Në Prishtinë u shfaq premiera e dramës së regjisorit kosovar Agim Selimi, e cila sipas tij bën fjalë për fillimin e luftës në Kosovë, për divergjencat dhe për dridhjet shpirtërore që kanë ekzistuar në atë kohë, për ngarkesat e komunizmit dhe një thyerje të madhe e cila ndodh pikërisht me shkatërrimin e familjes për shkak të tensioneve psikologjike, ekonomike, por edhe represive të asaj periudhe.
Kjo shfaqje u vlerësua lart nga publiku dhe kritika për mesazhin dhe lojën e aktorëve.
Kriza e një familjeje shqiptare në prag të luftës së vitit 1999, është tema kryesore e dramës “Vorbulla” me tekst të Besim Rexhës dhe regji të Agim Selimit, e cila është inskenuar të martën në mbrëmje si premiera e parë për këtë vit në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Drama familjare “Vorbulla”, më tutje ka trajtuar gjendjen e kësaj familjeje që ishte në një nivel të lakmueshëm gjatë periudhës së para-luftës në Kosovë, raporton sot kultplus. Personazhi Sokoli të cilin e luante aktori Ismet Azemi, është një njeri ambicioz i cili gjatë periudhës së realizmit socialist në ish-Jugosllavi bën çmos që si avokat të arrijë në majat e suksesit të pushtetit të atëhershëm, por më vonë ai i humb fëmijët e tij si pasojë e kësaj lakmie për t’u ngjitur sa më lartë në pushtet.
I kritikuar në vazhdimësi për humbjen e fëmijëve te tyre, gruaja e tij Drita (Aurita Agushi) shtonte dozën e përbuzjes dhe urrejtjes ndaj burrit të saj me profesion avokat. Të pushtuar nga ankthi i të papriturës lidhur me fatin e bijve të tyre, “të humbur” çifti bashkëshortor, Sokoli dhe Drita, pushtohen nga ankthi i fajit duke u ballafaquar ndërmjet veti për të kaluarën e tyre ku akuzonin njëri-tjetrin për mungesë vizioni për të ardhmen.
Ky çift tashmë i vetmuar në shtëpi, vizitohej herë pas here nga psikiatri Agroni (Afrim Kasapolli), i cili ishte miku i familjes së tyre. Ai e artikulonte të vërtetën për vetveten dhe për miqtë e tij, ku i trajtonte me kujdes ngritjet, rrënjët dhe krizën e mashtrimit për vorbullën në kthetrat e së cilës përpëliteshin gjatë kësaj drame.
Një telefonatë e Besfortit nga prapavija e frontit, i veshur në petkun e ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka shokuar babanë e tij, Sokolin në fund të dramës “Vorbulla” që nuk mund ta parashikonte assesi këtë situatë, pasi që dëshironte të besonte se djali dhe vajza e tij ndodheshin në një vend më komod.
“Teksti “Vorbulla” bën fjalë për fillimin e luftës në Kosovë, për divergjencat dhe për dridhjet shpirtërore që kanë ekzistuar në atë kohë, për ngarkesat e komunizmit dhe një thyerje të madhe e cila ndodh pikërisht me shkatërrimin e familjes për shkak të tensioneve psikologjike, ekonomike, por edhe represive të asaj periudhe.
Aktorët e angazhuar në këtë shfaqje për një muaj kanë bërë një punë të madhe dhe besoj që ishte një ekip shumë homogjene”, ka deklaruar për “KultPlus” Agim Selimi, i cili pas kësaj shfaqje mori lëvdata nga të pranishmit e shumtë.
Dramaturgu Naser Shatrolli vlerësoi punën e regjisorit Selimi si dhe përshtatjen e skenografsë dhe kostumeve me temën e shfaqjes. “Ky tekst të jep kaq sa ne pamë sonte.
Regjisori Selimi e ka vu në skenë këtë tekst mjaft mirë, përkundër asaj që ky tekst, mendoj është i thatë, tekst letrar megjithëkëtë, aktrimi ishte në nivelin e duhur e përcjellë me një dizajn të mirë estetik dhe me një skenografi tejet funksionale në kuadër të idesë, ku edhe kostumet e aktorëve ishin brilante të punuar shumë mirë nga Samka Ferri.
Kjo ishte mundësia e këtij teksti, ku nuk besoja se do të mund të jepte më shumë se kaq”, theksoi dramaturgu, Naser Shatrolli.
Aktori Luan Daka ka vlërësuar lart interpretimin e aktorëve në këtë shfaqje si dhe punën e regjisorit Selimi.
“Drama “Vorbulla” është një shfaqje tejet e fuqishme dhe po ashtu emocionale, ku na përkujton shqetësimet dhe dhimbjet e madhe të cilat i kemi pasur gjatë periudhës së luftës, ku vazhdojmë t’i kemi ende këto shqetësime. Aktorët Ismeti, Afrimi dhe Aurita ishin në nivelin e lartë dhe publikut ia përcollën shqetësimet e personazheve të kësaj shfaqje. Interpretimi i tyre tejet profesional dhe qasja e regjisorit Selimi në këtë dramë familjare më bërë përshtypje të mëdha”, shtoi aktori i njohur në vend Luan Daka.
Aurita Agushi, ka thënë se roli i saj në këtë shfaqje ishte tejet kompleks, sepse vetë drama qe e këtillë dhe kërkonte bagazh artistik e po ashtu intelektual për t’i hyrë në thelb këtij roli.
“Roli im ishte ai i gruas që është i titulluar Drita. Ky rol është edhe kompleks për shkak të ndjesisë së një nëne ndaj fëmijëve të vet. Kur ke bagazh artistik, unë mendoj që çdo rol për t’u realizuar paraqet sfidë për një aktor.
Çdo personazh ka personalitetin e tij dhe ne si aktor duhet të hyjmë në qenien e saj, ta zbërthejmë atë mirë dhe ta sjellim në mënyrën sa më origjinale para publikut”, ka theksuar Agushi.
Ndonëse, Vorbulla njihet si fenomen i gravitetit të tokës që gëlltit çdo gjë rreth vetes, drama e autorit Rexha me po këtë emër, synon që të tërheq afër vetes sa më shumë shikues kurdo që shfaqet ajo me tematikën të cilën e posedon./KultPlus.com