8.8 C
Prizren
E martë, 19 Mars, 2024

Ligji dhe udhëzimi administrativ për arsimtarët e viteve të 90-ta nuk janë të sinqertë

Hajdar Mallaku

Shkas për ta hartuar këtë shkrim është vdekja e bashkëshortëve që kanë punuar që të dy në ato vite në arsim (si shumë të tjerë që nuk e patën fatin të jenë në jetë dhe ta pinë një kafe, dhuratë nga ajo sakrificë sublime në atë kohë) dhe e kolegut tonë, veteran i moshës 90 vjeçare, me 54 vjet përvojë në arsim (edhe si bashkëpunëtor i jashtëm, si kuadër deficitar), i burgosur katër herë, që vuajti edhe në burgun famkeq të Goli Otokut, që na tha: ”Aplikova dhe unë, por…!?” Kjo “ Por !?” thua se nxori një imazh të dhimbshëm dhe krenar nga e kaluara, por hapi dhe një spektër të turbullt nga e ardhmja.

E zbërtheva, si do ta zbërthente dhe ai, se ishim ketegoria e parë e luftës dhe u trajtuam të fundit dhe jo në mënyrë të sinqertë. Ishim ata që e mbajtëm gjallë ndjenjën e atdhedashurisë, që i thamë “Jo!” planprogrameve diskriminuese që vinin nga Beogradi dhe i ndamë rrugët tona me Serbinë, që e organizuam mësimin paralel me ndihmën e popullit dhe mundësuam që Kosova të frymojë shqip, sepse caku i armikut ishte shkolla shqipe dhe universiteti; nuk lejuam që për dhjetë vjet fëmijët tanë të mbetnin analfabetë, penguam shpërnguljen e popullit që për shkak të shkollimit të fëmijëve iknin jashtë vendit, që, si i pari segment i shtetësisë së Kosovës, dhamë dëftesa dhe diploma me vulë të Republikës së Kosovës, që punuam me kokë në trastë, jo një muaj, jo një vjet, jo tre vjet, por dhjetë vjet e tërë karrierën dhe quhemi pensionistë e jo veteranë; që ishim në punë legale dhe me dokumente, që punën e bëmë me disiplinë dhe sipas një hierarkie të rregullt, që jemi ata që i shkolluam dhe i edukuam edhe këto gjenerata që sot janë në pushtet (që patën hamendje ta hartojnë apo mos ta hartojnë këtë ligj, që e zvarritën tash e njëzet vjet e po e zvarrisin ende), që as sot e kësaj dite nuk morëm mirënjohje për kontributin e atyre viteve të nënshkruar nga kryetari i Qeverisë apo ministri i Arsimit.

Edhe arsimtarët derdhën gjak, krahas luftëtarëve të Lirisë. Kujtojeni paraqitjen e parë publike të UÇK-së në varrimin e mësuesit dëshmor Halit Geci, në Llaushë të Skënderajt.

Zvarritja shkoi që prej hartimit të ligjit. Në projekt u parapa që shuma e kompenzimit të jetë 70 për qind e rrogës së mësuesit, por u hoq. Vlera e kategorive herë u shtua e herë u zvoglua. Nuk qe pranuar përvoja e atyre viteve si përvojë e kontributdhënies për pension, edhe pse dihej që nuk kishim marrë paga dhe s’kishim me çka t’i paguanim ato (më vonë u pranua). Zvarritja vazhdoi me leximet në Parlament, me aprovimin e tij, me nxjerrjen e udhëzimit administrativ, me afatin për aplikim brenda tre muaj e gjysmë kohe dhe erdhi viti 2020.

Sipas këtij ligji dhe këtij udhëzimi administrativ kjo pagesë është kompenzim, që do të thotë atë që nuk e ke marrë dje e merr sot dhe rrafshohesh, si ishte rasti me të burgosurit politikë. Habi, quhet kompenzim dhe do të merret si pension!

Por te ne ankesat ishin se nuk ka buxhet dhe ngarkohet buxheti i shtetit. Ligjit iu bënë qethje e qethje. Kursehet te ne, se vetëm te ne ka mbetur kursimi(!).

Ne nuk jemi fajtor pse pushteti e ka lënë magjen pa miell.
Përmendet se pagesa fillon prej datës kur personi del në pension. Pse atëherë nuk kompenzohen përnjëherë tash arsimtarët që kanë dalë në pension para një viti e deri njëzet vjetë më parë?

Madje dhe vetë starti i pagesës (kompenzimit) pas moshës 65 vjeçare le të kuptohet se këtë mund ta marrin vetëm ata që kanë fatin të jenë në jetë ose bashkëshortët e tyre. Mosha vijuese është e këndshme për vetë jetën e jo për kompenzimin, por ku i dihet… Po për një 80, 90 vjeçar? Jemi ne një kategori e hargjuar? Jemi ne kategori që nuk i dhimbsemi askuj? Jemi ne kategori e hudhur poshtë? Jemi ne: “Punë e madhe për ta…?”

Sipas jush ne jemi kategori për të cilën duhet heshtur, që shuhemi dhe numëri ynë zvoglohet çdo orë, çdo ditë e çdo vjet. Dhe kur të shuhet i fundit shikoni se sa para u kanë mbetur në buxhet dhe… krenohuni.

Edhe mosmundësia që kompenzimin ta marrin, përpos bashkëshortëve, edhe pasardhësit (që në projekt ishte paraparë), sipas porosisë (zgjedhjes me dokument) të pensionistit, është johumane. Nuk ka qenë e lehtë në atë kohë të sakrifikosh veten, bashkëshorten, fëmijët, sepse atyre u ka munguar një kafshatë buke, një veshëmbathje, një përkujdesje shëndetësore, një libër, një kukull, një vikend, e lëre më një pushim. E sot një numër syresh kanë mëse nevojë për barëra, për shërim, ka të mbetur në shtrojë, që janë në dializë, që janë të paralizuar…

Ne nuk ishim lakmitarë asnjëherë, as tash, as atëherë, por kishim një ideal thuaja të mbinatyrshëm. Nuk pritnim pagesë, se ajo periudhë e lavdishme nuk paguhet me asgjë. E ka paguar vetëm Liria. E kryem dëtyrën me përgjegjësi. E pranojmë se pati një numër të vogël kolegësh që e lanë arsimin dhe ia mësyen Perëndimit, ose merrnin pushim pa pagesë.

Po ata njerëz me karakter të luhatshëm nuk i janë dashur as arsimit, as luftës për liri.
Ndërsa ju pushtetarë që e patë elefandin në dhomë pas 20 vjetësh, ju faleminderit!

I vetmi ngushëllim për ne është kapitali moral që na e ruajti populli tash e atëherë, familjarët tanë (që të dëshpëruar nganjëherë dhe na qortojnë), nxënësit e asaj kohe dhe të të gjithë karrierës sonë të punës në arsim.

Me këtë ne nuk po ankohemi, nuk po kërkojmë mëshirë, nuk po duam të ndryshojmë asgjë, por po duam të tregojmë se sa të pasinqertë keni qenë ndaj nesh./Ekskluzivisht për PrizrenPress/

Më Shumë

15 mars 1875/ Faik Konica, propagandues i çështjes kombëtare

Më 15 mars të vitit 1875 u lind në Konicë, Faik bej Konica, propagandues i çështjes kombëtare, studjues i historisë kombëtare dhe i gjuhës...

Zotërit e fjalës

Agim Vinca Në librin e tij me shkrime kritike Magjia dhe magjistarët e fjalës (1998), studiuesi i njohur Jorgo Bulo (1939-2015) ka vënë si moto...

Lajmet e Fundit