasën e të madhërishmes, epikes dhe tragjikes në romanet e Kadaresë, e cila barabitet thuajse me kozmiken. Shqipëria e tij është përtej një Shqipërie konkrete, të varfër, të vogël, pa impakt europian apo “perandorake”, ashtu sikurse ajo na vjen shpesh edhe si qesharake, e copëtuar, e rroposur, servile, grindavece, “duartrokitëse”. Gjithsesi, imazhi kadarean është Shqipëria-kockë e asht antropologjik. Shqipëria-shembull.

Nga Dritëro Agolli kritiku ka sjellë vetëm romanin “Arka e djallit”. Poezinë e tij plot trishtim e zhgënjim, me atë dashurinë kozmike për njeriun, nuk e ka prekur. Nga letërsia e Fatos Kongolit janë zgjedhur për analizë pesë romane “Lëkura e qenit”, “Sidorela”, “Iluzione në sirtar”, “Bolero në vilën e pleqve”. Romanet e tij janë produkt fatmadh i kohës së re. Shkrimtari s’ka poza, por është fare-fare i përkorë në çka na rrëfen, i thjeshtë, i drejtpërdrejtë, duke manipuluar estetikisht me të “rëndomtën” e duke bujtur te ne sikur të pinte një filxhan kafe. Romanet e tij janë si grafikat: linja të qarta, ide të qarta. Në romanet e Ben Blushit sipas kritikut ka ardhur modeli rrëfimor që ka si pretekst historinë, por që në fakt projekton shoqërinë e sotme me trazimet, keqkuptimet, përçudnimet dhe zvetënimet e saj. Proza e tij në dukje ekstensive ka brenda një bulb: përsiatjen. Është pikërisht shkrimtari që lidh dy farë në një fryt: mendimin që zgjon dhe rrëfimin që tundon. Meditimi filozofik i rri fjalës së tij si e kuqja onufriane, e kudogjendshme dhe çliruese në romanet e shumëpritur “Të jetosh në ishull”, “Otello, arapi i Vlorës” dhe “Shqipëria”. I veçantë është me romanet e tij Besnik Mustafai. I veçantë, sepse thur ëndrrën me të njëmendtën duke i njësuar në një strukturë rrëfimtare ato, ku kohët përzihen e ngatërrohen enkas, edhe mjediset, hapësira, të gjallët dhe të vdekurit, siç ngjet me romanet “Verë pa kthim”, “Boshi”, “Daullja prej letre”. Është përvoja onirike më elegante që ka sjellë letërsia jonë këto kohë. Moikom Zeqoja, shkrimtari më prodhues, sjell një letërsi tjetërfarë. Alfred Uçi e ka quajtur “postmoderniste”. Metaforat e tij janë pa fund në 7 vëllimet poetike “Miscellaneo”, por edhe dija të huton. Ai krijon amalgama paradoksale mes rrëfimit dhe informacionit (historik, mitologjik, arkeologjik, estetik). Është një poet që shkruan “me një frymë” dhe një eseist, më saktë një diturak ku caqe zhanresh s’ka. Më tutje në palitrën e vlerësimeve të kritikut Papagjoni vjen shkrimtarja Flutura Açka, e cila u imponua në letrat tona pak nga pak, fillimisht me poezinë e saj që s’del përtej paradigmës së sprovuar të poezisë le ta quajmë shkurt “klasike” dhe më pas me romanet që mëtojnë të hedhin dritë në personazhet e dala nga bota e femrës: femra e dashuruar, e zhgënjyer, e shpërdorur. Dhe një erotikë jo aq që tundon se sa të gazmon (romanet “Hiri”, “Ku je?”, “Kukullat nuk kanë atdhe” etj.).

Te libri “Grishje për/nga letërsia” e Josif Papagjonit janë parapëlqyer edhe ca të vdekur-të gjallë: Lasgushi i jashtëzakonshëm që vargun e ka muzikë, mistika e Beqir Musliut dhe modernizmi i tij tejet i shprehur e agresiv, më pastaj dramaturgu i shquar Teki Dervishi që na dha një model të ri të dramës, atë të imazheve apokaliptike, groteskut dhe parabolave mitike-biblike. Po kështu, me dashuri është folur për dramaturgun arbëresh Zef Skiro Di Maxhio. Nga autorët e tjerë me emër në letërsinë e pas vitit 1990 Papagjoni ka sjellë në vëmendje libra të shkrimtarëve Niko Kacalidha, Bashkim Shehu, Luljeta Lleshanaku, Arbër Ahmetaj, Mirela Sulo, Vojsava Nelo, Shpëtim Kelmendi, Robert Martiko, Viktor Cenosinaj etj… Një kapitull më vete u është kushtuar edhe librave që vijnë nga fusha e mendimit estetik e kritik për letërsinë, si ato të Alfred Uçit, Përparim Kabos, Jakup Matos, Primo Shllakut, Korrab Hoxhës etj.

Më Shumë

Latifi: Policia ka nevojë për mbështetje të vazhdueshme nga qeveria

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, me rastin e 25-vjetori i themelimit të Policisë së Kosovës ka vizituar stacionin e policisë në këtë komunë. Ai ka...

Pala ankohet se s’ka marrë shërbim në Repartin e Oftalmologjisë, Spitali i Prizrenit arsyetohet me numrin e kufizuar të mjekëve

Numri i kufizuar i mjekëve specialistë në Repartin e Oftalmologjisë të Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit, bashkë me sezonin e pushimeve, ka sjellë deri...

Lajmet e Fundit