16.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Ema Andrea: Disa vepra duhet të jetojnë gjatë…

Vepra-Ardian-Klosi-Ema-Andrea-3Drama e vërtetë ndodh në mendje. Gjithçka merr jetë aty, dashuria, zhgënjimi, lufta apo diktatura. Kur Hajnrih Bël shkroi “Me syrin e një klouni”, donte të hidhte në letër dramën e artistit të përjashtuar nga shoqëria, familja, e dashura, për arsye të antikonformizmit dhe rebelimit ndaj normave sunduese në një shoqëri të mirëqenies ekonomike, duke mos pranuar shtrembërimin e së kaluarës. Gati tetë vjet më parë, kjo vepër u ngjit në skenën e Teatrit Kombëtar nën përkthimin e publicistit dhe përkthyesit Ardian Klosi, i cili kishte besuar herët te vepra e Bël.

I ardhur në shqip herët në vitin 1984, dhe pse i censuruar, ky roman do të shkaktonte tronditje të mëdha tek intelektualët e kohës. Skenat e dashurisë apo tallja e klounit me shtetin komunist të Gjermanisë Lindore ishin hequr, megjithatë stili i Bël provokonte shumë te një mendje që jetonte në Shqipërinë socialiste. Përkthyesi Klosi e shpjegonte suksesin që vepra pati në atë kohë me faktin që “Klouni që koleksionon çaste sikur gjeti fjalët për jetën tonë”. Kur vepra u ngjit në skenën e Teatrit në tetor të tetë viteve më parë, nën interpretimin e Neritan Liçajt dhe Ema Andreas, ajo do të provokonte të njëjtat ndjesi si romani.

Bël është i njëjtë si në skenë, ashtu dhe në libër. Realiteti gjerman pas Luftës së Dytë Botërore duket sikur komunikonte lehtë me terrenin e një Shqipërie të dalë nga një përvojë e tillë. Në prag të trevjetorit të ndarjes nga jeta të përkthyesit Klosi, regjisorja Ema Andrea e rikthen këtë dramë në teatër si një ndërgjegjësim për shoqërinë dhe rolin e artistit. Një rikthim me të njëjtat emocione dhe të njëjtat përgjegjësi.

“Po rikthehem në sallën e Teatrit Kombëtar me një prodhim të MAM në fakt. Kjo shfaqje është vënë vite më parë në bashkëpunim me Ardian Klosin dhe kishte sukses dhe hapi provokime, të cilat i vlerësova shumë dua të them, debate profesionale. Për fat të keq, edhe pse tentuam ta “dhuronim këtë shfaqje, pra të vazhdonte të jepej në salla e të mbetej në repertor pa asnjë pretendim financiar, kjo gjë nuk ndodhi atëherë dhe nuk do të doja të flisja për detajet…nuk ka më rëndësi…tek e fundit ka ndodhur shpesh një gjë e tillë…!!”, thotë regjisorja Andrea. Ashtu si shumë shfaqje private në vend që nuk kanë dot mundësinë e komunikimit, ashtu dhe Kloni i saj do të rrinte gjatë jashtë skene. Ajo kujton se me përkthyesin Klosi flisnin shpesh për ta rivënë në skenë.

“Me Ardianin flisnim shpesh për ta rivënë si këtë shfaqje, ashtu edhe pjesët e Breht, me të cilat kemi bashkëpunuar. Prej kohësh mendoja të jepja një kontribut në shenjë mirënjohje për bashkëpunimet me Danen, por kisha ide të paqarta, dhe situatat ndonjëherë qartësohen në mënyrë të papritur. Janë një seri ngacmimesh, mendimesh dhe përgjigjesh që të qartësojnë. Impulsi i parë i jashtëm për të rikthyer Klounin ishin kërkesat dhe ngacmimet e miqve, të cilët e vlerësojnë punën time që e kishin parë, e atyre që nuk e kishin parë, por kishin dëgjuar si edhe studentët”, thotë Andrea.

Zhvendosja në kohë e veprës do të ruajë të njëjtët protagonistë. Skenografia do të jetë sërish nga Edi Hila, regjia nga Ema Andrea dhe në role Andrea dhe aktori Neritan Liçaj. “Kur ia propozova Neritanit rivënien, përgjigjja e tij m’u duk se kish pritur vetëm një çast për të dalë! PO! Gjetëm terren shumë të mirë bashkëpunues me Drejtorinë e Teatrit Kombëtar dhe ja ku po vijmë. Rikthimi paska po të njëjtat emocione dhe më shumë përgjegjësi. Në distancë vitesh, kjo vepër na komunikon ngjyra të tjera, të cilat mendoj i perceptojmë si të tilla prej distancës, por edhe prej pjekurisë sonë artistike në këto vite. Dikur nuk besoja se mund t’i rikthehesha një krijimtarie, mendoja se rikthimi nuk do të sillte asgjë të re, por tani kuptoj se disa vepra duhet të jetojnë gjatë ndaj e meritojnë rikthimin, sërish e sërish më vënë në pozitë krijuese”, thotë Andrea. Kjo dramë do të vihet për publikun në datat 28 shkurt dhe 1 mars, në skenën e Teatrit Kombëtar. Autori Heinrich Böll (1907-1985) para përkthimit të tij në shqip, kishte kohë që ishte bërë një nga figurat qendrore të letërsisë gjermane të pasluftës dhe ndër krijuesit e grupit letrar ’47 që bashkoi emrat kryesorë të letërsisë së re, e cila filloi në “orën zero” pas katastrofës që i shkaktoi Gjermanisë nacional-socializmi. Në një numër romanesh e tregimesh, ai bën thirrje për mosharrim të së kaluarës dhe për pastrimin shpirtëror të shoqërisë nga hipokrizia dhe demagogjia. Shkrimtari u angazhua edhe për largimin e figurave të dyshimta nga politika e lartë, dhunën shtetërore në emër të luftës kundër terrorizmit. Në shqip janë përkthyer dhe “Ku ishe ti, Adam?” dhe “Kthimi në shtëpi” (Afrim Koçi), “Nderi i humbur i Katharina Blumit” (Robert Schwartz) si dhe një numër tregimesh.

Më Shumë

Policia në Prizren realizon 47 urdhëresa gjyqësore për vepra penale

Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren shpalli rezultatin e realizimit tw urdhërave gjyqësore për periudhën kohore 15 prill - 19 prill 2024. "Gjatë kësaj periudhe,...

Parashikimi i motit për pesë ditët në vazhdim

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se java e ardhshme parashihet të jetë me kushte të paqëndrueshme meteorologjike. Në njoftimin e IHMK-së bëhet...

Lajmet e Fundit