Një varr masiv me rreth 1700 ushtarë është zbuluar një ditë më parë në qytetin irakian Tikrit, i cili shpëtoi pak ditë më parë nga militantët islamikë të ISIS-it.
Ekspertët e mjekësisë ligjore kanë nisur gërmimet për të zbuluar dhe identifikuar trupat, ndërsa ushtarë dhe familjarë kanë vendosur qirinj dhe flamuj irakianë në respekt të viktimave.
Vrasja masive e ushtarëve shiitë në kampin “Spajker”, ish-bazë ushtarake amerikane në periferi të qytetit me popullsi sunite, është bërë edhe simbol i brutalitetet të ISIS-it dhe urrejtjes së ekstremistëve për shiitët e Irakut, ku ata janë shumicë.
Nga kjo histori e rëndë ka edhe një të mbijetuar, i cili bëri si i vdekur përpara togës së ekzekutuesve.
Ai quhet Ali dhe i mbijetoi masakrës duke u shtirur i vdekur. Ai tregon se si ushtarët dhe pengjet e tjerë nga minoritete të ndryshme fetare, por edhe sunitë që nuk pranonin të bashkëpunonin me ISIS, u ushqyen dhe u bënë të ndihen të sigurt para se të transportoheshin në kampin ku edhe do të pushkatoheshin më pas në mënyrë makabre.
“Plumbi i katërt duhet të më vriste, por nuk më goditi. Menjëherë më pas u vra personi që ishte ngjitur me mua. Unë u shtriva në tokë dhe bëra si i vdekur, mbuluar me gjakun e kolegëve të mi”, tregon Ali.
98Pas rimarrjes së Tikritit, forcat irakiane, të cilat po stërviten në një kamp nga një skuadër e përbashkët amerikano-spanjolle, kanë përqendruar vëmendjen te province veriore e Ninevehut, ku gjenden disa prej artefakteve dhe veprave të rralla që përbëjnë trashëgiminë kulturore të Irakut.
Ndërkohë në javët në vazhdim forcat irakiane në bashkëpunim me alenancën ndërkombëtare kundër terrorizmit do të nisin sulmet kundër ISIS-it për marrjen e Mosulit, i cili kontrollohet plotësisht prej tyre.