Zëvendëskryetari i PDK-së, Kadri Veseli nëpërmjet rrjetit social ”Facebook” ka reaguar për gjendjen e krijuar në Universitetin e Prishtinës dhe për protestat e studentëve.
Më poshtë letra e plotë e Veselit:
Vlerësimi i përkohshëm mbi ngjarjet e kohëve të fundit, jo që nuk ka lënë indiferent njeri në Kosovë, por ka shqetësuar edhe të gjithë dashamirët dhe miqtë që investuan kohë, mund dhe investime nga shtetet e tyre, për të realizuar Kosovën si një storje të përbashkët suksesi.
Ndoshta këtë perceptim real kam krijuar nga qëndrimi im i kohëve të fundit jashtë Kosovës në vizita zyrtare në disa shtete mike, vizita ku ndesha interesimin e sinqertë për rrugëtimin tonë. Aktualisht, Evropa, bota në tërësi ballafaqohet me njëqind prioritete shqetësuese, që nga stabilieti i euros, deri te Siria, Ukraina e Olimpiada e Soçit. Por, ja që për fatin tonë të mirë, ende kemi partnerë që interesohen dhe përcjellin me interes të veqantë edhe rritjen e shtetit të Kosovës në përditshmërinë e saj , siç pata nderin ta shoh dhe dëgjoj këtë interesim gjatë vizitave zyrtare në shtetin Gjerman.
Ndonëse, nga jashtë mund ta kenë parë situatën tek ne, më shumë përmes prizmës së trashë të dialogut të fundit me Serbinë, arritjes së përmbi 100 njohjeve të Kosovës, detyrave për liberalizim vizash etj. – kjo duket si një lloj vije e trashë strategjike që ndërlidhet me një rrugë më afatgjate që duhet të ndjek Kosova në të quajturën klimë stabiliteti, tranzicioni dhe përpjekje për t’u integruar në BE.
Mirëpo, këto vija të trasha strategjike nganjëherë mbase nuk vërejnë realitetin tonë të këtyre ditëve… Realiteti ynë është edhe Universiteti publik, protestat e studentëve, gjendja ekonomike, situata në veri, funksionimi i rendit dhe ligjit, etj.
Si pjestarë i një gjenerate e cila rezistencën për dinjitet dhe jetë të lirë e filloj pikërisht nga kjo hapësirë Universitare, nuk mund të jemi të indiferentë për ndodhitë aty, në institucionin e ndërgjegjes kombëtare. Por, ky shqetësim i brendshëm gjithnjë përcillet me hezitimin për të reaguar publikisht. Kjo, më shumë nga fakti se Universiteti ka autonomi, së paku në letër, dhe përzierja nga jashtë e ndonjë personaliteti a faktori politik rrezikon ndërhyrje që mund të përdoret në forma të ndryshme apo në rastin më të keq madje edhe të keqpërdoret. Dhe sot, mënyrën se si debatojmë, argumentojmë, akuzojmë, mbajmë anë apo njollosim i ngjanë më shumë një arene gladiatorësh në një publik të helmatosur se sa një përpjekje për të sjellur argumente dhe alternativa për zgjidhje problemesh.
Në përballjen jo rrallë edhe emocionale të shoqërisë sonë bëhet edhe shkarja iracionale, prej atakimit të dikujt që mund ta ketë pasur nënën të një etnie tjetër, e deri tek shpifjet e insinuatat se dikush, dikur ka qenë spiun serbi. Druaj se tashmë, çmendurisht në mënyrë naive jemi duke u fundosur tashmë në një baltë të gjallë dhe se nuk po e vërejmë se na ka kapluar diçka që në teori shërbimesh njihet si luftë speciale.
Po nuk reflektuam drejtë dhe me kohë, do të shohim me vonesë dhe të dëmtuar se në atë pellg uji që nuk ditëm të lëvizim shpejtë u shndërruam në gjallesa kënete. Në një moqal të këtillë moral së shpejti do të jetë gjithçka e mundur, secili mund të atakohet, secili mund të jetë viktimë dhe sulmues në të njëjtën kohë. Atëherë, do ketë rrënim vlerash dhe pikëpytjesh për gjithçka që kemi arritur deri më sot. Regresi dhe mohimi do prekte edhe vlerat tona më sublime si Universiteti, lufta për liri, pavarësia, demokracia dhe orientimi perëndimor i shtetit tonë.
Pa dashur të involohem në punët e organeve të drejtësisë, kisha apeluar për racionalitet dhe gjakftohtësi edhe kur kemi të bëjmë me arrestime të studentëve të dhunshëm dhe liderëve të pretenduar të protestave, nëse ka të tillë?!
Personalisht nuk dua të gjykoj mbi mënyrën e protestimit, mobilizimit dhe përfitimit politik të ndonjë grupi nga ajo protestë. Nuk dua të gjykoj as mbi dhunën e panevojshme ndaj organeve të rendit apo protestuesve. Dua të shprehë besimin tim, se të protestuarit e qetë është vlerë e demokracisë dhe duhet marrë natyrshëm, nuk duhet friksuar nga artikullimi i organizuar në rrugë i nevojave apo pakënaqësive të një grupi të caktuar të shoqërisë. Në konceptin tim, keqpërdorimi i secilës protestë për qëllime puro politike, trajtohet si aventurë e panevojshme. Ajo është njëherit mungesë e veprimit dhe artikulimit të ndërgjegjshëm shoqërorë.
Ajo që me të vërtetë më shqetëson më shumë, është pikërisht mungesa e kulturës së përballjes me argumentin e kundërt. Unë druaj se ende, nuk e kemi gjetur formën më adekuate se si t’ i sjellim debatet në masë, si t’i argumentojmë dhe t’i drejtojmë drejtë përqafimit të publikut. Ne, fatkeqësisht përbaltim gjithçka me të cilën nuk pajtohemi, sjellim në pikëpyetje mohuese edhe vet vlerat që realisht na kanë bërë të jemi këta që jemi dhe na kanë sjellur këtu ku jemi. Në mënyrë iracionale, një gjuhë të tillë të helmatosur nga facebook-u e sjellim në rrugë, në fusha sportive, në shkolla, institucione shtetërore, e sjellim çmendurisht në jetën e përditshme dhe familje.
E nisa këtë tregim me një qasje më të gjerë, se si nganjëherë shihemi më miqësisht nga të tjerët sesa nga vetja jonë. Mbase, dikujt kjo qasje nuk i ka pëlqyer, sepse këto ditë në modë është të deklarohesh shpejt, direkt për në temë dhe mundësisht të mbash qëndrim bardh ose zi. Më lejoni që të apeloj në gjykimin tuaj racional dhe shumëngjyrshmërinë e gjërave dhe mendimeve. Apeloj për përgjegjësi qytetare, që bashkarisht të reflektojmë ndërgjegjshëm për vendndodhjen e shtetit tonë dhe rrugëtimin e gjatë drejtë qëllimit për Kosovën Evropiane.