17.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

E parashikojnë balotazhin në Prizren

Abrashi-MorinaTre nëntori nuk do të përcaktojë fituesin e zgjedhjeve në Prizren. Analistët e zhvillimeve politike, parashikojnë se fituesi në këtë qytet, do të përcaktohet në balotazh. Sipas tyre, në zgjedhjet e 3 nëntorit në balotazh do të shkojnë PDK-ja dhe LDK-ja.

Analisti politik, Adnan Abrashi thotë se në balotazh do të shkojnë kandidati i PDK-së, Ramadan Muja dhe ai i LDK-së, Eqrem Kryeziu.

“Sa i përket zgjedhjes së kryetarit të Komunës për Prizrenin, edhe shumë më përpara kam paraparë një balotazh në mes të kandidatit të LDK-së, Eqrem Kryeziut, dhe atij të PDK-së, Ramadan Muja. Kjo tregon se, pa marrë parasysh shumë mangësi që realisht kanë si personalitete këta kandidatë, qytetari prizrenas edhe këtë herë do të votojë sipas inercionit të militantizmit partiak”, thotë Abrashi për “PrizrenPress”.

Sipas tij, shkuarja e këtyre dy kandidatëve në balotazh, do ta dëshmonte si të pasuksesshme marrëveshjen paraprake të kryetarit të PDK-së Hashim Thaçit të bëra me tetë parti minoritare të Prizrenit. “Shkuarja e pashmangshme në balotazh, njëkohësisht, do ta demaskonte edhe atë iniciativë gjoja se taktike-strategjike të Thacit që gjatë fushate në Prizren ta keqpërdori edhe vizitën shumë miqësore dhe dashamirëse të dy kryeministra tejet respektiv dhe reputativ nga ana e qytetarëve të këtij qyteti: kryeministrin Turk, Rexhep Taib Erdoganin ,dhe atë Shqiptar, Edi Rama”.

Abrashi parashikon se PDK-ja për të marrë pushtetin edhe një mandat para balotazhit do të lidhë koalicion me AAK-LDD. “Do të tentoj të lidh marrëveshje parazgjedhore edhe me koalicionin AAK-LDD, duke ja ofruar me këtë rast kandidatit të tyre, Lulëzim Kabashit, postin e zëvendëskryetarit të komunës?!!”.

Sipas tij, LDK-ja për të siguruar fitorën do të duhej të bëjë koalicion me se paku edhe dy subjekte tjera politike. “Oferta do t’i shkoj lëvizjes Vetëvendosje!, Bashkimit Demokratik të Zafir Berishës, si dhe asaj Konservatore, subjekte këto që do të kenë një numër të konsiderueshëm asamblistësh”.

Analisti Abrashi vlerëson se fushata zgjedhore e këtij viti nuk ka pasur risi dhe nuk ka dalluar shumë nga fushatat e kaluara.

“Shikuar për nga mënyra dhe performacat vizuale të fushatës prezantuese në përgjithësi , krahasuar me ato të mëparshme, edhe kjo e sivjetme nuk ka pas ndonjë risi të theksuar. Kuptohet edhe këtë herë kemi pasur përurime inventive në ditët e fushatës, premtimet boshe të natyrave të ndryshme megalomane, veprime groteske të politikanëve në opinion, përuljet dhe përgjërimet për një votë para qytetarëve…”

Edhe gazetar i “Zërit” nga Prizreni, Qazim Morina, thotë se Prizreni nuk mund t’i ikë balotazhit.

“Nuk është diçka e re të thuhet se Prizreni, do të shkojë në balotazh, që parashoh të zhvillohet në mes PDK-së, që lufton ta mbaj pushtetin dhe LDK-së, që pos përpjekjes për ta rikthyer, sikur është dukur që është përpjekur shumë edhe për t’ia nxjerrë “hakun” humbjes së Eqrem Kryeziut nga Ramadan Muja me 2007. Pra sa i përket kryetarit, edhe sivjet Prizreni do të jetë interesant vetëm në balotazh. Po ashtu nga ajo që është parë gjatë tubimeve parazgjedhore, edhe kandidati i koalicionit AAK-LDD kësaj radhe do të ketë një përkrahje më të madhe se herëve tjera”, tha Morina për “PrizrenPress”.

Morina vlerëson se edhe kjo fushatë nuk ka dalluar shumë nga ato paraprake. “Pos që mund të thuhet se kanë qenë më e varfër se herëve tjera, duke bërë që subjektet politike, e sidomos pjesa më e madhe e kandidatëve në Prizren, të kenë një lloj “skepticizimi” për fitoren e tyre, në një garë që do të jetë e fortë, sidomos për kandidatët meshkuj”.

Ai thotë se karakteristikë e këtyre zgjedhjeve ka qenë “varfëria” e listave me njerëz.

“Listat pothuajse të të gjitha partive në Prizren janë për të ardhur keq, sa që shumëkush këto ditë edhe më ka pyetur për kë të votohet. Asesi nuk mendoj që ky është “harxhi” i Prizrenit. Ata që meritojnë pengohen të kyçen, ndërsa ata nuk imponohen, aq më keq kur shohin, kush u del para sa herë shkojnë në zyre të partisë, ku më së shpeshti sillen përfituesit pa ndonjë profesion. E votimi siç duket do të shkojë për njerëz të fisit, e jo ata të merituarit, të cilët edhe ashtu të paktë i ke nëpër lista”./PrizrenPress.com/

Më Shumë

100 vjet nga vrasja e Avni Rrustemit

Avni Rustemi vdiq pas një atentati në Tiranë pranë Pazarit të Ri, më 22 prill 1924. Atentati ndaj tij u krye më 20 prill,...

Sylejman Selimi dhe Jahir Demaku lirohen nga akuzat për krime lufte

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka liruar Sylejman Selimin, ish-komandantin e UÇK-së nga akuza për veprën “krime lufte”. Ky vendim, është marrë gjatë seancës së...

Lajmet e Fundit