21.4 C
Prizren
E martë, 28 Prill, 2026
Home Blog Page 8885

Filloi fushata ndërgjegjësuese me shkollat, “Privatësia Ime”

0

AShMDhPAgjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka filluar zbatimin e projektit ‘’Privatësia ime’’. Ky projekt ka për qëllim sensibilizimin e opinionit publik, me përqendrim te të rinjtë (gjimnazistët) rreth fushës së privatësisë dhe mbrojtjes së të dhënave personale.

Fushata është e përqendruar në zhvillimin e aktiviteteve të bashkërenduara me Ministrinë e Arsimit, respektivisht drejtorive të dhjetë shkollave në komunat në vijim: Gjilan, Ferizaj, Partesh, Shtime, Suharekë, Prizren, Drenas, Pejë, Prishtinë dhe Mitrovicë.

Thelbi i projektit ngërthen në vete shpërndarjen e një fletëpalosjeje, përmbajtja e të cilës do t’u ndihmojë nxënësve të klasëve të dymbëdhjeta të informohen më konkretisht rreth privatësisë së tyre në tri dimensione: familje, shkollë, internet.

Faza e dytë e projektit ndërlidhet me ligjërimin e mbikëqyrësve para fokus grupit të përzgjedhur me qëllim të ngritjes së vetëdijes së tyre rreth të drejtave që ata kanë për privatësi, mënyrën se si mund ta mbrojnë privatësinë e tyre, e kështu me radhë.

Përmbyllja e projektit karakterizohet me një garë në formë testimi, me ç’rast, gjatë një jave, gjysma e të përzgjedhurve të dhjetë shkollave do ti nënshtrohen një sfide nga fusha e artit figurativ, e gjysma tjetër në shkrim akademik me temën: “Privatësia ime”.

Brenda kësaj jave do të kryhet cikli i parë me dy shkollat e mbetura, ndërsa fill pas dyjavorit të parë do të shpallen nga dy fitues nga secila shkollë, të cilët do të shpërblehen me dhurata simbolike nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Punimet që do të vlerësohen si më të mirat në nivel vendi do të shpërblehen më 28 janar 2014, datë që shënon Ditën Evropiane për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Fyle: Kosova e Serbia do arrijnë marrëveshje tjera në të ardhmen

0

Fyle5-29Komisioneri Evropian për Zgjerim, Stefan Fyle e ka kualifikuar marrëveshjen dy kryeministrave si “kthesë historike” në rrugën drejt Evropës. Në konferencën vjetore që i kushtohet Ballkanit Perëndimor, Fyle paralajmëroi se Marrëveshja e Prillit ishte vetëm e para sepse, sipas tij, Kosova e Serbia do arrijnë edhe marrëveshje tjera në të ardhmen.

Duke iu referuar procesit të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian, Fyle përmendi se normalizimi i raporteve me Kosovën duhet të lidhet me këtë proces, ashtu siç e njëjta duhet të vlejë edhe për procesin e stabilizim asociimit që po bëhet me Prishtinën zyrtare. Nisjen e negociatave të MSA-së, Fyle e kualifikoi si fillim të mirë.

Çeku: Prizreni ka nevojë për një “lidhje” të re qytetare

0

Hajrulla ÇekuDrejtori i OJQ-së “Ec Ma Ndryshe” në Prizren, Hajrulla Çeku vlerëson se Prizreni ka nevojë për një “lidhje” të re qytetare, që i bashkon të pakënaqurit rreth një platforme të ndryshimit, për të cilën ka nevojë më shumë se kurrë.

“Prizreni është i kapur nga struktura partiake, të cilat nuk krijojnë hapësirë për kuadro të reja politike, por kryesisht promovojnë figura të dëgjueshme dhe besnike ndaj linjës partiake”, ka thënë Çeku për Koha Ditore.

Sipas tij, gjithçka në Prizren, sillet rreth dy partive më të mëdha, të cilat janë shumë të mbyllura dhe të paafta për reformim.

“Mbi krejt këtë realitet, ka qëndruar gara e dy kandidatëve të konsumuar në balotazh, pa kurrfarë oferte konkrete për qeverisje dhe me të kaluar problematike. Kjo ka ndikuar në mungesën e atmosferës për ndryshim në qytet, duke e dekurajuar daljen në votime”.

Ai thotë se shoqëria nuk po arrin të prodhojë një masë kritike të alternativës, ose së paku të artikulimit të pakënaqësisë.

“Shoqëria civile, mediet, intelektualët dhe i gjithë spektri civil i qytetit janë mbyllur në oaza të ngushta veprimi dhe me vështirësi po gjejnë forma të organizuara të shprehjes së kritikës për një qeverisje më të mirë. Zgjimi në Prizren mund të ndodh vetëm atëherë kur këto grupe fillojnë të dalin nga zonat e tyre e komfortit, duke e parë interesin e përgjithshëm mbi atë të ngushtë e personal”./PrizrenPress.com/

 

Ligjet nuk po e ndalin degradimin e Qendrës Historike

0

OpinionValon Xhabali

Raporti i Progresit për Kosovën për vitin 2013 i publikuar nga Komisioni Evropian kishte konfirmuar shqetësimet e shoqërisë civile në Prizren dhe Kosovë për degradimin e trashëgimisë kulturore. Raporti në mënyrë eksplicite konstaton se “interesat biznesore shpesh herë mbizotërojnë kundruall interesave të trashëgimisë kulturore”, duke aluduar në ndërtimet pa leje. Njëherësh, Komisioni Evropian, në pjesën e raportit që flet për të drejtat kulturore ka bërë thirrje për “veprime të fuqishme për të ndaluar aktivitetet ilegale dhe degraduese si dhe korrigjimin e atyre ndërtimeve që kanë tejkalime”.

Organizata EC Ma Ndryshe vitet e fundit rregullisht është duke e artikuluar nevojën për veprim institucional për mbrojtjen e Qendrës Historike të Prizrenit. Në kuadër të iniciativës së fundit “Urbanism Watch”, gjatë vitit 2013, autoritetet lokale dhe qendrore janë alarmuarnë mënyrë konstante rreth rasteve konkrete të degradimit urban. Deri tani, autoritetet shtetërore janë treguar mjaft të ngathëta në ndërmarrjen e veprimeve parandaluese, prandaj edhe po e ndiejm nevojën që t’i ripërsërisim këto shqetësime.

Në muajin shtator, Kuvendi i Komunës së Prizrenit ka miratuar Planin Zhvillimor Komunal 2013-2015, që paraqet një dokument statutor, që udhëheq zhvillimin e komunës përgjatë dekadës në vijim. Autoritetet komunale duhet të kenë parasysh që edhe Plani Zhvillimor Urban i Prizrenit, 2003-2013, kishte nënvizuar rëndësinë e madhe të trashëgimisë kulturore dhe historike të Prizrenit për zhvillimin e turizmit, ndërkohë që në realitet komuna nuk ka ndërmarrë masa adekuate për ruajtjen e saj, por me veprimet e veta i ka kontribuar degradimit të mëtejmë.

I njëjti fat e ka përcjell edhe Planin e Konservimit dhe Zhvillimit për Qendrën Historike, dokument i miratuar në vitin 2008 nga komuna, por që vazhdon të shkelet dhe injorohet sistematikisht. Edhe pse janë evidentuar shumë lëshime e vonesa, komuna e Prizrenit e ka një rast dhe një mundësi të fundit që përfundimisht të shfrytëzoj Planin Zhvillimor Komunal si pikënisje për të iniciuar veprime konkrete për ndalimin e degradimit urbanistik, që tashmë ka marrë përmasa shqetësuese brenda qytetit.

Gjatë këtij viti, janë identifikuar edhe shumë veprime degraduese në Qendrën Historike të Prizrenit. Ndër to, rasti i renovimit të oazës dhe trotuarit në mes të urës së Arastës dhe urës së Gurit, ka treguar se punimet ndërtimore në projektin e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor të komunës së Prizrenit kanë nisur pa respektimin e procedurave ligjore respektivisht marrjen e pëlqimit nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve Historike të Prizrenit dhe Këshilli për Trashëgimi Kulturore. Qasja e këtillë e Komunës ndaj Qendrës Historike të Prizrenit respektivisht mos përfillja e organeve konsultuese të nivelit lokal dhe qendror është e papranueshme dhe e dëmshme për ruajtjen e trashëgimisë historike, kulturore dhe të vlerave urbane të qendrës së Prizrenit.

Një çështje tjetër shqetësuese e vitit 2012 ishte edhe dhënia e lejeve të ndërtimit nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, meqë kjo temë ishte prekur edhe në Raportin e fundit të Auditorit për Komunën e Prizrenit. Auditorët kanë testuar tetë mostra në vlerën 274,582 € dhe kanë identifikuar si mangësi, mos sigurimin e një bazë të plotë të të dhënave për numrin e kërkesave për leje, lejet e lëshuara, dhe refuzimet për vitin 2012; dhe në tri raste kanë konstatuar se komuna kishte lëshuar vendim për ndërtimin e dy kateve, ndërsa inspektorët në terren kanë vërejtur tejkalime në ndërtimin e objekteve dhe janë ndërtuar më shumë kate se sa është përcaktuar me leje ndërtimi. Kjo është tjetër dëshmi se qeveria lokale nuk po tregon vullnet të mjaftueshëm për të vendosur rend urbanistik në Prizren dhe sipas përfundimeve të Auditorit një gjendje e tillë po ndikon negativisht në urbanizimin e qytetit dhe në buxhetin komunal.

Kohëve të fundit, është konstatuar edhe një intervenim ilegal në Qendrën Historike të qytetit, nga vetë autoritetet komunale. Ndriçimi i Urës së Gurit dhe riparimi dhe ndriçimi i Urës së Arastës janë bërë pa lejen e DUPH-së dhe pa pëlqimin e IMMH-së, që paraqet shkelje të rëndë të dispozitave ligjore për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në këtë zonë. Kjo dhe shumë raste të tjera na bëjnë të ditur se ligjet, rregulloret, planet e dokumentet tjera nuk po arrijnë të parandalojnë degradimin e trashëgimisë kulturore në Prizren. Për më tepër, në shumë raste të degradimit urbanistik në Prizren, janë vetë autoritetet shtetërore ato të cilat e shkelin ligjin dhe nuk e respektojnë procedurën.

Ne na mbetet të shpresojnë në organizimin dhe fuqizimin e mëtejmë të shoqërisë civile dhe qytetarisë në Prizren, si mundësi e vetme për ta ruajtur qytetin, trashëgiminë dhe strukturën urbane.

 

Gjashtë subjekte politike marrin ulëse në KK të Malishevës

0

MalishevaKomisioni Qendrorë i Zgjedhjeve (KQZ), ka shpallur rezultatet përfundimtare të votimit për Kuvendet e Komunave, nga zgjedhjet e 3 nëntorit, dhe tashmë dihet edhe përbërja e anëtarëve për Kuvendin e Komunës së Malishevës, ku IQPM ka fituar 11 ulëse, PDK 8 ulëse, LDK 8 ulëse, VV 2 ulëse AAK-LDD 1 ulëse dhe AKR 1 ulëse, ndërsa KK i Malishevës, ka 31 anëtar.

Sipas rezultateve IQPM ka fituar 33.84% të votave ose 7 806 vota dhe ka marrë 11 ulëse në KK të Malishevës, PDK ka fituar 27.07% të votave ose 6 245 vota dhe fituar 8 ulëse në KK, LDK ka fituar 25.80% të votave ose 5 952 vota dhe fituar gjithashtu 8 ulëse, VV ka fituar 5.77% to votave ose 1 332 vota dhe marrë 2 ulëse, AAK-LDD fituar 3.46% ose 799 vota dhe ka marrë një ulëse dhe AKR ka fituar 2.23% ose 514 vota dhe fituar 1 ulëse në KK të Malishevës./PrizrenPress.com/

Në vazhdim emrat e anëtarëve të përbërjes së re të Kuvendit të Komunës së Malishevës:

IQPM

Enver Hoti,
Ahmet Morina,
Nuhi Shala,
Arbëreshë Krasniqi,
Shukrije Bytyçi,
Avdi Morina,
Aziz Thaçi,
Blerim Thaçi,
Luan Kryeziu,
Behie Sertolli dhe
Liridona Maloku.

PDK

Adem Berisha,
Vllaznim Kryeziu,
Izet Morina,
Bekim Hoti,
Ahmet Rrahmanaj,
Merita Krasniqi,
Arlinda Thaçi dhe
Mirëlëndë Gashi.

LDK

Januz Kastrati,
Sami Kafexholli,
Rrahim Morina,
Lumni Kryeziu,
Fatmir Ademaj,
Filloreta Bytyçi,
Shqipe Mazreku dhe
Firasete Morina.

VV-

Muhamet Bytyçi dhe
Donjetë Foniqi

AAK-LDD

Bashkim Krasniqi

AKR

Hafir Rexha

Vëzhguesit evropianë vlerësojnë pozitivisht zgjedhjet

0

Vezhguesit evropianeMisioni i Bashkimit Evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale në Kosovë e vlerësoi me notë pozitive procesin e votimit në raundin e dytë.Sipas tyre, në përgjithësi, integriteti i votës është mbrojtur mjaftueshëm, por kishte edhe raportime të fotografimit të fletëvotimit dhe raste të votimit familjar.

“Me këto zgjedhje, Kosova po shënon përparim të mëtejmë në rrugën e saj demokratike.

Shpresoj që këto zhvillime inkurajuese që i kemi vërejtur gjatë këtyre zgjedhjeve do të vazhdojnë deri në fund të procesit dhe se ato do të vënë themelet e forta të zhvillimit të ardhshëm demokratik të Kosovës”, tha Roberto Gualtieri, Shef i Misionit, me rastin e publikimit të deklaratës preliminare të misionit.

“Suksesi i këtyre zgjedhjeve gjithashtu shënon një hap të rëndësishëm në zbatimin e Marrëveshjes së 19 prillit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, shtoi ai.
Vëzhguesit e BE-së kanë qenë të pranishëm në tërë Kosovën për dy muaj.

Deklarata e tyre preliminare mbulon zhvillimet që nga raundi i parë i zgjedhjeve.

Ambienti i përgjithshëm politik ishte i qetë në ditën e balotazhit, vlerëson Gualtieri ndonëse shton që “kishte tensione dhe pretendime të presioneve ndaj votuesve dhe blerjes së votave në disa komuna”.

Miratohet plani hapësinor për Parkun Kombëtar ”Sharri”

0

ParkuKombetariSharritNë mbledhjen e radhës së qeverisë është aprovuar Plani Hapësinor të Parkut Kombëtar ”Sharri”, i sponsoruar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Në kuadër të Planit është paraparë dhe projekti zhvillimor i qendrës turistike ”Brezovica.

Parku Kombëtar ”Sharri” është njëra nga zonat më të bukura dhe më të vlerësuara natyrore të Kosovës, ku llojllojshmëria biologjike dhe pejsazhore janë karakteristike jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin dhe më gjerë.

Me qëllim të konservimit të kësaj bukurie dhe trashëgimie natyrore, MMPH përkatësisht Instituti për Planifikim Hapësinor kanë përfunduar hartimin e planit hapësinor, i cili në mënyrë të qartë përcakton kahjet e mbrojtjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm të Parkut.

Ky plan do të ngritë kualitetin e mbrojtjes në të gjithë territorin e Parkut, dhe në anën tjetër do të ofrojë kushte për zhvillimin e kontrolluar në disa zona karakteristike.

Gjatë procesit të deritashëm janë mbajtur takime me sektorë të ndryshëm të Qeverisë së Kosovës, duke i harmonizuar politikat e të gjithë këtyre sektorëve që ndërlidhen me hapësirën e Parkut.

Gjithashtu, takime janë organizuar edhe me përfaqësuesit e qeverive lokale, siç janë ato të komunës së Prizrenit, Suharekës, Kaçanikut, Dragashit dhe komunës së Shtërpcës, në territoret e të cilave shtrihet dhe kufizohet Parku. Takime dhe konsulta janë mbajtur edhe me profesionistë të fushave të ndryshme dhe organizata që punojnë dhe veprojnë në Kosovë.

Kastrati: FSK-ja çdo ditë është afër qytetarit

0

KadriKastrati-fskNjë ndër objektivat e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe prioritetet e komandantit të FSK-së për këtë trupë është që ajo të bëhet forcë e dukshme për qytetaret dhe komunitetet.

Në kuadër të këtij objektivi, FSK-ja ka realizuar shumë projektet civilo -ushtarake nga të cilat ka përfituar drejtpërdrejtë popullata, thotë për Radio Kosovën komandanti i FSK-së, gjenerallejtnant Kadri Kastrati.

Projektet civilo ushtarake në FSK kanë një rëndësi të vecant për Forcën. Komandanti Kadri Kastrati tha se në këtë kuadër FSK-ja ka ndërtuar rrugë për komunitete kryesisht nëpër vendet rurale. Sipas tij, FSK-ja ka ndërtuar 65 kilometra rrugë apo 17 rrugë për komunitet e kryesisht ku drejtpërdrejt përfiton popullata. Ai veçon urën e Rakovinës dhe atë të Manastrirt të Decanit.

”Kemi ndërtuar ura një për komunitetin serb në manastirin e Deçanit, po ashtu urën montuese në Rakovin, kemi ndërtuar edhe shkolla, kemi pastruar lumenj, që kjo neve na gëzon se FSK-ja çdo ditë eshte afër qytetarit”.

Forca e Sigurisë së Kosovës gjithashtu jep edhe asistencë mjekësore për serbët në Komunën e Istogut. Komandanti Kastrati thotë se mjekët e FSK-së bëjnë vizita mjekësore çdo dy javë nëpër fshatrat ku banon komuniteti serb.

”Çdo dy javë shkojnë pjestarët e Kompanisë së Mjeksisë bëjnë kontraolla mjekësore dhe ju ofrojnë barna…”

Ndërkaq tash me fillimin e stinës së dimrit FSK-ja do të fillojë ligjëratat nëpër shkolla për vetëdijësim nga minat.

Personat me Aftësi të Kufizuara: Qeveria po na injoron

0

Personat me Aftësi të KufizuaraNë Ditën Ndërkombëtare për personat me aftësi të kufizuara, këta të fundit, kanë marshuar rrugëve të Prishtinës për të kërkuar dhe paraqitur të drejtat e tyre elementare.

Afrim Maliqi, kryetar i HANDIKOS-it gjatë një fjalimi në sheshin “Ibrahim Rugova” tha se, në Kosovë persona me aftësi të kufizuar janë me përplot pengesa.

Kurse Pranvera Syla përfaqësuese e kësaj organizate dha vërejtje për institucionet e vendit për siç tha ajo mos përmbushjen e kërkesave primare për këtë kategori.

“Sipërfaqet nëpër rrugë janë jo të rrafshëta, jo të shfrytëzuara. Lartësia është tejet e madhe e bankomatëve të bankave”, ishin ndër vërejtjet që i shpalosi Syla.

Ndërsa Fatmire Osmani e cila është asistente e djalit të saj me aftësi të kufizuara, tha për Indeksonline se 100 euro pagesë mujore, nuk iu dalin për të përmbushur kërkesat e djalin të saj.

“Marre duhet me ju ardhë prej qeverisë e deri tek presidentja e vendit që nuk po u bjen ndërmend aspak për kategorinë më të lënë anash në Kosovë”, tha Osmani.

Gjatë këtij tubimi, pjesëmarrës ishte edhe kryetari i ri i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Leonid Palushaj, fitues i “Gara e Artit Global”

0

Gara e Artit GlobalLeonid Palushaj është shpërblyer me çmimin e parë në edicionin e tretë të “Gara e Artit Global”. Ndërkohë, me çmimin e dytë është shpërblyer Genc Rezniqi, kurse me vendin e tretë është shpërblyer Marjana Goxhabelliu

Me dhjetëra piktura janë vendosur në muret e katit të parë të Muzeut të Kosovës, të hënën në mbrëmje, me qëllim për ta shënuar para artdashësve në vend, në edicionin e tretë të “Gara e Artit Global”. Në këtë ngjarje artistike garuese janë pjesëmarrës 64 artistë nga më se 17 vende të botës, e që kanë garuar në kuadër të kësaj ekspozite me nga një vepër artistike sipas kuptimit kreativ për temën “Liria”. Piktorë nga Italia, Argjentina, Uraguaji, Shqipëria, Kroacia e nga disa vende të ndryshme të botës kanë paraqitur punime të tyre artistike në këtë ekspozitë.

Juria vlerësuese e ekspozitës së “Gara e Artit Global”, kanë shpallur fitues të çmimit kryesor, piktorin Leonid Palushaj në çmimin “Blerës i Qytetit të Ferizajt”. Mirëpo, Palushaj për arsye të një udhëtimi jashtë vendi nuk ishte i pranishëm në këtë ceremoni për ta marrë këtë çmim. Më tutje, kjo juri që ishte e përbërë nga Kamuran Goranci, përfaqësues i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Faik Krasniqi nga Fakulteti i Arteve, Enver Bylykbashi – Galeria e Arteve të Kosovës, Refki Gollopeni, përfaqësues nga Komuna e Suharekës dhe Lebibe Topalli përfaqësuese nga Komuna e Ferizajt, ka ndarë edhe çmimin e dytë “Kosova Art”, dhe i ka takuar piktorit Genc Rezniqi, ndërkohë, çmimi tjetër “Integrimi” i është ndarë piktores nga Shqipëria, Marjana Goxhabelliu.

Nga ana tjetër, me tri shpërblime speciale të “Gara e Artit Global”, kanë shkuar për piktorët, Constanza Perretta nga Argjentina, Maia Stefana Oprea nga Rumania dhe Idriz Berisha nga Kosova.

Organizatori i kësaj ekspozite, piktori Muhamet Ahmeti i njohur me nofkën Metis, ka deklaruar para të pranishmëve se ky edicion i “Gara e Artit Global” si nga pjesëmarrja dhe cilësia, shënon një nivel më të avancuar çka e bën të veçohet nga dy edicione tjera.

“Në këtë edicion të tretë të kësaj ekspozite ka prurje të reja dhe art ku në të artistët me përpikëri iu kanë përmbajtur temës që e kanë propozuar organizatorët. Me këto punime është synuar që ta zgjojnë kërshërinë e audiencës në këtë eveniment”, ka thënë organizatori Ahmeti, i cili mes tjerash ka shtuar se kjo sfidë garuese mobilizon artistë të zhanreve të ndryshme që të krijojnë vepra pamore në kërkim të bartjes së mesazhit më kuptimplotë për lirinë dhe vlerat që posedon ajo.

“Liria si vlerë universale në këto vepra pamore paraqitet me shumë dashuri dhe kreativitet. Simbolika e ndërtimit kompozicional e klorostik në këto tablo është domethënëse dhe pasqyron ndjenjën e lirisë tek secili realizim sipas kulturës së vendit prej nga vjen artisti. Tek disa vepra “Liria”, paraqitet më e lirë dhe më ndriçuese si lëvizje e lirë dhe pa asnjë barrierë ngarkuese”, ka theksuar ai.

Ndërkohë, piktorja shqiptare Marjana Goxhabelliu, ka deklaruar për “KultPlus” se me pikturën e saj që e bëri fituese në çmimin “Integrimi” ka nisur fiks me mesazhin që ka dashur ta paraqes para publikut.

“Këtë pikturë e kam punuar në qytetin e Suharekës. Ideja e pikturës me të cilën edhe fitova një çmim më erdhi papritur mbas emocionit dhe atmosferës që m’u krijua për atë vend. Nuk më pëlqen kur i lexoj veprat e mija, më shumë kam dëshirë që të tjerët t’i lexojnë këto punime”, ka thënë Goxhabelliu.
Piktoroi, Genc Rezniqi ka theksuar se në grafikën e tij digjitale ka paraqitur një djalë të ri që mundohet t’i kaloj barrierat sfiduese të jetës. Ky punim atij i morri kohë tre ditë për ta realizuar në një mënyrë interesante.

“Unë këtu kam paraqitur një djalë të ri i cili arratiset drejt lirisë. I tërë koncepti i kësaj pikture ka qenë e bazuar në idenë e organizatorit, Muhamet Ahmeti. Punimet i punoj zakonisht në tri faza të caktuara, ndërsa, dy pjesë të këtij punimi i kam realizuar në Kosovë, pastaj një pjesë tjetër me foli të nxehta e pata realizuar në qytetin e Triestes në Itali, kur isha në një udhëtim si turist dhe një teknikë e tillë deri më tani nuk realizohen në vend”, ka thënë Rezniqi.

Për të pranishmit, organizatori Ahmeti kishte përgatitur disa fletushka ku në të paraqiteshin veprat artistike të kësaj ekspozite duke përfshirë edhe autorët e njohur në botë.

“Bota është e lirë dhe ne lirshëm lëvizim mbi të. Pse mos t ndjehemi edhe më të lirë…”, ishin këto disa fjalë të shkëputura nga fjala hyrëse në këtë fletushkë të organizatorit të “Gara e Artit Global”, të Muhamet Ahmetit-Metis.