13.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Çohu Bajram Curri e trego: E kujt asht Kosova, e jotja a e Dushanit

Çështja e Kosovës, sidomos në vitin 1944, ishte një çështje e nxehtë, e cila nuk duhej trazuar.

Në një varg dokumentesh të luftës, në letërkëmbime mes krerëve komunistë përmendet shpesh se çështja e Kosovës nuk duhej diskutuar, nuk duhej ushqyer, por duhej lënë në hije, duke rritur karshi saj çështjen e vëllazërisë me pupujt sllavë.

Madje vetë Tito në dy tre letra dërguar krerëve komunistë shqiptar shton se çështja e kosovës duhej lënë për pas luftës.

Historia e dëshmoi se e gjitha ishte e programuar dhe se Kosova do të përfshihej në Federatën jugosllave duke e lënë të ndarë nga trugu mëmë e nën robëri për gjysëm shekulli.

Por gjatë viteve të luftës Balli Kombëtar e kishte çëshjten e Kosovës ndër prioritetet e tij. Madje edhe dështimi i mbledhjes së Mukjes besohet të ketë shkak pikërisht çështjen e Kosovës.

Dy dokumentet që sjellim sot nxjerrë nga fondi i oraganizatës Balli Kombëtar janë dy thirrje publike ku trajtohet pikërisht çështja e Kosovës dhe raporti i komunistëve me të. Në dokumente bëhet thirrje për ti dhënë fund politikës së dëmshme të komunsitëve lidhur me këtë çështje. Më poshtë i sjellim të plota të dy dokumentet e shkurtit 1944.

Ad.Pe.

Dokumenti i parë

Shqipnija e Shqiptarvet

Vdekje trathtarvet

O Bajram, Bajrak i gjallë!…

Kosova, toka e jonë, Kosova dheu i premtuem asht vendi-idé qi do të bashkonte luftëtarët e Shqipënisë.

Kosova asht vendi i ynë ku do nguliseshin sýt, qëllimet, përpjekjet, shpresat t’ona…

Kosova, toka e jonë, Kosova, dheu i mohuen, asht molla e grindjes mes nasjonalistash e komunistash, mes Shqiptarësh e Sërbësh.

Ajo tokë e bukur, ajo tokë e pasun, ajo tokë e robënueme ka nevojë për zemrat t’ona.

Mjaft sy të huaj janë përqendrue në té.

Mjaft shekuj rrobnije janë mundue me i a shlye ngjyrat kuq e zi.

Mjaft Shqiptarë i janë varrosë kësaj toke ndër shpella të gurta a ke dheu i huej!

Nji robni e madhem e tmerëshme u përplas për brigje t’ona të lakmueme.

Nji luftë e egër, e pamëshirëshme u ndezë ndër zemrat t’ona, ndër qytete, fshate e male t’ona.

Gjaku nuk na lodhi. Robnia na u duk ma e lehtë: Shqipënija e jonë e vjetër u bashkue në burgun e robnisë me Kosovën e paharrueme me nji Shqipëni tjetër të vjetër, me nji Shqipëni tjetër të mjerë:

“Ku jeni bij të kësaj toke mijvjeçare!” – thërritën luftarët e pa mposhtun.

Mija vjetësh i përgjegjën kushtrimit tronditës.

Zjarri qi shpërtheu nga zemrat dogji robninë herë me trimninë e Aranitit, herë me heroizmin e Oso Kukës.

Kurrkush nuk dyshoi se gjaku i shqiptarit po derdhej për Shqipëni.

E vetëm për Shqipëni!

Po Kosova!

Bijt e sajë na duelën para me pranga të reja aty kah vjeti 1941.

Ishin prangat e përbashkëta. Prangat qi na i stolisi Italjani dinak.

“Ku jeni!”, thirrën kosovarët e gjorë.

“Ata qi thonë se na kanë lirue po na burgosin, po na rrafin, po na çarmatosin, po na përbuzin, po na mbysin…

“E për ma tepër po çojnë kundra nesh robnuesat serb e malazezë, me mëní të vjetër, me mëní të vjetër, me mëní të ré!…”

Prej këndej na përgjegjëm: “Mos t’u lëshojë zemra, o burra të mjerë, lufta e jonë asht lufta e juej, lufta për ju. Robninë e lirinë do ta kemi të përbashkët. Kështu urdhnon Shqipënia!”

Po kështu nuk u përgjegjën të gjith.

Atje në Mukaj Kosova duel nëpër gojë të kuqe si nyja gordjane.

Atje në Labinot para Dushanit me sy të përgjakun, Kosova u thirr “Balli Kombëtar”.

E Balli u përçmue, u përqesh, u përgjak.

Nëpër fshatet e djeguna, nëpër kasollet e mjera, mbi varret e dëshmorëve të ri, Kosovë don me thanë gërmadha, Kosovë do me thanë mjerim, Kosovë don me thanë gjak, vëllavrasje, hakmarrje e çmendun!…

Prej Azije na harrin ndër veshët t’onë të shurdhuem zâni rus qi kërkon tokën e vet në tokë poloneze, në tokën estone, letone, lituane, fndlandeze, e ndoshta edhe mâ përtej.

E nuk pret mbarimin e luftës, nuk pret vullnetin e popujve: e merr, e rrëmben!

Prej Jugosllavie na arrin zâni i nji Titos qi prokllamon konfederasjonin Jugoasllav e Kosovën nuk e përmend fare. Me gjith këtë Shqipëtarët nuk duhet të bërtasin: “Kosova asht e jona, Kosova nuk asht tok e huej…”

Pse luftarët me “hyll në ball” luftarët e gnjyem u thonë vllazënve (!) sllavë: “Kosova asht tokë e juej!”…

E vllazënve shqiptarë u venë pushkën, e tokës fatmjerë i venë zjarrin…

Shqipëtarët e Ballit e Shqipëtarët tjerë qi kanë ngulë mendjen e zemrën ke Dheu i trathëtuem, ke Kosova e braktisun vihen për mur si Mihajloviçat qi kërkojnë me epsh imperjal tokë, tokë, tokë të huej!

Luftëtarët e Lirisëm luftëtarët flamur-gjakosun bajnë nji pelerinazhë fetar ke Shpella e Ndritëshme e Dragobisë e pyesin me vaj në buzë, me zemër të ndrydhun:

“Çou, Bajram Curri! Foli zemrave si dikur!…

Foli, se lufta e Kosovës ka fillue!…

Çou e rrëfeji djalërisë së përgjakun, djalërisë së humbun:

E kujt asht Kosova?…

“E jotja a e Dushanit?!…”

Fruer 1944

BALLI KOMBËTAR

Dokumenti i dytë

SHQIPËRIA E SHQIPTARËVET

VDEKJE TRADHËTARËVET

RROFTË KOSOVA

SHKAKU I KËTIJ GJAKU …

Kur Balli Kombëtar caktoj si pikë kryesore të lëvizjes kombëtare “Shqiprinë ethnike”, kurrkujt nuk i shkoi ndër mënd se atë ditë kishte filluar lufta e Kosovës.

Kjo ludtë kishte filluar ndër pëshpëritjet e disa shqiptarëve që në çdo rast çuditeshin si ne kishim kuximin të kërkojmë KOSOVË, DIBËR, ÇAMËRI.

Kjo luftë kishte filluar ndër llafet e agjentëvet të pandërgjegjëshëm që pyetnin me çudi: PSE NUK KËRKOJMË LIRINË E SHQIPËRISË SË VJETËR POR SHTYHEMI DERI NË KOSOVA, DERI NË DIBRA E MË PËRTEJ?! …

Nuk na shkonte ndër mënd se ata që flitnin kështu ishin të kuq dhe, për të qënë i kuq duhet më parë të tregohesh antikosovar, antidibran…

Duhet t’u bëjmë qefin vëllezërvet sllavë, dhe t’u a nxijmë jetën vllezërvet të gjuhës:

TË KËRKOSH KOSOVËN ËSHTË IMPERIALIZMË!

TË MBASH KOSOVËN NË ROBRI ËSHTË NACIONALÇLIRIMTARIZËM!!!…

Kosova që kërkojmëm Kosova që e duamë është toka e jonë.

Toka që përmbledh në gji të vet afër 90% shqiptarë.

Toka që për Shqipërinë është jetë, për Jugosllavinë është lluks mesjetar!

Ay që ka shëtitur këtë tokë të bukur e ka lënë një pjesë të zemrës në Kosovë.

Fshatrat e Kosovës dëshmojnë me gjuhën shqipe, me zakonet e ruajtura me zili me afshet e robrisë, se piramidet e një kufiri të padrejtë nuk mjaftojnë për të ndar vëllain nga vëllaj.

Më 1913 Shqiprisë ju prenë krahët.

Më 1920 një Shqipëri e coptuar, pa dritën e lirisë.

Ne deshmë të flasim të kërkojmë, të ngulëm këmbë…

Por diplomacija europjane na u kërcënua në humbjen e Gjirokastrës dhe të disa viseve të tjera.

U shtrënguam që të mos ngremë zërin, të pranojmë si dhuratë edhe këtë copë tokë të vogël, edhe këtë copë tokë të varfër.

Sot, sot që i falmë alltarit të dëshmorëvet aq dëshmorë, aq sakrifica kemi të drejtë të ngulëm këmbë, kemi të drejtë të ngremë zërin deri në Jenipazar e të bërtasim.

KOSOVA ËSHTË SHQIPËRI!

Më 1920 fituam lirinë por jo unitetin e kombit.

Sot kërkojmë me tokat që na u grabitnë e vëllezër të robruar të formojmë Shqipërinë e unjisuarë; Shqipërinë e Shqiptarvet:

OSE SOT OSE KURRË!

Në Mukaj (Gusht 1943) nasjonal çlirimtarja komuniste i foli Ballit.

“TË KËRKOSH KOSOVËN ËSHTË MEGALLOMANI!”. “TË KËRKOSH KOSOVËN D.M.TH. T’I KUNDËRSHTOSH KARTËS S’ATLLANTIKUT!!”.

“TË KËRKOSH KOSOVËN DO TË THOTË TË U PRISHËSH QEJFIN SLLAVËVE”. “T’A LËMË QË VETË SHOKËT E BALLKANIT TË NA JAPIN ÇFARË NA PËRKET”.

Balli Kombëtar prandaj kishte një sëmundje të pashëruarshme që Doktorët e kuq e quajtën “Kosovë”.

Kërkimi i Kosovës fyente kartën aleate që kërkon plebishit ndër viset e dyshimta, a po tronditëte dëshirat e fqinjËve që grabitjen duan t’a thërresin “e drejtë” dhe robërinë “liri”?

Por shokët e Ballkanit janë zemër mirë, nuk durojnë më robërinë e të tjerëvet, iku koha e imperjalizmit, e Mihailoviçit…

Në Firencë, një kryetar komunistësh malëzezë, i thotë me inat në burgun fashist, një intelektuali shqiptar: “Akoma nuk e keni hequr mëndjen ju shqiptarët nga Kosova?!…

Me rasën e kapitullumit t’Italis trupa partizane pushtuan Ulqinë, i cili u mprojt trimërisht nga një grusht Shqiptarë; Ditën e dorëzimit u ngrit mbi shtizë flamuri … i Jugosllavisë Kombëtare, dhe u unj, u përbuz, u shkel dhe u gris Flamuri i Ynë!…

Po kjo gjë ndodhi edhe në Plavë, në Guci, në Dibër…

Po këtë punë bënë partizanët grekë edhe në Delvinë e gjetkë…

Të gjitha këto gjëra i dinin krerët e komunizmit. E dinin për më tepër se Balli Kombëtar kishte marrë në krahë flamurin e irredentizmit.

Prandaj Ballin Kombëtar e shanë, prandaj e gjuajtën, prandaj filluan luftën e deshën të vrasën.

PSE KOSOVA? PSE SHQIPRIJA NUK FALET AS NUK SHITET, NUK MPOSHTET AS NUK VRITET!

Shkurt 1944

BALLI KOMBËTAR

(Marrë nga Shqiptarja.com)

Image

Më Shumë

Ballkani në finale të Kupës

Skuadra e Ballkanit luajti baras me Suharekën në ndeshjen kthyese të gjysmëfinales së Kupës (2-2), por e ka siguruar kualifikimin në finalen e madhe...

Vetëm në muajin mars, diaspora i dërgoi 112 milionë euro në Kosovë

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka publikuar të dhënat e reja statistikore. Sipas raportit, prurjet më të mëdha të remitancave ishin nga institucionet financiare...

Lajmet e Fundit