23.8 C
Prizren
E mërkurë, 6 Maj, 2026
Home Blog Page 8737

Mbrojtja e Limajt, “habitet” me aktakuzën e EULEX-it

0

TomeGashi5-31Avokati i Fatmir Limajt, Tomë Gashii  i ka thënë “Rtklive”  se tanimë kjo praktikë e Eulex-it, që mbrojtja të informohet për aktakuzën përmes mediave dhe në orët e pasditës është bërë praktikë e përhershme.

” Në këtë orë të pasdites gjykata nuk punon dhe ne si mbrojtje nuk  kemi mundësi të marrim as aktakuzën dhe asnjë lloj informacioni zyrtar”, tha avokati i Limajt, Tomë Gashi.

Sipas tij, kjo praktikë e qëllimshme e Eulex-it, ka prapavijë të qartë për të dëmtuar palën mbrojtëse.

” Imagjinoni edhe ne jemi informuar përmes mediave sikurse të gjithë qytetarët e tjerë. Kjo përbën shkelje të drejtave bazë të akuzuarit”.

“Ne nuk kemi asnjë mundësi të komentojmë në mënyrë zyrtare aktakakuzën, pasi thjesht nuk e kemi. Na duhet të presim deri të nesërmen për të shkuar në gjykatë dhe për t”u njoftuar”, tha  Gashi.

Sipas tij, Limaj është marrë në pyetje vitin e kaluar për këtë rast.

”Ne si palë mbrojtëse, pretendojmë se është rasti i njejtë me çështjen e gjykuar që quhet çështja ” ministria e transporteve”. Akuza pretendon se është rasti i ri”, tha Gashi/rtklive/

EULEX, aktakuzë të re kundër Fatmir Limajt

0

Fatmir LimajFatmir Limajt i është ngritur edhe një aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Ai dyshohet për vepra ndryshme penale përfshirë –krim të organizuar, përvetësim, lidhje të kontratave të dëmshme, keqpërdorim të detyrës zyrtare ose të autoritetit, marrje e mitës dhe vepra të tjera të lidhura me korrupsionin. Prokurori pretendon se buxheti i Ministrisë së është dëmtuar për së paku 890 mije euro.

Sot, një prokuror ndërkombëtar nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë kundër ish-Ministrit të Transportit dhe të Postë-Telekomunikacionit (Fatmir Limës) dhe katër personave të tjerë të bashkë-akuzuar për vepra të ndryshme penale përfshirë –krim të organizuar, përvetësim, lidhje të kontratave të dëmshme, keqpërdorim të detyrës zyrtare ose të autoritetit, marrje e mitës dhe vepra të tjera të lidhura me korrupsionin.

Prokurori pretendon se tre të pandehur kanë manipuluar me procedurat e tenderit, janë marrë me dhënie dhe marrje të mitës dhe me pengim të provuarit në lidhje me administrimin e dy tenderëve në kompetencë të Ministrisë së Transportit. Këta të pandehur pretendohet se i kanë kryer këto vepra për përfitim material personal. Dy të pandehur pretendohet se janë angazhuar në keqpërdorimin e autorizimeve ekonomike, si edhe në veprën penale të dhënies së mitës. Sipas prokurorit, këto vepra ndodhën më 2008 kur njëri prej të pandehurve punonte si Ministër i Transportit, njofton kumtesa nga EULEX-i .

Prokurori pretendon se buxheti i Ministrisë së Transportit është dëmtuar për së paku 890.000 euro.

Ky hetim i përbashkët është kryer nga Departamenti Kundër Korrupsionit i Policisë së Kosovës dhe nga Njësia e EULEX-it për Hetimin e Krimit të Organizuar (NJHKO) dhe është udhëhequr nga një prokuror ndërkombëtar nga PSRK.

Kurti s’përjashton bashkëpunimin me Limajn e Krasniqin

0

AlbinKurti1205Lideri i Lëvizjes Vetevendosje, Albin Kurti nuk e ka përjashtuar mundësinë që të bashkëpunojë me partinë e Fatmir Limajt dhe të Jakup Krasniqit.
“E përshëndesim iniciativën e disa deputetëve të PDK-së, të distancohen nga politika e saj dhe të formojnë subjekt tjetër”, është shprehur Kurti, në një intervistë për Epoka e re.

Ai ka thënë se është befasuar se si LDK-ja dhe AAK-ja po veprojnë sikurse PDK-ja, duke nominuar kryetarët e tyre për kryeministra të mundshëm ndërkohë që, sipas tij, këto parti nuk kanë prezantuar fare programe qeveritare.

“Koncepti i Vetëvendosje!-s duhet të fitojë, vendi duhet të qeveriset në bazë të programit dhe me alternativën qeverisëse të saj, ndërsa në krye të qeverisë do të jetë ai që ne mendojmë se është më i duhuri për ta zbatuar këtë program. Nuk mund të fitoj unë dhe asnjëri prej nesh pa fituar njëherë Lëvizja jonë”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë me bindje se partia të cilës ai i prinë ka qenë e vetmja opozitë në Kuvend. Ai ka ripërsëritur se LDK-ja dhe AAK-ja i janë bërë patericë Qeverisë në proceset e dëmshme.

“Dy partitë e tjera opozitare, LDK-ja dhe AAK-ja, nuk e kanë luajtur rolin e opozitës, sidomos në çastet vendimtare i janë bërë patericë Qeverisë në proceset e dëmshme në të cilat ajo e ka katandisur vendin. Thjesht, frika nga pushteti dhe lakmia për pushtet kanë bërë që LDK-ja e AAK-ja t’i nënshtrohen Thaçit”, ka thënë Kurti.

Tribunali do të nënkuptonte se në Kosovë ka dështuar drejtësia

0

qekiqi gjykatKrijimi i një Tribunali Ndërkombëtar do të nënkuptonte se në Kosovë ka dështuar sistemi i drejtësisë, thonë ekspertët e çështjeve penale-juridike. Ky Tribunal, sipas tyre, do të nënkuptonte edhe dështimin e misionit të EULEX-it, pasi që gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë kanë qenë dhe janë pjesë e këtij sistemi.
Profesori i të Drejtës Penale, Ismet Salihu, thotë se Tribunali Ndërkombëtar, sipas asaj që është paralajmëruar deri më tani, do të merrte përsipër trajtimin jo vetëm të rasteve të krimeve të luftës.

“Kjo gjykatë do të jetë kompetente për t’i gjykuar krimet gjatë luftës 1998 – ’99, por pa u kufizuar vetëm në krimet e luftës”, ka thënë Salihu.

Po në bazë të draft-statutit të kësaj gjykate, profesori Salihu numëron edhe lëndët tjera që ky Tribunal do t’i merrte eventualisht përsipër. Aty përfshihen lloje të ndryshme të krimeve, të cilat sipas pretendimeve ndërkombëtare, prokuroritë dhe gjykatat vendase nuk kanë qenë të afta t’i zgjidhin.

“Kjo gjykatë do të kishte juridiksion edhe për krimet që janë kryer pas përfundimi tët luftës, por edhe pas vitit 2000-2001. Do të ketë juridiksion edhe për krimet e vrasjeve me motive politike që janë kryer gjatë viteve 2000-2001, pastaj për vrasjet apo kërcënimet që pretendohet se janë kryer ndaj dëshmitarëve, por edhe për veprat korruptive. Kështu që nuk do të jetë vetëm për krimet e luftës”, ka thënë Salihu.

Selia e kësaj gjykate do të ishte jashtë Kosovës me prokurorë dhe gjyqtarë ndërkombëtarë.

Por, për një Tribunal të tillë, ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Hajredin Kuçi, thotë se nuk ka nevojë pasi që në Kosovë ka gjykata vendase.

“Kosova ka kapacitete të mjaftueshme për shqyrtimin dhe trajtimin e cilitdo rast në vendin tonë. Kur e them këtë kam parasysh gjyqtarët vendor dhe ata të EUELX-it. Po ashtu, në Kosovë ka mision ndërkombëtar, gjyqtarë ndërkombëtarë, ka prokurorë ndërkombëtarë dhe besoj që nuk ka asnjë arsye që të mendohet ndryshe”, ka thënë Kuçi.

Ndërkohë, Salihu tërheq vërejtjen se me krijimin eventual të një Tribunali Ndërkombëtar, Kosova do të dëshmonte dështimin e organeve të ndjekjes penale. Po ashtu, një Tribunal i tillë do të nënkuptonte se në Kosovë politika ndërhynë në gjyqësorin, kështu që rastet e cilësuara si të “nxehta” do të mund të zgjidheshin vetëm nga një gjykatë ndërkombëtare.

“Po del që këtu kanë dështuar organet e ndjekjes, prokuroritë, gjykatat. Por, në një mënyrë nuk janë në nivelin e duhur as pjesëtarët e EULEX-it, sepse sistemin gjyqësor të Kosovës e përbëjnë edhe pjesëtarët e EULEX-it, që faktikisht janë staf ndërkombëtar”, ka vlerësuar profesori Ismet Salihu.

Ideja e një Tribunali Ndërkombëtar për Kosovën fillimisht ishte prezantuar se ka rrjedhë në bazë të hetimeve të iniciuara nga Këshilli i Evropës, që si bazë kishin dyshimeve të zviceranit Dick Marti, mbi trafikimin e organeve të serbëve nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, tani ky Tribunal po merr edhe përmasa tjera duke u zgjeruar edhe për rastet të cilat, sipas penalistëve në Prishtinë, do të duhej të ishin kompetencë e organeve të Kosovës.

Në bazë të debateve, për formimin e kësaj gjykate do të nevojitet edhe miratimi i institucioneve të Kosovës. /REL/

Nxënësit në Prizren prekën nga smundja e ‘Parotit’-it

0

Gjimnazi Gjon BuzukuDisa nxënës të shkollave fillore dhe të mesme në Komunën e Prizrenit, janë prekur nga ‘Parotiti’, një sëmundje virale që përhapet nëpërmjet ajrit. Kjo sëmundje kërkon kujdes, si nga prindërit ashtu edhe nga stafi mësimdhënës. Infektologu, Beram Karanezi, thotë se nuk ka nevojë për panik, pasi gjendja është nën kontroll dhe po menaxhohet mjaft mirë.

17-të nxënës të disa shkollave të Prizrenit, janë prekur nga një virus, i cili shkakton sëmundjen e Parotitit. Sipas infektologut, Beram Karanezi, kjo sëmundje përhapet nëpërmjet ajrit dhe pezmaton gjëndrat e pështymës, duke shkaktuar kështu ënjtje të tyre dhe gjendja e të sëmurit, në disa raste,nëse nuk kurohet mund të lërë pasoja.

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Nexhat Çoçaj, thotë se janë marrë masat e nevojshme, janë konsultuar drejtorët e shkollave dhe mësimdhënësit, që të gjithë ato nxënës që shfaqin shenja të gripit, të lirohen nga mësimi për 10-të ditë, derisa ata të kenë kaluar këtë gjendje,transmeton rtk.

Fillimisht ky virus ka prekur nxënësit e shkollës fillore “Zenun Çoçaj” në Gjonaj të Hasit, me pastaj ky virus është bartur edhe në Shkollën fillore “Mustafa Bakia”, ndërsa këto ditë janë prekur edhe nxënësit e Gjimnazit “Gjon Buzuku”.

Të gjithë nxënësit e infektuar, sipas doktor Karanezit, i përkasin gjeneratave të viteve 1997- deri në vitet 2000, të cilët për arsye të gjendjes në Kosovë në atë kohë, nuk kanë mundur të vaksinohen. Megjithatë, specialistët e repartit të infektologjisë, thonë se gjendja është nën kontroll, ka mjete të mjaftueshme për mjekim, sëmundja me pak vëmendje dhe përkujdes, kalon lehtë dhe nuk le pasoja.

I zhvarrosi kufomat, arrestohet imami në Billushë të Prizrenit

0

arrestimi 2Imami i xhamisë në fshatin Billush, M.Shala është arrestuar sot nga policia në Prizren.

Ai dyshohet se bashkë me disa bashkëfshatar ka bërë zhvarrimin e disa trupave të vdekur,që kanë qenë të varrosur në oborrin e xhamisë.

“Sot, në orët e pasdites, hetues rajonalë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, kanë arrestuar M. Shalën nga se i njëjti në bashkëveprim edhe me disa fshatarë të fshatit Billushë kanë bërë zhvarrimin e disa varreve nga oborri i xhamisë së fshatit në një lokacion tjetër pa i respektuar procedurat ligjore”,njoftoi zëdhënësi i PK-së në Prizren, Hazir Berisha.

“I dyshuari ka konsumuar elemente të veprës penale ‘dëmtim i varrit ose i kufomës” ,që është e kundërligjshme me nenin 421 të Kodit Penal të Kosovës”.

“Me urdhër të prokurorit i dyshuari ndalët nën masën e arrestit për 48 orë”/PrizrenPress.com/

Besa Llugiqi sonte si Mimi në në operën ”La boheme” në Sofje

0

Besa LlugiqiBesa Llugiqi sot do të ngjitet në skenën e teatrit të qytetit Ruse të Bullgarisë, me rolin e Mimit në operën ”La boheme” të G. Puccinit.
Në një intervistë për KultPlus ajo ka thënë se përgjegjësia që ka për këtë rol është e madhe, duke pas parasysh edhe prezantimin e debutantes por edhe të përgjegjësisë që po prezanton edhe kulturën e shtetit të Kosovës.

Llugiqi ka thënë se është hera e parë që bart mbi supe rolin e Mimit, dhe, sipas saj, është një përgjegjësi shumë e madhe.

“La boheme”, është operë mjaftë e popullarizuar pasi që ngërthen në vete një histori mjaftë të bukur dhe të thjeshtë njëkohësisht”, ka thënë Llugiqi.

“Karakteret që ngërthen kjo operë, audienca shumë lehtë mund t’i identifikoj edhe me jetën e tyre. Puccini i ka trajtuar në atë mënyrë karakteret sa mund t’i ndjesh shumë afër, ndoshta për shkak të faktit se në këtë operë, në dy aktet e para flitet për dashuri, lumturi dhe miqësi kurse në dy aktet e tjera përfundon tragjikisht me vdekje”, ka thënë Llugiqi.

Sipas saj ajo ka fat që i është ofruar ky rol në një operë me një kast ndërkombëtar, sikurse që është përfshirë Carlos Cremades në rolin e Rodolfos, pastaj me dirigjentin spanjoll Ricardo Moreso si dhe Peter Danailov një bariton fantastik me karrierë ndërkombëtare, i cili në këtë operë vjen me rolin e Marcello, duke përfshirë edhe shumë artistë të tjerë të cilët janë solistë permanent të kësaj opere, por edhe solistë nga Sofja e Bullgarisë.

“Mendoj se prezantimi im këtu është mjaftë i rëndësishëm , është debutim dhe normalisht përgjegjësia është më e madhe, mendoj që ky rol është jashtëzakonisht i bukur por edhe i vështirë njëkohësisht. Është përgjegjësi e madhe të këndosh në një teatër kaq të rëndësishëm sepse unë po prezantoj vlerat e mija, por njëkohësisht do të prezantoj edhe vlerat e kulturës sonë. Ne çdo shkrim dhe intervistë rreth kësaj opere po përmendet Kosova dhe po interesohen për jetën tonë kulturore, që për fat të keq duhet të ju them që nuk kemi një shtëpi operistike”, ka thënë Llugiqi.

“La Boheme”, që me këtë kastë të artistëve do të ketë premierën sonte, sipas Llugiqit do të ketë edhe reprizat, një në muajin prill dhe në maj, ndërkohë me teatrin e qytetit Ruse pritet të realizohet edhe një bashkëpunim tjetër, bashkëpunim ky që pritet të konkretizohet në ditët në vijim. Mirëpo, krejt këtë bukuri operistike nuk do ta shohin vetëm bullgarët, Llugiqi shumë shpreson që kjo operë të prezantohet edhe në Kosovë, por për konkretizimin e këtij prezantimi ajo ka thënë se do të mësohet së shpejti.

PZHK prezantoi projektin për zgjerimin e urës në qytetin e Malishevës

0

prezantimiGrupi i punës për hartimin e Planit Zhvillimor Komunal (PZHK), ka bërë prezantim publik të projektit “Përmirësimi i lëvizshmërisë dhe hapësirave publike në qendrën e qytetit”, në Malishevë.  Përmes këtij prezantimi, janë njoftuar qytetarët pjesëmarrës, me këtë projekt, i cili ka për qëllim zgjerimin e trotuareve në urën mbi lumin Mirusha, urë në të cilën, lëvizshmëria është e kufizuar për shkak të hapësirës.

Në këtë prezantim, ishin të pranishëm edhe kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, përfaqësues të UN HABITAT-it, si bashkë financues dhe bashkë hartues të PZHK-së, si dhe qytetar të Malishevës, e më gjerë, të cilët dhanë kontributin e tyre në finalizimin e këtij projekti.

Kryetari i Malishevës, z.Ragip Begaj, e quajti shumë të rëndësishëm, këtë projekt dhe në tërësi hartimin e Planit Zhvillimor Komunal, ndërsa zyrtarët e UN HABITAT-it, përgëzuan ekipin komunal, për punën e tyre, në të gjitha fazat e hartimit të këtij plani në përgjithësi dhe këtij projekti në veçanti. “Besoj që komuna e Malishevës do të jetë shembull me këtë projekt, ngase implementimi i këtij projekti është i domosdoshëm dhe i dobishëm për hapësirën e lëvizshmërisë së qytetarëve. Është e nevojshme dhe në interes të banorëve të Malishevës “ tha në mes tjerash kryetari Begaj.

Në këtë prezantim, nga ana e UN HABITAT-it, u bë e ditur se PZHK e Malishevës, është në harmoni të plotë me Ligjin për Planifikim Hapësinor të Kosovës dhe Komuna e Malishevës, është marrë si shembulli më i mirë dhe model për komunat tjera, në hartimin e këtyre planeve në harmoni me ligjin.

Sipas prezantimit për projektin e zgjerimit të urës në Malishevë, parashihet zgjerimi i trotuareve përgjatë urës, ku mund të lëvizin qytetarët pa problem, sikur edhe personat me aftësi të kufizuara, pastaj dekorimi i urës, kufizimi, hapësira përgjatë lumit Mirusha, ku parashihen trotuare, ulëse dhe mbi të gjitha hapësira të gjelbra./PrizrenPress.com/

Jahjaga kërkon mbledhje urgjente të Komisionit për falje

0

Atifete jahjagaPresidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka pranuar me shqetësim njoftimet e sotme në mediat e Kosovës se njëri nga të burgosurit e falur dyshohet të jetë recidivist. Jahjaga, bazuar në informacionet e publikuara në media, ka kërkuar mbledhjen urgjente të komisionit profesional për falje, për të vërtetuar dyshimet e ngritura në media.
Zyra e presidentes së Republikës së Kosovës njofton opinionin se Sedat Berisha është falur me dekret të presidentes së Republikës së Kosovës më 17 shkurt 2014, pas konstatimit të komisionit profesional për falje, bazuar në dokumentet dhe informatat e prezantuara nga Shërbimi Korrektues i Kosovës se i burgosuri i plotëson kriteret e parapara me ligj dhe rregulloren e Presidentes për falje,shkruan telegrafi.

Presidentja Jahjaga shqetësimin e saj ia ka shprehur edhe ministrit të drejtësisë, Hajredin Kuçi, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin ndërinstitucional, me qëllim të zbardhjes sa më të shpejtë të këtij rasti.

Jahjaga falënderon mediat e Kosovës për vigjilencë, duke vlerësuar rolin e tyre të Rëndësishëm në shoqëri si kujdestar të mirëfilltë të institucioneve të vendit

Petroviç: Ligji për Hoçën e Madhe, duhet të zbatohet

0

vehapi petkovicZëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës dhe ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviç, ka vizituar kryetarin e Rahovecit, Idriz Vehapin.

Petroviç dhe Vepai në këtë takim kanë biseduar për funksionimin e Administratës komunale, pas ndryshimeve të bëra, si dhe çështje me interes për komunën e Rahovecit.

“Ne mbetemi të përkushtuar që të sigurojmë jetë të qetë për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim”, tha Vehapi.

“Ligjet janë pjesë e obligimeve tona si drejtues institucionesh, prandaj do të përmbushim çdo kërkesë që buron nga legjislacioni ynë, përfshi edhe ligjin për Hoçën e Madhe. Ne tashmë i kemi nisur procedurat e plotësim-ndryshimit të statutit të Komunës dhe besojmë se edhe Këshilli i Fshatit do të jetë i inkorporuar. Po ashtu kemi biseduar edhe rreth gjetjes së mundësive për mbështetje konkrete financiare për komunën e Rahovecit, në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve tanë. Me përparësi do të trajtohen projektet që lidhen me bujqësinë dhe ambientin”

Ndërsa zëvendëskryeministri dhe ministri Petroviç, tha se vizita në Rahovec është vizitë pune, në vazhdën e vizitave në disa komuna të Kosovës.

“ Dëshiroj të konfirmoj mbështetjen tonë për qytetarët e komunës së Rahovecit, me projekte të caktuara në të ardhmen. Ne do ta shfrytëzojmë gatishmërinë e partnerëve tanë për të investuar në këtë komunë”.

“Do të angazhohemi për ngritjen e cilësisë së jetës këtu, për të gjithë dhe pa dallime. Ndër çështjet për të cilat kemi biseduar ka të bëjë dhe me pronën komunale, gjë që është problem për të gjitha komunat, pasi që mungesa e pronës ndikon negativisht në tërheqjen e investimeve të huaja. Ne do të ndërmarrim hapa konkret në këtë drejtim”.

“Zbatimi i ligjit për Hoçën e Madhe është ndër problemet që duhet të zgjidhen dhe unë kam besim se kryetari do të arrijë ta përmbushë këtë kërkesë. Ne do të punojmë së bashku që ky ligj dhe ligjet tjera të zbatohen në tërësi”./PrizrenPress.com/