Kryetari i Nismës në Prizren, Zafir Berisha thotë se vendimi për të mbështetur në balotazh kandidatin e Vetëvendosjes, Mytaher Haskukën, është marrë pas një analize dhe konsultimi të gjërë.
“Në asnjë kohë dhe në asnjë rrethanë nuk kam marrë vendim për inat ose për të dëmtuar ndonjërin, por ato i kam marrë dhe i kam shërbyer pastaj për hir të kauzës në të cilën kam qenë i përcaktuar”,shkruan Berisha në Facebook.
“Prandaj, vendimi i sotëm që z.Haskuka me e mbështet për të parin e Prizrenit është i analizuar, menduar dhe i konsultuar. Unë mendoj se ky vendim i shërben parimeve të mia politike tash e 17 vite dhe subjektit politikë që e përfaqësoj”.
“Përpjekjet për ndryshime pozitive nuk duhen të ndalen, edhe pse në një çast ndryshimi mund të duket si diçka i pamundur. Koha ka treguar se ndryshimi ndodhë, vetëm se duhet vendosmëri dhe guxim që ai të ndodhë për t’i shërbyer vendimit të drejtë e të menduar mirë”.
“Ndryshimi nuk ndodh duke qëndruar në vend dhe duke ricikluar të vjetrën!”
“Në politikë merren vendime që jo gjithmonë i pëlqejnë të gjithëve. Me rëndësi është që vendimi me i shërbyer objektivit në përputhje me ruajtjen e kontinuitet të qëndrimeve të deritanishme”.
“Shpeshherë kam marrë vendime në kushte dhe rrethana të ndryshme, në luftë, në paqe por edhe në politikë, por asnjëherë ato vendime nuk i kam marrë pa i analizuar mirë dhe pa i diskutuar në detale dhe pa emocione me njerëzit që në atë moment më jenë gjendur afër”/PrizrenPress.com/