14.8 C
Prizren
E enjte, 28 Nëntor, 2024

Zgjedhësit ta kuptojnë kush po i përfaqëson

Investitorëve duhet t’u hiqen pengesat. Për Demarkacionin duhet të debatohet në Kuvend. Asociacioni është detyrim nga Marrëveshja me Serbinë. EULEX-i i duhet Kosovës edhe ca kohë. Për zgjedhje të reja vendos koalicioni.

Ambasadorja gjermane në Kosovë, Angelika Viets flet ekskluzivisht për “Kosova Sot” për zhvillimet e fundit.

“Kosova Sot”: Si e vlerësoni situatën aktuale në Kosovë, sa i përket aspektit politik, ku opozita po vazhdon ta bojkotojë Kuvendin e Republikës?

Angelika Viets: Termi parlament vjen nga gjuha franceze ‘parler’, që do të thotë ‘flet’ dhe ‘assembly’ do të thotë ‘të mblidhesh’. Prej muajsh mbretëron përshtypja se në parlament nuk flitet, dhe se përfaqësuesit e popullit pothuajse fare nuk mblidhen. Tri herë nuk është arritur kuorumi. Kjo është një gjendje alarmante. Në shtetet demokratike parlamenti është përfaqësuesi i popullit dhe detyrat e tij më të rëndësishme janë ushtrimi i pushtetit legjislativ, i së drejtës buxhetore dhe i kontrollit të Qeverisë. Për këtë qëllim zgjidhen deputetët. Mirëpo, këto detyra ata kohët e fundit qartazi i ushtrojnë vetëm në mënyrë të kufizuar. Këtu Kosovës mund vetëm t’i dëshirohet që zgjedhësit ta kuptojnë kush është duke i përfaqësuar.

“Kosova Sot”: Ka kundërshtime të ashpra të dy marrëveshjeve, për Asociacionin dhe Demarkacionin. Së pari për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, cili është komenti juaj për këtë zvarritje pa një epilog të arsyeshëm, në pajtim të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e vendit?

Angelika Viets: Është për t’u rikujtuar se etablimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin është arritur pajtim në vitin 2013, është një element i rëndësishëm i procesit të normalizimit në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në Kosovë ajo marrëveshje është ratifikuar nga Parlamenti më 21.04.2013 gjatë një seance të jashtëzakonshme, pas debateve të gjata dhe të nxehta. Katër partitë më të mëdha në vend (PDK, LDK, AAK und AKR) i patën dhënë mbështetje dhe në fund 89 deputetë kanë votuar për dhe 5 kundër (3 abstenime) ratifikimin e marrëveshjes. Tani bëhet fjalë për formulimin e statutit. Për këtë gjë Gjykata Kushtetuese e Kosovës, pas shqyrtimit të marrëveshjes së arritur në Bruksel, ka përcaktuar kritere, të cilat duhen respektuar. Ky është një proces shumë krejt normal. Merr kohë, aq sa i duhet, derisa në fund të përpilohet statuti, me të cilin mund të jetojnë dhe punojnë të dyja palët, e para së gjithash qytetarët. Këtë unë faktikisht do ta quaja “fund racional”.

Fakti që ka pasur zvarritje me vite, si nga ana kosovare, ashtu edhe nga ajo serbe, tregon se sa të vështira mund të jenë çështje të caktuara dhe sa i rëndësishëm është procesi i normalizimit, i cili nga aspekte të ndryshme shfaqet që në fillim. Mirëpo, ai pa dyshim do të çohet përpara dhe do të sjellë përmirësime të mëtejme për qytetarët, derisa në fund të arrihet pajtimi. Kjo kërkon kohë dhe në këtë rast nuk do të flisja për zvarritje.

“Kosova Sot”: A ekziston rreziku nga bosnjëzimi i Kosovës?

Viets: Jo.

Zbatimi i marrëveshjeve është obligativ

“Kosova Sot”: Serbia ende mban struktura paralele në Kosovë. A është kjo një tregues dhe shtytës i jostabilitetit permanent të Kosovë?

Angelika Viets: Dialogu në mes të Prishtinës dhe Beogradit i shërben pikërisht edhe shpërbërjes së strukturave paralele serbe. Marrëveshja e Brukselit, e arritur në vitin 2013, që është negociuar e përcjellë nga shumë vështirësi, sigurisht që nuk shënon fundin e konfliktit që ka vazhduar prej dekadash, sepse këtu nuk bëhet fjalë vetëm për dy shtete, por para së gjithash për bashkëjetesën e shqiptarëve dhe serbëve. Kjo gjë nuk mund të rregullohet aq thjesht, mirëpo paraqet një hap të rëndësishëm në drejtimin e duhur. Me siguri të gjithë pjesëmarrësit në procesin e dialogut kanë qenë dhe janë të vetëdijshëm për problemet e implementimit. Mirëpo, ata kanë treguar gatishmëri dhe interes që së bashku me BE-në të gjejnë një rrugëdalje nga kjo situatë e ngatërruar.

Gjermania në mënyrë të përsëritur e ka theksuar se procesi i dialogut është për t’u përshëndetur, mirëpo të gjithë pjesëmarrësve u duhet të jetë e qartë se rezultate konkrete, të kontrollueshme dhe marrëveshje obligative e të shkruara, të cilat implementohen, janë të domosdoshme. Korniza për këtë është Kapitulli 35 i negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE. Kjo në aspektin afatgjatë i shërben stabilizimit të Kosovës dhe mbarë rajonit, ani pse ky proces për nga politika e brendshme nuk mund të përcillet me lehtësi. Vetë ekzistimi i një procesi të tillë të dialogut dhe bisedimet e politikanëve të të dyja vendeve mes vete, janë fakte që gjithsesi nuk kanë qenë mundur të parafytyrohen para ca viteve.

“Kosova Sot”: Opozita, por edhe deputetë të pozitës kontestojnë Demarkacionin me Malin e Zi. Cili është qëndrimi i GJERMANISË ndaj kësaj çështjeje?

Angelika Viets: Nuk e kuptoj pyetjen tuaj, saktësisht ku dëshironi të dilni. Gjermania nuk ka asnjëlloj qëndrimi lidhur me çështjen se ku bien kufijtë në mes të Malit të Zi dhe Kosovës. Shqyrtimi i kësaj çështjeje është e drejtë e rezervuar e të dyja shteteve të prekura.

Mali i Zi e ka ratifikuar Marrëveshjen e Demarkacionit, ndërsa ratifikimi i saj në Kosovë nuk është bërë ende. Përderisa nuk është arritur dy e treta e votave të domosdoshme, është e qartë që ka ende nevojë për sqarime dhe debat në Parlament.

Gjyqtarët dhe prokurorët vendorë nuk janë të gatshëm për raste të rënda

“Kosova Sot”: Si shpjegohet që EULEX-i sa herë i vjen fundi i mandatit, aktivizohet me disa raste të mëdha, siç është ky i grupit të Azem Sylës, deputet me ndikim në PDK, që është në burg për krim të organizuar?

Angelika Viets: Mendoj që perceptimi juaj mund te jete pak selektiv. EULEX-i në tetë vjetët e angazhimit të tij ka nxjerrë 620 aktgjykime, 460 prej të cilave kanë qenë të ndërlidhura me vepra penale, si: korrupsioni, krimi i organizuar, trafikimi me qenie njerëzore dhe krime të luftës. Ndër të akuzuarit ka pasur prokurorë, ish-gjykatës, policë, deputetë dhe personalitete të tjera të larta dhe me ndikim. Një proces si ky, kundër personit që e përmendët, nuk mund të hapet spontanisht në përfundim të mandatit, por zakonisht kërkon kohë intensive dhe punë përgatitore.

Aktualisht prokurorët e EULEX-it brenda Prokurorisë Speciale të Kosovës janë duke përndjekur 15 raste të korrupsionit, 40 raste të krimit të organizuar dhe 7 raste që kanë të bëjnë me luftimin e terrorizmit.

Është e sigurt që këtij misioni do t’i vazhdohet mandati edhe për dy vjet. Ndër arsyet kryesore, të cilat kanë ndikuar që EULEX-it t’i vazhdohet mandati edhe për një periudhë të caktuar kohore, është mosgatishmëria e prokurorëve dhe gjyqtarëve vendorë për t’u ballafaquar me raste të mëdha, ku janë të përfshira profile të larta, si dhe ndërhyrjet e shumta të politikës në sistemin e drejtësisë.

“Kosova Sot”: Raporti i Pulsit publik që bëhet nga UNDP-ja tregoi se qytetarët vlerësojnë se drejtësia është tepër e korruptuar. Si mund të ndryshojë kjo situatë?

Angelika Viets: Po, kjo ka qenë një anketë interesante dhe e kam parë edhe unë: “Institucionet që janë perceptuar si më të korruptuarat janë gjykatat kosovare (42%), Agjencia Kosovare e Privatizimit (39%), ofruesit e shërbimeve shëndetësore (38%), institucionet qendrore të administratës publike (37%), Dogana (32%) dhe Korporata Energjetike e Kosovës (31%).”

Nuk ka ndonjë recetë të patentuar për forcimin e pavarësisë dhe integritetit të sistemit të drejtësisë. Kjo para së gjithash kërkon kohë. Nga rrethi i gjykatësve tanë gjermanë, disa prej të cilëve janë të angazhuar prej vitesh në sistemin e drejtësisë në Kosovë, mund të përcjell propozimet se nevojitet për shembull:

shkollim gjithëpërfshirës në universitete,

përzgjedhje e gjykatësve/prokurorëve sipas parimit të më të mirit, përmbajtje strikte e procedurave të alokimit të rasteve, shmangie vetëm në raste të arsyetueshme dhe me arsyetim të shkruar, që duhet të bëhet përmbajtje e dosjes. Në rastet me palë të etnive të ndryshme (serb/shqiptar): panele etnikisht të përziera, në rastet e (tentim) influencimit publik nëpërmjet medieve, përçmim i menjëhershëm dhe i qartë nga ana e ministrive gjegjëse/bashkësisë ndërkombëtare, pajisje e mjaftueshme financiare dhe me personel të gjykatave dhe prokurorive për të parandaluar korrupsionin.

Përderisa është bashkësia ndërkombëtare në Kosovë: monitorim strikt i inspektimit të dosjeve. Monitorimi në sallat e gjykimit nuk është i mjaftueshëm, sepse korrupsioni ndodh në mënyrë të fshehtë.

Nxitja e qytetarëve që u janë nënshtruar korrupsionit për ta raportuar atë pa reprezalje. Për këtë duhen hapur zyra të veçanta brenda policisë dhe prokurorive.

Plotësimi i vendeve të punës në Komisionin Disiplinor të Këshillit Gjyqësor/Zyrën e Prokurorit Disiplinor me njerëz me integritet.

Forcimi i KGJK-së dhe KPK-së si organe të pavarura, pa të punësuar politikë dhe eventualisht obligimi për deklarim tatimor të gjyqtarëve më të lartë.

Më Shumë

Prizreni synon një tjetër triumf, sfidon Beharin në ‘Përparim Thaçi’

Kampioni aktual i Ligës së Dytë të Kosovës, FC Prizreni, është gati për një tjetër sfidë të rëndësishme teksa pret KF Beharin në stadiumin...

Malisheva merr një fitore të vlefshme ndaj Dukagjinit

Malisheva ka fituar me rezultat të ngushtë 2-1 në shtëpi ndaj Dukagjinit në ndeshjen e vlefshme për javën e 14-të në Albi Mall Superligën...

Lajmet e Fundit