Krimi i nëntokës, përmes kombinimeve të ndryshme me paratë e shtetit, me anë të korrupsionit apo transaksioneve nga zyrtarët e nivelit të lartë, ka përfshirë Kosovën në të gjitha segmentet. Kjo elitë e korruptuar dhe e kriminalizuar, siç njihet edhe si “krim i jakave të bardha”, po bëhet i “padukshëm”, meqë pak ka lëvizur institucionet e shtetit për t’i goditur të fortët e pushtetit, shkruan Gazeta Kosova Sot.
Ata që rrinë në zyra dhe vishen me kostume e kravata dhe të cilët janë pjesë e kupolës më të lartë të pushtetit politik, zhvatin pa bërë zë, meqë nuk ka një luftë serioze karshi këtij krimi, qoftë të zbuluar apo të pazbuluar. Kësisoj edhe shtrohet pyetja se pse prokurorët tanë e kanë problem që të ballafaqohen me luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar të “jakave të bardha” dhe a po pret Prokuroria e Shtetit, funksionalizimin e Gjykatës Speciale që ta pastrojë shtetin nga të inkriminuarit me “jaka të bardha”, në mënyrë që ta ketë më të lehtë ballafaqimin me krimin kur të bien “kokat” e mëdha të pushtetit?
“Patriotët e flaktë” që shkatërruan shtetin
Avokati Nikë Shala, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka bërë me dije se personat e “krimit të jakave të bardha”, si kryes të veprave penale, janë pjesë e elitës politike, shtetërore apo ekonomike të një vendi dhe, sipas tij, këta individë janë të rrezikshëm për demokracinë dhe sigurinë kombëtare të një kombi, ngase këta persona nëpërmjet pushtetit politik keqpërdorin pozitën e tyre, duke realizuar të ardhura materiale.
“Krimi i jakës së bardhë paraqet rrezikshmëri të lartë për shoqërinë. Personat e dyshuar zakonisht publikisht shfaqen si patriot të flaktë, kinse kanë sakrifikuar jetën e tyre për vendin, po ashtu bëjnë presion dhe shantazh dhe veprojnë duke korruptuar. Madje aktiviteti i tyre kriminal është i shtrirë edhe jashtë kufijve”, u shpreh ai.
Por, Shala ka nënvizuar se në këtë drejtim Prokuroria e shtetit dita-ditës po reflekton pozitivisht në luftimin e kësaj dukurie të rrezikshme për vendin, pasi, siç tha, përmes inicimit të procedurave penale dhe ngritjes së aktakuzave ndaj të dyshuarve për vepra penale të natyrës së tillë po i ndjek të paprekshmit e sistemit. Ai shton kjo bazohet edhe në objektivat kryesore dhe vizionin e Prokurorisë së shtetit, pavarësisht themelimit të Gjykatës Speciale.
“Unë besoj fuqishëm se me punën dhe angazhimin profesional ky institucion duhet të jetë i gatshëm në hetimin dhe ndjekjen e të gjithë kryesve të dyshuar për vepra penale, sidomos të zyrtarëve të lartë publikë, të cilët kanë qenë të paprekshëm për drejtësinë”, ka deklaruar avokati Nikë Shala. /Kosova Sot/