8.7 C
Prizren
E mërkurë, 6 Maj, 2026
Home Blog Page 8748

Agim Vinca fiton “Azem Shkreli”-in

0

Vinca dhe krasniqiPoeti dhe studiuesi, Agim Vinca është laureat i Çmimit Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli”.

Në një ceremoni solemne të premten, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Memli Krasniqi ia ka ndarë çmimin Vincës e po ashtu edhe laureatëve të Çmimeve vjetore për Letërsi për vitin 2013.
Çmimi për veprën më të mirë në prozë për vitin 2013 i është ndarë Drenusha Zajmi-Hoxhës për romanin “Krrokamat”.

Çmimi për veprën më të mirë në poezi i është ndarë Adem Gashit për veprën poetin “Kthimi i pamundur, Lady” dhe Sabit Rrustemit për vëllimin “Murale Shpirti”.
Çmimi për veprën më të mirë në kritikë letrare i është ndarë Merxhan Avdylit me përmbledhjen e studimeve “Dritësime letrare” dhe Flamur Malokut për studimin e tij “Polisemia e veprës: lexime empirike mbi poezinë e Sali Bashotës”.
Ndërkaq, Çmimi për veprën më të mirë të përkthyer në shqip ose nga shqip në gjuhë tjera i është ndarë Izet Sylajt për përkthimin nga frëngjishtja në shqip të romanit “Tregoju për betejat, mbretërit dhe elefantët” të autorit Mathias Enard.

Ministri Krasniqi vlerësoi krijimtarinë e laureatëve, e në veçanti kontributin e Agim Vincës në letërsi, publicistikë por edhe në Universitetin e Prishtinës, ku edhe është profesor.

Ai ka thënë se shteti ka institucionalizuar përkujdesjen ndaj krijuesve në shumë fusha të kulturës. “Ndarja e Çmimit Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore ‘Azem Shkreli’ dhe Çmimeve Vjetore për Letërsi është tashmë çdo vit, një ditë e veçantë. MKRS po e institucionalizon respektin për artistët dhe krijuesit. Përpos çmimeve në letërsi ne kemi themeluar dhe ndarë edhe çmimet në kinematografi, teatër, muzikë. Ne po rrisim çdo vit përkrahjen për librin. Mendoj se është e rëndësishme se kemi krijuar një trend të rritjes së buxhetit”, ka thënë Ministri Krasniqi.

Nga ana tjetër, Agim Vinca ka deklaruar se është shprehur i nderuar për çmimin, duke falënderuar MKRS-në dhe jurinë. Ai ka theksuar se shkrimtari Azem Shkreli ka qenë një inspirim për të. “Njeriu pavarësisht nga mosha mendon se veprën me të mirë do ta krijojë ne të ardhmen. Çmimet letrare i bëjnë edhe më shumë jehonë veprës dhe krijimtarisë dhe kjo nuk është pak”, ka thënë ai.

Çmimi Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” kap vlerën financiare, pesëmijë euro, ndërsa secili çmim vjetor 2 mijë e 500 euro.

Krijuesi dhe vepra e tij

0

Agim VincaAgim Vinca
Familjarë të Azem Shkrelit,
Zoti Ministër i Kulturës,
Miq dhe kolegë!
E ndiej veten të nderuar që më jepet Çmimi “Azem Shkreli” jo vetëm pse është çmimi më i lartë letrar në Kosovë, por edhe për shkak se mban emrin e shkrimtarit ndaj veprës së të cilit kam ushqyer gjithmonë një konsideratë të veçantë, poetit, prozatorit, dramaturgut dhe publicistit Azem Shkreli.

Librat e Azem Shkrelit i kam lexuar qysh si fëmijë, nën dritën e llambës, në vendlindjen time. Isha ende nxënës i shkollës fillore kur më ranë në dorë Bulëzat (1960) dhe Karvani i bardhë (1961) e, pak më vonë, edhe Engjujt e rrugëve (1963). Qysh atëherë i mbaj mend vargjet: “Gëzimi, thonë, nuk matej kur jam le/ Nji natë fresku me hanë./ Nana n’krye tim s’ka ba kurr be – / Paç mbet pa nanë./ Me ‘i tubë delesh n’sukë heret jam rreshkë,/ Kur isha ende vocrrak./ Shtëpinë e kam atje ndër curra, n’bjeshkë,/ Dhe kangën e gurit mbi prak”. Me këto vargje hapet poemthi Këngë për vete, në të cilin subjekti lirik, malësori i ri poet, që zbret në qytet, shpalos botën dhe unin e tij pa kurrfarë kompleksi: “N’qytet kam ardhë me ‘i gjysë opinge. E dij/ N’përulje s’mundem m’u kotë./ Lavdet ua fali tjerëve. Mos me pi/ Betue jam – në gotë./ Zotnit s’i njof. As s’lodhem pse Krishti s’rruhet./ (Ferrin me mëkate kam m’e fikë!)/ E kur zgërdhihet jeta, ndojherë – duhet/ Venë Khajami, nji pikë!/”, për ta përmbyllur, pak a shumë, rrëfimin me një porosi, që peshon rëndë, sa gurët e vendlindjes: “Prej këshillës s’nji miku mbaj mend dy urti:/ N’këndove – këndo për jetën./ Poetët duhet ta kenë nji perëndi/ Dje tjetër s’ka: T’VËRTETËN”.

Sado të thjeshta, në mos edhe naive që mund të duken sot këto vargje, të shkruara në fillimet krijuese të poetit, ato shprehin frymën e artit poetik të Azem Shkrelit, por edhe thelbin e misionit të poetit: të kënduarit për jetën dhe të besuarit në një nga vlerat e saj më sublime: Të Vërtetën.
Volteri i madh thoshte se E vërteta, Liria dhe Virtyti janë tri gjëra për të cilat e vlen të jetohet dhe të luftohet, ndërsa bashkëkombësi i tij më i ri, Romen Rolani, nënvizonte se puna krijuese është “gëzimi i jetës” dhe se të krijosh do të thotë “ta vrasësh vdekjen”. (Créer, c’est tuer la mort).

E them sinqerisht se Azem Shkreli është një nga shkrimtarët tanë, të këtij krahu, që tek unë ka ngjallur dashurinë për letërsinë: dëshirën për të lexuar dhe dëshirën për të shkruar. Dhe tok me këtë dëshirë, sa të bukur, aq edhe të vështirë, edhe pasionin për fjalën, ndjenjën, mendimin, por edhe për heshtjen e bukur, heshtjen që flet, që është e kundërta e fjalamanisë dhe llomotitjes.

E, Azem Shkreli, poeti i E di një fjalë prej guri dhe Nga Bibla e heshtjes, si rrallë ndonjë krijues tjetër yni, mund të shërbejë si shëmbëlltyrë nga ky aspekt. Përgjegjësia ndaj fjalës në përgjithësi dhe ndaj fjalës së shkruar në veçanti është një nga mesazhet më të fuqishme të veprës së tij.
Azem Shkrelin e kam njohur fillimisht nëpërmjet librave, por më vonë do të më lidhë me të një miqësi e gjatë dhe e frytshme ndër vite e dekada. Sa e sa ndeja e biseda, sa e sa udhëtime nëpër Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare, pjesëmarrje në manifestime kulturore, në tribuna publike, në orë letrare, në promovime librash, në aksionin e madh për pajtimin e gjaqeve etj.
Dua të veçoj me këtë rast një episod, që nuk e kam evokuar në kujtimet që kam shkruar për të.

Unë jam bërë anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës në kohën kur Azem Shkreli ishte kryetar i saj. Sapo kisha botuar librin tim të dytë me poezi, Bregu i mallit (1975), recensentë të të cilit kishin qenë Fahredin Gunga e Azem Shkreli, kurse redaktor Anton Pashku. Asnjëri nga ata fizikisht nuk është më në mesin tonë, por vepra e tyre dhe standardet që krijuan, vazhdojnë t’i rezistojnë kohës. Në recensionin e shkurtër, me të cilin mbështeste botimin e librit, Azemi, ndër të tjera, shkruante: “Mendoj se ka në të vargje të bukura, lirikë të hollë, motive dhe ide interesante. Mund të përmenden edhe kualitete të tjera të kësaj poezie”. Kaq mjaftonte nga ai, nga pena e tij, që libri të botohej. E të botoje libër në atë kohë, aq më tepër duke qenë krijues i ri e i panjohur, nuk ishte punë e lehtë, ndërsa të anëtarësoheshe në Shoqatën e Shkrimtarëve atëbotë ishte më vështirë se të hysh sot në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Por edhe më nder, gjithsesi.

Dhe ja tek jemi sot, pas kaq shumë vitesh. Ai në amshim me Aliun, Dinin e të tjerë, kurse unë Laureat i Çmimit që mban emrin e tij – për Vepër Jetësore.
Të marrësh një çmim si ky, aq më shumë në ditën e Pavarësisë së shtetit tënd, idenë e të cilit e frymëzuan para së gjithash njerëzit e penës, shkrimtarët dhe intelektualët, është nder dhe krenari, por edhe një ndjenjë ngazëllimi e rezignimi bashkë. Thuhet se çmimet letrare zakonisht kanë kuptim në moshë të re, sepse nxisin energjitë dhe vullnetin për punë krijuese. Me një fjalë janë stimuluese. Te unë dhe kolegët e mi që me këtë çmim janë nderuar para meje dhe tek ata që do të nderohen më pas, ky çmim mund të jetë stimulues në një kuptim tjetër: për rrumbullakimin e veprës dhe përfundimin e projekteve, që presin dorën dhe mendjen e krijuesit. Njeriu, pavarësisht nga mosha, gjithmonë mendon se veprën e vet më të mirë do ta krijojë në të ardhmen. Po të mos ishte kjo bindje, as që do të kishte kuptim puna krijuese.

Çmimet letrare, sikurse edhe mirënjohjet e tjera publike, as nuk e rrisin dhe as nuk e ulin vlerën e një vepre (në kuptimin e opusit krijues), por ato e kthejnë për një çast vëmendjen e publikut kah ajo; i bëjnë jehonë asaj. E kjo s’është pak dhe as e parëndësishme në kohën tonë, kur njerëzit janë tjetërsuar në masë të madhe prej vlerave shpirtërore, që janë të përhershme e tejkohore, duke i zëvendësuar shumë herë ato me vlera të përkohshme e efemere. Më kot qortimi i poetit: “Sa poshtë paskam rënë duke u ngjitur këtij Olimpi të rrejshëm” dhe besimi, qoftë edhe iluzor, se botën do ta shpëtojë bukuria: “Mësojeni kohën të mos i hajë të vetët/ Ç’u shemb shëmtie do ta ngrenë poetët”.
Dhe, krejt në fund, më lejoni që, siç është zakon në këso rastesh, të bëj edhe disa falënderime.
Falënderoj së pari nominuesin, Shoqatën e Shkrimtarëve “Jakup Ceraja” nga Mitrovica, e cila më ka propozuar për Çmimin “Azem Shkreli” për Vepër Jetësore, duke e shoqëruar propozimin e saj me një arsyetim të denjë për adresën që i drejtohej;

Falënderoj Jurinë, e cila, në një konkurrencë të fortë, u përcaktua për mua, duke vlerësuar punën dhe krijimtarinë time;

Falënderoj Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe njeriun që është në krye të saj, ministrin Memli Krasniqi, i cili, tok me stafin e tij, kanë dëshmuar se dinë t’i çmojnë vlerat që janë krijuar në Kosovë në të kaluarën, në kushtet e robërisë e të censurës dhe që vazhdojnë të krijohen në liri e pa censurë në Republikën e Kosovës, e cila këto ditë shënon 6-vjetorin e lindjes së saj si shtet.

Njëherësh shfrytëzoj rastin t’i përgëzoj kolegët e mi fitues të çmimeve për veprat më të mira letrare nga fusha e poezisë, e prozës, e kritikës letrare dhe e përkthimit letrar të botuara gjatë vitit 2013 dhe t’u uroj suksese të reja në të ardhmen.
Ju falemnderit për durimin dhe mirupafshim në raste të tjera të ngjashme!

(Fjalë e mbajtur në ceremoninë e dorëzimit të Çmimit Kombëtar “Azem Shkreli” në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, më 14 shkurt 2014 në Prishtinë)

Nxënësit e shkollave të Prizrenit, më thika në xhep

0

Thika5-22Policia në Prizren ka vazhduar edhe sot me aksionin për kontrollimin e nxënësve të shkollave. Drejtori i PK-së, Nexhmi Krasniqi tha se gjatë ditës së sotme janë kontrolluar autobusët që bartin nxënësit e shkollave të mesme në relacionin Vërmicë – Prizren dhe Zhupë- Prizren.

“Policia sot ka kontrolluar 46 autobusë, me 1093 nxënës, ku janë gjetur 6-të thika dhe disa mjete të forta, si boksa hekuri dhe shufra metalike”.
“Cak i policisë rajonale sot kanë qenë autobusët e linjave , Vërmicë – Prizren dhe Zhupë- Prizren”, transmeton TVP.

Krasniqi tha se nxënësve që u janë gjetur mjetet e forta i janë marrë të gjitha të dhënat personale. “Rasti i tyre do të shkojë në procedurë të rregullt”./PrizrenPress.com/

Eqa para shkarkimit

0

Eqrem KryeziuuKryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren, Eqrem Kryeziu duket se i ka ditët e numëruara në këtë post. Pas humbjes në zgjedhjet e fundit të LDK-së në këtë qytet, shumë nëndegë të kësaj partie në këtë rajon po kërkojnë largimin e tij.

Një burim i Gazetës Blic, brenda kësaj dege ka thënë se po priten zgjedhjet nacionale, dhe menjëherë do të fillojnë procedurat për shkarkimin e Eqës, nëse ky i fundit nuk jep dorëheqje. “Tani kur jemi në prag të zgjedhjeve nacionale, nuk po na lejojnë nga “lart” që të bëjmë zhurmë për shkarkimin e z. Kryeziu, për faktin se mund të dëmtohet partia.

Mirëpo, menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve, do t’i fillojmë procedurat për shkarkimin e tij, nëse nuk jep dorëheqje”.

Ndërkohë, një zyrtar tjetër i LDK-së, ka bërë të ditur se Eqrem Kryeziu nuk e ka ndërmend të jap dorëheqje. Madje ai në një mbledhje të Kryesisë së Degës me ironi ka thënë se “nuk ka kujt t’ia lë partinë”.

Sipas burimeve tashmë një pjesë e madhe e anëtarësisë së kësaj dege, ka filluar të identifikojë kandidatin e mundshëm, i cili do ta pasojë Eqrem Kryeziun në krye të Degës së LDK-së në Prizren.

Thaçi-Mustafa shuajnë spekulimet e AAK-së

0

HashimThaci-IsaMustafaKryeministri Hashim Thaçi dhe kryetari i LDK-së Isa Mustafa u takuan sot për të biseduar për reformën zgjedhore dhe për Zgjedhjet e përgjithshme. Qëndrimit të AAK-së për mbajtjen e zgjedhjeve të menjëhershme, dy liderët i janë përgjigjur me qëndrimin e përbashkët për mbajtjen e zgjedhjeve në pjesën e parë të vitit, pas miratimit të reformës zgjedhore.

Të dy kryetarët u pajtuan për koordinimin e axhendës politike në muajt në vazhdim. Ata u pajtuan që reforma zgjedhore të përfundohet nga Komisoni Parlamentar dhe Qeveria brenda gjysmës së parë të muajit mars ta procedojë për miratim në Kuvend.

Po ashtu, u ra dakord që të bëhen të gjitha përgatitjet për zgjedhje të lira, demokratike dhe të mbikëqyrura nga vëzhgues ndërkombëtarë, për cfarë edhe do të bëhet kërkesë zyrtare në BE, OSBE etj.

Të dy kryetarët kërkojnë që përgatitjet e duhura të kryhen në koordinim me subjektet politike dhe me konsensus të Kuvendit të shkohet në Zgjedhje të përgjithshme në gjysmën e parë të këtij viti. Në ditët në vijim, do të zhvillohen takime edhe me liderët e subjekteve të tjera politike.

Thaçi: Njohja nga Serbia nuk do të jetë e largët

0

Thaci14-12Me rastin e 6 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi tha se kjo është festë e unitetit politik, kombëtar e qytetar, është dita kulmore e përpjekjeve për liri e pavarësi. Në mbledhjen e Qeverisë, Thaçi tha se 6 vjetori i pavarësisë Kosovën e gjen me 106 njohje, ndërsa shprehu bindjen e thellë se edhe njohja nga Serbia nuk do të jetë e largët.

Kryeministri Hashim Thaçi në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, e vlerësoi 6 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, ditë të finalizimit të aspiratave të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Ai shprehu besimin e plotë se më 17 shkurt do të ketë kudo një atmosferë festive konform agjendës shtetërore. Thaçi kujtoi me këtë rast të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës, ndërsa tha se 6 vjetori i pavarësisë, Kosovën e gjen me subjektivitet shtetëror më të fortë, e gjen me 106 njohje dhe gjithnjë më afër liberalizimit të vizave dhe perspektivës euroatlantike. Edhe njohja nga Serbia, sipas kryeministrit Thaçi, nuk është e largët.

“Njohjet po shtohen, por unë kam besim të plotë se edhe njohja nga vetë Serbia do të ndodhë në të ardhmen jo të largët, paralelisht me procesin integrues evropian”, u shpreh Thaçi.

Kreu i Qeverisë, foli edhe për raportimin e tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke treguar se ka raportuar për progresin, reformat, fqinjësinë e mirë me të gjitha vendet dhe perspektivën ekonomike të vendit.

“Gjithashtu prezantuam të arriturat e përgjithshme në muajt e fundit dhe është një vlerësim i përgjithshëm edhe i anëtarëve të Këshillit të Sigurimit se ky proces duhet të vazhdohet dhe Qeveria e Kosovës dhe institucionet e vendit janë të vendosura që të lëvizin përpara me progres të pandalshëm”, tha ai.

Ndërkohë, duke folur për takimin me kryeministrin e Serbisë Ivica Daçiq në Bruksel me ndërmjetësimin e baroneshës Ashton, Thaçi tha se marrëveshja për funksionalizimin e sistemit të drejtësisë është arritur në parim, ndërsa pritet ditëve të ardhshme të finalizohet në Bruksel.

“Kam besim të plotë se me funksionalizimin e sistemit të drejtësisë, do të kemi një funksionalizim të tërësishëm edhe në pjesën veriore të Kosovës, në veçanti tash pas organizimit të zgjedhjeve lokale për herë të parë”, tha ai,shkruan rtk.

Thaçi theksoi se marrëveshja për funksionalizimin e sistemit të drejtësisë në veri, është në përputhje të plotë me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës si dhe me marrëveshjen e 19 prillit.

Agjenda e shënimit të përvjetorit të pavarësisë në Prizren

0

FLAMURI KUQE E ZI DHE I KOSOVESFestimi i 6 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, do të shënohet me një varg aktivitetesh edhe në komunën e Prizrenit.

Kryetari i Këshillit organizativ, Kujtim Gashi ka thënë se manifestimi fillon nesër (e shtunë) me debatin mbi “Rëndësinë e Diplomacisë Kulturore në promovimin e shtetit të Kosovës në sheshin e LSHP-së.

Programi për shënimin e përvjetorit të gjashtë të “Pavarësisë së Kosovës – 2014”

E shtunë, 15.2.2014

18,00 – Debat mbi “Rëndësinë e Diplomacisë Kulturore në promovimin e shtetit të
Kosovës (Sheshi i LP-së)
20,00 – Koncert i SHKA “MESK” – salla e Shtëpisë së Kulturës “Xh.Berisha”

 

E diel, 16.2.2014

13,00 – Punëtoria e artistëve me akull (Sheshi i LP-së)
17,00 – Tryeza “Artist talk” (Sheshi i LP-së)
18,00 – Orë Letrare “Ora e Pavarësisë” (lokalet e SHKA “Agimi”
19,00 – Koncert festiv i AKV “Lidhja e Prizrenit” – Shtëpia e Kulturës “Xh.Berisha”

 

E hënë, 17 .2. 2014

10,00 – Homazhe te Varrezat e Dëshmorëve në Landovicë
10,30 – Homazhe te “Monumenti i Lirisë”
11,00 – Seanca- solemne (Shtëpia e Bardhë)
12,00 – Gara vrapimi (rrugëve të qytetit)
12,15 – Koncert i SHKA “Agimi” (Key)
12,30 – Ekspozitë figurative e piktorit mr. Agim Kryeziu (foajeu i Kompleksit “Europa”)
13,00 – Xhiro me biçikleta (Nisja nga Ura e Arastës)
13,15 – Përurimi i objektit të Urgjencës (Përball Kolegjit “Fama”)
18,45 – Ceremeonia përmbyllëse e garave sportive
20,00 – Ceremonia përmbyllëse e e festivalit “Sculpfest, dhe
– Koncerti i grupit Jericho” (Sheshi i LP-së)

 

 

Policia mban ligjërata për sigurinë e shkollave në Malishevë

0

1341Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit, kanë përfunduar ciklin e ligjëratave në shkollat e mesme të larta të Komunës së Malishevës. Në këto ligjërata është ngritur çështja e sigurisë në shkolla.

Ligjëratat janë mbajtur nga komandanti i stacionit policor në Malishevë, kapitenit Halil Morina dhe drejtorit komunal për arsim, Blerim Thaçi.

“Siguria në shkollat e Komunës së Malishevës, është në nivelin e kënaqshëm, pasi nuk janë shënuar raste të rënda të prishjes së imazhit të sigurisë në shkolla, por qëllimi ynë është që ta ruajmë këtë gjendje të mirë të sigurisë”, tha Morina.

Sipas tij, ngjarjet e fundit në disa shkolla në qytete të ndryshme të Kosovës, i kanë shtyrë që të mbajnë këto takime, me qëllim të vetëdijesimit të nxënësve dhe stafit mësimor.

“Ne si polici, jemi të gatshëm të ofrojmë siguri të plotë për të gjithë, edhe jashtë ambienteve të shkollave, por na duhet edhe bashkëpunimi i juaj dhe i qytetarëve, për ruajtjen e sigurisë, pavarësisht se deri më tani përveç incidenteve të vogla, në shkollat tona, nuk janë regjistruar raste të cilat rrezikojnë sigurinë e nxënësve apo të mësimdhënësve”.

Nga ana tjetër, drejtori i Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, Blerim Thaçi, ka falënderuar Policinë e Kosovës, “jo vetëm për këto ligjërata, por edhe për kujdesin e shtuar në raport me shkollat e Komunës së Malishevës dhe përkrahjen që po japin për krijimin e sigurisë së plotë në shkolla tona”.

“Pavarësisht se nuk ka pasur raste të rrezikimit të sigurisë në shkolla, masat parandaluese duhet të merren edhe nga menaxhmenti i shkollave”, tha Thaçi.
Ligjërata e mbajtur sot në Qendrën e Kompetencës në Malishevë, ishte e treta me radhë në kuadër të ligjëratave në shkollat e nivelit të mesëm të lartë, pasi paraprakisht, këto ligjërata dhe debate, janë mbajtur në shkollën profesionale në Kijevë dhe Gjimnazin në Malishevë./PrizrenPress.com/

 

Begaj, takohet me banorët e Llapqevës dhe Panorcit

0

RagipBegaj-kryetariMalishevesKryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj ka vizituar fshatrat Llapqevë dhe Panorc.Në takimet me banorët e këtyre fshtrave, Begaj ka biseduar për problemet e tyre në përgjithësi dhe në veçanti për çështjen e mbeturinave dhe etheve hemorragjike.

Ai ka kërkuar që të largohen mbeturinat nga pikat ilegale të hedhjes së tyre dhe të bëhet kujdes i shtuar në raport me ethet hemorragjike.

“Largimi i mbeturinave nga ambienti, është prioritet i qeverisjes sonë dhe këtë do ta bëjmë, por ta bëjmë të gjithë së bashku, në mënyrë që të jetojmë në një ambient të pastër, për të mirën tonë, për shëndetin tonë dhe të fëmijëve tanë”.
“Këto mbeturina, janë edhe burim i infeksioneve të ndryshme, përfshi edhe ethet hemorragjike, pasi në to jetojnë brejtësit, por edhe rriqrat, si burimet kryesore të infektimit me ethe hemorragjike”, tha Begaj.

Kryetari Begaj, po ashtu, ju bëri thirrje, që banorët e këtyre dy fshatrave, të futen në sistemin e grumbullimit të mbeturinave.

“Ne si komunë, bëjmë gjithçka që është në dorën tonë dhe angazhimi ynë nuk mungon, por ju lus të bëni kujdes të shtuar, qoftë me fëmijët tuaj, qoftë gjatë kryerjes së punëve të përditshme në fushë. Kontrollojeni veten dhe fëmijët, nëse janë të prekur nga rriqrat dhe mos i largon vet rriqrat, por shkoni në qendrat mjekësore”.

“Mos lejoni që për shkak të pakujdesisë të shkaktohen vdekje”./PrizrenPress.com/

 

PDK-ja në Zhur propozon tre kandidatë për drejtorë të Qeverisë “Muja III”

0

PDK-logo8-07Dega e PDK-së në Zhur ka dërguar sot tre emra për drejtorë të Ekzekutivit të Prizrenit. Kryetari i Degës së PDK-së në Zhur, Bedi Hoxha tha se propozimet janë dërguar zyrtarisht në Degën e këtij subjekti politik në Prizren.

“Po, i kemi dërguar edhe ne propozimet tona për drejtorë të Ekzekutivit”,konfirmoi Hoxha për “PrizrenPress”.

Dega e PDK-së në Zhur për drejtor të Shëndetësisë ka propozuar dr.Zyber Rizanajn, për Kulturë dhe Rini, Ftim Hoxhën dhe për drejtor të Drejtorisë së Arsimit, Xhelal Susurin.

“Emrat për drejtorë janë propozuar nga përfaqësuesit e nëndegëve dhe Degës së Zhurit”,tha Hoxha.

Dega e PDK-së në Zhur dhe ajo në Has, në mbledhjen e fundit të Kryesisë në Prizren nuk kanë propozuar asnjë emër për drejtor të Ekzekutivit.

Përfaqësuesit e këtyre dy degëve kanë kërkuar kohë që t’i sjellin emrat e propozuar për Qeverinë “Muja III”.

“Në atë mbledhje nuk kishim asnjë emër për të propozuar”,shprehet Hoxha./PrizrenPress.com/