21.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Veteranët s’i përjashtojnë protestat

UCK-rreshtNgritja e aktakuzës kundër “Grupit të Drenicës” pritet të kundërshtohet fuqishëm nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Kryesia e OVLUÇK-së pritet të mblidhet këtë javë për të vendosur rreth veprimeve që do të marrë për ta kundërshtuar aktakuzën e ngritur kundër “Grupit të Drenicës”.

Kryetari i OVLUÇK-së, Muharrem Xhemajli, ka thënë për “Epokën e re” se kryesia e kësaj organizate do të mblidhet gjatë kësaj jave dhe do të vendosë për hapat që do të marrin ndaj këtij procesi. “Gjatë kësaj jave do të takohemi me kryesinë e organizatës dhe të shohim se çka do të vendosim për të vepruar më tutje”, ka thënë Xhemajli.

Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e mbajtjes së një proteste gjithëpopullore për ta kundërshtuar këtë aktakuzë.

“Gjithçka është e mundshme, megjithatë duhet të presim derisa ta mbajmë takimin dhe të diskutojmë se si duhet t’i kundërshtojmë këto padrejtësi që po bëhen ndaj bashkëluftëtarëve tanë dhe prijësve të luftës çlirimtare”, është shprehur Xhemajli, duke shtuar se edhe kjo aktakuzë është politike dhe ka për qëllim njollosjen e luftës çlirimtare.

“Ne kemi thënë edhe më herët se këto janë procese politike dhe këtë më së miri e ka treguar edhe shefi i EULEX-it në Kosovë, ku ka prejudikikuar se faza e parë e këtij procesi do të ndodhë në qershorin që vjen. Këto janë komplet procese politike dhe kanë për qëllim njollosjen e luftës së UÇK-së”, ka deklaruar Xhemajli.

Ndërsa avokati i Sylejman Selimit, Tomë Gashi, ka konfirmuar për “Epokën e re” se dispozitat ligjore parashohin që seanca e parë për këtë proces të mbahet brenda 15 ditëve. “Ne nuk kemi thirrje ende, por sipas ligjit seanca e parë duhet të fillojë brenda 15 ditëve, meqenëse Sylejman Selimi dhe të tjerët janë në paraburgim”, ka thënë Gashi. Ai ka përsëritur edhe një herë se prokuroria nuk ka asnjë provë që mbështet dyshimet që i ka paraqitur në aktakuzë.

Prokurori i EULEX-it, Maurizio Salustro, të premten ka ngritur aktakuzë kundër ish-komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimit, ish-komandantit të Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku dhe 13 ish-bashkëluftëtarëve të tyre, të njohur si “Grupi i Drenicës”. Të pandehurit akuzohen për vepra penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile, në një qendër paraburgimi të UÇK-së në Likoc në vitin 1998.

Më Shumë

Përurohet Muzeu i masakrës në Krushë të Madhe

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka marr pjesë në përurimin e Muzeut të masakrës së Krushës së Madhe të Rahovecit, raporton Ekonomia Online. Muzeu përmban...

Policia shqipton 1.521 gjoba në trafik

Policia e Kosovës njofton se për 24 orë, ka shqiptuar 1521 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar disa aksidente...

Lajmet e Fundit