13.8 C
Prizren
E hënë, 6 Maj, 2024

Ballafaqimi me varrezën masive në Rashkë

Varreza masive12-23Një grup i përbërë prej ekspertëve të Departamentit të Mjekësisë ligjore, Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, si dhe të familjarëve të personave të pagjetur të Kosovës, kanë vizituar të shtunën, më 28 dhjetor, varrezën e gjetur në Rudnicë të Rashkës, në territorin e Serbisë.

Arsim Gërxhaliu, drejtor i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se qëllimi i kësaj vizite ka qenë njoftimi i familjarëve të personave të pagjetur për hulumtimet që janë bërë dhe që pritet të bëhen edhe më tutje në varrezën masive në Rudnicë.

“Qëllimi i shkuarjes ishte që familjarët të shohin vendin se ku janë gjetur (mbetjet mortore), që të shohin punën e kryer deri në atë moment dhe që të shohin se si e kemi konservuar vendin, si dhe mundësinë e paktë që të bëhet ndonjë ndryshim, sepse ne i kuptojmë familjarët në mosbesimin që e kanë ndaj palës serbe”.

“Ata (mbetjet mortore) janë gjetur rreth 60 deri në 70 centimetra nën asfaltin e asaj ndërtese, ku e kemi pasur çdo herë si vend për të cilin kemi dyshuar. Por, profesionalisht, pres që kjo të jetë pjesa skajore e varrezës dhe normalisht që me të depërtuar me thellë, aty do të jenë më thellë të groposur”, ka bërë të ditur Gërxhaliu.

Haki Kasumi, kryetari i Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të Pagjeturve, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se të shtunën në Rudnicë, kanë shkuar për të nderuar viktimat e familjeve të tyre, për të përcjellë kërkesat e familjarëve të personave të pagjetur që puna në këtë varrezë të vazhdojë sa më parë.

Kasumi, gjithashtu, ka theksuar se kanë kërkuar që trupat që janë gjetur, mundësisht, të kthehen në Kosovë për ekspertizë, Por, sipas tij, kjo kërkesë ka marrë përgjigje negative, për faktin se çështja ka kaluar në dorën e Gjykatës Speciale për krime lufte të Serbisë dhe se ekspertiza e mbetjeve mortore do të zhvillohet atje.

“Ne kërkuam që identifikimi i tyre të bëhet sa më parë dhe me transparencë, gjegjësisht, në prani të faktorit shqiptar nga Prishtina dhe të faktorit ndërkombëtarë, ngase besimi ynë më nuk ekziston te drejtësia dhe puna profesionale e mjekëve serbë. Në raundin kur kanë sjellë nga Serbia 847 trupa, kanë bërë, sipas tyre, gabime të shumta të paqëllimta. Por, ne gjithashtu, si familjarë dhe si aktivistë, kemi të drejtë ta vërtetojmë atë dyshimin tonë se ato janë bërë edhe të qëllimta”, është shprehur Kasumi.

Ndryshe, Gërxhaliu ka theksuar se në gjysmën e dytë të janarit të vitit 2014, grupet punuese në kuadër të delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë për personat e pagjetur, do ta kenë një takim të përbashkët për të shtjelluar një numër pyetjesh dhe kërkesash , të cilat tashmë i ka bërë pala kosovare.

“Unë pata kërkuar që këto pjesë kockore të sillen në Departamentin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë edhe për shkak të afërsisë, por edhe për shkak të shpejtësisë së punës për t’i kthyer sa më shpejt”.

“Mirëpo, për shkak se i takon jurisprudencës së Serbisë, meqë varreza ndodhet në territorin e Serbisë dhe ligjet (serbe) nuk lejojnë një gjë të tillë, kam kërkuar që të jemi prezent gjatë tërë kohës, si gjatë kohës së eks-humimit e edhe gjatë punës në Beograd. Zoti Odalovic (Veljko), kryetar i grupit dialogues, na tha se një çështje të tillë e ka diskutuar me gjykatësin, andaj edhe shpreson që kjo kërkesë e jona do të plotësohet”, ka shpjeguar Gërxhaliu.

Por, shkuarja e familjarëve të personave të pagjetur në Rudnicë të Rashkës, për të parë varrezën e gjetur masive, kishte edhe episodin e ndjeshëm, vlerëson Kasumi. Sipas tij, momenti i ballafaqimit me varrezën ishte mjaft emocional dhe i rëndë për familjarët.

“Më besoni, te secili familjarë, përfshirë edhe mua aty – dhe t’ju them të vërtetën që edhe gjatë kësaj interviste që po e jap, mua po më rrëqethet trupi – ishte përjetim i papërshkrueshëm, shumë emocional”.

“Një pjesë e madhe e familjarëve mbyllnin sytë dhe u dukej se po përballen me familjarët e tyre, se po kontaktojnë me ta. Filluan në njëfarë mënyre të kalojnë në trans, në gjendje jonormale dhe të bisedojnë me familjarët e tyre. Me fjalë të tjera, ishte një gjendje e rëndë, e papërshkrueshme dhe të cilën nuk do t’ia dëshironim as armikut tonë”, ka treguar Kasumi.

Ai ka paralajmëruar se më 31 dhjetor, Këshilli Koordinues i Asociacioneve të Familjarëve të Pagjeturve, në sheshin “Skënderbeu ”, para “pllakës elektronike”, do të mbajë një tubim me familjarët e të pagjeturve dhe qytetarët në përgjithësi, për t’i bërë një rishikim punës së këtij këshilli brenda një viti, si dhe për të shfaqur pakënaqësitë e familjarëve të personave të pagjetur, për moszbardhjen e fatit të edhe më shumë se 1 mijë e 700 personave të pagjetur, të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Më Shumë

Policia shqipton mbi 2 mijë gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 2005 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore...

Në Bajram Curr nesër bëhet përurimi i shtatores së komandantit Tahir Sinani

Më 5 maj (e diel), duke filluar në orën 12:00, në Bajram Curr bëhet përurimi i shtatores së komandantit Tahir Sinanit. Shtatorja është punuar nga...

Moti sot me shi

Lajmet e Fundit