4.8 C
Prizren
E hënë, 2 Dhjetor, 2024

Vrasja enigmatike e kolonel Ahmet Krasniqit

Bejtullah KRASNIQI

U mbushën njëzet e pesë vjet nga dita kur u vra kolonel Ahmet Krasniqi. U vra në qendër të Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë. Kryeqytetit të shtetit amë. Kryeqytetit të nënës Shqipëri. Të Shqipërisë mëmë. Po të jenë të sakta këto epitete që ne shqiptarët e Kosovës kemi thur për Shqipërinë, kjo nuk do të duhej të ndodhte, aq më tepër, në një kohë kur Kosova ishte në luftë. Kolonel Ahmet Krasniqi ishte me ndore të shtetit amë!!! Ishte Ministër i Mbrojtjes i Kosovës.

Aso kohe (1998) lufta vlonte në Kosovë. Kishte njerëz që i kishin lënë shtëpitë dhe ishin arratisur në male, pyje, shpella, kudo që shpresonin se mund të shpëtonin kokën. Shumë prej tyre dolën edhe jashtë kufijve të Kosovës. Ushtria, policia dhe paramilitarët serb, të armatosur rëndë, ishin kudo dhe vrisnin kë të donin. Shqiptarët ishin shënjestra më e këndshme për ta. Ishin edhe shënjestër e lehtë sepse populli ishte i paarmatosur dhe i pambrojtur. Madje edhe në radhët e UÇK-së kishte ushtarë pa armë. Që shqiptarët të mos kenë armë, janë kujdesur Tito dhe Rankoviqi qysh në vitet 1955,56,57 kur e krehën çdo shtëpi shqiptare, aso kohe shumë nga burrat e Kosovës nuk i mbijetuan torturave, sepse nuk kishin armë për të dorëzuar.

Nga sa u tha më lartë, kuptohet se pritjet e kosovarëve nga “nëna” Shqipëri ishin krejt të tjera nga sa i kemi parë në realitet. Shqipëria në këtë kohë, ta zëmë, le që nuk i prishi marrëdhëniet me Serbinë e as nuk e tërhoqi ambasadorin nga Beogradi, por nuk më kujtohet t’ia ketë adresuar ndonjë notë proteste Beogradit. Shqipëria aso kohe ishte shtet me 86 vjet traditë. Kishte: Presidencën, Qeverinë, Parlamentin, Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Brendshme, Shërbimin Informativ Kombëtar, sistemin monetar, kufijtë e konsoliduar dhe ndërkombëtarisht të pranuar etj. Pra ishte një shtet i mirëfilltë, së paku kështu do të duhej të ishte.

Po ç’po ndodhte me Shqipërinë e asaj kohe? Asokohe u mbajtën nën arrest shumica e atyre djemve e burrave, përfshirë këtu edhe Adem Jasharin, që në Shqipëri blenin armë dhe me shumë mund e sakrificë me ato armë kalonin kufirin për në Kosovë të vetëdijshëm për rreziqet që sjell ky rrugëtim. Me apo pa ndihmën e Shqipërisë lufta për lirimin e Kosovës do të bëhej sepse e dinin se liria nuk pikë nga qielli. Shumë të burra u vranë në tokën e premtuar: Remzi Hoxha, tetor – ?95, Ali Uka, tetor – ?97, Ilir Konushevci e Hazir Mala, maj ?98 dhe vrasja më e rëndë që luftën e Kosovës e ka dëmtua qenësisht, Kolonel Ahmet Krasniqi më 21 shtator të vitit 1998 në qendër të Tiranës. Kjo njollë e zezë nuk mund t’i hiqet Shqipërisë pa e zbardhur këtë tradhti. Të merremi vesh, krime, vrasje e atentate ka pasur e do të ketë gjithnjë, ato nuk mund të ndalen asnjëherë. Por, kur një shtet i organizuar si Shqipëria nuk e zbardh asnjë nga vrasjet e sipërpërmendura, atëherë ajo bëhet bashkëpjesëmarrëse në ato vrasje. Andaj Shqipëria, sqarimet për këto vrasje ia ka borxh Kosovës.

Janë shkruar shumë artikuj për vrasjen e ministrit Ahmet Krasniqi, janë bërë emisione televizive e filma dokumentarë, është fol e përfol kjo tradhti por, deri më sot vetëm zhurmë ka pas, asgjë konkrete. Përderisa nuk zbardhet kjo vrasje dhe nuk dihet si dorëvrasësi ashtu edhe urdhërdhënësi, shumë figura politike e ushtarake në Kosovë, e sidomos në Shqipëri do të jenë përgjegjës.

Gjatë luftës në Kosovë janë bërë dhe të tjera vrasje, si brenda Kosovës ashtu edhe në Shqipëri. Vrasjet e tilla doktrinat e luftës i quajnë dëme kolaterale, sepse bëhen pa paramendim dhe gabimisht. Vrasjet e përmendura më lartë nuk mund të jenë të tilla. Këto vrasje kanë qenë të përgatitura nga qarqet e armiqve të Kosovës dhe miqve të tyre e në mes miqve të tyre ka pas edhe mjaft shqipfolës si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Por, t’i kthehemi kolonel Ahmet Krasniqit.

Qeveria e asokohshme e Kosovës në egzil, pas shumë verifikimeve të oficerëve shqiptarë kishte vendos që Ahmet Krasniqin ta emëronte për Ministër të Mbrojtjes, këtë e pati shpallur vetë Kryeministri i Kosovës në egzil Bujar Bukoshi gjatë një fjalimi para demonstruesve shqiptarë në një qytet gjerman diku në mars/prill 1998. Bujar Bukoshi e ka përgjegjësinë më të madhe nga të gjithë për vrasjen e Ahmet Krasniqit, sepse vet e ka emëruar për ministër të mbrojtjes dhe vet e ka lënë në baltë: e ka lënë pa e dekretuar si ministër, e ka urdhërua që zyrën ta ketë në Tiranë, e ka lënë pa financa të mjaftueshme, pa staf të besueshëm e atdhetarisht të dëshmuar dhe kur e kanë lajmërua se e vranë ministrin, është përgjigjur me pyetjen cinike: a e vranë shumë apo pak!!! Përgjegjësit e tjerë, për këtë vrasje të shekullit do ta quaja, janë: Fatos Nano, Fatos Klosi, Sali Berisha, shtabi i UÇK-së e shumë të tjerë.

Të gjithë këta emra kanë pas njohuri për atentatin, disa e kanë ndihmuar, të tjerët kanë bërë sehir dhe në heshtje e kanë miratuar. Nuk e kam as më të voglin dyshim se vendimi për vrasjen e Ministrit të Mbrojtjes në kohë lufte është marr në Beograd, sepse armiku të shënjestron kokën, por të gjitha parapërgatitjet, përgatitjet, survejimi, angazhimi i njerëzve të dyshimtë në rrethin e tij të ngushtë, angazhimi i dorëvrasësit mercenar etj, janë bërë nga shqiptarët. Pra është një varg i gjatë argatësh të Serbisë që kanë punuar për këtë atentat.

Të gjitha këto figura të përmendura kur pyeten për Ahmet Krasniqin vetëm mërmërisin nëpër dhëmbë duke tentuar ta minimizojnë rolin e tij dhe ta zhvlerësojnë emrin e tij. Gjeneral Kudusi Lame, vite më parë, në një dokumentar për luftën në Kosovë thoshte: – “e kam njohur Ahmet Krasniqin, ka qenë njeri i mirë por ai nuk kishte organizim ishte i papërgatitur”, ndërsa në një emision tash së fundmi thotë: – “Ahmet Krasniqi ishte një ushtarak par ekselans, një komandant brilant, i pashoq”.

Cilës deklaratë t’i besojmë, asaj të mëparshmes apo kësaj të fundit!? Pas vrasjes së Ahmet Krasniqit, vendin e tij e zuri Halil Bicaj i cili në një intervistë të kohëve të fundit thotë: – “Ahmeti nuk i dinte gjërat, ai as nuk ishte i dekretuar si ministër, as nuk i drejtoheshim si ministër, disa e quanin bacë, disa i drejtoheshin me Ahmet, unë kurrë nuk i jam drejtuar me ministër”!!! Ja me çfarë njerëz ka qenë i rrethuar Ministri i Luftës! Edhe Fatos Klosi flet me indiferencë dhe mospërfillje për Ahmet Krasniqin, ky njeri nëse nuk është fajtor për vrasjen e kolonelit, është fajtori i parë për moszbardhjen e vrasjes së tij sepse ka qenë shef i Shërbimint Informativ Kombëtar. Dibra ka dhënë shumë personalitete historike me të cilët me të drejtë mburret, por Fatosi e ka turpëruar Dibrën. Si për ironi, Fatos Klosi ka statusin e veteranit të UÇK-së!

Me këtë rast do t’i pyesja këto karaktere të dyshimta: – në qoftë se Ahmet Krasniqi ka qenë aq i paditur, i paorganizuar, profesionalisht i papërgatitur, kujt mund t’i ketë penguar dhe kush do ta ketë dëshiruar vrasjen e tij? Nuk vriten njerëzit e lig, populli thotë: të tillët nuk janë as hajri i turkut as sherri i shkaut. Ahmet Krasniqi u vra pikërisht për faktin sepse ishte njeri i madh.

Të gjithë ata që aso kohe kanë qenë në pozita vendimmarrëse kur flasin për kolonelin, ose e anashkalojnë bisedën ose e minimizojnë rolin dhe figurën e tij duke lënë të kuptohet se, tek e fundit, ka qenë një njeri, pse të flitet kaq shumë për të. Po, e vërtetë, Kolonel Ahmet Krasniqi ka qenë njeri si gjithë të tjerët, edhepse e kaluara e tij dhe e familjes së tij tregon për një kontribut domethënës për Kosovën. Por, ta anashkalojmë kontributin e tij dhe paraardhësve të tij për Kosovën, ta zëmë se ka qenë një njeri krejt i zakonshëm. Në momentin kur është vra kolonel Ahmet Krasniqi, ka qenë Ministër i Mbrojtjes në kohë lufte, pra Ahmet Krasniqi formalisht ka qenë vetë lufta. Me vrasjen e tij është vra lufta e Kosovës, është vra vetë Kosova, prandaj kjo vrasje është vrasje e rëndë, vrasje e shekullit. Akoma më e rëndë bëhet kjo vrasje kur ajo ndodh në kryeqytetin e shtetit amë, në Tiranë. Kjo tradhti nuk falet pa u zbardhur hollësisht. Siç nuk harrohet as masakra e Tivarit. Këtë Shqipëria ia ka borxh Kosovës.

Më 21 shtator të vitit 1998, Kryeministër i Shqipërisë ka qenë Fatos Nano, nuk besoj të mos ketë qenë i informuar për rrezikun që i kanosej ministrit Krasniqi, sepse SHIK-u do të duhej ta dinte këtë, aq më parë kur dihet se policia e shtetit pak ditë para atentatit disa herë e kanë bastisur dhe kontrolluar ministrinë dhe vetë ministrin për armë. Këto kontrolle e bastisje janë bërë pikërisht për ta përgatitur terenin për atentat. Pra kryeministri Nano dështoi që ta evitonte këtë tradhti.

Është po ky kryeministër i Shqipërisë i cili, në kurriz të Kosovës, bëri njëfarë pazari me Millosheviqin në Kretë dhe në një rast tjetër na bëri selam nga Lisbona e Portugalisë, atëherë pati thënë: – “shqiptarët e Kosovës kryeqytet e kanë Beogradin”! Edhe Sali Berisha mund ta ketë ditur se diçka e keqe po i përgatitet Kosovës, ndonëse ishte në opozitë, ka pasur në institucione njerëz të besueshëm të tij që do ta kenë informuar, dhe nuk ndërmori asgjë. Edhe pjesëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së mund të kenë pasur informata se po përgatitet ky akt i turpshëm dhe nuk ndërmorën asgjë. Edhe përfaqësuesi i krahut politik të UÇK-së Adem Demaqi, nuk është e mundur të ketë qenë i privuar nga informimi. I ndjeri, krejt çka ka ditur i ka marr me vete dhe kjo nuk do t’i bëjë nderë. Ja pse dyshoj në gjithë këta njerëz. Pra të gjithë këta që u përmendën më lartë, kush me punë e kush me heshtje, e kanë miratuar dhe zbatuar vendimin e Beogradit për vrasjen e Ministrit të luftës në kohë lufte. Çka ka përjetuar e çka po përjeton Kosova e ngratë!!!

Nga sa u tha më lartë, mund të konkludojmë se i ndjeri kolonel Ahmet Krasniqi paska qenë i rrethuar me ‘murtat’ të cilët kanë zbatuar urdhëratë e armikut. Nejse, kjo nuk është as e para e me siguri nuk do të jetë as e fundit vrasje politike nga vet shqiptarët. Rreshtat e librave të historisë sonë janë përplot me vrasje të tilla, ndonëse kjo është më e rënda.

Në këtë ngjarje të rëndë e makabre, nuk janë krejtësisht të pafajshëm as shokët dhe bashkëpunëtorët më të afërt dhe më të besueshëm të kolonelit, sepse nuk qenë të aftë që ta zbardhin këtë tradhti e t’i shkruajnë një letër komandantit të tyre në botën e amshueshme, t’i thonë: fli i qetë kolonel se tradhtarët u zbuluan. Por jo, këtë ata nuk mund ta bëjnë pa e zbardhur vrasjen e kolonelit. Fatkeqësisht, këtu më duhet ta huazoj titullin e romanit të Markezit, kolonelit nuk ka kush t’i shkruaj.

Ndërsa vogëlsia ime, po të mund t’i shkruante një letër kolonelit, do t’i thosha shumë shkurt: – kolonel, duhet të jesh i lumtur që nuk je më i rrethuar me tradhtar.

Më Shumë

Gratë e UÇK-së në qendër të ekspozitës në Prizren

Për të nderuar kujtimin për gratë që kontribuuan për lirinë e Kosovës, në ndërtesën e Komunës së Prizrenit është hapur ekspozita “Gratë në rrugën...

Kontrabandonin municion nga Serbia, arrestohen dy persona në Prizren

Dy persona janë arrestuar në Prizren, pasi që po kontrabandonin municion nga Serbia, për poligonët e armëve në Kosovë. Gjatë kontrollit në automjetin e të...

Lajmet e Fundit