Sot në kazermën e FSK-së “Adem Jashari” do të mbahet ceremonia e pranim-dorëzimit të donacionit me automjete nga Republika Federale e Gjermanisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, ceremonia do të mbahet duke filluar nga ora 10:30.
“Të pranishëm në këtë ceremoni do të jenë Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, si dhe zyrtarë dhe oficerë të lartë vendorë dhe ndërkombëtarë”, thuhet në njoftim.
Ndërrimi i parë i punëtorëve në Trepçë nuk kanë punuar sot për shkak se ende nuk i kanë marrë pagat e plota, njofton RTKlive.
Disa prej këtyre punëtorëve i kanë marr vetëm 30 për qind të pagës. Ndërsa minatorët, përfaqësues të Sindikatës për pak pritet të takohen me kryeshefin e Trepçës për të sqaruar këtë situatë, njoftoi për RTKlive, Ibrahim Jonuzi, kryetar i Sindikatës së Trepçës.
Kujtojmë se për shkak të pagave, punëtorët e Trepçës edhe më parë kanë bojkotuar punën. Madje minatorët ishin ngujuar në galeri duke kërkuar që kjo çështje të zgjidhet. E marrëveshja ishte arritur për marrjen e pagesave të rregullta mujore, ndërsa sa i përket kërkesës për sigurim shëndetësor dhe jetësor, minatorët janë pajtuar që këto çështje të trajtohen më vonë.
Dy skuadrat spanjolle, Barcelona dhe Atletico Madrid, kanë arritur t’i fitojnë ndeshjet e para çerekfinale.
Barcelona nga disavantazhi arriti një fitore dramatike 3-2 në ndeshjen e parë çerekfinale të UEFA Champions League (UCL) kundër Paris Saint-Germain – fitorja e parë e Blaugranas në Parc des Princes që nga viti 2015.
Barca kaloi në epërsi në pjesën e parë përmes Raphinas, kurse Parisi arrita ta rrëzojë këtë për 3 minuta në pjesën e dytë.
Dembele dhe Vitinha shënuan për rezultatin 2-1.
Por, në skenë doli sërish Raphinha për të barazuar shifrat. E për rezultatin final u përkujdes Christensen i Barcelonës, kur në minutën e 77-të, pas një harkimi nga këndi, shënoi për rezultatin 3-2.
Në përballjen tjetër, mes Atleticos dhe Dortmundit u shënuan tri gola.
Dy gola i shënuan vendësit, spanjollët e Diego Simeones, në pjesën e parë, ndërsa Dortmundi, krejt çka mundi të bëjë ishte një gol nga Sebastien Haller në minutën e 81-të.
Katërshja e sontme do të përballen sërish të martën më 16 prill, për të siguruar biletën e gjysmëfinales.
Sot do të zhvillohen dy ndeshje në kuadër të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve.
Kryepërballja kryesore e natës së mërkurës pritet të jetë ajo në mes Paris Saint-Germainit dhe Barcelonës.
Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin Parc des Princes, duke filluar nga ora 21:00.
Një tjetër sfidë interesante do të jetë edhe ballafaqimi në mes Atletico Madridit dhe Borussia Dortmundit.
Loja do të luhet në stadiumin “Civitas Metropolitano”, duke nisur nga ora 21:00.
Përndryshe, të martën u zhvilluan dy ndeshjet e para çerekfinale ku pati super paraqitje si në takimin e Real Madridit me Manchester Cityn, që u mbyll me rezultat 3-3.
Njashtu edhe në takimin në mes Arsenalit dhe Bayernit, që u mbyll gjithashtu në barazim 2-2.
Kur klubi i futbollit Liria kishte rënë në duart e Rahman Kiçes, në Prizren ishte shtuar shpresa dhe optimizmi se më në fund ky klub do të shihte dritë në fund të një tuneli.
Mirëpo, prizrenasve nuk iu doli siç e prisnin, pronari i ri i klubit.
Bardhezinjtë vjet u rikthyen në Superligë, por do të përshëndeten me të vetëm pas një viti qëndrimi në ligën elitare.
E tash, krahas rezultateve të dobëta, prizrenasit po përballen edhe me një problem, atë financiar.
Një burim brenda klubit i ka treguar “Gazetës Express” se lojtarët dhe stafi, dhe të gjithë atë që punojnë në klub, nuk kanë marrë rroga qe një kohë.
Madje, kanë mbetur mjaft të dëshpëruar se nuk u paguan as në këtë kohë, në prag të festës së Bajramit.
“Lojtarët dhe stafi nuk kanë marrë rroga qe dy muaj e gjysmë. Nuk u paguan as për Bajram, kjo është skandaloze. Tek Liria nuk ka festë, kryesia u arsyetua se po i priste paratë prej Federatës…”, thotë ky burim për gazetën.
“Por, është një dritë në fund të tunelit për kthimin e namit të Lirisë. Ka përpjekje që ky menaxher (pronari Kiçe) i papërgjegjshëm të largohet dhe klubin ta marrin biznesmenë dhe dashamirë të vërtetë që e duan klubin. Sepse ky e kishte veç për biznes. Janë disa iniciativa me mbështetjen e kryetarit të Komunës që klubi t’i merret pronarit aktual dhe t’iu jepet biznesmenëve me klauzola të qarta të funksionimit. E jo siç iu dha këtij, që në fakt iu fal pa asnjë marrëveshje dhe penalizim nëse dështon klubi”, shton ky burim.
“Ani pse ky i premtoi mbi 10 milionë euro investime në 10 vjetët e parë, Kiçe nuk ka paraqitur as garancion bankar. Kjo s’do koment”, nënvizoi ai.
Ky burim i “Expressit” zbulon se edhe më rëndë qëndrojnë punët tek ekipi i vajzave të Lirisë.
“Edhe më keq janë ekipi i vajzave, që janë qe 5 muaj pa paga, ndonëse pagat e tyre mujore janë nga 100 deri në 150 euro. Kjo është një katastrofë”, shtoi burimi i gazetës, duke u mos ndalur me kaq.
“Rezultatet e ekipeve të grupmoshave të reja janë shumë keq. Në Lidhjen Rajonale janë keq. Kadetët dhe juniorët ka dy vjet që kanë rënë nga Superliga dhe ekipi i parë është drejt rënies nga liga, s’ka shpëtim. Publiku prizrenas nuk e ka merituar këtë ‘menaxhim’ nga një kurbetçar që veten e quan menaxher lojtarësh. Ai e shkatërroi klubin.”
Sipas burimit në fjalë, javën e kaluar Asambleja Komunale ka debatuar për FC Liria, ndërsa në rend dite ka qenë suspendimi i një komisioni që e kishte për qëllim t’ia jepte klubit stadiumin “Përparim Thaçi” për një periudhë 10 vjeçare.
Ky komision ishte themeluar në tetor të vitit 2023 dhe fokusin e kishte tek Liria, por që, shton burimi i “Expressit”, shkaku i rezultateve të dobëta, komisioni në fjalë është suspenduar në Asamblenë e Prizrenit, ku kishte tone të ashpra për mënyrën e keqmenaxhimit nga pronari aktual, Rahman Kiçe.
“Gjithashtu, u kërkuan forma që klubi t’i merret atij dhe të ngjallet”, përfundoi burimi i gazetës.
Liria konsiderohet si njëri prej katër klubeve më të mëdhenj në histori të futbollit kosovar, por në këtë sezon nuk i shkuan punët mirë, fillimisht me rezultate, e tash po del që ka edhe probleme financiare. /Gazeta Express/
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Dega në Prizren, Zafir Berisha sot ka vizituar Bashkësinë Islame të Prizrenit për të uruar festën kryetarit dhe kryesisë së këtij institucioni.
“Me rastin e festës së Fitër Bajramit, ditës përmbyllëse të muajit të madhërishëm të Ramazanit, muajit të agjërimit, muajit të sakrificës të dashurisë dhe paqes mes njëri tjetrit të i’u urojm që sakrifica e Ramazanit t’iu kthehet në mirësi,dashuri dhe respekt për njeriun dhe atdheun.
Le të jetë kjo festë, momenti i unititetit dhe mirëkuptimit më të madh me njëri –tjetrin dhe të sherbej si një vlerë e domosdoshme për ne shqiptarët, për të punuar dhe vepruar për një të ardhmen sa më të mirë të brezave që vijnë pas nesh, dukë vënë interesat e përgjithshme mbi interes personale”, thuhet në urim.