6.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Xhufi: Vetëm Berisha dhe Esadi luajtën me varret dhe kufi

Pëllumb XhufinShqiptarët u kujtuan, më në fund, se kanë një jetë për të jetuar dhe kanë fëmijë për të trashëguar, ndaj dhe vendosën të ndahen përfundimisht nga Shqipëria e të marrëve, dhe t’i kthehen Shqipërisë reale, asaj të halleve”. Për Pëllumb Xhufin, kjo është arsyeja pse qeveria aktuale humbi zgjedhjet. Ai vjen në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, për të analizuar jo vetëm rezultatin e 23 qershorit, por edhe gjendjen aktuale të Akademisë së Shkencave dhe Qendrës së Studimeve Albanologjike. I rreptë e konçiz, analiza e tij rrok problematikat kryesore me të cilat është përballur shkenca shqiptare në këto vite, stuhitë e kaluara, debatet më të mëdha. Kur e pyet Xhufin se çfarë duhet bërë më tej, profesori shprehet: Nëse qeveria ka ndërmend të kryejë një reformë të vërtetë të kërkimit shkencor, duhet më së pari të organizojë një debat të gjerë mes vetë studiuesve, të mbajë një qëndrim të bazuar ndaj pseudo-reformës berishiane dhe ideatorëve të saj, që në këto vite i shkaktuan vendit humbjen e aseteve e të kapaciteteve shkencore të parikuperueshme…

Profesor, cilat janë arsyet që e çuan drejt humbjes qeverinë aktuale?

Mendoj se arsyeja që ndikoi më gjerë në këtë rezultat, ishte se shqiptarët u kujtuan, më në fund, se kanë një jetë për të jetuar dhe kanë fëmijë për të trashëguar, ndaj dhe vendosën të ndahen përfundimisht nga Shqipëria e të marrëve dhe t’i kthehen Shqipërisë reale, asaj të halleve. Në fund të fundit, aty jetojnë. Venitja e yllit të Jozefinës në këto vitet e fundit, apo refuzimi dhe neveria që shkakton tek çdo shqiptar i arsyeshëm Xhelal Mziu i “qytetit blu”, shënon, sipas mendimit tim, deri edhe një ndarje estetike nga modeli i një bukurie, i një mirëqenieje dhe i një kulture të rremë, me të cilat iluzionisti i fundit, Sali Berisha, u mundua të shushasë popullin e tij. Por përtej estetikës politike, hendeku i krijuar mes popullit dhe berishizmit ishte shumë më tepër dramatik. Shqiptarët panë se, në 100-vjetorin e shtetit të tyre, Sali Berisha po realizonte mu përpara syve të tyre modelin e tij të “Shqipërisë një euro”, ku rezultati më i dukshëm i politikave ekonomike është dhurimi i pasurive të vendit Fazlliçëve, Mishkoviçëve e Gaxojanëve të ndryshëm dhe sivëllezërve të tyre shqiptarë dhe kthimi i “së bukurës së dheut” në një kosh plehrash për mafien botërore; Ku për hir të një pushteti të vjedhur, politika u shkri me krimin dhe nuk hezitoi as edhe të vrasë shqiptarë e të shesë interesat jetike të vendit, të luajë me varret, me kufijtë, me identitetin dhe me historinë e shqiptarëve, siç nuk kishte guxuar të bënte as vetë Esad Pasha në kohën e tij; ku “demokratura” berishiane, pasi përpiu çdo pushtet të pavarur e çdo qelizë lirie, rrezikonte të kthehej në arketipet klasikë të diktaturës. Vini re fjalimin “e ndarjes” të z.Berisha. Ishte një shfryrje kundër popullit të tij: “ju jeni të padenjë për mua, ju nuk më meritoni”! Ngjashmëria me shembujt e frikshëm të Musolinit e të Hitlerit, nuk është e rastësishme. Edhe ata, pasi i fanatizuan dhe i çuan popujt e tyre drejt katastrofës, i bënë përgjegjës për dështimin e marrive të tyre.

Akademia e Shkencave e ka humbur rëndësinë dhe peshën që ka pasur. A ishte ky faj i qeverisë?

Akademia e Shkencave është një nga rrënojat që lë pas qeverisja e PD. Në vitin 2006, pasi e kishte baltosur prej vitesh si “akademi sovjetike”, qeveria e PD shpalli reformën e saj për integrimin e kërkimit shkencor në universitete. Në këtë kuadër, Akademia e Shkencave u zhvesh nga institutet kërkimore në varësi të saj, u privua nga roli i mëparshëm i politikëbërjes shkencore, i organizimit e koordinimit të veprimtarisë kërkimore, duke u kthyer në një akademi “honorifike”, me mundësi e funksione fare të rrudhura. Duke përjashtuar një numër të vogël personalitetesh, gjithnjë më të paktë e gjithnjë më të izoluar, pjesa kryesore e anëtarëve të akademisë u përzgjodhën me kritere të qarta politike. Publiku i gjerë i ka parë ekzemplarë të tillë, që kundrejt “sublimimit” të tyre akademik dhe bonusit mujor prej 40 mijë lekësh të reja, të hequra nga xhepat e taksapaguesve të varfër shqiptarë, shfaqen vetëm kur u jepet urdhër të miratojnë e duartrokasin çdo bëmë të qeverisë, që ka pasur të bëjë me rrënimin e ekonomisë, shkatërrimin e mjedisit dhe deri tek shpërfytyrimi e përmbysja e historisë, e gjuhës dhe e shkencave albanologjike në përgjithësi. Refuzimi i ftesës për akademikun e shquar dhe shqiptarin e madh, Prof.Rexhep Qosen në konferencën shkencore për 100-vjetorin e Pavarësisë, ishte turpi dhe fundi moral i asaj akademie. Por përtej këtij fakti, edhe pse i rëndon buxhetit të shtetit po aq sa i rëndonte kur kishte në varësi plot 13 institute kërkimore-shkencore, kur kishte në gjirin e saj dinozaurë të vërtetë të shkencës shqiptare dhe kur kryente veprimtari me nivel e rezonancë ndërkombëtare, akademia e sotme thjesht e vetëm vegjeton. Dhe jo thjesht për paaftësi, përderisa ndodhen ende në gjirin e saj studiues të aftë e të talentuar. Problemi është se asaj akademie nuk i kërkohet të bëjë shkencë e të përgatisë shkencëtarë, si dikur. Ndërkohë që e mban si një aset të vetin, ndërkohë që kujdeset t’u japë akademikëve pagën dhe “bonusin e heshtjes”, qeveria e ka zhveshur akademinë nga çdo autoritet shkencor dhe nga çdo financim real e efektiv për drejtimin dhe realizimin e projekteve të vërteta studimore, siç premtoi në çastin e gjoja-reformimit të saj. Dikur, dikush do të kujtohet të shkruajë edhe historinë e Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Paradoksalisht, do të ketë ç’të thotë për periudhën e parë të saj, periudhën “komuniste” 1973-1990. Por ia qaj hallin që tani atij historishkruesi, për vështirësinë që do të ndeshë në përshkrimin e historisë post-komuniste të Akademisë Shqiptare të Shkencave. Rasti i tij i vështirë, më kujton anekdotën me historianin e lashtësisë, Eforin. Ky u vu të shkruajë një histori të luftërave e betejave të përbotshme dhe kur po bëhej gati t’i vinte pikën e fundit veprës së tij shumëvëllimëshe, u kujtua se nuk i kishte kushtuar asnjë fjalë vendlindjes së tij, ishullit Cymos. E mbajti penën pezull dhe u mundua të kujtojë ndonjë bëmë a heroizëm që lidhej me bashkëpatriotët e tij, por nuk gjeti asnjë të tillë. Megjithatë deshi me çdo kusht të thoshte diçka për ta, dhe, pasi u mendua mirë, i dha dum ta mbyllte veprën e tij historike me fjalët: “Dhe ndërsa në botë ndodhnin të gjitha këto, banorët e ishullit Cymos kalonin një jetë të qetë e pa brenga”.

Më Shumë

Vlera e kredive të reja për muajin mars 2024 arriti në 241.20 milionë euro, edepozitave 69.70 milionë euro

Shtatë miliardë e 500 milionë euro janë asetet e bankave komerciale në Republikën e Kosovës derisa shuma e depozitave të qytetarëve arrin në 6.05 miliardë...

Guardiola me çdo kusht e dëshiron transferimin e Musialas

Pep Guardiola raportohet se ka vendosur për objektivin kryesor të afatit kalimtar veror për Manchester Cityn. “The Guardian” raporton se City pritet që të bëjnë...

Lajmet e Fundit