10.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Krijuesi dhe vepra e tij

Agim VincaAgim Vinca
Familjarë të Azem Shkrelit,
Zoti Ministër i Kulturës,
Miq dhe kolegë!
E ndiej veten të nderuar që më jepet Çmimi “Azem Shkreli” jo vetëm pse është çmimi më i lartë letrar në Kosovë, por edhe për shkak se mban emrin e shkrimtarit ndaj veprës së të cilit kam ushqyer gjithmonë një konsideratë të veçantë, poetit, prozatorit, dramaturgut dhe publicistit Azem Shkreli.

Librat e Azem Shkrelit i kam lexuar qysh si fëmijë, nën dritën e llambës, në vendlindjen time. Isha ende nxënës i shkollës fillore kur më ranë në dorë Bulëzat (1960) dhe Karvani i bardhë (1961) e, pak më vonë, edhe Engjujt e rrugëve (1963). Qysh atëherë i mbaj mend vargjet: “Gëzimi, thonë, nuk matej kur jam le/ Nji natë fresku me hanë./ Nana n’krye tim s’ka ba kurr be – / Paç mbet pa nanë./ Me ‘i tubë delesh n’sukë heret jam rreshkë,/ Kur isha ende vocrrak./ Shtëpinë e kam atje ndër curra, n’bjeshkë,/ Dhe kangën e gurit mbi prak”. Me këto vargje hapet poemthi Këngë për vete, në të cilin subjekti lirik, malësori i ri poet, që zbret në qytet, shpalos botën dhe unin e tij pa kurrfarë kompleksi: “N’qytet kam ardhë me ‘i gjysë opinge. E dij/ N’përulje s’mundem m’u kotë./ Lavdet ua fali tjerëve. Mos me pi/ Betue jam – në gotë./ Zotnit s’i njof. As s’lodhem pse Krishti s’rruhet./ (Ferrin me mëkate kam m’e fikë!)/ E kur zgërdhihet jeta, ndojherë – duhet/ Venë Khajami, nji pikë!/”, për ta përmbyllur, pak a shumë, rrëfimin me një porosi, që peshon rëndë, sa gurët e vendlindjes: “Prej këshillës s’nji miku mbaj mend dy urti:/ N’këndove – këndo për jetën./ Poetët duhet ta kenë nji perëndi/ Dje tjetër s’ka: T’VËRTETËN”.

Sado të thjeshta, në mos edhe naive që mund të duken sot këto vargje, të shkruara në fillimet krijuese të poetit, ato shprehin frymën e artit poetik të Azem Shkrelit, por edhe thelbin e misionit të poetit: të kënduarit për jetën dhe të besuarit në një nga vlerat e saj më sublime: Të Vërtetën.
Volteri i madh thoshte se E vërteta, Liria dhe Virtyti janë tri gjëra për të cilat e vlen të jetohet dhe të luftohet, ndërsa bashkëkombësi i tij më i ri, Romen Rolani, nënvizonte se puna krijuese është “gëzimi i jetës” dhe se të krijosh do të thotë “ta vrasësh vdekjen”. (Créer, c’est tuer la mort).

E them sinqerisht se Azem Shkreli është një nga shkrimtarët tanë, të këtij krahu, që tek unë ka ngjallur dashurinë për letërsinë: dëshirën për të lexuar dhe dëshirën për të shkruar. Dhe tok me këtë dëshirë, sa të bukur, aq edhe të vështirë, edhe pasionin për fjalën, ndjenjën, mendimin, por edhe për heshtjen e bukur, heshtjen që flet, që është e kundërta e fjalamanisë dhe llomotitjes.

E, Azem Shkreli, poeti i E di një fjalë prej guri dhe Nga Bibla e heshtjes, si rrallë ndonjë krijues tjetër yni, mund të shërbejë si shëmbëlltyrë nga ky aspekt. Përgjegjësia ndaj fjalës në përgjithësi dhe ndaj fjalës së shkruar në veçanti është një nga mesazhet më të fuqishme të veprës së tij.
Azem Shkrelin e kam njohur fillimisht nëpërmjet librave, por më vonë do të më lidhë me të një miqësi e gjatë dhe e frytshme ndër vite e dekada. Sa e sa ndeja e biseda, sa e sa udhëtime nëpër Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare, pjesëmarrje në manifestime kulturore, në tribuna publike, në orë letrare, në promovime librash, në aksionin e madh për pajtimin e gjaqeve etj.
Dua të veçoj me këtë rast një episod, që nuk e kam evokuar në kujtimet që kam shkruar për të.

Unë jam bërë anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës në kohën kur Azem Shkreli ishte kryetar i saj. Sapo kisha botuar librin tim të dytë me poezi, Bregu i mallit (1975), recensentë të të cilit kishin qenë Fahredin Gunga e Azem Shkreli, kurse redaktor Anton Pashku. Asnjëri nga ata fizikisht nuk është më në mesin tonë, por vepra e tyre dhe standardet që krijuan, vazhdojnë t’i rezistojnë kohës. Në recensionin e shkurtër, me të cilin mbështeste botimin e librit, Azemi, ndër të tjera, shkruante: “Mendoj se ka në të vargje të bukura, lirikë të hollë, motive dhe ide interesante. Mund të përmenden edhe kualitete të tjera të kësaj poezie”. Kaq mjaftonte nga ai, nga pena e tij, që libri të botohej. E të botoje libër në atë kohë, aq më tepër duke qenë krijues i ri e i panjohur, nuk ishte punë e lehtë, ndërsa të anëtarësoheshe në Shoqatën e Shkrimtarëve atëbotë ishte më vështirë se të hysh sot në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Por edhe më nder, gjithsesi.

Dhe ja tek jemi sot, pas kaq shumë vitesh. Ai në amshim me Aliun, Dinin e të tjerë, kurse unë Laureat i Çmimit që mban emrin e tij – për Vepër Jetësore.
Të marrësh një çmim si ky, aq më shumë në ditën e Pavarësisë së shtetit tënd, idenë e të cilit e frymëzuan para së gjithash njerëzit e penës, shkrimtarët dhe intelektualët, është nder dhe krenari, por edhe një ndjenjë ngazëllimi e rezignimi bashkë. Thuhet se çmimet letrare zakonisht kanë kuptim në moshë të re, sepse nxisin energjitë dhe vullnetin për punë krijuese. Me një fjalë janë stimuluese. Te unë dhe kolegët e mi që me këtë çmim janë nderuar para meje dhe tek ata që do të nderohen më pas, ky çmim mund të jetë stimulues në një kuptim tjetër: për rrumbullakimin e veprës dhe përfundimin e projekteve, që presin dorën dhe mendjen e krijuesit. Njeriu, pavarësisht nga mosha, gjithmonë mendon se veprën e vet më të mirë do ta krijojë në të ardhmen. Po të mos ishte kjo bindje, as që do të kishte kuptim puna krijuese.

Çmimet letrare, sikurse edhe mirënjohjet e tjera publike, as nuk e rrisin dhe as nuk e ulin vlerën e një vepre (në kuptimin e opusit krijues), por ato e kthejnë për një çast vëmendjen e publikut kah ajo; i bëjnë jehonë asaj. E kjo s’është pak dhe as e parëndësishme në kohën tonë, kur njerëzit janë tjetërsuar në masë të madhe prej vlerave shpirtërore, që janë të përhershme e tejkohore, duke i zëvendësuar shumë herë ato me vlera të përkohshme e efemere. Më kot qortimi i poetit: “Sa poshtë paskam rënë duke u ngjitur këtij Olimpi të rrejshëm” dhe besimi, qoftë edhe iluzor, se botën do ta shpëtojë bukuria: “Mësojeni kohën të mos i hajë të vetët/ Ç’u shemb shëmtie do ta ngrenë poetët”.
Dhe, krejt në fund, më lejoni që, siç është zakon në këso rastesh, të bëj edhe disa falënderime.
Falënderoj së pari nominuesin, Shoqatën e Shkrimtarëve “Jakup Ceraja” nga Mitrovica, e cila më ka propozuar për Çmimin “Azem Shkreli” për Vepër Jetësore, duke e shoqëruar propozimin e saj me një arsyetim të denjë për adresën që i drejtohej;

Falënderoj Jurinë, e cila, në një konkurrencë të fortë, u përcaktua për mua, duke vlerësuar punën dhe krijimtarinë time;

Falënderoj Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe njeriun që është në krye të saj, ministrin Memli Krasniqi, i cili, tok me stafin e tij, kanë dëshmuar se dinë t’i çmojnë vlerat që janë krijuar në Kosovë në të kaluarën, në kushtet e robërisë e të censurës dhe që vazhdojnë të krijohen në liri e pa censurë në Republikën e Kosovës, e cila këto ditë shënon 6-vjetorin e lindjes së saj si shtet.

Njëherësh shfrytëzoj rastin t’i përgëzoj kolegët e mi fitues të çmimeve për veprat më të mira letrare nga fusha e poezisë, e prozës, e kritikës letrare dhe e përkthimit letrar të botuara gjatë vitit 2013 dhe t’u uroj suksese të reja në të ardhmen.
Ju falemnderit për durimin dhe mirupafshim në raste të tjera të ngjashme!

(Fjalë e mbajtur në ceremoninë e dorëzimit të Çmimit Kombëtar “Azem Shkreli” në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, më 14 shkurt 2014 në Prishtinë)

Më Shumë

Sonte Derbi i Madoninës: Fitorja shpall kampion Interin

Dy rivalët e përjetshëm të kampionatit Italian, Milani dhe Interi përballen me njëra-tjetrën në Derbin e Madoninës, mbrëmjen e kësaj të hëne, nga ku...

Liria zyrtarisht bie nga Superliga

Liria edhe matematikisht i ka humbur gjasat për mbijetesë, ndonëse ishte dorëzuar kohë më pak. Skuadra prizrenase gjashtë xhiro para fundit nuk ka më gjasa...

Lajmet e Fundit