17.8 C
Prizren
E mërkurë, 14 Maj, 2025
Home Blog Page 16

Koncerti i parë i Bryan Adams në Tiranë, mbi dy orë me hite dhe emocione të fuqishme

0

Bryan Adams një nga artistët më me ndikim dhe me disqet më të shitur të të gjitha kohërave, me llojin e tij të rok-ut të butë që e çoi atë në majat e muzikës botërore, pasi pushtoi zemrat e miliona fansave gjatë karrierës së tij prej gati pesë dekadash, performoi dje në Tiranë.

Për herë të parë, Adams u ngjit në skenën e Pallatit të Kongreseve ku biletat për të ndjekur performancën e tij ishin shitura të gjitha. Koncerti zgjati mbi dy orë i cili përshkroi kufijtë e diskografisë së gjerë të kanadezit.

Adams e filloi shfaqjen e tij me hitin “Let’s Make A Night To Remember”, e cila ishte hapja perfekte e koncertit, ndërsa salla u mbush me tingujt e kitarës. Energjia ishte fantastike që nga fillimi i koncertit dhe vazhdoi të rritej ndërsa Adams performonte me hitet e tij duke e bërë të gjithë turmën të këndonte së bashku me “Everything i do, i do it for you”.

Zëri i Adams jehoi në të gjithë Pallatin e Kongreseve me “Please forgive me”, ndërsa fuqia e këngës dhe muzikës iu bashkua edhe më tej publiku që këndoi me gjithë shpirt. Ishte një moment magjik.

Është e mahnitshme të mendosh se sa shumë hite ka Adams gjatë karrierës së tij dhe ai i luajti pothuajse të gjitha, përfshirë edhe bashkëpunimet e shumta si dhe këngë, kolona zanore të filmave të njohur të Hollivudit.

E pabesueshme se sa i ngjashëm tingëlloi zëri i Adams dje me albumet që ai ka bërë dekada më parë dhe se si ai po njësoj, këndoi në skenë përballë një publiku qe e admiroi gjatë gjithë kohës.

Edhe pse Adams nuk e pati të nevojshme të performonte ndonjë cover duke pasur parasysh diskografinë e tij të jashtëzakonshme, ai këndoi një superhit të tij me Tina Turner, “It’s Only Love”, një moment i ndjeshëm dhe për vetë këngëtarin.

Ai e mbajti audiencën në këmbë ndërsa nisi të këndojë “Summer of ’69”.

Adams e mbylli koncertin me këngën “Straight from the Heart” të cilën ia dedikoi nënës së tij 97-vjeçare. Mënyra e tij e thjeshtë për ta mbyllur natën dhe komunikimi fantastik gjatë gjithë koncertit, u shpërblye me të njëjtën dashuri edhe nga publiku.

Bryan Adams, një këngëtar i mezipritur në Shqipëri, shkëlqeu me vokalin dhe muzikalitetin e tij me vetëm një kitar dhe një piano.

Për publikun, koncerti i mbajtur në “Pallatin e Kongreseve”, ishte gjithçka që mund të kërkonte nga një këngëtar i këtij niveli ndërkombëtar, dhe e vetmja gjë që mund të shpresojmë është që kjo të mos jetë hera e fundit./atsh/

Latifi viziton lokën 108-vjeçare në Kaznik të Rahovecit: Kosi, djathi, buka e misrit… e mbajnë të shëndetshme

0

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, realizoi një vizitë emocionuese në fshatin Kaznik, ku nderoi lokën 108-vjeçare, Sadije Bajrajt.

Lokja, e lindur më 15 mars 1917 në Dejnë (bijë Hoti), është një grua e fortë dhe e dashur, që vazhdon të jetojë e lumtur dhe e rrethuar nga nipër, mbesa dhe familjarë të tjerë.

“Në fshatin e vogël, por me zemër të madhe, në Kaznikun e kujtimeve të mia të shumta, posaçërisht të atyre të luftës, i bëra një vizitë lokes 108-vjeçare, Sadije Bajrajt, e cila jeton e kënaqur dhe e rrethuar me nipa, me mbesa e me familjarë të tjerë”, shkruan Latifi, në një postim të tij ne Facebook, raporton PrizrenPress.

Lokja, e cila është në shëndet të mirë dhe ka një kujtesë të fuqishme, shpjegoi me gjallëri jetën e saj të pasur, përpjekjet dhe vuajtjet që ka kaluar.

“Kosi, djathi, buka e misrit, gjellërat dhe ushqimet natyrale e kanë mbajtur dhe e mbajnë të shëndetshme”, vazhdoi Latifi.

Një detaj i veçantë në bisedën me lokën ishte zakoni i saj për të pirë dy kanaçe me pijen energjike vendore Golden Eagle çdo ditë. Në një kohë kur shpesh dëgjojmë lajme të ndryshme në mediat dhe rrjetet sociale, lokja 108-vjeçare thotë se kjo pije është pjesë e rutinës së saj dhe kontribuon në shëndetin e saj.

“U gëzua shumë për vizitën dhe u kënaqëm me të. E urova të ketë shëndet dhe të jetojë e gëzuar, kështu siç e pashë sot”, përfubdoi kryetari Latifi, i emocionuar nga vizita./PrizrenPress.com

Haradinaj nderon veprën e heroit Besim Ndrecaj

0

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, sot bashkë me kryetarin e Suharekës, Bali Muharremaj, kolegët e Aleancës nga Suhareka, miq e familjarë, nderuan veprën heroike të heroit Besim Ndrecaj.

“Besim Ndrecaj ishte shembulli unik i luftëtarit që nuk u tremb kurrë përballë armikut. Ai ishte frymëzim i përhershëm i secilit në luftë për të arritur deri te liria, sot, krenaria e Therandës dhe e gjithë kombit shqiptar”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ai ka thënë se emri dhe vepra e tij do të jetojnë në çdo gjeneratë dhe do të kujtohen me nder e krenari.

“Lavdi e përjetshme Heroit të Kombit, Besim Ndrecaj!”, ka theksuar Haradinaj.

Haradinaj kujton masakrën e Bukoshit: Nuk ndalemi së kërkuari drejtësi

0

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kujtuar masakrat e civilëve nga forcat serbe në fshatrat Vraniq, Bukosh, Savrovë e Sopijë.

Në kolonat që po depërtoheshin drejt Shqipërisë, 35 shqiptarë u ndanë dhunshëm dhe u masakruan në oborrin e shkollës së Bukoshit, pa kursyer as të miturit, as pleqtë.

Kujtimi për ta, Haradinaj thotë se do të jetë i përhershëm, dhe se kërkimi për drejtësi nuk do të ndalet kurrë.

“Dhembja për më të dashurit, do të na përcjellë tërë jetën, si shoqëri e si komb. Përulemi me respekt para të rënëve më 3 maj në Bukosh të Suharekës, 26 vjet më parë. Më 3 maj 1999, forcat serbe ndalën kolonën e civilëve nga fshatrat Vraniq, Bukosh, Savrovë e Sopijë, që po depërtoheshin drejt Shqipërisë. Nga ta, 35 vëllezër e motra u ndanë dhunshëm dhe u masakruan në oborrin e shkollës së Bukoshit, pa kursyer as të miturit, as pleqtë. Familje të tëra kanë derdhur gjak për lirinë e Kosovës. Kjo sakrificë na obligon të mos ndalemi kurrë në kërkimin e drejtësisë dhe ndëshkimin e atyre që urdhëruan këto krime kundër popullit shqiptar. I përhershëm kujtimi për ta!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Hajdar Maloku – Planeja: Heroi i dijes dhe luftës për atdhe

0

HAJDAR MALOKU-PLANEJA

Ushtarak, pedagog dhe atdhetar.

U lind në fshatin Planejë të Hasit më 1916. Vjen nga një familje e madhe dhe e përmendur Maloku-Planeja. Pas kryerjes së shkollës së mesme dërgohet në akademinë ushtarake në Romë të cilën e kryen me sukses dhe merr gradën toger i gjinisë ushtarake.

Një kohë shërben në Shqipëri si ushtarak, por nga viti 1941/42 kthehet në Kosovë dhe Qeveria shqiptare e cakton komandat të xhandarmerisë shqiptare në Gostivar. Hajdari si personalitet i shkolluar i bashkëngjitet organizatës “Besa Shqiptare”.

Në mes të muajit nëntor të vitit 1944, Hajdari e zhvesh uniformën dhe caktohet profesor i gjeografisë në “Gjimnazin Real Shtetnuer Shqiptar” në Prizren ku punoi vetëm një vit e gjysmë 1944/45 dhe 1945/46 deri në muajin shkurt të 1946-të, kur del në mal, tani jo më si komunist, por si njeri i PNDSH-së.

Atëherë ky ishte në shënjestër të partizanëve dhe komunistëve të Prizrenit e më gjerë. Në shkurt të vitit 1946 për pak arriti të shpëtojë nga duart e organeve të Sigurimit Shtetëror. Mirëpo, një ditë vere të vitit 1946 e vranë në pabesi në fshatin Gjonaj, nga njerëzit e shitur te okupatori serb.

“Pas likuidimit të tij pushteti serb dëshironte që atë dashuri të popullit ta shndërronte në urrejtje për birin atdhetar dhe njeriun e tri fakulteteve të asaj kohe e njohësin e shtatë gjuhëve të huaja. Kishin marrë vendim që kufomën e tij ta ekspozojnë në sheshin “Shatërvan” të Prizrenit, që njerëzit t’i detyronin ta përulin këtë figurë për së vdekuri, duke i detyruar ta pështynë kufomën e tij”, tregon ai. Ka shumë të atillë që nuk kanë dashur të pështyjnë në kufomën e tij dhe për këtë kanë hëngër burg.

Xhafer Kabashi, gazeta “Bujku”, 1 tetor 1996, Prishtinë, fq. 7

“Guraziu” në Prizren, me 20 vjet përvojë pune në vendosjen e dyerve, laminatit, parketit, kuzhinave dhe dhomave të fjetjes

‘Ribashkohen’ Babastars me një mungesë!

0

Për shumë vite ishin lider në industrinë e hip-hopit shqiptar.

‘Babastars’ krijoi shumë hite të cilat rezultuan nga ato që i rezistojnë kohës.

Por, sikurse në çdo grupim tjetër muzikor, me kalimin e viteve struktura u shpërbë.

Largimet e njëpasnjëshme e bënë ekzistencën e label-it ‘Babastars’ në kufijtë e të pamundurës.

Raportet e disa prej djemve nuk ishin më të mirat në botë pas ndarjes por gjithçka është lënë prapa krahëve tani.

Një ribashkim të ‘Babastars’ (minus Agon Amiga) do e kemi shumë shpejt, në kuadër të albumit të ri të Getoar Selimit.

Një nga këngët ‘Niveli baba’ vjen në bashkëpunim me Ledrin, Skivin, Onat dhe Cozman duke shënuar mes tjerash edhe ribashkimin e Skillz-ave të dikurshëm.

Megjithatë, në album mungon Agon Amiga bashkëpunëtori i vjetër i Getit. Mesa duket, koha nuk i ka shëruar hatërmbetjet mes dy artistëve.

Ky zhvillim po pritet me nostalgji të madhe nga fansat e shumtë të grupit të dikurshëm.

Si një nga 15 këngët e albumit të ri të Getit, ‘Niveli baba’ do jetë e disponueshme në të gjitha platformat nga 5 maji e tutje.

A do jetë sukses apo dështim si ribashkim? Na thoni mendimin tuaj! /Prive

Prizreni drejt Ligës së Parë – pret Vllazninë e Pozheranit në ‘Përparim Thaçi’

0

Prizreni është në formë të lartë dhe po ecën me hapa të sigurt drejt ngjitjes në Ligën e Parë. Pas një fitoreje të rëndësishme në ndeshjen e kaluar, skuadra tashmë është përqendruar në sfidën e radhës, raporton PrizrenPress.

Të shtunën, në ora 16:00, në Stadiumin “Përparim Thaçi”, Prizreni do të përballet me KF Vllaznia Pozheranin në kuadër të javës së 26-të të Ligës së Dytë të Kosovës.

Fitorja është objektivi i vetëm për djemtë verdheblu, të cilët po synojnë të sigurojnë vendin e merituar në Ligën e Parë./PrizrenPress.com

Kuvendi nuk konstituohet as në përpjekjen e dhjetë

0

Deputetët e Kuvendit të Kosovës për të dytën herë me radhë kanë refuzuar që të formohet një komision për votimin e fshehtë për të votuar për kreun e ri të organit ligjvënës.

Seanca konstituive do të vazhdojë të hënën, më 5 maj, në orën 10:00.

Në vazhdimin e dhjetë të seancës konstituive, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe kanë refuzuar sërish që të propozojnë një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvalla, pas dështimit të dhjetë për konstituimin e Kuvendit, akuzoi partitë që legjislaturën e kaluar ishin në opozitë, për bllokim të procesit.

Sipas Gërvallës, partia fituese, së bashku me partnerët e saj – ku bën pjesë edhe partia e saj, Guxo – ka ofruar alternativa për zhbllokimin e procesit, por nuk është e gatshme që të bëjë pazare.

“Kemi ofruar alternativa në vazhdimësi, ajo çfarë nuk kemi ofruar kanë qenë pazaret. Nëse përvoja e së kaluarës është që pazaret çojnë në zhbllokim, atëherë duhet të llogarisim që nuk jemi zhbllokim sepse ky koalicion nuk është i gatshëm të bëjë pazare në kurriz të funksionimit të institucioneve”, tha ajo.

Gërvalla tha se votimi i fshehtë është mënyrë e mirë për tejkalimin e procesit, por argumentoi se me mosvotimin e komisionit për këtë mënyrë votimi, partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë po blejnë kohë për një koalicion të mundshëm.

“A është diçka kjo për të krijuar një qeveri mes partive opozitare me Listën Serbe, apo që pazaret ende nuk kanë sjell rezultat, apo që duan ta çojnë vendin në zgjedhje të reja”, tha ajo, duke shtuar se janë të gatshëm për zgjedhje të reja, por nuk i synojnë, tha Gërvalla.

Sipas Gërvallës, beteja politike është formimin e Qeverisë së re, e jo në konsitutimin e Kosovës, duke theksuar se “ose pushteti e bën Qeverinë, ose opozita me Listën Serbe2.

Ndërkaq, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se është jokushtetuese mënyra se si LVV-ja po tenton që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë. Sipas tij, partia fituese e zgjedhjeve po tenton që të “mbajë pushtetin me çdo kusht”, duke e akuzuar sërish se ka një mentalitet “të diktatit”.

“[Kreu i LVV-së, Albin] Kurti nuk ka vota për t’u bërë kryeministër dhe kjo është arsyeja kryesore që po e mban peng shtetin, po e mban peng Kuvendin”, tha ai, duke përsëritur thirrjen që LVV-ja të ndryshojë kandidaten për kryeparlamentare pasi tha se Albulena Haxhiu as në herën “e 100-të nuk do të kalojë”.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, përsëriti qëndrimin e shprehur edhe në seancën paraprake se ndryshimi i mënyrës së votimit, kur veçse Kuvendi ka qenë në proces të votimit për kryeparlamentarin është jokushtetuese.

“Ne nuk kemi votë për Albulena Haxhiu. Kryetari i Parlamentit duhet të zgjidhet me marrëveshje politike dhe kështu do të vazhdojmë derisa ata nuk reflektojnë”, tha ai.

Edhe Time Kadrijaj tha se ndryshimi i mënyrës së votimit është joligjor, teksa tha se kjo është një taktikë e LVV-së “që Haxhiu të mos dështojë sërish që të zgjidhet kryeparlamentare”.

Ajo sërish kërkoi që partia fituese e zgjedhjeve të ndryshojë propozimin për kryeparlamentar.

Para përpjekjes paraprake, më 1 maj, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ftoi në takim udhëheqësit e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, pranoi ftesën, por pas takimit ai nuk njoftoi për një ujdi se si të shkohet përpara.

Po atë ditë, deputetët u mblodhën, por kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nga LVV-ja kërkoi që të krijohet një komision për votim të fshehtë për kryeparlamentarin e ri. Por, PDK-ja, LDK-ja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe refuzuan të propozonin ndonjë deputet për këtë komision dhe seanca u ndërpre./evropaelire.org

Rahoveci një hap larg finales, synon ta mbyllë serinë ndaj Prishtinës

0

Të shtunën janë në program ndeshjet e dyta gjysmëfinale në plejofin e Superligës së Kosovës në hendboll për meshkuj.

Nga ora 17:30 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në kryeqytet takohen Prishtina dhe Rahoveci. “Vreshtarët” llogariten favoritë dhe udhëtojnë në Prishtinë për ta siguruar finalen, raporton PrizrenPress.

Ndeshjen e parë, të luajtur të mërkurën në “Mizahir Isma”, Rahoveci e fitoi bindshëm me rezultat 47:30. Skuadra rahovecase e ka përfunduar stinorin e rregullt në pozitën e parë, ndërsa Prishtina ishte e katërta. Megjithatë, skuadra prishtinase pritet të japë maksimumin për të kërkuar befasinë dhe për ta zgjatur serinë.

Gjysmëfinalja zhvillohet deri në dy ndeshje të fituara.

Rivalitet dukshëm më i madh ishte në ndeshjen tjetër gjysmëfinale mes Kastriotit dhe Besa Famgasit. Të enjten në Ferizaj, Kastrioti fitoi 38:37, por vetëm pas vazhdimeve prej dhjetë minutash. Ekipi pejan ishte në epërsi gjatë gjithë kohës, ndërsa ferizajasit barazuan në fundin e kohës së rregullt dhe u treguan më të vendosur në shtesë.

Ndeshja e dytë mes Besa Famgasit dhe Kastriotit zhvillohet të shtunën nga ora 19:00 në palestrën “Karagaçi” në Pejë. Pritet një tjetër përballje e fortë dhe e balancuar deri në fund. Në stinorin e rregullt, Kastrioti ishte i dyti dhe Besa Famgas e treta./PrizrenPress.com

Komuna e Dragashit dhe organizatat e dala nga lufta në qëndrim të përbashkët kundër mbajtjes së “Arog Fest” në Ditën e Dëshmorëve

0

Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, priti gjatë ditës së djeshme në takim përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta: Hysni Gucati – kryetar i OVL të UÇK-së, Xhavit Jashari – kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, dhe Fadil Shurdhaj – kryetar i Shoqatës së Invalidëve të Luftës. Ata ishin të shoqëruar nga kryetari i OVL të UÇK-së në Dragash, Emri Neshati, dhe bashkëpunëtorë të tjerë, raporton PrizrenPress.

Në njoftimin e Komunës thuhet se “fillimisht, kryetari Xheladini i falënderoi për vizitën, duke theksuar se Komuna e Dragashit kanë qenë çdo herë në përkrahje të organizatave dhe kategorive të dalura nga lufta, si dhe ka një bashkëpunim të shkëlqyer me OVL të UÇK-së, Dega në Sharr.”

Më tej në njoftim thuhet se përfaqësuesit e organizatave shprehën mirënjohje për bashkëpunimin, veçanërisht për “gatishmërinë e Komunës së Dragashit për të ndërmarrë hapa konkretë në ndalimin e koncertit AROG FEST, të paralajmëruar të mbahet në të njëjtën ditë me Ditën e Dëshmorëve, duke respektuar ndjeshmërinë kombëtare, sakrificën e popullit të Kosovës dhe vlerat e lirisë”.

“Në takim u diskutua edhe për vendimin e Kuvendit të Komunës së Dragashit për miratimin e Kërkesës së OVL të UÇK-së për ndërrimin e datës së çlirimit të Komunës sonë, nga data 15 në 12 qershor”, thuhet më tej në njoftim.

Gjithashtu, sipas njoftimit, u mor qëndrim për bashkërendimin e veprimeve për ofrimin e ndihmës së përbashkët për ndërtimin e shtëpisë së një veterani të luftës së UÇK-së nga Komuna e Dragashit, me një gjendje të vështirë ekonomike./PrizrenPress.com