22 C
Prizren
E martë, 28 Prill, 2026
Home Blog Page 8888

Latifi uron Vehapin

0

SmajlLatifi-rahovecSmajl Latifi i AAK-së ka uruar kandidatin e PDK-së, Idriz Vehapin për fitoren e e arritur në balotazhin e 1 dhjetorit në Rahovec. Latifi ka uruar Vehapin edhe në emër të strukturave të AAK-së.

Sipas rezultateve të KQZ-së , Idriz Vehapi ka marrur 52,48% te votave, ndera Smajl Latifi 47,52%./PrizrenPress.com/

Lugina, preokupim i Qeverisë

0

BekimCollaku-keshilltarBekim Çollaku, këshilltar politik i kryeministrit të Kosovës, ka thënë se në takimin e radhës në Bruksel në mes të Thaçit dhe Daçiqit nuk do të diskutohet asnjë temë e cila nuk është diskutuar deri më tani.

Duke iu referuar kërkesave të përfaqësuesve të Luginës së Preshevës, që çështja e Luginës të diskutohet në Bruksel, Çollaku ka deklaruar se procesi i dialogut ka të bëjë vetëm me procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Pavarësisht kësaj, Çollaku ka thënë se çështja e Luginës së Preshevës mbetet preokupim i Qeverisë dhe kryeministrit Thaçi. “Kërkesa e përfaqësuesve të Luginës nuk paraqet ndonjë risi për ne sepse gjithmonë i adresojmë problemet dhe shqetësimet e tyre”, ka deklaruar Çollaku në një intervistë për “Epokën e re”.

Çollaku në këtë intervistë ka folur edhe për çështjen e zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit. Në këtë kontekst, ai ka vlerësuar se mbajtja e zgjedhjeve lokale edhe në veri të Kosovës paraqet thelbin esencial të zbatimit të kësaj marrëveshje. “Për mendimin tim, ky është thelbi historik i krejt marrëveshjes së Brukselit. Këtë duhet ta kenë të gjithë qytetarët e Kosovës. Çdo gjë tjetër është dytësore dhe jorelevante. Shmangia e ndarjes së Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve në veri dhe futja nën ombrellën e shtetit të katër komunave veriore është suksesi më i madh historik të cilin e kemi arritur ndonjëherë”, ka thënë Çollaku.

Krasniqi: Qytetarët treguan se duan ndryshime

0

Jakupkrasniqi10-6Unë kam qenë për ndryshime dhe konsideroj se me balotazh kanë ndodhur ndryshime të rëndësishme sa i përket ndërrimit të akterëve të qeverisjes.

Kështu ka thënë kryeparlamentari Jakup Krasniqi, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. Krasniqi tha se qytetarët e Kosovës kanë dhënë një mesazh të qartë se janë për ndryshime dhe janë për mirëqeverisje.

“E rëndësishme është se ndryshimet janë në interes të qytetarëve dhe kjo mendoj se është më e mira e mundshme që ka mund të del nga këto zgjedhje”, tha Krasniqi.

Ndërsa Adem Grabovci tha se Partia demokratike e Kosovës ndihet mirë me rezultatet e dala nga këto zgjedhje, pasi është partia e parë në nivel vendi. Megjithatë pranon se kanë pritur rezultate më të mira.

“Pozitive ka qenë mesazhi që është përçuar që institucionet tona janë të përgatitura për zgjedhje të lira, fer dhe demokratike. Kemi prit rezultate më të mira, por e përshëndesim vullnetin e qytetarëve të Kosovës”, tha Grabovci.

Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje ka veçuar fitoren e Shpend Ahmetit në Prishtinë, duke thënë se ajo është fitore për qytetarët e kryeqendrës. Ai tha se populli i Kosovës e ndëshkoi një qeverisje të korruptuar për t’i dhënë një lëvizje dinamike rrjedhave, që sipas tij i përmban programi i VV-së gjithnjë në të mirën e qytetarëve. /Kosovapress/

Thaçi: Dëshmuam emancipim të lartë politik e demokratik

0

Thaci7-03Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi vlerësoi lartë mbarëvajtjen e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, që u mbajt më 1 dhjetor.
Ai tha se qytetarët e Republikës së Kosovës edhe më 1 dhjetor, ashtu si edhe më 3 nëntor, me pjesëmarrjen e tyre në procesin zgjedhor dëshmuan një emancipim të lartë politik dhe demokratik.

“Mbajtja e zgjedhjeve të lira, fer dhe transparente, të organizuara mirë dhe me standardet më të larta ndërkombëtare, është sinjali më i mirë që u dërgua nga Kosova për mbarë botën demokratike, për miqtë dhe mbështetësit e proceseve demokratike në Kosovë. Sot për shtetin e Kosovës, për të gjithë qytetarët e saj është një ditë e lumtur, pasi përmbyllëm një proces jashtëzakonisht të rëndësishëm drejt konsolidimit të shtetit tonë, sovranitetit dhe institucioneve demokratike dhe legjitime të Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratën e kryeministrit.

Ai falënderoi qytetarët e Republikës së Kosovës, të falënderoj gjitha grupet politike për pjekurinë e treguar në këtë proces të rëndësishëm për të ardhmen evropiane të shtetit tonë.

“Për herë të parë, në historikun e saj, pas luftës, Kosova organizon zgjedhjet në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë këtu edhe katër komunat veriore të Kosovës. Për herë të parë, pas shpalljes së pavarësisë, Kosova organizon zgjedhje me pjesëmarrje të të gjitha grupeve etnike në gjithë territorin e saj. Kjo është një histori e re për Kosovën, është hapur një kapitull i ri, kapitulli evropian i konsolidimit të shtetit tonë”, thuhet në deklaratë.

Sipas tij, këto zgjedhje janë test evropian për Republikën e Kosovës. “Shteti ynë, Kosova, dhe qytetarët e Kosovës, kaluan këtë test jashtëzakonisht të rëndësishëm për të ardhmen e vendit, për të dëshmuar rendin demokratik, për të dëshmuar rolin aktiv të demokracisë dhe perspektivës së sigurt evropiane”, vlerësoi kryeministri Thaçi.

“Unë dëshiroj të falënderoj Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e plotë. Dua të falënderoj po ashtu institucionet e pavarura për punën e tyre të mrekullueshme, KQZ-në për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të gjitha institucionet e Sigurisë dhe Drejtësisë në Kosovë, si Policinë e Kosovës, Prokurorinë, EULEX-in, KFOR-in për punë e tyre të mirë, në veri dhe në gjithë territorin e Kosovës”, thuhet ndër të tjera në deklaratë

Harta politike pas zgjedhjeve lokale

0

Harta politikeZgjedhjet lokale në Kosovë kanë krijuar një hartë të re politike, nëse merren parasysh fitoret e kandidatëve për kryetar në secilën komunë veç e veç. Përmbysjet më të mëdha kanë ndodhur në Prishtinë, Gjakovë, Ferizaj, Mitrovicë të jugut, Pejë, Gjilan, Lipjan e Malishevë.

Partia Demokratike e Kosovës, me kandidatët e saj për kryetar, ka fituar në 10 Komuna. PDK ka arritur të ruaj udhëheqjen në Prizren, Skenderaj, Rahovec, Drenas, Klinë, Kamenicë, Vushtrri, Kaçanik, Dragash dhe Shtime. Megjithatë, PDK humbi edhe në qytete të mëdha dhe të rëndësishme si në Mitrovicën e Jugut, në Lipjan, në Malishevë, në Ferizaj dhe Gjilan.

Lidhja Demokratike e Kosovës, pas 14 vjet ka humbur Prishtinën, kryeqytetin dhe qytetin me numrin më të madh të votuesve. Ndërkaq në nivel të vendit, LDK ka shënuar një rikthim dhe ka fituar në 9 komuna. Kështu, LDK do të ketë sërish nën udhëheqje, Gjilanin, ka kthyer Pejën, ka ruajtur primatin në Istog, në Podujevë, Fushë Kosovë, Suharekë, Viti, si dhe ka rimarrë Lipjanin e Ferizajn.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në nivel vendi ka marrë mjaftë shumë vota, por ka humbur dy qytete të rëndësishme, Pejën dhe Gjakovën në rajonin e Dukagjinit. AAK ka arritur të fitojë në 3 komuna, në Deçan, Junik dhe Obiliq.

Aleanca Kosova e Re më në fund ka arritur të marrë nën udhëheqje 2 komuna shumë të rëndësishme, Gjakovën dhe Mitrovicën e jugut.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje, arriti të fitojë në Prishtinë me kandidatin e saj, Shpend Ahmeti, ndërkohë që nuk mori ndonjë përkrahje në qytetet tjera.

Iniciativa Qytetare Serbe e njohur edhe si “lista srpska” e sponsorizuar nga Beogradi, ka arritur që të merr pushtetin në 9 komuna të Kosovës. Shtrirja e këtij subjekti politik fillon nga Leposaviqi, Zubin Potoku, Zveçani, Mitrovica e veriut, Graçanica, Novobërda, Kllokoti, Parteshi e Ranillugu.

Një komunë me shumicë serbe ka fituar Partia Liberale Serbe, përkatësisht në Shtërpcë.

Iniciativa Qytetare për Malishevë, ka arritur t’ia marrë nga duart qeverisjen PDK-së, për mandatin e ardhshëm në Malishevë.

Kurse një kandidat i pavarur, Refki Suma, ka arritur të rikonfirmojë pushtetin e tij në Han të Elezit.

Edhe KDTP, nga komuniteti turk ka konfirmuar fitoren në Mamushë.

Ndërkohë, nëse merren parasysh përqindjet në nivel të vendit sipas votave që kanë marrë subjektet politike për asambletë komunale, del se PDK-ja është e parë, e pasuar nga LDK-ja, dhe më pas vijnë AAK, Vetëvendosje dhe AKR-ja./REL/

EULEX: Siguria është garantuar

0

EULEX-kosoveSipas vlerësimit preliminar lidhur me raundin e dytë të zgjedhjeve komunale të 1 dhjetorit në Kosovën veriore, të tre ofruesit e sigurisë, përfshirë Policinë e Kosovës (PK), EULEX-in dhe KFOR-in, i kanë përmbushur detyrat e veta në mënyrë profesionale.

Siguria në veri gjatë raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar komune në pjesën veriore të Mitrovicës, dhe gjatë rivotimit të pjesshëm në Zveçan, është garantuar, dhe PK-ja, KFOR-i dhe EULEX-i, në rolet e veta si reagues të parë, të dytë dhe të tretë, e kanë siguruar mjedisin dhe lirinë e lëvizjes për gjithë njerëzit e Kosovës, në përputhje me mandatet e veta.

“Jam shumë e kënaqur me rregullsinë gjatë raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar komune. Edhe këtë herë patëm një bashkërendim të shkëlqyeshëm mes EULEX-it, PK-së, KFOR-it dhe OSBE-së”, tha Joelle Vachter, ushtruese e detyrës së Shefit të Misionit EULEX në Kosovë.

Kalosh Çeliku: Qerrja e diellit iku në qiell

0

Kalosh ÇelikuIkja e papritur nga mesi ynë letrar e poetit, shkrimtarit dhe studjeuesit të letërsisë Abdullah Konushevci (1958 – 2013), vërtetë është një humbje e madhe për familjen dhe Letërsinë Shqiptare. Poeti ishte një zë i lindur kryengritës në jetë dhe letërsi. Përçudi, edhe Zonja Vdekje siç duket i do këta burra të penës, që përditë na ikin në heshtje para syve.

Inati të vjen dhe do të plasësh nga pabesia, pse nuk i do burrat e reklamave para kamerave televizive, që gjithë jetën na ngatërrohen nëpër këmbë si popull. Pajtohem me thënjen e popullit, se: Edhe Zoti e bënë përzgjedhjen e miqve, nuk i do njerëzit e rrasur këmbekrye në mëkate, nuk do të ketë probleme në Mbretërinë e tij Qiellore.

Mirë, ta marrë deri diku se edhe unë pajtohem me këto ligje dhe veprime të Zotit ose Naryrës. Atëherë, pse kërkojnë përgjegjësi nga ne si besimtarë të poezisë deri në vdekje?! Tjetër punë është me politikanët, që siç duket më së tepërmi i kanë përqejfi: ua kanë dhënë pushtetin dhe pasurinë, por jo edhe trurin në kokë. Ende vazhdojnë të na kërcnohen përmes misionarëve të tyre politik e fetar me Xhehnet dhe Xhehnem (Parajsë dhe Ferr). Vallë, a nuk do të ishte më mirë, Zoti politikanëve le t’ua japë pushtetin dhe pasurinë! Edhe, Xhehnetin! Falë u qoftë, edhe në këtë jetë, edhe në atë jetë! Vetëm, kurrë le të mos e mashtrojnë veten të na trokasin nesër te dera e Xhehnemit për ndihmë, nuk do t’u japim zjarr për Dimër. E kemi amanet dhe porosi nga plaku i urtë Xha Deralla. Burrë, që e ka pritur krahapur në vendlindje me shokë edhe poetin e Qerres së diellit, Abdullah Konushevcin me vargjet parashikuese:

Jam lodhur duke pritur
Zonja Mëmë
T’i nisësh shërbëtorët e Tu
(Dhe unë shërbëtor Yti jam)
Të m’i këputin hekurat
Jam bërë një ashtlëkurënajë
E ka rëndë
Dhe toka të më mbajë
Ku ta këput kokën
Mbështetur për muri
Ti Zonja Mëmë
Mos resht të m’i ledhatosh shpresat
Po mbahem për një fije floku
I bindur se është floku Yt i thinjur…

Miku i penës nëpër shkrimet e tia e la këtë porosi: … Po mbahem për një fije floku/ I bindur se është floku Yt i thinjur, ama armët (penën) pas mejdanit të m’i varni në një degë lisi. Amaneti është amanet, nuk mirret me vete në varr, po u lihet i lirë mbi tokë në sipërfaqe miqve të poetit. Zëri kryengritës t’i dëgjohet pas shtatë fushave e maleve në bibliotekë, shkolla e Universite. Dita e Nesërme do të vendosë se, kush do të hyjë në varr e kush do të arratiset në Qiell. Ligje të Natyrës janë këto, që vëshirë i realizon sot për sot edhe Zoti. O burrë, ky është fati ynë i artistëve: Nuk mund të dalim nga kjo lëkurë e qengjit, shkaku se, nuk kemi lekurë tjetër “artistike” derri.

Gëzohu miku im poet, që të ka marrë në mbrojtje dora e Zotit, e jo Dora e zezë kriminele. Përmëtepër, që nuk të kanë gjetur si kërcu në makinë lukzose me ndonjë dashnore ose disa kartele bankare me shuma marramendëse, në banka komerciale. E as, në ndonjë post politik! Përmëtepër, anëtar i tre Akademive të Shkencave me tre pensione të shteteve jugosllave e shqiptare.

Amaneti im, o mik është i një tjetër natyre shqiptare: Edhe, unë e di se nesër do të “cofë” edhe më zi se ti, si qen pas porte. Askushin nuk e pres në varrim, të më sjellë kurora të luleve rrëzë Çukës. Telegrame ngushëllimi nga kryeministra, ministra e politikanë të arratisur nëpër kabinete të Qeverisë. Përveç, familjes sime të ngushtë dhe cucave kërçovare me dajre, këngë e valle shqiptare duke më përcjellur në varr, nuk dua të shoh me sy e dëgjoj me veshë, asnjë njeri tjetër të sojit të dudumëve mbi kokë duke derdhur lotë krokodili me fjalime të gjata patetike!

Aspak, nuk ka qenë dhe është e lehtë lufta me penë. E sidomos në kohën kur jetoi e veproi miku im, poeti Abdullah Konushevci. Autori i Qerres së Diellit. Vargut që na trokiste nateditë mbi kokë, Shtëpi e Bibliotekë. Nuk ishte varg i Zogut Keq, e as Qyqes që e kërkonte të Vëllain lis më lis, po Bilbili i Ndre Mjedës. Paralajmërusit të Ditës së Nesërme: A thue po kjan, se çerdhen/ Ta ka shkatrrue skyfteri?/ A thue po kjan, o i mjeri,\ Se me rrnue gjallë s’ke mel?

Atdheu është Shtëpia e përjetshme e burrave dhe grave të Shqipërisë. Përsëgjalli, nuk e shiti veten me poste politike e as me pasuri, po i hapi krahët e Shqiponjës, flututoi si burrat në Qiell, jo nga minarja e xhamisë si Azreti Isai, po si Abdullah Konushevci nga Biblioteka Universitare e Prishtinës. Shpirti tij, i pastër dhe kryengritës prej poeti ende do të vazhdojë të bëjë dritë në Qiell.

O burra: Është vetë, Qerrja e Diellit, që iku papritmas në Qiell…

Jakov Solomoni, një emër i ri në letërsinë shqipe

0

JakovSolomoni-shkrimtarJakov Solomoni është një emër i ri në letërsinë shqipe, i cili debutoi në Shqipëri me librin e tij të parë “Treni i vonuar”. Ai është mirëpritur me një shkrim të gjatë dhe të hollësishëm të kritikes Mimoza Erebara në gazetën Nacional, gazetë letrare për të gjithë autorët që dëshirojnë të prezantohen. “Zëri i Amerikës” soli hollësi. Ai u lind dhe u rrit në Vlorë në një familje hebrenje; jetoi atje deri kur të gjitha ato familje shkuan në Izrael, në tokën e tyre, me ndërhyrjen e dy senatorëve amerikanë.

“Në fund të vitit 90 të filluan kontaktet me agjencitë hebraike dhe u mor vesh menjëherë se ne duhet të largoheshim nga Shqipëria. Kjo u realizua me një operacion sekret, kur dy nga senatorët amerikanë erdhën në Shqipëri dhe takuan presidentin Ramiz Alia, zëvendësi dhe nxënësi i denjë i Enver Hoxhës. Ai u dha atyre një dosje me të dhëna për hebrenjtë e Shqipërisë, të cilën e paguan rëndë natyrisht, paguan shumë dollarë, dhe u bë një marrëveshje sekrete midis tyre që hebrenjtë përmes një operacioni të vinin në Izrael për një periudhë gjashtë mujore, jo të gjithë në një grup”.

Dhe ky ishte fundi i sagës së mundimshme të një komuniteti stoik, që për ironi të fatit, mbeti i izoluar në Shqipërinë komuniste, por mbijetoi. Jakovi kujton mbrëmjet rreth tryezës familjare, kur para çdo darke gjyshja thoshte: “Herën tjetër në Jerusalem”.

Pas vendosjes në Izrael, ai i është kushtuar edhe pasionit shumë të hershëm për letërsinë. Tashmë është botuar në shqip libri i tij i parë në prozë dhe poezi me titull “Treni i Vonuar”. Shqipëria dhe Vlora në veçanti, dashura për atë vend dhe njerëzit e tij zënë një vend të spikatur në shkrimet e Jakov Solomonit.

“Një pjesë e jetës time është e lidhur ne Shqipërinë. Ata njerëz na shpëtuan jetën dhe ne duhet të dimë të falënderojmë”.

Jakovi thotë se në Shqipëri erdhën edhe 3200 hebrenj nga Evropa, veç rreth 200 prej tyre që sipas një statistike të viteve 60’ jetonin atje. Dhe të gjithë ata thotë ai, pa asnjë përjashtim u shpëtuan nga vendasit gjatë pushtimit gjerman dhe të gjithë u larguan nëpër vendet e tyre pas nëntorit 1944.

Ai ka ruajtur lidhjet me Shqipërinë, pavarësisht politikave të ndryshme dhe pengesave që i kanë dalë kohë pas kohe, thotë redaktorja dhe kritikja Mimoza Erebara. Dashuria e tij për Shqipërinë dhe dëshira për të dhënë mesazhe paqeje, thotë ajo, e tërhoqi në veprën letrare të Solomonit.

“Nëse lexon Solomonin barazimi gjithmonë është paqja, paqja dhe vetëm paqja. Është një autor që flet fuqishëm për këtë temë, për të cilën shoqëria shqiptare ka shumë nevojë. Paqe në politikë, paqe në ekonomi, paqe në familje, paqe në dashuri, një paqe universale”.

Jakovi thotë se hyri vonë në letërsi e shpjegon arsyet e kësaj vonese edhe në parathënien e librit.

“’Treni i vonuar’” është pikërisht Jakovi që u fut shumë vonë, shumë shumë vonë. Jam i vonuar në këtë drejtim dhe këtë e kam shkruar edhe në parathënien e librit dhe aty i shpjegoj arsyet. Megjithatë them që ky tren i vonuar, sadoqë vjen me shumë vonesë do të gjejë në stacion edhe pasagjerët e tij”.

“Treni i Vonuar” është libri i parë i Jakov Solomonit dhe doli pikërisht në Shqipëri në fund të vitit të kaluar. Mosha, thotë kritikja Erebara, nuk ka lidhje me shkrimin, ajo nuk do të thotë asgjë.

“Historia e letërsisë botërore njeh raste kur kanë filluar të shkruajnë pesë vjeç, tetë vjeç dhe pastaj janë zhdukur pa lënë gjurmë, ashtu siç njeh raste kur kanë filluar të shkruajnë 70 – 80 vjeç dhe kanë marrë Nobel. Pra nuk ka kufi, është një dëshirë e brendshme, e fjetur, që ndoshta ngarkuesit e jashtëm e sjellin në vëmendje dhe autori bëhet i vëmendshëm dhe shpërthen, një talent që e ka ndrydhur me vite ose humbet kur nuk e ka. Në rastin e Jakovit, mesa duket kemi pasur një poet në mesin tonë, por nuk e kemi zbuluar, por ai vetë e zbuloi veten dhe tani ne po e shtymë ta zbulojë akoma më shumë”.

Jakov Solomoni ka përgatitur për botim një libër të dytë me tregime që do të botohet së shpejti në Shqipëri, tregime me temë sociale ku sërish mesazhi i tij është paqja.

“Madje ka disa tregime që janë të lidhura edhe me Shqipërinë. Lidhjet që kemi pasur neve me vendasit, ato marrëdhënie që gjyshi im krijoi me fshatin shqiptar dhe sa dashamirës ishin ata ndaj tij, sepse edhe ai i ka ndihmuar, ka bërë shumë për ta. Kështu shpjegohet edhe miqësia që kishim ne me popullsinë atje, me të cilën kemi kaluar jashtëzakonisht mirë”.

Jakov Solomon jeton në Be’er Sheva të Izraelit, ku është i angazhuar edhe në jetën politike dhe shoqërore të vendit.

“Hylli i Dritës”, nuk do t’u shërbejmë kurrë partive, veç kulturës kombëtare

0

Hylli i drites“Hylli i Dritës” ka qenë organi i françeskanëve shqiptarë që është hapur e mbyllur disa herë. Është jo vetëm pioniere e revistave albanologjike shqiptare, por edhe një nga zërat më autoritativë të historisë së letrave shqipe. E filluan përfaqësues të nderuar të Provincës Françeskane, me në krye at Gjergj Fishtën por shpejt ajo e kaloi oborrin e tyre, pasi nuk ishte më vetëm zëri i intelektualëve katolikë, por edhe përfaqësimi i një grupimi shumë cilësor albanologësh, gjuhëtarësh, letrarësh, folkloristësh të mëdhenj, që ndikuan si pakkush në kulturën kombëtare. Me rastin e 100-vjetorit të botimit të saj, “Milosao” i përcjell një nderim të madh këtij organi që ka ndikuar si pakkush në kulturën kombëtare. Pranë kuvendit të Gjuhadolit më datë 2 dhjetor do jetë përkujtimi i saj i madh…

Intervistë me drejtuesin e “Hyllit të Dritës”, Ardian Ndreca për “Milosao”. Si e sheh ai kontributin e revistës në kulturën kombëtare dhe sfida për ta mbajtur atë sërish në jetë…”Ubi spiritus Domini ibi libertas” (Ku është shpirti i Zotit atje është liria) ka mbetur motivi i tyre kryesor

“Hylli i Dritës” ka pasur një nga fatet më të këqija në letrat shqipe pasi është mbyllur dhe hapur disa herë. Veç kushteve ekonomike, a mendoni se një nga arsyet kryesore ka qenë politika editoriale e saj?
“Besoj se Hylli i Dritës ka pase fatin e keq pse asht mbyllë katër herë, por edhe fatin e mirë pse ka lindë apo rilindë pesë herë. Asnjiherë arsyeja e mbylljes nuk kanë qenë shkaqet ekonomike, mbasi françeskanët kanë hangër edhe bukë e djathë por për kulturën kanë dhanë gjithçka. Në 1914 shkaku i mbylljes ishte politika imperialiste, kryesisht e Italisë por edhe e Fuqive tjera që kishin interesa dhe donin me e shkallmue Shqipninë e sapodalun prej zgjedhës otomane. Në vitin 1924 shkaku qe rreshtimi i klerit françeskan e atij katolik në përgjithsi me Gurakuqin dhe Nolin. Në vitin 1944 shkaku qe urrejtja e verbët komuniste ndaj traditës dhe ndaj klerit katolik. Në 1997 arsyeja duhet gjetë në kobin që i shkaktoi Shqipnisë politika vllavrasëse dhe grafullimet komuniste, anarkiste, me nji fjalë shtetshpërbamja që ushqeu Sali Berisha me nji seri eksponentash majtas dhe djathtas. Në 1997 Hylli i Dritës nepërmjet Át Zef Pllumit ishte rreshtue haptas kundër aventurës së firmave piramidale, por pa mbështetë anarkinë. Kam qenë vetë i pranishëm, së bashku me persona të tjerë, gjatë nji bisede telefonike ndërmjet Át Zef Pllumit që asokohe gjindej rastësisht në Romë, dhe Pjetër Arbnorit. Këtij të fundit, edhe si ish-bashkëvuejtës, françeskani i kërkonte shpërndamjen e parlamentit dhe krijimin e nji asambleje të të urtëve që të merrte në dorë gjendjen tue instaurue nji dialog ndërtimtar që politika nuk e donte kurrsesi në ato çaste”.

“Hylli i Dritës” është zhvilluar përmes katër etapave, që në fakt kanë qenë të detyruara prej ndërprerjeve. Cila mendoni se është kreshta e kurbës cilësore të saj?
“Mendoj se në periudhën 1930-1944 Hylli i Dritës ka përjetue nji fazë fatlume, por tue e lanë mënjanë modestinë, edhe periudha prej 2006 deri më sot shenjon nji rritje cilësore të dukshme të revistës, ketë gja e dëshmon padyshim edhe fakti që në vitin 2012 e përkohshmja asht renditë prej Anvur (National Agency for Evaluation of Universities and Research Institutes) në listën e revistave shkencore të vlefshme për habilitacionin akademik në Itali”.

Si u arrit që në këtë organ të përfshiheshin disa nga emrat më të njohur të albanologjisë?
“Emni i mirë i nji të përkohshmes, e ketë gja mund ta them me njifarë sigurie tue qenë se e drejtoj Hyllin e Dritës prej vitit 2006, mbahet dhe rritet prej dy faktorësh: prej së kaluemes së saj dhe prej së tashmes. E kaluemja e Hylli të Dritës në fillim na “peshonte” tue na ndërgjegjësue për barrën e randë që kishim marrë. Me sa duket prej fakteve, cilësia gjithnji e në rritje afroi emna të spikatun të albanologjisë dhe kjo gja asht e dukshme”.

A ka pasur ndonjë mundësi pas Luftës së Dytë Botërore edhe pas goditjeve ndaj Françeskanëve, që kjo revistë të funksiononte?
“Asnji mundësi. Komunizmi mbylli edhe disa organe shtypit me karakter fetar krejtsisht pa influencë dhe jashtë debatit politik, jo ma Hyllin e Dritës që kishte kontribue në mënyrë aktive në ndriçimin e shqiptarëve edhe ndaj rrezikut bolshevik. Dikush u rrejt prej ideologjisë komuniste, dikush tjetër mendoi se tue ndejt në liman pa ngrehë velat do t’i shpëtonte stuhisë, por gaboi, dhuna e ngritun në rang sistemi i fundosi edhe në liman do figura në pah. Të paktën Hylli i Dritës dhe Etnit që e drejtonin ranë tue ba detyrën e vet: tue i hapë sytë njerzve rreth rrezikut sllav dhe tue i drejtue thirrjen mos me ba nji luftë vëllavrasëse”.

Cilat janë disa prej debateve më të mëdha që ka gjeneruar kjo revistë?
“Ka shumë debate në këto dhjetë dekada. Fishta shkaktoi zemrimin e Fuqive të Mëdha me nji artikull të korrikut 1914 me titull “Nji komedi e pandershme e XX qindvjetë”. Po ai bani nji polemikë të fortë me Hilë Mosin me nji letër të hapun në dhjetor të vitit 1932. Po në këto vite ka disa polemika me I. Bebeziqin, I. Toton. Vitet e fundit Hylli i Dritës ka polemizue me fenomenin e neo-otomanizmit si edhe ka marrë pjesë në debatin e rishkrimit të historisë e në atë rreth figurës së Gjergj Kastriotit. Megjithatë nuk asht polemika forca e Hylli të Dritës, por veprimi ndërtimtar në lamijen e kulturës dhe shkencës”.

Cilat janë disa nga sfidat me të cilat përballeni në ditët tona dhe si funksionon politika juaj editoriale?
“Sfidat e Hylli të Dritës janë të lidhuna me dashuninë dhe mungesën e dashunisë për kulturën. Edhe indiferenca e vret kulturën, cektësia, injoranca e ngritun në piedestal në të gjitha fushat e jetës. Sot ka nji mungesë interesimi mbresëlanëse kundrejt kulturës. Hylli i Dritës del falë kontributit vullnetar të nji bërthame të vogël njerzish, nuk merr subvencione as prej Shtetit dhe as prej shoqatave dhe organizatave ndërkombëtare që derdhin tash dy dekada nji lum paresh në Shqipni. Megjithatë Hylli i Dritës funksionon dhe prodhon kulturë, ndërsa disa dhjetra pseudo-organe e sidomos shoqata etj. janë thjesht leskra kulturet dhe i shërbejnë herë njenes herë tjetrës palë politike, por mbi të gjitha i shërbejnë xhepave të atyne që i drejtojnë”.

A ka kufizime për autorë të besimeve të tjera?
“Nuk ka pasë asnjiherë kufizime dhe nuk ka as sot. Për ketë gja nuk ka nevojë që të më besoni mue, mjafton me pa emnat e autorëve që botojnë. I vetmi discrimen asht cilësia shkencore e punimeve”.

Si e shikoni “Hyllin e Dritës” në të ardhmen? A mendoni se do të ketë kufizime të tjera?
“Nuk mundem me parashikue të ardhmen, por edhe po pati nuk asht ndonji tragjedi e madhe. Lufta, ndeshja dialektike, thotë Herakliti, asht zanafilla e të gjitha gjanave. Edhe ndërgjegjësimi ynë, edhe vetë liria shpirtnore e ajo shoqnore janë fryt i nji ndeshjet mes të kundërtave. Un jam shumë larg utopisë naive të F. Fukuyama-ës apo ndonji tjetri që e sheh të mbyllun historinë, jemi në rrugëtim, do të ketë ndeshje, të vramë e të plagosun, por kam besim se betejën për kulturën do ta fitojnë forcat e dritës dhe jo ato të territ. Jo më kot në eksergo të Hyllit të Dritës gjejmë këto fjalë: Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht liria.
Kjo vlen edhe për laikët, në sensin e Idesë, të nji entiteti sipëran ideal që na udhëheq, që na ban me u ba ma të mirë, ma njerëz, ma të ndriçuem. Nëse asht transhendent apo imanent, kjo asht çeshtje tjetër, por të paktën deri këtu mund të dialogojmë pozitivisht si shoqni laike por e hapun. Hylli i Dritës rreh me përurue vlerat e jo me i kufizue ato, ky asht edhe shpirti i shën Françeskut. Ketë do të kremtojmë në Shkodër, pranë kuvendit të Gjuhadolit me datën 2 dhjetor, nji revistë 100 vjeçare që ecë me hapin e simotrave të veta ma të mira në Ballkan e ma gjanë”.

Vdes një simpatizant i VV-së

0

Simpatizant i VV-vdesNjë person duke kremtuar me simpatizantët e Vetëvendosjes në qendër të Prishtinës, pa pritur është alivanosur dhe është dërgaur në gjendje të rëndë në spital. Ndërkohë burime të Indeksonline, kanë bërë të ditur se ai sapo ka vdekur.

Lajmi është konfirmuar nga shërbimi emergjent në QKUK, përderisa identiteti i personit ka mbetur anonim. Mësohet se ai e ka humbur jetën si pasoj e një arresti kardiak që ka pësuar gjatë festës.