10.9 C
Prizren
E diel, 20 Prill, 2025

“Zonja Z” ndër romanet më të shitura në këndet e kryeqytetit

zonja zJeta e ‘Zonjës Z’ e cila ka shumë probleme me shoqërinë shqiptare, ka bërë të jetë shumë kurioze për lexuesit e librave në trojet shqipfolëse. Për ta kuptuar më në detaje këtë problem të kësaj zonje urbane që kërkon me ngulm të drejtën e saj të zgjedhjes, përfshirë edhe të drejtën e lirisë seksuale, pasi që e di se kjo është nyja e të gjithë dhunës shpirtërore dhe fizike që ushtrohet mbi një femër, me mijëra lexues u janë rrekur dyerve të librarive në kryeqytet për ta blerë librin në të cilën ajo është protagonistja kryesore. Dhe kështu ata e kanë bërë romanin “Zonja Z” të jetë libri më i shitur gjatë vitit që po lëmë pas.

“Shpërfaqja e frymës konservative, si reaksion ndaj librit “Zonja Z”, dëshmon tezën themelore të librit: seksi ishte dhe vazhdon të jetë boshti të gjitha tabuve në shoqërinë tonë, ndërkaq morali sipërfaqësor është arena e dhimbshme, ku varrosen ëndrrat dhe shpirti ynë rebel. Kjo është një arenë ku fjalën kryesore e kanë shenjtorët e rremë, që në emër të moralit arsyetojnë teoritë e tyre të çuditshme për jetën”, kishte shkruar kështu javën e kaluar shkrimtari Albatros Rexhaj në shkrimin e tij “Pse e vrava Z-në?”, duke shtuar më tutje se ‘zonja’ e romanit të tij ngrihet kundër atyre që një femër e gjykojnë për zgjedhjet që ka bërë në jetë, por ajo nuk mund të përballet e vetme me këtë shoqëri paragjykuese dhe kjo është arsyeja pse ajo bie viktimë e paragjykimeve vrastare të shoqërisë sonë.

“Z-ja e di se dogma kryesore në shoqërinë tonë – që vjen në shprehje edhe te shkrimi “Letërsi mes e poshtë” – është se në mungesë të argumenteve tjera, diskutimin e bartin në rrafshin moral, aty ku pastaj bëjnë gara se kush është më shumë shenjtor se tjetri. Dhe këta nuk kanë aspak konsideratë për dhimbjen që mund t’i shkaktojnë tjetrit”, shkruan fituesi i çmimit “Autori i vitit 2013” në panairin jubilar të librit të mbajtur në Prishtinë.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e dy librarive ndër më kryesoret në kryeqytet, “Buzuku” dhe “Artini”, kanë deklaruar në pasditen me diell të kësaj të shtune për “KultPlus” se ky roman i shkrimtarit prizrenas Albatros Rexhaj, padyshim që është një prej top-tre romaneve më të lexuara krahas atyre si “Mëngjese në Kafe Rostand”(Motive të Parisit) shkruar nga Ismail Kadare dhe monografisë “Ahmet Zogu” të publicistit Blendi Fevziu.

“Libraria ‘Buzuku’ në javën e fundit të këtij vitit, ka bërë një përmbledhje me tre tituj më të shitur në vitin 2014. Ato janë “Lulet e rrëfimit” të Patrick Modiano, ai i Albatros Rexhajt “Zonja Z” një roman ky që ngacmoi lexuesit vendas e që ishte tejet i kërkuar këtu tek ne si dhe “Mori fund Eddy Bellegueule” me autor Edouard Fund”, deklaroi Besian Zenelaj, përfaqësues i librarisë “Buzuku” .

Ndërkohë, edhe Jahir Ahmeti nga libraria “Artini” veçoi romanin “Zonja Z” si një prej romaneve më të kërkuara në mini-bibliotekën e tij.

“Po, sigurisht që në këtë vit edhe në librarinë tonë vepra e Albatros Rexhajt “Zonja Z” ishte ndër më të shiturat. Pastaj, më të kërkuara ishin edhe pesë vëllimet e akademik Rexhep Qosja “Dëshmitarë në Kohë historike”, libri i Blendi Fevziut shkruar për Ahmet Zogun, “Mëngjese në Kafe Rostand” e Kadaresë, “Pax albanica” e Mustafa Nanos dhe “Ali Pasha” e Alexandre Dumas. Një tjetër libër që ka zgjuar interesim te lexuesit në Kosovë, ishte edhe ai i Agron Gashit me titullin “Rrëfimet e Maestros”, t`iu them të drejtën s’është pritur se do të ketë interes për këtë vepër”, theksoi Ahmeti.

Kurse, vepra publicistike “Këmbët e gjarprit” e autorit Veton Surroi si dhe monografia për veprimtarin Hasan Prishtina e shkruar nga Muhamet Pirraku, u tha nga shitësit ambulantiv në Prishhtinë të jenë veprat tjera më të shitura në periudhën e dytë të vitit që për pak kohë do ta lëmë. / KultPlus.com

Më Shumë

Lajmet e Fundit