“Unë nuk kam qenë zyrtar autorizues i pagesave pasi që me ligj zyrtari i autorizuar i pagesave është zyrtari financiar sipas Ligjit të menaxhimit të financave publike dhe përgjegjësive që e dëshmon neni 14 i këtij ligji,” ka thënë Nebiu.
Ai ka shtuar se, detyrat e zyrtarit autorizues vetëm aprovon kërkesën për blerje apo shërbime për më tej nuk ka kompetencë dhe për këtë pasi vërtetohet nga zyrtari kryesor financiar se ekzistojnë mjetet për atë blerje apo për ato shërbime.
Në pyetjen e mbrojtësit të tij, avokat Fatmir Jëlliqi se çka mund të tregojë për kontratën e servisimit të automjeteve e lidhur ndërmjet Komunës së Dragashit dhe auto servisit “LML”, Nebiu ka thënë se detyrë tij ka qenë vetëm të jap iniciativën për shpalljen e tenderit për servisimin e automjeteve.
Sa i përket kontratës së për sevisimit e automjeteve mes Komunës së Dragashit dhe auto servisit “LML”, i akuzuari Nebiu ka thënë se kjo kontratë është nënshkruar pas dhënies së pëlqimit nga organet më të larta të prokurimit dhe se ka qenë i vetmi operator i cili ka konkurruar në tenderin e shpallur nga komuna.
Po ashtu, ai ka thënë se për zbatimin dhe menaxhimin e kësaj kontrate kanë pasur të drejtë të ndërhyjnë vetëm shefi i prokurimit dhe menaxherët e caktuar në bazë të kësaj kontrate.
Gjithashtu, ai ka thënë se me këtë kontratë janë paraparë obligimet dhe shërbimet që mund t’i ofrojë operatori ekonomik “LML”.
Në pyetjen tjetër të avokatit Jëlliqi se cilat kanë qenë arsyet që Komuna e Dragashit të kërkojë shërbime nga servisi “Menti”, Nebiu ka thënë se detyra e tij ka qenë vetëm që të aprovojë kërkesën për blerje – jo stoku të cilën pas aprovimit ka për detyrë të ia dorëzojë zyrtarit zotues i cili në bashkëpunim me zyrtarin e financave e dorëzojnë në zyrën e prokurimit.
Tutje, i akuzuari ka thënë se në raportin e ekspertit Agim Sheqiri më 30 maj 2022 janë të përfshira 5 fatura në vlerë prej 137 euro e që janë fatura para lidhjes së kontratës në vitin 2015.
Në pyetjen e prokurori Mehdi Sefa se a ka dhënë nënshkrimin e tij i akuzuari Nebiu së bashku me Ahmet Bahtijarin për urdhër obligimet për pagesë për sevisin “Menti” për vitet 2015 deri në 2017, i akuzuari ka thënë se nënshkrimin e ka dhënë për aprovim të kërkesës për blerje dhe se nuk ka dhënë asnjëherë urdhër për pagesë dhe se kjo është kompetencë e zyrtarit për shpenzime.
“Zyrtari për shpenzime realizon pagesën apo e jep urdhrin e pagesës, i cili është i vetmi person që e ka nënshkrimin e deponuar në thesar për tu bërë pagesa për të gjithë operatorët ekonomik, askush tjetër nuk ka të drejtë të jep urdhër për pagesë e as kryetari i Komunës”, tha Nebiu.
Ndërsa në pyetjen e prokurori Sefa se a mund të shkojë urdhër-obligimi për pagesë tek zyrtari i pagesave pa u nënshkruar nga zyrtari autorizues, Nebiu ka thënë se zyrtari i pagesave nuk mund të kryejë pagesën pa qenë të kompletuara të gjitha dokumentet që parashihen me rregulloren 01/2013.
Për këtë, ai tha se nuk do ta kishte nënshkruar formularin për urdhër obligimin për pagesë nëse nuk do të kishte aprovuar paraprakisht kërkesën për blerje nga ai.
Në fund, Nebiu tha se aktakuza e ngritur ndaj tij ka qenë në kundërshtim me dispozita ligjore dhe ka theksuar se në raportin e thesarit nuk ka qenë i vetmi zyrtar autorizues por kanë qenë edhe 6 të tjerë e që është i vetmi i akuzuar përkundër asaj që të gjithë kanë pasur pozita drejtuese siç ka qenë i njëjti shef i administratës.
Çfarë mund të mos keni parë këtë verë te Shatërvani në Prizren?
Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Raima Elezi ka ndërprerë shqyrtimin e sotëm me pëlqimin e të gjitha palëve dhe ka kërkuar nga palët që fjala përfundimtare të përgatitet me shkrim.
Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 24 tetor 2022.
Ndryshe, në këtë rast, për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës dhe konflikit të interesit akuzohej edhe Ahmet Bahtijari si dhe për keqpërdorim të pozitës zyrtare edhe Selajdin Vehbi, mirëpo të njëjtën e kishin pranuar fajësinë dhe janë dënuar me 2 vite e 4 muaj burgim me kusht.
Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 maj 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Avni Nebiut dhe Selajdin Vehbi, për veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa Ahmet Bahtijari, përveç për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, ngarkohej edhe për “Konflikt të interest”.
Sipas aktakuzës, Ahmet Bahtijari akuzohej se gjatë periudhës 2004 e deri më 2017, në cilësinë e Drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për servisin “Menti”, pronar i të cilit është djali i tij, Armend Bahtijari.
Në aktakuzë thuhej se kjo ka ndodhur në atë mënyrë që i pandehuri Bahtijari, i ka mundësuar lidhjen e marrëveshjes me Kuvendin Komunal të Dragashit për dhënie në shfrytëzim të pronës komunale, parcelën në sipërfaqe prej 122 m2, dhe e nënshkruan urdhërpagesën e servisimit të automjeteve zyrtare në servisin “Menti”, në bazë të faturave edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit, ka pasur kontratë me operatorin ekonomik për servisim “LML”, për rregullimin e automjeteve.
Kështu që thuhet se i mundë..msoi djali të tij dobi pasurore si pronar i servisit “Menti”, për vitin 2015, shumën prej 3 mijë e 69 euro, për vitin 2016, shumën prej 712 euro, dhe për vitin 2017, shumën prej 1 mijë e 532 euro, duke dëmtuar kështu operatorin ekonomik “LML”, i cili ka pasur kontratë për servisimin e automjeteve të Komunës së Dragashit.
Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.4 të KPRK-së.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Bahtjari akuzohej se në periudhën e njëjtë kohore, në cilësinë e drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit, personalisht merr pjesë në çështje zyrtare në të cilën anëtari i familjes-djali i tij, Armend Bahtjari ka interes financiar, në atë mënyrë që e nënshkruan urdhërpagesën e servisimit të automjeteve zyrtare në servisin “Menti” dhe, kështu i mundëson djalit të tij, dobi pasurore si pronar i servisit “Menti”, për vitin 2015, shumën prej 3 mijë e 69 euro, për vitin 2016, shumën prej 712 euro dhe për vitin 2017, shumën prej 1 mijë e 532 euro.
Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Konflikt i interesit”, nga neni 424 paragraf 1 të KPRK.
Ndërsa, Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi, thuhet se gjatë periudhës nëntor 2014, e deri në kohë të pacaktuar, në cilësi të personave zyrtarë të Komunës së Dragashit, Avni Nebiu, zyrtar autorizues i pagesave, ndërsa Selajdin Vehbi, zyrtar certifikues, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare apo autoritetin zyrtar, kanë tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për servisin “Menti”, pronar i të cilit është djali i drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit.
Aktakuza thotë se të pandehurit Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi, nënshkruajnë urdhërpagesat e servisimit të automjeteve zyrtare, në servisin “Menti”, në bazë të faturave edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit, ka pasur kontratë me operatorin ekonomik “LML” për rregullimin e automjeteve.
Kështu që, sipas aktakuzës, i mundëson dobi pasurore pronarit të servisit “Menti”, për vitin 2015 shumën prej 3 mijë e 69 euro, për vitin 2016, shumën prej 712 euro dhe për vitin 2017, shumën prej 1 mijë e 532 euro, duke dëmtuar kështu operatorin ekonomik “LML”, e cila ka pasur kontratë për servisimin e automjeteve të Komunës së Dragashit.
Me këto veprime, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.4 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi