Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se partitë opozitare janë duke bërë sjellje tërësisht antidemokratike dhe të papranueshme.
Veseli në këtë intervistë për “Epokën e re” ka thënë se insistimi i veprimit të opozitës në këtë mënyrë është një rrugë pa krye, që nuk i shërben askujt, as opozitës, aq më pak qytetarëve të vendit. Ai e ka vlerësuar iniciativën e presidentes Atifete Jahjaga që ka ndërmarrë në kontekst të situatës së krijuar, duke mos e vlerësuar këtë si krizë institucionale, por si tentativë për ta futur vendin në krizë të panevojshme për qëllime të luftës për pushtet.
Veseli ka theksuar se gjatë tërë kësaj situate si kryetar i Kuvendit është përpjekur ta ruajë nivelin e komunikimit në Kuvendin e Kosovës, që t’i jepet mundësia secilës palë ta thotë qëndrimin dhe argumentet e saj, të veprojë mbi bazën e racionalitetit dhe të shmanget demonstrimi i forcës.
Kryeparlamentari Veseli ka thënë se Kuvendit duhet t’i kthehet normaliteti i punës, për të cilin edhe është votuar nga qytetarët e vendit.
“Ende konsideroj se duhet të vazhdohet rruga e komunikimit të përbashkët. Tash kemi një iniciativë të presidentes Jahjaga, e cila është në funksion të kësaj rruge, si dhe qëndrimet e qarta të vendeve perëndimore nëpërmjet pranisë së tyre diplomatike në Prishtinë, se Kuvendi i Kosovës nuk bën të bjerë nën diktatin e dhunës”, ka deklaruar Veseli, duke u bërë thirrje zërave të arsyeshëm opozitarë, që bashkërisht ta kapërcejnë këtë situatë.
“Me këtë rast u bëj thirrje zërave të arsyeshëm opozitarë, që besoj se janë shumica, të ndihmojnë që të gjithë së bashku ta kapërcejmë këtë situatë”, është shprehur Veseli.
Ai ka shtuar se askush nuk ka të drejtë ta bllokojë punën e Kuvendit, aq më pak me metoda të vrazhda dhe antidemokratike.
“Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë të punojë sepse nuk bën ta lejojmë bllokimin e sistemit demokratik në vend. Obligimet tona kushtetuese janë shumë të qarta në këtë drejtim. Është për keqardhje që dëgjojmë zëra opozitarë, që funksionimin demokratik të Kuvendit të Kosovës e quajnë provokim. Provokime janë sjelljet e dhunshme në sallën e seancave, hedhja e gazit lotsjellës, lëndimi dhe rrezikimi i shëndetit të përfaqësuesve të popullit”, ka thënë Veseli.
Sipas tij, provokimi më i madh po i bëhet popullit të Kosovës me injorimin dhe mospërfilljen totale që opozita po ua bënë thirrjeve të miqve tanë perëndimorë dhe partneritetit të shtetit tonë me ta.
“Deri këtu kemi arritur falë këtij partneriteti dhe lëndimi i këtij partneriteti është shërbimi më i keq që mund t’i bëhet këtij vendi”, është shprehur Veseli.
Ai ka thënë se Kosova ka lëvizur përpara sa herë që ka funksionuar trekëndëshi i partneritetit Uashington – Prishtinë – Bruksel. Ky trekëndësh, sipas tij, i ka sjellë lirinë, pavarësinë, shtetndërtimin, fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar, marrëveshjet e fundit për normalizimin e raporteve të Kosovës me Serbinë.
“Dalja nga ky trekëndësh partneriteti është provokimi më i madh që mund t’i bëhet popullit të Kosovës, por unë jam i bindur thellësisht se qytetarët tanë janë shumë të pjekur politikisht për të mos ndjekur këtë aventurë politike të opozitës”, ka thënë ai.
Veseli ka deklaruar se veprimet e tij të deritanishme kanë pasur për qëllim që tensionet e fabrikuara nga politika të mbahen brenda institucioneve e të mos barten në rrugë dhe tek qytetarët.
“Mesazhi është tejet i qartë: çmimin duhet ta paguajë politika, jo qytetarët”, ka thënë kryeparlamentari Veseli.
Ai e ka përjashtuar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja.
“Vendi aktualisht ka një shumicë parlamentare funksionale dhe një qeveri legjitime që e ka mbështetjen e kësaj shumice demokratike. Për aq kohë sa funksionon formati ekzistues qeverisës, duhet ta presim kalendarin e rregullt të procesit elektoral që përcaktohet nga ligji, e jo nga gazi lotsjellës”, ka pohuar Veseli. /Epoka e Re