18.8 C
Prizren
E martë, 21 Maj, 2024

Verë në Epidamn

Një festival i artit të muzave, – kështu e quan regjizorja Driada Dervishi nismën e ideuar prej saj për të mbajtur në amfiteatrin e Durrësit një veprimtari verore në disa gjini të arteve.

Nisur nga 4 gushti, çdo mbrëmje dritat do të mbahen ndezur gjatë në këtë verë, duke përfshirë pothuaj gjithë muajin.

Ndryshe, Vera në Epidamn do të krijojë atmosferën e munguar në këtë sezon, kur rrallë është trajtuar amfiteatri si qendër kulturore, edhe pse vizitorët të huaj e shqiptarë interesin e parë e drejtojnë për aty. Në këtë rast Driada, që nuk i është larguar qytetit të saj, as teatrit “Aleksandër Moisiu”, duke pasur një jetë aktive dhe kontribute në vite, ka mundur të zgjerojë këtë veprimtari.

Kështu qyteti i Durrësit, Dyrrahu apo Epidamnus siç quhej në fillesat e tij, do të zgjerojë hartën e pritjes. Duke miksuar muzikën, teatrin, emrat që do të jenë bëjnë teatrin sot, interpretojnë, luajnë dhe këndojnë në skena brenda dhe jashtë vendit.

Dervishi thotë se mbrëmjen e parë do të nisë në amfiteatrin e qytetit, me dramën “Doktor Shuster”, nga trupa e teatrit “Andon Zako Çajupi”, Korçë, me regji të Qëndrim Rijanit. Ndoshta ky është nga bashkëpunimet më të veçanta që po ndodh, kur ky regjisor i ri, shqiptar nga Maqedonia ka krijuar një aktivitet teatror në qytetin juglindor, duke nxitur një frymë moderne në këtë teatër, përveç mbajtjes gjallë të kësaj tradite.

Më datë 7 gusht, “Mozart Coctail”, do sjellë një mbrëmje muzikore, me kompozimet më të njohura të këtij artisti, në rastin e 260 vjetorit të ndarjes nga jeta, shoqëruar me kostume të stilizuar nga stilistja e njohur, Enada At Nikolla. Mbrëmja muzikore vjen e konceptuar nga regjisorja Driada Dervishi, ku këndojnë sopranoja Arlinda Morava, Sindi Mamaqi, shoqëruar në flaut nga Daorsa Dervishi, në violinçel Blerina Durmishaj, në piano nga Klejda Tare, Neti Xhakosi, me pjesëmarrjen e aktorëve Aishe Stari, Adelina Muça, Alesia Xhemalaj, Aurora Qazimi, Arjola Basho, ndërsa koreografia e realizuar nga Elton Cefaj, me balerinë Akreoma Saliu me përzgjedhje muzikore, e ide nga Metila Dervishi.

Mbrëmja e 11 gushtit do të vazhdojë me teatrin, ku do vihet vepra “Një jetë me ty” me autor e regji Erion Kamen. Për tre netë, 12,13,14 gusht do të ngjitet në amfiteatër komedia e Plautit, “Binjakët”, e cila vjen si premierë e teatrit të qytetit të Durrësit, “Aleksandër Moisiu” me regji të Driada Dervishit. Ka domethënie për regjisoren ardhja e kësaj pjesë në skenën e qytetit antik. “Binjakët” (Menehmët), komedia më e suksesshme e Plautit, ngjarjet e së cilës ndodhin në Epidamn, vjen për herë të parë në Durrësin tonë pas 2200 vjetësh, në Amfiteatër, si pjesë e Festivalit “Verë në Epidamn””, thotë Driada. Në këtë pjesë interpretojnë: Romir Zalla, Besmir Bitraku, Amos Zaharia, Suela Bako, Adelina Muça, Marvin Tafaj, Sanie Hoti dhe Muharrem Hoxha, me skenë dhe kostume të realizuar nga Desantila Lika.

Një ekspozitë poetike, siç cilësohet, do të jetë për herë të parë në Banjat termale që ndodhet në teatrin A. Moisiu. Ky cikël quhet “Muzat e Epidamnit”, të realizuar nga regjisorja Adelina Muça. Brenda natyrës së këtij festivali, pritet të shfaqet filmi “Epidamn” në galerinë e amfiteatrit, si dhe disa filma të shkurtër dhe dy dokumentarë, si: “Buka” me skenar e regji të Blerta Kelmendit, “Ana” me skenar dhe regji të Arjola Daja, “Mëngë këmishe”, me skenar e regji të Suela Bakos, “Humanisti i heshtur”, shfaqet premierë me skenar e regji të Merita Çoçolit, “Dinastia Tedeschini”, me skenar të Rovena Rrozhani, Vali Qyrfyci dhe regji të Anila Varfit. Më 20 gusht, në hyrjen e Amfiteatrit për të sensibilizuar, por dhe për të parë punë unike në fotografi, të cilat janë përfshirë në publikime ndërkombëtare, – do të jetë ekspozita fotografike e artistes Soela Zani, në bashkëpunim me “Doën Syndrome Albania”, quajtur “Edhe unë jam një vepër arti”.

Festivali organizohet nga shoqata “Eja” në bashkëpunim me teatrin “Aleksandër Moisiu”, mbështetur nga Ministria e Kulturës me ndihmë infrastrukturore nga Bashkia e qytetit, si dhe drejtoria Rajonale e kulturës kombëtare. /Mapo

Më Shumë

Bayern dëshiron ta mbajë Tuchel-in si trajner

Pas një kthese të befasishme, Bayern Munich thuhet se dëshiron të mbajë Thomas Tuchel-in si trajner. Në shkurt, Bayern njoftoi se do të ndahej me...

Ministria e Shëndetësisë miraton listën zyrtare të çmimit të barnave

Ministria e Shëndetësisë ka miratuar listën zyrtare të çmimeve të produkteve medicinale pas propozimit të komisionit përkatës. Ky vendim ka hyrë në fuqi më 15.05.2024,...

Lajmet e Fundit