4.8 C
Prizren
E mërkurë, 27 Nëntor, 2024

Zeneli: AAK-ja ka probleme serioze

LulzimZeneli-LDDNënkryetari i LDD-së, Lulzim Zeneli, është shprehur i befasuar me deklarimet e nënkryetarit të AAK-së, Ahmet Isufi, i cili ka thënë se AAK-ja në zgjedhjet parlamentare do të garojë e vetme e jo si koalicion AAK-LDD.

Zeneli ka thënë për “Epokën e re” se deri më tani nuk i ka rastisur të ballafaqohet më një situatë të tillë, kur nga e njëjta adresë politike dalin qëndrime diametralisht të kundërta për një çështje që është e shkruar dhe e nënshkruar nga liderët e dy partive politike.

“E lexova intervistën në gazetën tuaj dhe më është dashur kohë të reflektoj rreth porosisë së asaj deklarate. Të them të drejtën, për këtë periudhe 15-vjeçare të pluralizmit politik, aq sa është edhe përvoja ime e vogël në politikë, nuk më ka rastisur të ballafaqohem me një situatë të tillë nga një adresë politike, nga një subjekt me përvojë jo të vogël politike, të kemi deklarime me porosi diametralisht të ndryshme për diçka që është e shkruar qartë dhe e firmosur”, ka deklaruar Zeneli.

Ai ka treguar se ekziston koalicioni parazgjedhor AAK – LDD për zgjedhjet parlamentare, i cili në formë marrëveshje është i nënshkruar nga liderët e të dy partive politike.

“Siç e dini, AAK-ja me LDD-në në prill të vitit të kaluar kanë arritur një marrëveshje bashkëpunimi në formatin e koalicionit parazgjedhor për zgjedhjet lokale dhe parlamentare. Marrëveshja është firmosur nga kryetarët e të dy partive politik dhe nëse kësaj ia shtojmë edhe deklarimet e z. Haradinaj dhe z. Daci nga takimi i fundit, e që në asnjë moment, për asnjë nuancë nuk e vënë në dyshim vazhdimësinë e koalicionit, por përkundrazi biseduan për zgjerimin e mundshëm”, ka thënë Zeneli, duke shtuar se deklarimet e nënkryetarit Isufi flasin për probleme serioze sa i përket konsistencës së qëndrimeve në strukturën udhëheqëse të AAK-së.

“Atëherë mund të themi se një deklaratë e tillë, aq e drejtpërdrejtë dhe që nuk le hapësirë për dualizëm interpretimesh, jep të kuptojmë se në strukturën udhëheqëse të AAK-së ekzistojnë probleme serioze sa i përket konsistencës së politikave dhe qëndrimeve. Kjo nuk mund të kuptohet ndryshe, kurse kemi një deklaratë të nënkryetarit të AAK-së, e cila është e kundërta e deklarimit të kreut të AAK-së pak ditë më parë pas takimit publik me kryetarin e LDD-së, Nexhat Daci”, është shprehur Zeneli.

Në këtë kontekst, ai ka thënë se LDD-ja ka hyrë në koalicion me AAK-në në bazë të parimeve të shëndosha e jo në bazë të interesave grupore.

“Në vendet me demokraci të konsoliduar, koalicionet ndërtohen mbi bazën e orientimeve politike, programeve, interesave të grupimeve dhe të tjera. Ndërsa LDD-ja çështjen e koalicionit e ka kuptuar edhe më fort se kaq, që koalicioni duhet gjithsesi t’i adresojë parimet e shëndosha dhe të besueshme, të krijosh themel të bashkëpunimit në të cilën besojnë të gjithë, i beson ti së pari, pastaj mund të presësh efekte të sinergjizmit. Ndërsa ajo që është thënë nga nënkryetari i AAK-së s’ka të bëjë me këtë dhe LDD-ja ndahet nga ai mendim”, ka deklaruar Zeneli.

Mirëpo Zeneli ka thënë se në qoftë se deklarimet e Isufit janë politika zyrtare, atëherë nuk beson se ka vend për bashkëpunim të mëtutjeshëm ndërmjet AAK-së dhe LDD-së. “Kjo mbetet të shihet, mirëpo në qoftë se deklarimet e tilla janë politika zyrtare, atëherë nuk besoj se ka vend për bashkëpunim”, ka thënë Zeneli.

Më Shumë

Prizreni fillon përgatitjet për festat e fundvitit/ Totaj me shaka: Do bëhet më mirë se Prishtina!

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj në emisionin e mëngjesit ka njoftuar se qyteti i Prizrenit ka filluar pregaditjet për festat e fundvitit. Ai ka thënë...

Vetëm hëna ka besë

Shkruan: Qazim Thaçi E si ta takojë hënën besnike Ti them hallin tim të madh Se e dua deri në amshim atë Që dëshmitarë hënën ia pata lënë E...

Lajmet e Fundit