18 C
Prizren
E enjte, 7 Maj, 2026
Home Blog Page 445

Arrestohet vjehrri në Rahovec, dyshohet se ngacmoi seksualisht nusen e djalit

0

Është arrestuar një person në Rahovec nën dyshimin se ka ngacmuar seksualisht nusen e djalit të tij – rast ky që ka tronditur opinionin dhe familjen përkatëse.

Burime të besueshme të Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se i dyshuari, vjehrri i viktimës, është ndaluar nga Policia pas paraqitjes së denoncimit penal nga e dëmtuara dhe pas veprimeve të para hetimore.

Sipas deklarimeve të viktimës, ajo për një periudhë të caktuar kohe ka qenë e ekspozuar ndaj ngacmimeve të vazhdueshme seksuale nga ana e vjehrrit të saj.

Rasti është cilësuar si “Ngacmim seksual”, ndërkohë që autoritetet kanë intervistuar palët e përfshira dhe kanë ndërmarrë veprime të tjera procedurale.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rastit dhe sigurimin e provave relevante.

Marketing

Policia shqiptoi për 24 orë, 1782 gjoba në trafik

0

Policia e Kosovës njofton se për 24 orë, ka shqiptuar 1782 gjoba në trafik.

Sipas policisë, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar disa aksidente në trafikun rrugor, 1 aksident trafiku me fatalitet, 24 kanë qenë me lëndime, ndërsa 28 me dëme materiale.

Policia njofton se janë arrestuar 9 persona, ndërkaq 5 të tjerë janë dërguar në mbajtje.

Marketing

12 vjet pa simbolin e qëndresës, Mursel Osmanaj

0

Në 12-vjetorin e ndarjes nga jeta të Mursel Osmanajt, njërit ndër figurat qendrore të rezistencës kombëtare në rajonin e Prizrenit dhe themelues i celulave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në këtë zonë, janë bërë homazhe dhe përkujtim dinjitoz nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së – dega në Prizren.

Kryetari i kësaj organizate, Isa Berisha, në një deklaratë për media, u shpreh se jeta dhe vepra e Mursel Osmanajt përbëjnë shtyllë të lavdishme të historisë sonë moderne dhe frymëzim për brezat e ardhshëm.

“Mursel Osmanaj nuk ishte vetëm luftëtar i lirisë, por një vizionar që e pa Kosovën të lirë dhe sovrane. Si një ndër themeluesit e UÇK-së në Prizren, ai mbolli frymën e rezistencës atdhetare. Edhe pas luftës, ai nuk u ndal së kontribuari për vendin. Për një mandat udhëhoqi degën tonë të OVL-UÇK-së në Prizren dhe u shqua për përkushtim e ndershmëri”, tha Berisha.

Mursel Osmanaj u arrestua më 27 shkurt 1998 së bashku me grupin e njohur të Tusuzit, për shkak të rolit të tij në organizimin e strukturave të para të luftës. Gjatë luftës, ai shërbeu si Zëvendës Komandant i Policisë Ushtarake në Zonën e Vërrinit dhe ishte pjesë kyçe në ruajtjen e rendit e disiplinës brenda radhëve të UÇK-së.

Osmanaj ishte gjithashtu babai i dëshmorit Brahim Osmanaj – një tjetër simbol i përkushtimit familjar për lirinë e Kosovës.

Isa Berisha tha se Organizata e Veteranëve në Prizren do të kujtojë gjithmonë me nderim këtë figurë të rrallë të historisë sonë kombëtare.

“Lavdi jetës, veprës dhe kontributit të Mursel Osmanajt! Ai do të mbetet përherë udhërrëfyesi ynë në rrugën drejt lirisë dhe dinjitetit kombëtar.

Marketing

Opinion: Reflektime mbi kulturën, komunitetin dhe bashkëpunimin në Prizren nga vullnetari amerikan

0

Ishte vetëm një mendim në fillim. Një ditë, në zyrën time në SHBA, truri më lëvizte dhe ai mendim u kthye sërish. Bëra një pushim, hapa YouTube dhe pashë një djalë duke ecur i vetëm, në perëndim të diellit, diku në Afrikë. Ishte një i ri amerikan, vullnetar në Korpusin e Paqes.

Ka qenë një synim jetësor për mua të shërbeja në Korpusin e Paqes, sepse është një organizatë humanitare dhe përputhej me idenë time për të ndihmuar të tjerët, qoftë edhe në një mënyrë të vogël. Korpusi i Paqes është një agjenci e SHBA-së që mbështet vendet në zhvillim duke dërguar vullnetarë për të punuar në komunitete si mësimdhënës dhe për të bashkëpunuar me organizatat lokale.

Kështu që aplikova, u pranova dhe lashë pas jetën time në Kansas, SHBA, për t’u dërguar në Kosovë. Uau, çfarë ndryshimi. Zgjodha Kosovën për arsye egoiste, ishte vendi më i afërt me Francën, ku jeton vajza ime, Emily.

Meqë jeta është kaq e shkurtër, vendosa ta jetoj plotësisht para se të përfundojë. Erdha këtu, jetoj këtu dhe po kontribuoj me përpjekjet e mia në Prizren. Shumë vende në këtë botë nuk janë aq të mira sa Prizreni, madje shumica nuk janë. Sipas mendimit tim, Prizreni është një thesar i fshehur, i njohur nga pak njerëz, dhe që duhet të njihet më gjerësisht – diçka për të cilën po përpiqem të kontribuoj.

Erdha në Prizren në dhjetor të vitit 2023. U dërgova të punoj me DokuFest-in dhe fillova të bashkëpunoj ngushtë me Eroll Shportën në projektet që ai më cakton. Ka qenë një udhëtim plot përvoja, dhe ende jam në rrugëtim – ashtu si garuesit me goma në Bunarfest. Se ku do të shkoj më pas, kismet, inshallah, “Tu pa tu bo”.

Në vitin 2025 do të vazhdoj punën time me DokuFest-in, në edicionin e 24-të të këtij festivali të njohur të filmit. Gjatë festivalit do të shkruaj tregime, të cilat mund t’i gjeni online nën emrin DokuStories. Gjithashtu, jam vullnetar në shkollat e Prizrenit si folës dhe bashkëpunoj me organizata të tjera lokale sa herë që më ftojnë. Shpresoj të bashkëpunoj edhe me kryetarin e komunës për disa projekte të vogla dhe ide që kam për parqet e Prizrenit.

Emri im është Scott Hoy, dhe tani ndihem si në shtëpi në Prizren – e dua Kosovën. Kultura e kafesë këtu është në një nivel tjetër, dhe tashmë kam pirë sa për një kamion! Lumi, Shadërvani, jeta e natës dhe Kalaja janë vetëm disa nga arsyet pse kam pasur shumë vizitorë këtu – gjë që ka qenë një përvojë shumë e këndshme.

Ju lutem më kontaktoni nëse dëshironi të takohemi dhe ndoshta të shohim se si Korpusi i Paqes mund të ndihmojë organizatën tuaj apo punën tuaj këtu në Prizren, këtë vit dhe më tej. Nuk jam i vetëm – mund të përfshij edhe vullnetarë të tjerë të Korpusit të Paqes në Kosovë për të punuar në projekte të mira. Mënyra më e lehtë për të më kontaktuar është përmes Facebook-ut, Scott Hoy, ose në Instagram: scottomanhoy.

Gjatë gjithë kohës së trajnimit tim në Kamenicë, takimeve në Prishtinë dhe udhëtimeve nëpër tërë vendin, kam mësuar ta dua Kosovën dhe njerëzit shumë të mirë që kam takuar këtu. Amerikanët mund dhe duhet të mësojnë shumë nga Kosova – mbi të gjitha, si të sillen me njëri-tjetrin me durim dhe respekt.

Miqtë që kam bërë dhe kujtimet që më kanë dhuruar janë dhurata që do t’i çmoj gjithmonë. Thënia e vjetër “më mirë të japësh sesa të marrësh” duket se nuk ka kuptim, derisa ta vësh në praktikë. Është e kundërta e asaj që mendojmë natyrshëm, por është e vërtetë.

Të japësh kohën dhe përpjekjet e tua për të tjerët në fakt të sjell një fitim për vetveten. Tani e di që duhej të isha angazhuar më herët si vullnetar, por të paktën jam këtu tani! Ndoshta gjithë problemet e botës mund të zgjidhen nga një person, një situatë, një ditë në kohë. Sipas mendimit tim, ia vlen të provohet.

Shkruar nga Scott Hoy, vullnetar i Korpusit të Paqes

Marketing

Detaje nga aksioni në Prizren: Një personi iu gjet thikë brezi, përfundon në polici

0

Policia e Kosovës (PK) njofton se ka realizuar kontrolle në lokale dhe automjete në Prizren në kuadër të Planit Operativ “Sezoni Veror 2025”. Një person u shoqërua në polici pasi iu gjet thikë brezi.

“Mbrëmë, më datë 21.06.2025, Policia e Kosovës, përkatësisht Stacioni Policor në Prizren, në bashkëpunim me Njësitin Kundër Trafikimit me Narkotikë dhe me përkrahjen e Njësive të Reagimit të Shpejtë (NJRSH) nga Prishtina, Gjakova dhe dhe Ferizaji, në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Prizren, kanë realizuar një operacion të planifikuar me kontrolle të befasishme në disa lokale dhe automjete në lagje të ndryshme të qytetit të Prizrenit”, thuhet në njoftim.

Sipas Policisë, ky operacion ka për qëllim rritjen e sigurisë publike dhe parandalimin e veprimtarive të paligjshme e dukurive negative gjatë sezonës verore.

Gjatë këtij operacioni, Policia njofton se tek një person është gjetur një thikë brezi.

“I dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, dhe ndaj tij është iniciuar procedurë hetimore për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, thuhet në njoftim.

Marketing

Vedat Muriqi bëhet “tradhtar”? Sulmuesi drejt rikthimit në Superligën turke, por këtë herë jo më te Fenerbahce

0

Vedat Muriqi duket se e ka mbyllur aventurën e tij në La Liga dhe është shumë pranë një rikthimi në Superligën turke — kampionatin ku më parë ka shkëlqyer me fanellat e Rizesporit dhe Fenerbahçes, para se të transferohej në Serie A, te Lazio, për 21 milionë euro.

Sipas mediumit të njohur turk Aksam.com.tr, sulmuesi shqiptar është në radarët e klubit të madh turk, Besiktas. Klubi nga Stambolli pritet të ndjekë rrugë të ndara me dy sulmuesit e tij aktualë, Semih Kilicsoy dhe Ciro Immobile, dhe Muriqi shihet si profili ideal për ta përforcuar repartin ofensiv.

Nëse transferimi realizohet, Muriqi do të ribashkohet me dy bashkëkombas në skuadër: Milot Rashicën dhe Ernest Muçin. Marrëveshja mes Besiktasit dhe Mallorcës pritet të mbyllet për një shumë rreth 5 milionë euro — vlera aktuale e kartonit të sulmuesit prizrenas.

Ndërkohë, lajmi për transferimin e mundshëm ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale. Tifozët e Fenerbahçes kanë komentuar në postimet e Aksam.com.tr, ku disa prej tyre e kanë “etiketuar” Muriqin si “tradhtar”, për shkak të kalimit të mundshëm te rivali historik.

Kujtojmë se Muriqi kishte një sezon të suksesshëm me Fenerbahçen në vitin 2019–2020, duke shënuar 17 gola në 36 ndeshje dhe duke fituar shpejt zemrat e tifozëve.

Marketing

35 seanca konstitutive të dështuara, Kryeziu: Kushtetuta nuk parasheh këso devijime dhe destruksione

0

Kadri Kryeziu, ish-nënkryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kushtetuta nuk përcakton ndonjë afat të qartë kohor për konstituimin e Kuvendit dhe ky boshllëk, sipas tij, po keqpërdoret nga partitë politike.

“Hartuesit e Kushtetutës nuk kanë mundur ta parashihnin këtë devjim, këtë destruksion, i cili në suaza normale nuk është dashur të ndodhte”, thotë Kryeziu, duke iu referuar bllokimit të procesit.

Sipas tij, përgjegjësia kryesore bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, por nuk përjashtohen as partitë e tjera – PDK, LDK dhe AAK – që po kontribuojnë në zvarritjen e konstituimit.

Kryeziu nuk e sheh si thelbësore vetëm çështjen e nominimit të kryetares së Kuvendit, por tërheq vërejtjen edhe për neglizhimin që partitë politike po i bëjnë interpretimit ligjor të situatës.

Ai kujton se seanca konstituive, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duhet të vazhdojë çdo 48 orë, por kjo, sipas tij, nuk mund të zgjatet pafund.

Ai thotë se, në rastin konkret, duhet të përdoren interpretimi ligjor logjik dhe ai verbal.

“Interpretimi logjik do të thotë se kjo (vazhdimi i seancës konstituive çdo 48 orë) mund të bëhet vetëm dy herë. Herën e parë mund të ketë probleme të natyrës teknike. Herën e dytë, kjo duhet të përfundojë”, thotë Kryeziu.

Kryeziu e përshkruan situatën aktuale të bllokimit të konstituimit të Kuvendit si gjendje të jashtëzakonshme.

Sipas tij, zgjidhja duhet kërkuar përmes marrëveshjeve politike ndërmjet partive, apo edhe në “shterimin e mjeteve politike dhe juridike të brendshme”.

“Mjetet shteren me presidenten e shtetit, sepse është faktor i unitetit. Duhet t’i thërrasë (partitë politike) dhe të këmbëngulë që t’i krijojnë institucionet”, thotë ai.

Kryeziu thotë, po ashtu, se presidentja ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese konstatimin nëse gjatë procedurës së konstituimit të Kuvendit janë shkelur dispozitat kushtetuese.

Nëse as kjo nuk funksionon, ai thotë se duhet pritur ndërhyrja e faktorëve të jashtëm, si për shembull e partnerëve ndërkombëtarë, të cilët mund të ndërmjetësojnë për tejkalimin e krizës.

Marketing

Temperaturat deri në 35 gradë javën e ardhshme në Kosovë

0

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se java e ardhshme parashihet të jetë me kushte të qëndrueshme meteorologjike, me mot kryesisht të kthjellët dhe me diell. Përjashtim bën dita e premte, kur pritet të ketë mot me diell dhe vranësira të dendura, të cilat në pjesën e dytë të ditës mund të sjellin stuhi lokale, kryesisht në disa zona të izoluara.

Të hënën moti do të jetë kryesisht me diell. Temperaturat minimale do të jenë ndërmjet 10 dhe 12°C, ndërsa ato maksimale do të lëvizin nga 27 deri në 31°C. Do të fryjë erë e lehtë nga drejtime të ndryshme.

Të martën moti do të jetë me diell gjatë gjithë ditës. Temperaturat minimale do të sillen ndërmjet 10 dhe 14°C, kurse ato maksimale pritet të arrijnë nga 28 deri në 32°C. Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1-3 m/s.

Të mërkurën, moti parashihet me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të jenë nga 13 deri në 18°C, ndërsa maksimalet do të lëvizin ndërmjet 28 dhe 33°C. Do të fryjë erë nga veriperëndimi me shpejtësi 1-2 m/s.

Të enjten, moti do të jetë me diell dhe vranësira të pakta, kryesisht mbi relievin malor. Temperaturat minimale do të jenë ndërmjet 12 dhe 18°C, kurse maksimalet do të arrijnë nga 31 deri në 35°C. Era do të fryjë e lehtë deri mesatare nga verilindja.

Dhe të premten moti do të jetë me diell dhe vranësira të shpërndara. Në pjesën e dytë të ditës, vranësirat pritet të shtohen dhe në disa zona mund të krijojnë kushte për stuhi afatshkurtra. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 12 dhe 18°C, ndërsa maksimalet nga 30 deri në 34°C. Do të fryjë erë e lehtë dhe lokalisht e fortë, nga veriperëndimi dhe verilindja.

Marketing

Fuat Ostrozubi – Gjuhëtari nga Prizreni që lartësoi gjuhën shqipe në Kongresin e Drejtshkrimit

0

Fuat Ostrozubi u lind në vitin 1932 në Prizren, në një familje arsimdashëse dhe liridashëse. Qysh foshnjë mbeti jetim dhe u rrit nga nëna dhe gjyshja, në kushte tejet të vështira. Arsimin fillor pesëklasësh e kreu në vendlindje, ndërsa maturënm pedagogjike në Pejë.

Në vitin shkollor 1948/49, shërbeu si mësues në Krushë të Madhe, e më pas u transferua në Orllat të Malishevës, ku hapi progjimnazin (gjimnazin e ulët) dhe dha mësim në të gjitha lëndët. Për dy vite me radhë ishte inspektor i arsimit për shkollat shqipe në rrethin e Sharrit. Edhe aty, në fshatin Bellobrad, hapi një progjimnaz dhe punoi për një vit. Më pas, u kthye në Prizren, ku u bë mësuesi i parë i gjuhës shqipe në shkollën për nxënësit me aftësi të kufizuara në të folur dhe dëgjim.

Në vitin 1959 përfundoi studimet në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe pranë Universitetit të Beogradit. Një kohë punoi në redaksinë e botimeve të gazetës “Rilindja”. Me vendim të Ministrisë së Arsimit, u emërua profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Normalen e Prizrenit.

Në vitin shkollor 1961/62, ishte njëri ndër themeluesit e Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prizren dhe ndër mësimdhënësit e parë të lëndës “Gjuha e sotme shqipe” në degën për gjuhë dhe letërsi shqipe.

Gjatë tridhjetë viteve punë në këtë institucion, themeloi bibliotekën dhe botoi dhjetë numra të revistës profesionale “Përmbledhje punimesh”. Mori pjesë në simpoziume shkencore dhe në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, të mbajtur në Tiranë në vitin 1972. Me kumtesën “Të modifikohet edhe drejtshkrimi i numërorëve themelorë që nga 11 deri më 19”, kontribuoi në diskutimet drejtshkrimore të këtij Kongresi. Shkrime të tjera i botoi në shtypin e kohës dhe në revistën “Përmbledhje punimesh”, që dilte një herë në vit nga SHLP “Xhevdet Doda” në Prizren.

Në rrethana të jashtëzakonshme, më 9 nëntor 1996, në shkollën fillore “Abdyl Frashëri”, u themelua Shoqata e Veteranëve të Arsimit, ku prof. Fuat Ostrozubi u zgjodh kryetar.

Në vitin 1991, u pensionua para kohe për shkak të ndalimit të mësimit në gjuhën shqipe nga regjimi i Beogradit.

Fuat Ostrozubi ndërroi jetë dhe u varros në qytetin e tij të lindjes, Prizren, në vitin 2015.

(Marrë nga libri “Në kujtesën e qytetit,” me autor Salajdin Krasniqi)

———————————————————————————————-

Marketing

Sulmoi fizikisht gruan e tij, arrestohet i dyshuari në Malishevë

0

Është arrestuar një person në Malishevë, pasi i njëjti dyshohet se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.

Policia e Kosovës në raportin 24 orësh bën të ditur se viktima ka pranuar tretman mjekësor.

Ndërkaq, pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

“Malishevë 21.06.2025. Dyshohet se viktima/f/k ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari m/k. Viktima ka pranuar tretman mjekësorë. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje”, njofton PK.

Marketing