Formimi i Policisë gjyqësore tanimë është bërë thuajse imperativ i kohës dhe shumë i domosdoshëm për ecurinë e zhvillimeve pozitive në fushën e drejtësisë, duke u paraqitur tashmë si nevojë ashtu siç ekziston në shumë shtete të tjera, përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Të paktën, kështu kanë vlerësuar analistët dhe njohësit e kësaj fushe, të cilët kanë thënë po ashtu se kësisoj Policia gjyqësore veç të tjerash do të ishte nën ombrellën e ‘Prokurorisë’, dhe do t’i raportonte kësaj të fundit, ku për rrjedhojë do ishte edhe larg ndikimeve eventuale të politikës. Prokuroria e ka të vështirë që të ketë sukses në punën e saj pa e pasur Policinë gjyqësore nën urdhrat strikte të saj. Por, a do të ndodhë ky ndryshim që do të ishte në favor të Prokurorisë, tani për tani mbetet mister, ani pse do të ishte më se i nevojshëm për punën e Prokurorisë që të jetë sa më e pavarur dhe e pandikuar, por edhe e papenguar nga politika.
Sipas analistëve, policia merr urdhra dhe i raporton MPB- së, e që ka dyshime se mund të jetë edhe e ndikuar, duke paraqitur kësisoj një pengesë për hetimet dhe përzierje të rrezikshme kompetencash për hetimet e mirëfillta.
Shtimi i efikasitetit në luftën kundër krimit
Analisti Naim Kelmendi në një prononcim për gazetën “Kosova Sot” ka thënë se vetë mungesa e Policisë gjyqësore është një hendikep për Prokurorinë, derisa kjo polici do të plotë- sonte më mirë kompetencat dhe përgjegjësitë në raport me veprat penale. Kjo po ashtu, sipas Kelmendit, sigurisht se krahas prokurorit do të ndihmonte edhe në kryerjen e hetimeve paraprake, sikur ekziston çdokund Policia gjyqësore, mbledhjen e provave dhe fakteve dhe në hetimin e veprave penale, ato të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Andaj, ky do të ishte një ndryshim në favor të Prokurorisë dhe në efikasitetin e luftës kundër krimit të organizuar të të gjitha formave. Konsideroj se Prokuroria do të duhej të jetë tejet e pavarur në zhvillimin e hetimeve ndaj veprave penale dhe po ashtu me një Polici gjyqësore totalisht të pavarur dhe të pandikuar e jo sikur është tani, ku kjo polici që merr urdhra dhe i raporton MPB-së, pra që do të thotë se mund të jetë edhe e ndikuar, nga kjo e fundit”, është shprehur analisti Naim Kelmendi. /Kosova Sot/