9.8 C
Prizren
E diel, 5 Maj, 2024

Romaja i Hasit, fshati i furrtarëve të shumtë

Romaja është fshat që ka një histori të lashtë. Në këtë fshat ende ruhen me fanatizëm traditat e kanagjeqeve, dasmave e mbi të gjitha bujaria dhe mikpritja. Romaja dallohet si fshat që ka shtruar bukë në të gjithë rrethanat atdhetare,shkruan gazeta Kosova Sot.

Gëzim Duraj, përfaqësues i fshatit, shprehet për “Kosova Sot” se arkeologët në afërsi të këtij fshati kanë zbuluar një tumë Ilire, artefakte të shumta, që sot ruhen në Muzeun Arkeologjik të Prishtinës.”Përpos tyre, ekzistojnë edhe themelet e një kishe që nuk dihet saktë se cilës kohë i takon, por supozohet që është e vitit 1760″, shprehet ai. Ky fshat ka një pozitë mjaft të mirë gjeografike, ku shtrihet në drejtim lindje-perëndim, në pjesën perëndimore dhe në pjesën lindore gjenden malet e Pashtrikut, ndërsa në veri ka një tokë të pëlleshme bujqë- sore. Duraj thotë se banorët e Romajës së Hasit njihen si furrtarë dhe shton se nuk ka cep ndoshta të Evropës që të mos ketë furrtarë të këtij fshati

Zhvillimi i bujqësisë ndal punësimin

Romaja ndër vite njihet për banorë të vyeshëm. Shkolla fillore ka filluar në vitin 1947, në fillim në xhaminë e fshatit, ndërsa më vonë është ndërtuar një objekt shkollor me katër klasë. Në vitin 1972 është ndërtuar objekti ri shkollor me tetë klasë mësimi. Në vitin 1996 ka filluar të punojë edhe shkolla e mesme si paralele e ndarë e shkollës së mesme të Mjekësisë në Prizren. Para luftës së vitit 98-99 infrastruktura rrugore ka qenë katastrofale dhe falë banorëve të këtij fshati me vetëkontribut e kanë mbajtur në mënyrë që të qarkullojë autobusi Romajë-Prizren. Pas luftës së Kosovës me donacione të ndryshme dhe me participim në vlerë prej 600.000 euro është ndërtuar rruga GjonajBishtazhin, që lidh fshatrat e Hasit të Prizrenit me fshatrat e Hasit të Gjakovës. Janë ndërtuar rrjeti ujësjellësit dhe kanalizimit falë donacioneve të shoqatave të huaja dhe participimit nga banorët e fshatit. Me vonë me participim nga mërgimtarët tanë në Kroaci, në vlerë prej 52.000 euro dhe Ministrisë së Arsimit, është ndërtuar objekti i shkollës së mesme me nëntë dhoma mësimi që është pjesë e gjimnazit” Gjon Buzuku” në Prizren, që sot numëron rreth 235 nxënës.

Në vitin 2010 është ndërtuar falë një donacioni nga Bashkimi Evropian rruga 5 km që lidh Romajën dhe fshatrat e tjera të Hasit me fshatin Rogovë. Nga buxheti komunal i Prizrenit nga viti 2010 është ndërtuar Zyra e gjendjes civile, objekti i shkollës fillore me 12 dhoma mësimi, në vlerë 450.000 euro, Qendra kulturore sportive në vlerë prej 100.000 euro, rreth 90 për qind të rrugicave të fshatit, rrugë fushore nga Drejtoria e Bujqësisë, është investuar edhe në rehabilitim e rrjetit të ujësjellësit dhe sot fshati Romajë e ka të kompletuar infrastrukturën,që banorëve u ofron një jetë normale. Prej vitit 1982 në fshat funksionon edhe QMF-ja në të cilën punon një mjek i përditshëm i mjekë- sisë familjare dhe një stomatolog. Në të ardhmen ky fshat ka nevojë për ndriçim publik dhe një përkrahje më e fuqishme për fermerët e këtij fshati, pasi që e kanë tokë të rregulluar me komasacion, nënsistemi të ujitjes nga Radoniqi, në mënyrë që nga një bujqësi estenzive të organizohet një bujqësi intensive. Kjo do të ndikonte në zbutjen e papunësisë dhe ndaljen e migrimit të popullsisë të këtij fshati që është brengë dhe plagë e rëndë për këtë fshat dhe të gjitha fshatrat e Hasit.

Banorët janë shpërndarë gjithandej në Evropë

Duraj thotë se Romaja me regjistrimin e fundit ka rreth 2800 banorë dhe po aq edhe banorë të këtij fshati që jetojnë të shpërndarë në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Evropës”. Me një punë dhe angazhim të Qeverisë lokale dhe Qeverisë qendrore mund të ndikojnë me ndaljen e migrimit të mëtutjeshëm të kësaj popullate”, pohon Duraj. Këta banorë vazhdojnë të besojnë ende në të ardhmen e këtij fshati. Për banorët e fshatit Romajë tani e disa dekada funksion Shoqata autoktone e folklorit burimor “Xhevat e Muharrem Qenaj”, pasi që këta artistë ishin nga ky fshat. Rasim Beqaj, udhëheqës i kësaj shoqërie, tregon se kjo shoqëri ka pasur suksese të mëdha në ruajtjen e trashëgimisë. Ai thotë se Romaja është fshati më karakteristik i Hasit. Pleqtë e këtij fshati flasin me admirim për luftërat dhe heroizmat e këtyre banorëve nëpër histori, duke përmendur trimat si Bajram Curri e shumë trima kombëtarë.”Me këtë rast ajo që duhet dalluar është fakti se Romaja është ndër vendet më të njohura sa i përket tumave ilire”, tregon Duraj, teksa shton se duhet të analizohen dhe mbi të gjitha ato duhet të ruhen.

(Kosova Sot)

Më Shumë

3:0 për Trepçën, kualifikohet në finale

Trepça është kualifikuar në finale të “Play-off”-it në Prince Caffe Superligë. Mitrovicasit në ndeshjen e tretë të serisë gjysmëfinale shënuan fitore ndaj Sigal Prishtinës...

Në gati çdo profesion në Kosovë, burrat paguhen më shumë sesa gratë – kaq janë pagat

Shumica e sektorëve në tregun e punës në Kosovë janë të dominuar nga burrat. Por, edhe në sektorët që punësojnë më shumë gra –...

Lajmet e Fundit