11.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

Alarmi i trenit serb dhe jehona e tij

Bardh Frangu

Thuhet se rasti ka ndodhur në Lipjan, menjëherë pas lufte, kur serbët kishin përgatitur valixhet për të ikur nga Kosova dhe mbase kur ishin ngarkuar nëpër traktorët dhe kamionët që kishin, njëri nga udhëheqësit e tyre u kishte dalë përpara dhe i kishte këshilluar të mos iknin. Ai thjesht u kishte thënë që të rrinin se shqiptarët kishin nisur të plaçkitnin gjithçka përreth dhe si të tillë nuk do të mund ta bënin shtetin e pretenduar.
Në bazë të kësaj logjike serbët ishin kthyer nëpër shtëpitë e tyre. Madje ngjashëm kishin bërë edhe serbët nëpër qendrat tjera të Kosovës, ku sot vazhdojnë të jetojnë si copa të ndara të shtetit serb (si në eks territore), të dirigjuar nga Beogradi. Edhe profesori serb nga Universiteti i Prishtinës, oponent i politikës së Millosheviqit, Milenko Karan, menjëherë pas lufte pat deklaruar: “Kam parë policinë serbe si ka plaçkitur, kam parë pjesëtarë të UÇK-së si kanë plaçkitur”. Dhe vërtet luftën e reduktuam në logjikë plaçke, duke demantuar edhe pandehmën e Fanonit se lufta për çlirim është shprehje e vetëdijes së lartë të një populli.

Keq e plaçkitëm këtë vend. Plaçkitëm të mirat natyrore siç janë pyjet, kodrat e lumenjtë, plaçkitëm pronat publike dhe çdo gjë të tundshme dhe të patundshme e vumë në një tezgë plaçke, për ta sjellë vendin në një derexhe ku është sot. E nuk është thënë kot se kur Qeveria vjedh pulën, qytetarët kanë të drejtë të vjedhin venë. Kështu të gjithë u bëmë hajna, u bëmë plaçkitës të këtij vendi, ndërsa ata që nuk pranuan të jenë pjesë e kësaj logjike, u detyruan të tërhiqen në margjina dhe të mos u dëgjohet zëri, duke jetuar si specie në zhdukje.

Partitë politike që u shndërruan në banda plaçkitëse u mjaftuan me faktin se kufijtë e vendit i kishte marrë përsipër t’i siguronte KFOR-i. Përbrenda kapën shpejt sistemin e drejtësisë dhe duke plaçkitur çdo gjë të mundshme arritën të krijojnë pasuri marramendëse. E tani kur shfaqet një tren i veshur me ikonografi serbe, duket sikur liderët tanë politikë i ka kapur paniku. Madje krekosen si gjelat mbi pleh, kinse për të dëshmuar sesi muskujt e tyre e paskan kthyer mbrapsht një tren rus, të mbushur me kërcënim serb. Në fakt kthimi i trenit ka të bëjë me muskujt e KFOR-it në kufi. Po këtu pushteti i instaluar i gënjeshtrës nuk ka lënë hapësirë për të vërtetën. Kështu gënjeshtrat e tyre janë të vërtetat tona! Në këtë kontekst ne duhet ta besojmë edhe faktin se Treni serb u shfaq si Bajloz i Zi, ndërsa presidenti Thaçi si Gjergj Elez Ali!
Ndryshe, shikojini enklavat serbe në Kosovë dhe binduni se Serbia është brenda nesh, pa pasur nevojë që të eksportojë ikona e qytetarë militantë nga brendia e saj, siç ishte rasti me trenin. Në enklavat serbe kudo valon i vetëm flamuri i shtetit të Serbisë. Kudo përdoret monedha serbe, përkatësisht dinari serb. Kudo punojnë me plane mësimore të republikës së Serbisë dhe në çdo sferë të jetës ata provojnë të dëshmohen se jetojnë në një hapësirë që quhet Serbi. Në këtë kontekst është tepër ironik fakti kur presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, shkon dhe e viziton komunën e Shtërpcës dhe para se të futet aty mezi arrihet një marrëveshje që flamuri serb, i vendosur në objektin e komunës, të hiqet së paku për kohën sa presidentja do të qëndrojë aty. Dhe serbët e pranojnë këtë kusht dhe menjëherë pas largimit të saj e kthejnë flamurin në vendin e vet, ku qëndron tash e gati 18 vjet! Pastrimin e kësaj komune edhe sot e kësaj dite e bënë një ndërmarrje serbe, e udhëhequr nga strukturat paralele, e cila vazhdon të mbledhë edhe taksat e qytetarëve shqiptarë. Njësoj serbët vazhdojnë të udhëheqin me qendrën e skijimit në Brezovicë.
I sollëm këto dëshmi për të konstatuar se ne vërtet nuk jemi fare të interesuar për bërjen e shtetit dhe se shteti na duhet shkaku i pushtetit dhe për asgjë më tepër. E tash kur jemi futur në një fazë krize, me shenja të një rreziku të lartë, bëhemi sikur po mobilizohemi në mbrojtje të shtetit. Sigurisht që shtetin për hir të pushtetit do të përpiqen ta mbrojnë po këta plaçkitës, sepse në fakt ata mbrojnë pronën e tyre e jo republikën e qytetarëve. Ndryshe tingëllon kaq cinik fakti se qytetarët në anën tjetër kërkojnë që të bojkotohen mallrat serbe, ndërkaq që zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës është importuesi më i madh i këtyre mallrave. Këtu vërtet vetëm marrëzia meriton lavdi.

Më Shumë

Sot votohet për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në veri

Sot në katër komunat në veri të vendit do të votohet për ose kundër shkarkimit të kryetarëve shqiptarë në këto komunat. Komunat që do të...

114 vjet nga vdekja e shkrimtarit të shquar Mark Twain

Samuel Langhorne Clemens (30 nëntor 1835 – 21 prill 1910) njihet me emrin Mark Twain (Mark Tuejn), ishte një autor dhe humorist amerikan. Ai...

Lajmet e Fundit