18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Zbulohen letrat e dashurisë së Ismail Kadaresë me një femër në fakultet

IsmailKadare6-30Suplementi “Unë Gruaja” në gazetën “Panorama” boton sot letrat e dashurisë së shkrimtarit me një femër në fakultet.

Sido te ishte një roman i ri i Ismail Kadaresë do të tërhiqte gjithnjë veshët e të gjithëve. Pastaj, nëse gjithë ç’është shkruar është përjetuar nga vetë ai, sytë bëhen katër. “Mjegullat e Tiranës”, asokohe “Dashuria nr.2”, romani i shkruar prej Kadaresë në vitet 1957-1958, me dorë, në një fletore shkrimi, është në fakt krijimi i përftuar prej ditarit që ka mbajtur me ndërprerje gjatë viteve kur ishte student në Tiranë. Letrat janë gjithashtu të vërteta. Më së shumti, të shkruara prej vajzës që është kthyer në personazh. “Romani është shkruar në moshën njëzetvjeçare, kur ideja e martesës është vetvetiu e huaj.

Aq më tepër personazhi është një student me ambicie të mëdha, në pritje të një ndryshimi tronditës në jetën e tij: udhëtimit në Moskë për studime të mëtejshme letrare. Shtojini kësaj edhe snobizmin rinor dhe xanxën e të qenit modern, për të kuptuar se martesa merrej si një mbyllje e jetës”, tregon Kadare për studiuesen Viola Isufaj, në një intervistë brendashkruar librit.

Aty ai “zbardh” edhe të vërtetën e emrit “Ema”, që është një lloj pseudonimi i ish-të dashurës së tij. “Me sa më kujtohet, Ema ishte një emër që përdorej prej meje dhe shokëve të mi, si një lloj nofke për vajzën-personazh, që u përmend më lart. Ajo vetë e përdorte gjithashtu për veten”.

Nëse sot, ju shkon tangjent në mendje se ku mund të jetë “Ema”, vajza që Kadare e quan “të mrekullueshme nga të gjitha pikëpamjet”, që, si nëpër romane (më shumë e krijuar do ngjante pikërisht përshkrimi se do të gjendej Ema sot përpara këtyre radhëve, sesa ngjarjet e “të tërëve” të socializmit), do ta gjejë veten pas kaq shumë vitesh duke lexuar romanin ku është vetë protagoniste, për këtë, nuk kemi përgjigje. As vetë autori, edhe pse në dekada mund të jetë ngacmuar ndonjëherë nga ideja, nuk e di.

“Po t’ju them se qysh nga mbarimi i fakultetit të letërsisë në Tiranë, ku ishim të dy, pra, qysh nga ikja ime në Moskë, dhe gjer më sot, në këtë ditë që po flasim, nuk e kam takuar kurrë, ju ndoshta s’do të më besoni. Tirana, ndonëse kryeqytet i shtetit, nuk mund të përfytyrohej kurrë aq e madhe, saqë të mos e takoje asnjëherë ish-mikeshën tënde. Megjithatë, kështu ka ndodhur. Sa herë që flitej për zmadhimin e Tiranës, më shkonte ndër mend një gjë e tillë. Kur nga njëqind mijë banorë shkoi në dyqind mijë, mendova se kjo mund të përligjej disi. Por rastet e kundërta, domethënë të njohurit e shumtë që më dilnin përpara, sidomos kur s’doja, ma hidhnin poshtë. Pastaj Tirana shkoi katërqind mijë, e më pas gjysmë milioni banorë, dhe tani mostakimi më ngjante i natyrshëm. Por, kur një ditë në Paris, tek ecja më këmbë në St. Michel, u ndesha me botuesin tim gjerman nga Cyrihu, Egon Ammann, m’u kthye shpresa se takimit në Tiranë me vajzën e fakultetit të letërsisë do t’i vinte radha një ditë. Nuk ndodhi asnjëherë, madje, edhe pas rastit të pabesueshëm kur, një mëngjes, në një bar të Nju-Jorkut, m’u afrua dikush që më përshëndeti: hello, jam Dan Pope, ju kujtohet, jemi takuar para ca vitesh në Central Park, e mblodha mendjen se mund të kryqëzohesha në rrugë me Dan Pope, madje me kinezë që i kisha njohur në Shangai, veç me atë vajzën e fakultetit, në Tiranën e ngushtë, s’do të duhej të ndeshesha kurrë. Ishte e qartë se diçka e errët, por e epërme, e pengonte”, tregon ai.

E nëse është takuar me të njohur të rastësishëm në Nju Jork, ku thonë se mundësia për të parë një të njohur në mënyrë rastësore është një herë në 25 vite, ku i dihet, për Tiranën ka ende shpresa…

Nga ky libër i rinisë së Kadaresë kemi shkëputur letërkëmbimin mes dy të dashuruarve në libër. Letra që kanë ekzistuar vërtet, po ku autori sigurisht ka pasur dorë të lirë t’ia përshtatë edhe fantazisë.

Më Shumë

Moti sot me diell

Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot në Kosovë do të mbajë mot me diell dhe pjesërisht i vranët.   IHK njofton se vranësirat gjatë ditës vende-vende...

Furnizimi i nxënësve me tekste shkollore, MASHTI pa vendim zyrtar

Ministria e Arsimit ende nuk ka vendim zyrtar për mënyrën e furnizimit të nxënëseve me tekste shkollore për vitin e ri shkollor 2024/25. Ndërkaq,...

Lajmet e Fundit