2.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Zgjedhjet mund të rrezikohen

adriana_hoxhiqAdriana Hoxhiq, shefe e Zyrës Administrative në Veri, e ka vlerësuar të tensionuar gjendjen në këtë pjesë të Kosovës, sidomos pas sulmeve të njëpasnjëshme me bomba.
Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Hoxhiq ka thënë se këtë pasiguri janë duke e shkaktuar strukturat radikale të cilat veprojnë në veri të Kosovës. “Një logjikë e thjeshtë na dërgon në atë drejtim se strukturat radikale së bashku me ato kriminele qëndrojnë prapa këtyre sulmeve”, ka deklaruar Hoxhiq. Në këtë kontekst, Hoxhiq ka thënë se këto struktura radikale janë duke tentuar t’i frikësojnë qytetarët e veriut për të mos dalë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. “Nëse vazhdohet me shpërthime dhe me presione, rrezikohet që në votime të dalin një numër i vogël i qytetarëve në veri të Mitrovicës. Jam duke bërë përpjekje ta sensibilizoj faktorin vendor dhe ndërkombëtar për gjendjen e cila mbretëron aktualisht në veri. Po ashtu, për çdo ditë marr informata nga qytetarët për presione të ndryshme”, është shprehur Hoxhiq, duke shtuar se individë të caktuar janë duke lobuar të dështojnë këto zgjedhje. “Rregullisht në veri të Mitrovicës sillet një veturë me njerëz, të cilët e kanë një megafon dhe u bëjnë thirrje qytetarëve mos të marrin pjesë në këto zgjedhje, të cilat ata i quajnë tradhtarë. Kjo veturë rregullisht sillet nëpër qytet dhe thërret për bojkot”, ka thënë Hoxhiq. Sipas saj, nëse institucionet vendore dhe ndërkombëtare nuk ndërmarrin ndonjë veprim për të siguruar një ambient të sigurt, në veri mund të rrezikohen zgjedhjet demokratike. “Nëse nuk ndryshohet dhe trajtohet si duhet gjendja aktuale në veri mund të rrezikohen zgjedhjet demokratike”, është shprehur Hoxhiq.
Kandidatja e pavarur për kryetare të Komunës së Mitrovicës veriore, Adriana Hoxhiq, e ka vlerësuar të dëmshme deklaratën e kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq, për përkrahjen e Listës Unike Serbe për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. “Mendoj se një thirrje, sipas së cilës favorizohet një listë, me të vërtetë i dëmton të gjitha parimet e demokracisë”, ka thënë Hoxhiq.

“Epoka e re”: Znj. Hoxhiq, çfarë situate është duke mbretëruar në veri të Kosovës, kur kanë mbetur edhe pak ditë nga mbajtja e zgjedhjeve lokale?
Hoxhiq: Me të vërtetë tensionet në veri janë duke u ngritur dita-ditës në Mitrovicën veriore. Të gjitha shpërthimet që kanë ndodhur ditët e fundit, qytetarët e Mitrovicës veriore janë duke i ndërlidhur me zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen më 3 nëntor. Qytetarët janë duke e pyetur njëri-tjetrin se a është ide e mirë të dilet në zgjedhje apo të rrinë në shtëpi. Tani është e domosdoshme t’i kemi deklaratat dhe reagimet e institucioneve ndërkombëtare, të Kosovës dhe të Serbisë, për këto sulme. Është koha që këto institucione t’i ndërmarrin hapat e domosdoshëm që në veri të ketë siguri.

“Epoka e re”: Kush, sipas jush, qëndron pas këtyre sulmeve të njëpasnjëshme atje?
Hoxhiq: Nuk mund të them se kush ka dorë në këto sulme sepse nuk i kam parë se kush është duke i bërë këto akte të shëmtuara. E dimë se në veri të Mitrovicës e kemi një opsion, i cili është radikal dhe kundër zgjedhjeve të 3 nëntorit. Pra, një logjikë e thjeshtë na dërgon në atë drejtim, se strukturat radikale së bashku me ato kriminale qëndrojnë prapa këtyre sulmeve. Në këtë drejtim i dënoj këto sulme dhe kërkoj nga institucionet e sigurisë ta bëjnë një strategji dhe të dalin në terren për ta ndalur këtë gjendje të pakëndshme dhe të pasigurt.

“Epoka e re”: A ka dorë politika e Beogradit në këto struktura radikale?
Hoxhiq: Nuk besoj se Beogradi ka dorë në këto aktivitete. Besoj se ndryshimi i gjendjes për më mirë në veri të Kosovës u pengon vetëm atyre strukturave, të cilat kanë biznese dhe ato biznese janë profitabile vetëm në një ambient, në të cilin nuk ka rend dhe ligj.

“Epoka e re”: Doni të thoni se strukturat radikale janë duke u frikësuar nga vendosja e rendit dhe ligjit?
Hoxhiq: Absolutisht po.

“Epoka e re”: I vlerësoni të qëllimshme sulmet në veri?
Hoxhiq: Të gjitha sulmet që janë duke ndodhur në veri janë të qëllimshme.

“Epoka e re”: Cili është qëllimi i këtyre sulmeve?
Hoxhiq: Qëllimi kryesor i tyre është destabilizimi i veriut dhe regjionit në përgjithësi. Po ashtu, qëllim tjetër është mbjellja e frikës te qytetarët, me theks të veçantë te votuesit.

“Epoka e re”: A është veriu i sigurt që të bëhet fushatë zgjedhore?
Hoxhiq: Në një ambient ku në çdo të dytën natë kemi shpërthime të ndryshme, nuk besoj se është një ambient i sigurt për të bërë fushatë transparente. Çdo tentim për mbajtjen e një fushate transparente elektorale në veri të Mitrovicës merret si provokim tek ata qytetarë, të cilët nuk dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhje dhe për këtë arsyeje unë kam vendosur ta kem një minikampanjë të profilit të ulët, me ç’rast bisedoj drejtpërdrejt me qytetarë të ndryshëm të Mitrovicës veriore. Puna e parë që bëj në tubimet elektorale me qytetarë është rëndësia e pjesëmarrjes në këto zgjedhje, pastaj i inkurajoj ata të dalin dhe të votojnë sipas vullnetit të tyre.

“Epoka e re”: Do të ndikojnë këto sulme në daljen e numrit të votuesve në zgjedhjet e 3 nëntorit?
Hoxhiq: Nëse vazhdohet me shpërthime dhe me presione, rrezikohet që në votime të dalin një numër i vogël i qytetarëve në veri të Mitrovicës. Jam duke bërë përpjekje ta sensibilizoj faktorin vendor dhe ndërkombëtar për gjendjen e cila mbretëron në veri. Po ashtu, për çdo ditë marr informata nga qytetarët për presione të ndryshme. Në aspektin e sigurisë shumë pak ka progres në veri të Mitrovicës dhe nëse nuk ndryshohet e trajtohet si duhet gjendja aktuale në veri mund të rrezikohen zgjedhjet demokratike.

“Epoka e re”: Pse?
Hoxhiq: Rregullisht në veri të Mitrovicës sillet një veturë me njerëz, të cilët e kanë një megafon dhe u bëjnë thirrje qytetarëve mos të marrin pjesë në këto zgjedhje, të cilat ata i quajnë tradhtarë. Kjo veturë rregullisht sillet nëpër qytet dhe thërret për bojkot. Me të vërtetë kjo është irrituese sepse qytetarët janë në presion të vazhdueshëm për të mos dalë në zgjedhje.

“Epoka e re”: A kanë adresë këta njerëz, të cilët janë duke e vozitur atë veturë dhe që thërrasin për bojkot?
Hoxhiq: Nuk jam personi adekuat për t’i dhënë këto informata. Qytetarët e dinë shumë mirë se kush janë këta njerëz dhe cilat janë qëllimet e tyre.

“Epoka e re”: Si e vlerësoni deklaratën e Ivica Daçiqit në Graçanicë, i cili publikisht ka dalë në përkrahje të Listës Unike Serbe?
Hoxhiq: Mendoj se një thirrje, sipas së cilës favorizohet një listë, me të vërtetë i dëmton të gjitha parimet e demokracisë. Po kjo deklaratë krijon konfuzitet. Mund ta imagjinoni një situatë kur kemi qytetarë të Mitrovicës veriore, të cilët janë të ngopur nga politika dhe zgjedhjet. Gjithashtu, ata nuk janë të lumtur se duhet të dalin në zgjedhje. Dhe më në fund dikush u thotë se duhet të votoni si t’ju them unë. Personalisht kam dëgjuar një deklaratë nga një femër, e cila ka thënë se pas këtij presioni njihet si të jetë e dënuar.

“Epoka e re”: Është duke u bërë presion Daçiqi serbëve të Kosovës me këto deklarata?
Hoxhiq: Nuk e di se si ndihen serbët, por një logjikë e thjeshtë thotë se preferencat për vetëm një opsion, pa marrë parasysh mendimin e të tjerëve, e dëmtojnë demokracinë.

“Epoka e re”: A po tenton Daçiqi t’i përçajë serbët në Kosovë?
Hoxhiq: Për besë nuk kam kohë të merrem me deklaratat e zyrtarëve nga Serbia.

Më Shumë

Ti je për mua një krijesë e trishtë

Poezi e shkruar nga Cesare Pavese. Përktheu: Orjela Stafasani Ti je për mua një krijesë e trishtë një lule e përkohshme poezie që bash në çastin kur e...

Asfaltohet rruga Zym-Lugishtë-Dedaj në Has

Komuna e Prizrenit ka bërë të ditur sot se është shtruar shtresa e dytë me asfalt në rrugën Zym-Lugishtë-Dedaj të Hasit. "U shtrua sot shtresa...

Lajmet e Fundit