16.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Ndizet drita jeshile për memorialin “Heroinat”

Heroinat-skulptureNënshkrimi që i ka dhënë vulën të hollave për nisjen dhe ndërtimin e memorialit “Heroinat” është vënë të enjten pasdite. Kështu i kanë thënë gazetës palët që kanë nënshkruar kontratën.

Sakrificat e mundimet nëpër të cilat ka kaluar gruaja në luftën e fundit të Kosovës, më në fund do të përjetësohen në memorialin kushtuar atyre. Memoriali i shumëpërfolur ka kaluar nëpër procedura të shumta dhe është dashur të presë derisa është ndarë buxheti, nga edhe është varur fillimi i punimeve, por kontrata e nënshkruar në këtë fundvit, 26 dhjetor, në mes të Zyrës së Prokurimit dhe artistit që do ta punojë projektin, Ilir Blakçori, nga Molosgroup, do t’i japë këtij memoriali më në fund dritën jeshile.

“Procedurat kanë shkuar ashtu siç duhet, kontrata është nënshkruar, dhe ka mbetur vetëm të fillojë puna”, ka thënë artisti Blakçori.

Buxheti për të financuar memorialin “Heroinat” është ndarë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. “Janë ndarë 120 mijë euro, ashtu siç edhe është e përcaktuar me buxhet”, ka treguar Ilir Blakçori për “Zërin”. Me kontratën e lidhur, Blakçori ka thënë se është caktuar një afat, i cili përcakton kohën se kur duhet jetë gati “Heroinat”. “Kontrata parasheh që brenda 120 ditëve pune të kryhen punimet”, është shprehur Blaçori.

Sa u takon punimeve për memorialin “Heroinat” ka folur edhe Adnan Elshani, udhëheqës i Divizionit për Planifikimin Hapësinor, në MMPH.

“Nëse punimet fillojnë në janar, besoj që deri në prill do të përfundojnë”, është shprehur Elshani, për të shtuar më pas se monumenti është 5.50 metra me 4.50 metra.

Deputetja Alma Lama, që njëherësh është ideatore për memorialin “Heroinat”, ka thënë se ka pasur vonesa në procedura, të cilat kanë shkaktuar vonesën e zotimit të mjeteve, derisa ka thënë se puna do të vazhdojë vitin e ardhshëm.

“Unë e kam monitoruar në çdo hap këtë projekt dhe kështu do të bëj edhe në të ardhmen, deri në realizimin përfundimtar të tij”, është shprehur Lama.

“Ky është një memorial që bëhet për kontributin e grave, është i pari dhe i vetmi dhe duhet që të përmbyllet pasi edhe ashtu është vonuar shumë”, ka thënë më tej Lama.

Për “Memorialin në shenjë nderimi të kontributit të gruas gjatë periudhës së luftës 1998-99 – Heroinat” është caktuar edhe vendi se ku do të vendoset, që është afër Bankës Qendrore të Kosovës.

“Për caktimin e hapësirës përherë kemi pasur përkrahjen e Kuvendit Komunal të Prishtinës, të cilët janë të pajtimit ku të vendosim ne, të na japin leje për ndërtim. Për pjesën ku kemi vendosur tani, kemi bërë kërkesën zyrtare me shkrim, e cila është aprovuar, parashihet që vetëm asambleja komunale të formohet dhe të aprovohet”, ka treguar Adnan Elshani.

Anëtarët e komisionit që kanë bërë zgjedhjen e memorialit “Heroinat” janë: Mrika Macula, shefe e Kabinetit të ministrit, njëherësh kryetare e komisionit; Majlinda Kelmendi, profesoreshë e Pikturës në Fakultetin e Arteve; Lendita Radoniqi-Avdiu, Adnan Elshani, udhëheqës i Divizionit për Planifikimin Hapësinor; Agim Salihu dizajner; Shkelzen Qorraj inxhinier i ndërtimtarisë jashtë Ministrisë, Alma Lama, Teuta Sahatçiu dhe Flora Brovina.

Memorali përbëhet nga medaljet, sepse siç kishte thënë Alma Lama, në kohën kur është prezantuar projekti, medalja nderon dhe memoriali është për nderuar kontributin e grave. Po kështu është thënë se do të krijohen rreth 20 mijë medalje.

Më Shumë

Avdyli: Bashkësia ndërkombëtare po e kupton sa mashtrues është Vuçiqi

Deputeti i Kuvendit të Kosovës Haxhi Avdyli, në Info Magazine, thotë se Bashkësia Ndërkombëtare po e kupton sa mashtrues është presidenti serb Aleksander Vuçiq. Deputeti...

Prezantohet studimi i fizibilitetit për ndërtimin e teleferikut në Kalanë e Prizrenit

Në përputhje me Memorandumin e Mirëkuptimit, të nënshkruar mes Komunës së Prizrenit, Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës si dhe PPSE-Swisscontact, sot, në...

Lajmet e Fundit