11.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Vjehrri më ngacmon!

Ajo çfarë më shtyn të shkruaj është dëshpërimi dhe fakti se jam në një moment ku po më duket sikur po shpërthej. Jam e martuar qe tre vjet dhe e kam një vajzë të mrekullueshme e një burrë që më do. Kur u martova unë dhe burri im punonim të dy dhe kishim sirtarin e famshëm të ëndrrave. Për fat të keq gjashtë muaj pas martese fati na i ktheu krahët dhe brenda tre muajsh boshatisëm shtëpinë tonë, pasi të dy humbëm punën dhe nuk mund t’i lejonim vetes të paguanim qiranë. Shkuam të jetonim te vjehrrit e mi, persona që atëherë i shihja si një çift i dashur miqsh. Por, koha e tregoi të kundërtën…

Isha shtatzënë pesë muajsh kur ndodhi e gjithë kjo. Pas kësaj traume kam qenë shumë nervoze, e pranoja por gjithmonë jam përpjekur të mendoj pozitivisht dhe sidomos t’i shihja vjehrrit e mi si miq. Kaluan shumë pak muaj dhe vjehrri im ndryshoi rrënjësisht me mua. Në momente që ishim vetëm ai më hidhte kunja se si prindërit e mi nuk më ndihmojnë, ashtu si bëjnë të tjerët, se gruaja e tij punonte më shumë se unë etj. Pak e nga pak filloi dhe u bë më i rëndë, nëse unë ndizja dritat ai menjëherë pas meje i fikte, duke më thënë se duhet të kursenim. Por, këto m’i thoshte vetëm mua dhe jo të tjerëve, madje as djalit tjetër që shpenzime bën shumë nuk i flet. Dua të them se unë gjithmonë jam përpjekur të ndihmoj në shtëpi, por nëse unë laj enët më pas marr vesh se nuk janë larë mirë, nëse hekuros, për ata nuk e bëj mirë, nëse laj banjën, harxhoj shumë detergjent etj.

E kam kundër edhe vjehrrën!
Pas lindjes së vajzës kërkova menjëherë punë dhe u përshtata me gjithçka. Bëra gjithçka për të kompensuar paratë që familja ime nuk mund të m’i jepte, por zbuloj që edhe këtë nuk e bëj mirë. Vjehrri im më urren, sepse nuk jam nga qyteti i tij, nga Gjakova, dhe më kujton gjithmonë një situatë kur unë ndoshta i kam folur pak rëndë dhe për të cilën i kam kërkuar falje tri herë. Problemi është se më vë kundër edhe vjehrrën, një grua e shenjtë, me një besim ekstrem te burri i saj. Ajo më ka thënë se duke qenë se burri im më mbron mua dhe është kundër atyre, unë i kam futur helmin në shtëpi, që çdo ditë për fajin tim ha bukë dhe helm dhe, madje, më akuzon që dua ta largoj vajzën prej tyre dhe preferoj të rri më shumë me nënën time. Kjo më ka lënduar shumë, sepse e dua shumë dhe e di që është burri i saj që i thotë se unë sillem keq. Ka bërë shumë për mua dhe do t’i jem gjatë gjithë jetës mirënjohëse, por ato që më ka thënë janë shumë prekëse. Ajo më ka thënë se është betuar se nuk do t’ia bënte asnjërës ato që vjehrra e saj ia ka bërë.

Unë dua punë, por nuk po mund të gjej. Burri im më mbështet, por unë nuk dua të grindem me nënën e tij, sepse jam e mendimit se ajo është një grua e mirë, por burri i saj i thotë gjëra të caktuara për mua dhe është normale që ajo i beson atij dhe më urren mua. Nënë ka vetëm një dhe nuk dua që burri im të humbasë të tijën për shkakun tim dhe që vajza ime të largohet nga një gjyshe që e do shumë.

Çfarë të bëj?
Ende burri im nuk gjen punë, këtu në shtëpi nuk më duan më. Edhe pse thonë se nuk na nxjerrin përjashta dhe se jemi ne ata që duam të ikim, nuk është e vërtetë. Të bisedosh me ta nuk ia vlen, sepse e kam bërë disa herë, e ata thonë le t’i harrojmë të gjitha. Unë kërkoja falje, ata gjithashtu, por ditën tjetër fillon çdo gjë nga fillimi…/kosovarja/

Më Shumë

Lajmet e Fundit