21.6 C
Prizren
E hënë, 2 Qershor, 2025

Ymeri: Për Zajednicën duhet referendum

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, në emisionin Zona B në Klan Kosova, ka thënë se pavarësisht krijimit të perceptimit nëpër mediume se opozita po tregohet më e ashpër me Isa Mustafën si kryeministër, se sa për të parin e qeverisë para tij, Hashim Thaçin, një gjë e tillë nuk është e vërtetë.

“Ne e kemi pasur vazhdimisht të njëjtën mënyrë të kundërshtimit edhe për Hashim Thaçin. Edhe kur ai ishte kryeministër shpesh herë ia kemi ndalë raportimin nëpërmjet aksioneve në parlament e shpesh e kemi kundërshtuar politikën e tij përmes aktiviteteve e aksioneve në rrugë”.

Aksionet e Lëvizjes Vetëvendosje, Ymeri i arsyeton me qëndrimin se kjo lëvizje po punon në vetëdijesimin e qytetarëve për proceset politike të vendit.

“Ne vazhdimisht e kemi thënë që këto marrëveshje do të kundërshtohen edhe përmes protestave. Çdo aksion që Lëvizja Vetëvendosje e ka bërë deri më tani, është në funksion të vetëdijesimit të qytetarëve për dëmin që ato ia sjellin Kosovës”.

Ai ka thënë se kundërshtimi i themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe do të vazhdojë deri në anulimin e marrëveshjes me Serbinë ose dorëheqjes së Qeverisë.

“Nëse marrëveshja nuk anulohet s’do të ketë punë normale në kuvend. Ky kryeministër i cili po tenton që me çdo kusht të gjejë hapësira ligjore për të themeluar diçka që i kërkon Beogradi, s’mund të jetë kryeministër i Kosovës.

“Ne si Vetëvendosje do të protestojmë ose deri sa këto marrëveshje të anulohen, ose derisa kjo qeveri të pushojë së ekzistuari”.

Treguesi më i mirë se cili është opinioni i qytetarëve karshi themelimit të “Zajednicës”, do ishte hedhja në votim e kësaj çështjeje në popull.

“Nëse e doni mendimin e qytetarëve të Kosovës se a e duan Zajednicën, mekanizmi i vetëm për këtë përgjigje do të ishte referendumi”, ka deklaruar Ymeri.

Opozita me në krye Lëvizjen Vetëvendosje si subjekti më i madh opozitar në vend, e kishin bllokuar punën e kuvendit kur Kryeministri Isa Mustafa ndonëse kishte paralajmëruar raportim, nuk erdhi ta kryente obligimin. Bllokim të seancës pati edhe kur Mustafa u paraqit në parlament për të informuar deputetët për marrëveshjet e lidhura me Serbinë në Bruksel, ku i pari i qeverisë u godit me vezë nga deputetët opozitarë.

Këtë veprim të opozitës Ymeri e ka arsyetuar duke thënë se kryeministri nuk po e kryente punën siç duhet.

“Kryeministri duhet ta dijë që Kuvendit i jepet llogari e nuk raportohet. Ata janë qeveri që i përgjigjen kuvendit. Kryeministri herën e parë tha se dëshiron që të vijë, e më pas e anuloi me arsyetimin se nuk e kishte Hashim Thaçin në krah”.

“Ai në Kuvend filloi t’i thotë të njëjtat gjëra që i kishte thënë në media që tash e sa kohë”.

Ymeri edhe njëherë e ka ritheksuar qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje, se marrëveshja për themelimin e Komunave Serbe në Kosovë, është jashtëzakonisht e dëmshme. Sipas tij me 6% popullsi serbe në Kosovë, 23% të territorit do ta kontrollojë Serbia, gjë që do të ndikojë edhe në dobësimin e sovranitetit dhe ekonomisë së vendit.

Më Shumë

Policia në Prizren arreston të dyshuarin për kanosje dhe armëmbajtje pa leje

Policia e Kosovës ka njoftuar se të martën në Prizren ka arrestuar një person të dyshuar për kanosje dhe armëmbajtje pa leje. Sipas raportit policor...

‘Dielli ynë’ feston një vit me hapje solemne simbolike në Prizren

Me rastin e njëvjetorit të funksionimit, sot u zhvillua hapja solemne në formë simbolike e institucionit parashkollor “Dielli ynë”, i vendosur në lagjen “Bajram...

Lajmet e Fundit