6.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

Vargjet e zhgënjimit

(Sali Bytyçi, Në Moçalin e Shurrakëve, “Pjetër Bogdani”, Bruksel, 2016)

Nga Kosovare Krasniqi

Për poezinë e Sali Bytyçit kam shkruar edhe më parë, po edhe vëllimi i katërt me radhë i tij “Në Moçalin e Shurrakëve” nuk është i panjohur për mua, pasi poezitë e tij i kam lexuar edhe para se të botoheshin në një libër të veçantë.

Si lexues, anojmë nga poezia që na qetëson shpirtin, poezia që na bënë të ndihemi mirë, por në këtë rast nuk e kemi një privilegj të tillë çfarë e kishim me vëllimin paraprak “Dita që bart kot mbi shpinë” të poetit Sali Bytyçi. Në këtë vëllim të ri, duke nxjerrë në dritë përditshmërinë e jetës në Kosovë përmes vargjeve, poeti godet pamëshirë të keqen,revoltohet e këlthet kundër saj.

Përse i tërë ky mllef në vargjet e poetit? Sepse ëndrra e tij për një Kosovë të lirë dhe me perspektivë nuk u realizua. Imazhi i shtetit të Kosovës prishet në vazhdimësi nga banuesit e saj, po gjithsesi më shumë nga ata që e udhëheqin, që janë në krye të tij. Mosfunksionimi i asgjëje në Kosovë, dhe kur them këtë e kam fjalën për mosfunksionimin e shtetit, e shtyn poetin që mospajtimet e tij t’i hedhë në letër në formë të vargjeve.

Duke pasur parasysh jetën dhe vuajtjet e tij nga pushtuesi serb (qysh i ri i burgosur për shkak të kundërshtimit të sistemit ideologjik, po edhe përmes poezisë, edhe burgosjen tjetër gjatë kohës së luftës dhe pas saj) Sali Bytyçi u takon poetëve të cilët janë të lidhur ngushtë me tokën e vet, Kosovën, andaj s’kishte se si të qëndrojë duarkryq para këtij realiteti të shëmtuar. Këtu duhet të them se të gjithë jemi dëshmitarë të kësaj kohe në të cilën po jetojmë, por pakkush ka guximin ta thotë të vërtetën ndër sy ashtu si shprehet në poezitë e Sali Bytyçit.

Vargjet për “Moçalin”

Përderisa gjatë viteve të para të pavarësisë së Kosovës mendonim se tashmë jeta do të niste për së mbari dhe bota po fillonte të na buzëqeshte (kujtojmë njohjet e shtetit të Kosovës), më vonë ndodh e kundërta. Në vend që të përfitonim nga ky fat i shumëpritur, siç është liria e Kosovës, në Kosovë u krijua një atmosferë e zymtë dhe e paperspektivë, me ç’rast vendi shndërrohet në moçal të paskrupullshmërisë së politikës. Një atmosferë e tillë ka frymëzuar vargjet e vëllimit me poezi “Në Moçalin e Shurrakëve”, në të cilin veçohen ironizimi dhe stigmatizimi që poeti u bën të këqijave njerëzore, po edhe bartësve të këtyre të këqijave. Dhe kur themi “të këqijat njerëzore” kemi parasysh mosdistancimin ndaj të këqijave, si gënjeshtra, pangopësia, korrupsioni, mashtrimet e të tjera. Ndërsa ne, me heshtjen tonë, kthehemi në njerëz që i “nderojnë” këto të këqija që veçse po na ngufasin.

Subjekti lirik poezisë së tij flet lirshëm në emër të së drejtës, duke u përballur me t[ keqen që na ka pllakosur si njerëz, por edhe si shoqëri:

Kur na shpëtuat nga i huaji

Caqet e goditjes i kishit të qarta

Tani

Si do të na shpëtoni nga Vetja

Kur Ne dhe e Keqja

Jonë  

Një

U bëmë[1]

Pesha e rëndë që e zotëron gjendjen në Kosovë ndihet në çdo varg të tij. Kosova në poezitë e tij bëhet “vend i gënjeshtrës”, “i korrupsionit”. Tek poezitë e këtij vëllimi, Sali Bytyçi nuk del si një poet që jep vetëm fjalë të mëdha, por ai përmes vargjeve të tij kërkon me ngulm nga shoqëria jonë, të luftohen të këqijat që na kanë përcjellë prej vitesh.

Për dallim nga vëllimet tjera me poezi, ky vëllim jep nota të theksuara revolte, një përplasje në mes asaj çfarë është Kosova dhe çfarë është pritur të ishte. Ky realitet çfarë po zotëron në Kosovë poetin e shqetëson. Kosova kthehet në një vend ku shitet çdo gjë:

Këtu shitet çdo gjë

Gurët e malit rëra e lumenjve

Diplomat e falsifikuara tenderët

Patriotizmi banal mish i gjallë

Më të pasurit

Ata që tregtojnë urrejtje[2]

Diku kam lexuar Viktor Hygo të thotë se “Liria fillon nga ironia”. Madje pikërisht edhe vargjet e Bytyçit karakterizohen nga satira, ndërsa ironia dhe sarkazmi bëhen ndër figurat kryesore në vargjet e këtij vëllimi.

Goditjen kryesore të kritikës së tij ai ia drejton politikës kosovare, mirëpo nuk i harron edhe njerëzit snobë, njerëzit e fjalëve boshe, të reklamave, demagogët, mashtruesit etj., po edhe si “personazhe”, me emra, si Sharovi Plak, Bubi, Litellqeni, Antinarcisi etj.,

Subjekti lirik i poezisë së tij demaskon edhe njerëzit të cilët me ndryshimin e rrethanave shpërfytyrohen duke u kthyer në të kundërtën e personalitetit të tyre:

Do dele të dëgjueshme deri dje

Kenkan kthye në llavë ujqish

Purgator që s’i shihet fundi

Për t’u parë fundi duhet dritë

           Dritë askund [3]

Pra, Kosova bëhet vendi i një të keqeje që nuk i shihet fundi, dhe poezia bëhet fusha kryesore ku ai shfaqë shqetësimin e tij.

Ëndrra dhe shpresa të shohë një Kosovë ashtu siç e kemi dashur të gjithë, poetit nga dita në ditë i shuhet. Prandaj, vëllimin e tij e përmbyllë me një poezi, në të cilën subjekti lirik këshillon të iket sa më larg “vendit të gënjeshtrës”, me të cilën poeti e metaforizon Kosovën:

Ik

Sa më larg

Ik

Kokën mos e kthe pas[4]

Ndërtimi i vargjeve

Fryma bashkëkohore dhe realiste që përcjell poeti tek lexuesi në gjashtë ciklet e vëllimit na jep të drejtë që poetin Sali Bytyçi me të drejtë ta quajmë poet realist të kohës.

Poeti në vëllimin e tij përdor llojet nga më të ndryshmet të vargjeve. Ajo që të bën përshtypje është fakti se në tërë vëllimin ka poezi të shkurtra, por ka edhe nga ato poezi që janë fare të shkurtra, me dy-tre vargje. Arsyeja pse poeti e krijon një poezi të tillë të shkurtër është reagimi i drejtpërdrejtë ndaj fenomeneve negative që shfaqen në shoqërinë tonë.

Në disa poezi ndodh edhe përsëritja e fjalëve, por në pozicione të ndryshme, si:

Shkruan

 e

 fshin

 ideologji

ideologji fshin e shkruan [5]

Përsëritjet poezisë i japin një ritëm të veçantë.

Ndër figurat tjera me të cilat ndërtohen poezitë, e veçantë është edhe figura e paradoksit, që bëhet pjesë e shumë poezive të këtij vëllimi:

Bilbili pall

Gomari cicëron

           Breshka del në maratonë [6]

Me një fjalë poeti Bytyçi arrin që strukturën e vargut të tij ta krijojë me vargje sa më të shkurtra si dhe ta pajisë me figurshmëri të pasur stilistike.

Përfundim

Është bërë dukuri nga kritikët që poetët shqiptarë të krahasohen me poetë botërorë. Të them të drejtën, kjo mënyrë krahasimi nuk më pëlqen.

Pse?

Sepse unë mendoj që çdo poet në krijimtarinë e tij është vetvetja, ka stilin e tij të të shkruarit. Edhe poeti Sali Bytyçi tashmë ka krijuar fuqishëm përvojën e vet poetike dhe stilin e tij poetik.

Në vëllimin e tij “Në Moçalin e Shurrakëve” poeti Bytyçi arrin të depërtojë dhe të godasë thellë degjenerimin e shtresave të ndryshme të shoqërisë kosovare, po edhe llumin ku është zhytur politika kosovare.

Poezitë e këtij vëllimi janë dëshmi reale e kësaj kohe nëpër të cilën kalojmë dhe poeti jo rastësisht ka zgjedhur një titull paksa të vrazhdë për librin e tij. Ndoshta është i tepruar pak, megjithëse ka një të vërtetë të hidhur aty.

Studiuesit kanë vërejtur se fenomeneve negative shoqërore poeti u qaset kryesisht përmes ironisë dhe sarkazmit. Sipas studiuesit Bedri Zyberaj, përmes poezisë së poetit Sali Bytyçi “ironizohen të metat, dobësitë dhe sidomos veset e njeriut bashkëkohor të hapësirës sonë”. Ndërsa studiuesi Jeton Kelmendi vëren: “Përderisa duket se koha është e atyre që poeti i konsideron të padenjë, Sali Bytyçi i kundërvihet kohës, por jo asaj normale, por kohës së atyre që pandërgjegjshëm deformojnë zhvillimet normale”.

Pra, për ta përmbyllur shkrimin tim, poeti Sali Bytyçi në këtë vëllim të ri poetik në qendër të vëmendjes vë të keqen njerëzore, të cilën përmes ironisë dhe sarkazmit e godet pamëshirë. Po kjo e keqe tani është e kthyer në art, në vargje të bukura, të cilat lexuesi nuk i harron lehtë.

[1] Sali Bytyçi, Në Moçalin e Shurrakëve, “Pjetër Bogdani”, Bruksel, 2016 , f.11.

[2] Po aty, f. 14.

[3] Po aty, f.88.

[4] Po aty, f. 100

[5] Po aty, f. 21.

[6] Po aty, f. 71.

Më Shumë

Suharekë: Sot varroset personi që dyshohet se ka kryer vetëvrasje në shtëpinë e tij

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë ditës së sdjeshme në Shirokë të Suharekës, dyshohet se një person i ka dhënë fund jetës së...

Milani nis sulmin final për Zirkzee

Skuadra e Serie A, Milan-i tani po bën presion për të nënshkruar me Joshua Zirkzee nga Bologna dhe po shton përpjekjet e tyre për...

Lajmet e Fundit