20 C
Prizren
E diel, 14 Shtator, 2025

Kurti thotë se gjatë qeverisjes së tij s’do të kishte ndodhur bllokimi i llogarive bankare të Telekomit

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është deklaruar pas bllokimit të llogarive të kompanisë Publike Telekomi i Kosovës.

Në një shkrim në Facebook, Kurti ka thënë se pasojat për Kosovën do të jenë të rënda, e se ky është një krim i pafalshëm. Sipas tij, përgjegjësit për këtë çështje veçse dihen.

“Pasojat do të jenë të rënda – ekonomike e sociale por edhe të sigurisë. Ky është një krim i pafalshëm. Të gjithë përgjegjësit, e dihen me emër dhe mbiemër, do të përgjigjen, kur ky vend të udhëhiqet nga një qeveri e përgjegjshme, dhe kur sistemi i drejtësisë të lirohet nga kapja, krimi dhe korrupsioni. Dhe, kjo ditë nuk do të vonojë”, ka shkruar Kurti.

Ish’kryeministri i Kosovës thotë se me Qeverinë aktuale dolën edhe kriminelët nga “skutat”.

“Ndërrimi i qeverisë trimëroi kriminelët dhe zhvatësit e pasurisë publike të të gjitha llojeve. Këtë e tregojnë ngjarjet e djeshme lidhur me Telekomin. Gjatë qeverisjes sonë 50 ditëshe, ata ishin strukur dhe nuk ndjeheshin të gjallë. Ishin të vetëdijshëm se me neve në qeveri, nuk kishin asnjë shpresë. Rishfaqja e tyre tani dhe në mënyrë kaq brutale dëshmon se qeverinë e paligjshme e konsiderojnë aleate të tyre. Ndryshe vështirë se do të kishin pasur guximin të lënë qytetarët dhe ekonominë e vendit pa komunikime jetike, duke rrënuar përfundimisht Telekomin e Kosovës”, ka thënë ai.

“Vetëm në vitin 2009, Telekomi i Kosovës i kishte dhënë dividentë buxhetit të shtetit në vlerë prej 200 milionë euro. Deri në vitin 2014, kjo shumë arriti gjithsej në 435 milionë euro. E gërryen nga brenda dhe e rjepën nga jashtë me kontrata të dëmshme vit pas viti. Plaçkitësve tash po u ndihmojnë edhe gjyqtarë që thyejnë rekordin për efikasitet në kohë pandemie teksa qindra mijëra lëndë janë pluhrosur nëpër sirtarë të kyçur në Pallatin e Drejtësisë. Zaten, kur krimineli e paditë viktimën dhe e fiton gjyqin, kjo do të thotë që ka gjykatës që janë bërë për burg. Rrezikohet të mbesin pa shërbim më se 800.000 abonentë. Rrezikohet shembja e bërthamës së komunikimeve elektronike në vend, me pasoja edhe për operatorët tjerë. Rrezikohet krizë sociale (duke nxjerrë mijëra punëtorë me familjet e tyre në rrugë), krizë e sigurisë kombëtare (duke i kanosur shërbimet qeveritare, të policisë, ushtrisë, prokurorisë, emergjencës e inteligjencës), krizë ekonomike (duke cenuar komunikimin e ndërmarrësve dhe tregut), dhe krizë shëndetësore (duke gjymtuar shërbimet shëndetësore si psh. qasja në linjat 194 për 800.000 qytetarë), e gjithë kjo në kohë të emergjencës për shëndetin publik”, ka shkruar Kurti në Facebook./GazetaExpress/

.

 

Më Shumë

Arrestohen tre të dyshuar për mashtrim në Prizren

Policia e Kosovës në Prizren ka vënë në pranga tre persona të dyshuar për veprën penale të mashtrimit. Zëdhënësi i Drejtorisë Rajonale të Policisë në...

Gruaja në Rahovec denoncon burrin për dhunë psikologjike – arrestohet i dehur

Një rast i dhunës në familje është raportuar herët në mëngjesin e sotëm në Rahovec, ku një grua ka denoncuar bashkëshortin e saj për...

Lajmet e Fundit