10.3 C
Prizren
E premte, 24 Prill, 2026
Home Blog Page 8963

Nga ditari im i pasluftës …

0

AdnanAbrashiShkruan: Adnan Abrashi

(Për enciklopedistët dhe uniniversalistët e qytetit tim)

E dija se Prizreni është qytet historik pranë Lumbardhit gjarpëror si dhe bukuroshja e gjithë Arbërisë. Po ashtu, e dija se Prizrenin si qytet e identifikojnë edhe shumë karakteristika tjera specifike që e dallojnë nga vendet tjera të Kosovës, si bie fjala: maniret e sjelljes aristokrate, traditat e shumta të shënimit të ceremonive të ndryshme, esnaifia, nga pak edhe koprracia, shqiptarët që mendojnë turqisht e flasin shqip…etj. Gjersa isha në vitet e para të gjimnazit, të them sinqerisht, i lakmoja, por edhe i smiroja disa persona të qytetit tim, të cilët ishin përplot “talent” dhe elan të pashoq, për të qenë të përfaqësuar në çdo vend. Ata, me prezencën e tyre, imponoheshin kudo dhe ishin përherë në qendër të vëmendjes. Unë i quajta “enciklopedistë” apo “universalitë”. Hapej një shkollë, një klub letrar, manifestim sportiv, apo organizohej ndonjë veprimtari tjetër kulturore-artistike, dhe ata ishin gjithnjë aty. Propozoheshin mes vete dhe zgjidheshin kryetar, sekretar, anëtarë të kryesisë, shpalleshin poetë më të mirë, gazetarë më të shquar…etj.

“S’ke se çfarë të bësh”- i jepja unë gajret vetes – “Ata publikisht ishin promovuar si talentë dhe bartës të të gjitha aktiviteteve të qytetit tim”. E, unë, me dyshimet e mia në vetvete dhe i mbushur përplot komplekse, nuk më mbetej gjë tjetër, veçse ta mallkoja veten pse nuk kam qëlluar aty afër, kur Zoti u ka ndarë njerëzve talentet!

E tëra kjo, aspak s’do të ishte interesante, sikur “univerzalistët” dhe “enciklopedistët” e mi nuk i hasa edhe në një veprimtari pak sa më serioze dhe më të komplikuar për nivelin e tyre intelektual – POLITIK. Ata, atëbotë, edhe në këtë sferë ishin kudo! Në LKJ-të, LSPP-të, LRS-të, LS-të, e sa e sa “lidhjeve” tjera të asaj kohe. Ishin prezent kudo, dhe dukej sikurse qyteti i Prizrenit nuk kishte njerëz dhe kuadro tjerë të aftë!

Vitet kalonin. Çdo gjë ndryshonte me të shpejtë. Armiku ynë i përbetuar më në fund hoqi maskat dhe tregoi fytyrën e vet të vërtetë. Populli im, nga një pushtim i heshtur aktiv, ra në një robëri mesjetare. Diskriminimet dhe segregacioni dukeshin në çdo pore të jetës.

Inteligjence jonë kudo poshtërohej. Mijëra e mijëra njerëz të mbetur pa punë. Shpirti i këtij populli – universiteti dhe arsimi, u goditën ashpër deri në zhdukje. Errësirë totale për një populli të lashtë dhe madhështor. Vetë momenti impononte se duhet të fillojë një epokë e re e mobilizimit të masave për një rezistencë popullore.

Eureka! Brohorita!

Më në fund i erdhi fundi “enciklopedistëve” dhe “universalistëve” të mi.
Mendova:” Gjatë këtyre sfidave të shumta që na prisnin në të ardhmen, do të na nevojiten njerëz të sinqertë, të mençur, të urtë dhe të aftë për profesionin e tyre, e jo si dikur, me ata “enciklopedistë” dhe “universalistë” që mendojnë se dinë çdo gjë”.

Merreni me mend se sa isha zhgënjyer?!

Përsëri, edhe në kohën e rezistencës sonë të”famshme paqësore”, sërish, të gjitha aktiviteteve u prinin “universalistët” dhe “enciklopedistët” e mi të njohur. Ata, përsëri ishin kudo në aktivitetet e institucioneve të pushtetit të krijuar paralel. Bile, i kishin edhe lokalet e veta ku takoheshin. Madje, ishte bërë shprehi që secili që e konsideronte veten nga pak intelektual, preferohej që të duket në këto lokale dhe të shihej ndonjëherë në shoqëri të tyre. Vaj hallin për cilindo individ, që me vetiniciativë dhe pa dijen e këtyre “daive”, tentonte të ndërmerrte diçka. E priste dënimi i ditur dhe i pashmangshëm: diskreditimi total përmes metodës tanimë të dëshmuar praktike – asaj të “THASHETHEMEVE”.

Në anën tjetër, situata politike në vend, dita-ditës tensionohej. Filluan protestat e mëdha popullore, në skenë doli UÇK-ja, e cila, e vetmja filloi të na ngjallte shpresën e një çlirimi të afërt që veç kishte filluar të na duket nga pak në horizont.

Më pas, si rrjedhojë e vazhdimësisë së kohës, erdhën bombardimet, NATO-ja, dhe më në fund kapitullimi i armikes sonë të përbetuar.

Me flamurin kombëtar në ballë, formacionet legjendare ushtarake të UÇK-së, veç ishin në Prizren. Në Prizrenin tim të çliruar. I kapluar nga gëzimi dhe entuziazmi i pa përshkruar i këtij çasti historik, kot kërkoja në mesin e këtyre të rinjve trima dhe krenarë, ndonjë nga “universalistët” dhe “enciklopedistët” e mi! Nuk e pashë asnjërin. Nuk i pashë, sepse ata nuk ishin aty. Ende nuk ishin kthyer nga Shqipëria…!”

Kjo storie e prezantuar e kohës sikur aspak nuk ndryshon edhe sot. Në të gjitha vendet më me përgjegjësi dhe të paguara më së miri, kudo mund t’i hasësh sërish ata: “enciklopedistët” dhe “univerzalistët” e mi të mëparshëm. Vërtetë edhe sot ata janë kudo dhe në çdo vend: në strukturat e shumë degëve të partive politike, deputetë, udhëheqës të firmave më rentabile tender-përfituese, kuptohet nëse jo vetë si aq të eksponuar, padukshëm janë të përfaqësuar përmes fëmijëve, grave, dhe familjarëve të tyre që i kanë të punësuar veçanërisht nëpër vende pune të paguara më së miri, sikurse janë, ta zëmë, bankat komerciale, fondacionet e ndryshme ndërkombëtare, si anëtar në ndonjë bord të ndërmarrjeve publike etj.

“Dynja, hee… dynja” – thotë populli.
“O tempora, o mores” – thonë latinët e vjetër.
Nuk e di edhe sa do të zgjat ky (a)moral por, ju garantoj se jo gjithmonë?!

 

Kadare: Kosova-Turqi? E kam shkruar prej kohësh te libri “Mosmarrëveshja”

0

IsmailKadare6-30“Qenia e Shqipërisë u detyrohej dy mburojave: shtetit osman dhe shtetit komunist. Kështu do të vazhdonte përpunimi në trajtë doktrinare i një prej turpeve të mendimit shqiptar, ideja se kombin shqiptar do ta kishte shuar prej kohësh vala sllave, në qoftë se nuk do ta mbronin osmanët. Se sa i rrejshëm ka qenë kërcënimi i parë, ai i Europës, e tregoi në mënyrën më të bujshme fundi i mijëvjeçarit, kur Europa do të bënte luftë për t’i mbrojtur shqiptarët. Sesa përrallë ka qenë ky i dyti, koha është duke e treguar përherë e më fort. I ashtuquajturi rrezik sllav për shuarje të kombit shqiptar, s’ka qenë veç një shpikje osmanistësh e neoosmanistësh, shqiptarë e turq bashkë, e cila, nga njëra anë përligjte sundimin osman, e nga tjetra ledhatonte krekosjen sllave për kinse fuqinë tërheqëse të sllavizmit…”.

Këto janë pasazhe nga libri “Mosmarrëveshja” e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, i botuar rreth 3 vite më parë, por që pas deklarimeve të tre kryeministrave në Prishtinë duken shumë aktuale, por edhe rihapin debat. Kreu i qeverisë turke, Taip Erdogan, i qeverisë shqiptare Edi Rama dhe i asaj kosovare, Hashim Thaçi, mbajtën fjalime afeksionuese për marrëdhëniet shqiptaro-turke gjatë inaugurimit të terminalit të ri të Aeroportit të Prishtinës, më 22 tetor. Ndër të tjera, Rama e Thaçi thanë se turqit dhe shqiptarët janë popuj vëllezër, dhe e quajtën “vëlla” Erdoganin, ndërsa ky i fundit tha: Kosova është Turqi dhe Turqia është Kosovë. Deklarime që kanë shkaktuar mjaft reagime, qofshin pozitive apo negative. Por, për Kadarenë duket se nuk janë të panjohura këto lloj “flirtimesh” mes shqiptarëve dhe turqve. I kontaktuar nga gazeta “Panorama”, në vend të një komenti apo replike, ai sugjeroi pikërisht librin “Mosmarrëveshja”. “Nuk i kam lexuar të plota deklaratat e tyre, por me aq sa jam njohur nuk mund të bëj ndonjë reagim apo koment të çastit. Sepse për marrëdhëniet e shqiptarëve dhe turqve unë kam shkruar prej kohësh te libri “Mosmarrëveshja”, ndaj nuk kam çfarë të shtoj tani gjë tjetër. Çfarë kam thënë në libër, mbeten aktuale…”, tha Kadare, duke na autorizuar njëkohësisht që të botojmë një pjesë ku flet pikërisht për marrëdhëniet e shqiptarëve dhe turqve…

EPILOG ME ZOTIN
…Që Shqipëria kishte pushuar së qeni e shtrenjtë për shqiptarët, ishte e lehtë për t’u besuar, por vështirë të vërtetohej. Që fortësia e saj pengonte dashurinë për të, as kjo s’mund të pranohej. I kapur si në ngërç, mendimi shqiptar për kombin vetvetiu prirej drejt formulës së re: më i fortë se kurrë, më i brishtë se kurrë. Ishte një kushtrim i ri, i sinqertë ose jo, për një rrezik të përfytyruar? Kronika shqiptare rrallëherë jepte shembull të tillë. Kishte pasur aq shumë rreziqe të vërteta, sa nuk mbetej vend për të rremet. Ndërkaq, himni i vjetër i shtetit, ai që na ka shoqëruar në këtë përsiatje, kishte gjasë të na çonte te një kuptim i ri i gjërave. Në fund të fundit, pllaka memoriale koniciane, motërzimi në mermer i himnit, nuk ishte veçse njëri nga kumtet himnoide, atij të fshehtit. Dhe si e tillë do të merrej. Që himni ishte po ai qysh prej krijimit dhe që pllaka memoriale këmbëngulte në të sajën, kjo dëshmonte për një patologji të kthyer tashmë në shenjë identitare. Shenja ishte tepër e pikëllueshme, nga ato që rrallëherë iu binin në pjesë popujve: ideja se ky komb ishte i padashur, për të mos thënë i papranueshëm prej të tjerëve. Ankesa, përveç që kishte diçka të padenjë, siç ndodhte shpesh me viktimizimin, do të kthehej më pas, gjatë rendit komunist, në një fortashtrojë (platformë) që do të përligjte një nga krimet kryesore të kohës: armiqësimin e Shqipërisë me botën, kryesisht me Perëndimin. Miti i një sulmi të mundshëm të këtij do të përligjte rendin diktatorial shqiptar, mizorinë, bunkerët dhe shterpësinë e tij. Krahas me të, si shëmbëllim i kësaj ankese, do të gjëllonte një tjetër, po aq groteske: fantazma e përthithjes sllave. Si rrjedhojë e kësaj, do të vazhdonte përpunimi në trajtë doktrinare i një prej turpeve të mendimit shqiptar, ideja se kombin shqiptar do ta kishte shuar prej kohësh vala sllave, në qoftë se nuk do ta mbronin osmanët. Me fjalë të tjera, qenia e Shqipërisë u detyrohej dy mburojave: shtetit osman dhe shtetit komunist. Se sa i rrejshëm ka qenë kërcënimi i parë, ai i Europës, e tregoi në mënyrën më të bujshme fundi i mijëvjeçarit, kur Europa do të bënte luftë për t’i mbrojtur shqiptarët. Se sa përrallë ka qenë ky i dyti, koha është duke e treguar përherë e më fort. I ashtuquajturi rrezik sllav për shuarje të kombit shqiptar, s’ka qenë veç një shpikje osmanistësh e neoosmanistësh, shqiptarë e turq bashkë, e cila, nga njëra anë përligjte sundimin osman, e nga tjetra ledhatonte krekosjen sllave për kinse fuqinë tërheqëse të sllavizmit. Në të vërtetë, sllavët ballkanas në Perandorinë Osmane, duke qenë vetë në gjendjen poshtëruese të rajasë, nuk kishin mundësi joshjeje, aq më pak asimilimi mbi të tjerët. As zhvillimi ekonomik e shoqëror e as identiteti i tyre i shtypur nuk jepnin dorë për diçka të tillë, sidomos përballë identitetit sprapsës e kryeneç shqiptar.
Shqipëria nuk ka qenë dhe as do të ishte e padashur prej familjes së kombeve. Madje mund të thuhej se, ashtu siç kishte zëra që ankoheshin për mosvëmendje ndaj Shqipërisë, po aq, në mos më shumë, kishte zëra të tjerë që ngulnin këmbë për vëmendje të tepërt, për të mos thënë, llastim të saj.
* * *
…Me kalimin e shekujve, jo veç të huajt, por shqiptarët vetë, gati-gati po besonin se Shqipëria nuk rrethohej më nga vise europiane, siç ishte në të vërtetë, por ishte zhvendosur drejt daljes së kontinentit të vet, në kufi me Azinë. Si e tillë, si hapësirë ndërprerëse a urë kalimi aziatiko-europiane, përftohej ajo që e kishte Azinë rreth një mijë kilometra larg. Ky status gjysmak, ky as-as (as Europë, as Azi), nuk do t’i ndahej Shqipërisë edhe pas shembjes së Perandorisë Osmane. Nuk ishte metaforë, por gërmadha e projektit makabër për shuarjen e një kombi. Shestimi kishte mbetur përgjysmë. Në zanafillë të tij ishte një hakmarrje e egër, nga ato për të cilat perandoritë ishin veçanërisht të afta. Nga gjithë popujt e gadishullit, shqiptarët, si dëmtuesit më të mëdhenj të vrullit osman te portat e Europës, do të merrnin edhe ndëshkimin më shembullor. Nga popujt e Ballkanit Perëndimor, ky ngjante si i krijuar enkas për shpagim të tillë. Ndryshe nga grekët dhe sllavët, që kishin mbrojtjen e tërthortë, të parët, të trashëgimisë bizantine, të dytët, të farefisnisë sllave, shqiptarët s’kishin askënd. Midis shpërfilljes dhe heshtjes, pa iu dhimbsur kujt dhe pa dëshmi, ata pësuan një prej zezonave më të mëdha që ka njohur bota: dergjën osmane.

Midis sajesave të botës, ato që mund të pillnin një dergjë ishin ndër më të paparashikueshmet. Në rastin turko-shqiptar, ndodhi diçka që historia nuk e ka sqaruar ende plotësisht. Një lodhje nga ato që cilësohen në të gjithat gjuhët e botës si “lodhje vdekjeje”, por që në këtë rast merrte kuptimin e kryehershëm të saj? Një lodhje sunduesish e të sunduarish bashkë? Një stërvdekje a një mbimort?

Prej shurdhimesh të tilla mund të pritej gjithçka. Nga shurdhimi osmano-shqiptar u sajua diçka e frikshme në befasinë e saj: prirja për t’u marrë vesh. Në vështrim të parë, thirrja e osmanëve “bëhuni turq” do të merrej si një kulm i shpagës e i poshtërimit. Me fjalë të tjera: ju na penguat te portat e Europës? Ne e morëm hakun: ju mundëm. Ua morëm dheun, shpirtin, gratë, foshnjat, gjithçka. Dhe prapë mos kujtoni se e shlyet fajin! Tani ju do të harroni kush ishit. Do të ulni kryet, jo më si shqiptarë, por si ish-shqiptarë, dhe ashtu, në gjunjë, do të kërkoni ndjesë. Në të vërtetë, nuk ka qenë kurrë kështu. Thirrja për t’u kthyer në turq s’ka qenë asnjëherë e drejtpërdrejtë, por tepër e tërthortë. Dhe asnjëherë me një kumbim hakmarrës, përkundrazi si një venom. Tingëllimi i vërtetë i saj do të ishte: u bë ç’u bë, le ta harrojmë. Në qoftë se doni të shijoni të mirat e perandorisë, bëhuni si ne. Thirrja e fundit ishte gjithashtu tepër e përkorë. Për të shmangur fjalën plagosëse “turk”, ishte gjetur myslimanizmi, një nga tri besimet kryesore të botës. Ishte çelësi i artë, kushti i vetëm për të hapur portën e mundësive të mëdha: karrierës, pasurisë, lavdisë. Ishte joshja që i bënte perandoria fitimtare popullit të mundur, hapësira e pafundme hapësirës së ngushtë, së fundmi favori befasues, që ngjante dyfish i tillë, ngaqë vinte në vend të ndëshkimit.

Tundimi ishte tronditës. Lëkundja gjithashtu. Nuk ishte veç një hap, një zgjedhje, një lamtumirë. Madje dhe kjo e fundit s’ngjante aq dramatike siç mund të ishte dukur. Nën të njëjtin pullaz katolik mund të jetonte vëllai mysliman. Shkurt, prej të njëjtit qumësht nëne mund të rriteshin vëllezër të ndryshëm. Edhe më shkurt: brenda racës shqiptare, po gjëllonin vatrat familjare dybesimëshe. Ndërkohë, mosbesimi i të dy palëve ndaj njëra-tjetrës duhej të ketë qenë i pafund. Ishte e natyrshme që secila palë të dyshonte se tjetra ia kishte me dredhi: shqiptarët do të hiqeshin sikur ishin ndarë me kryqin, pa u ndarë, kurse osmanët s’do të mbanin asnjë premtim, si çdo sundues. Vitet kalonin, por rënia e maskave, aq shumë e pritur, nuk ndodhi asnjëherë. Po ndodhte e kundërta. Shqiptarët, të ndarë më dysh, me kryq e pa kryq, do të vazhdonin jetën e tyre. Ata të kryqit, do të mbartnin, siç thuhej, kryqin, e të tjerët do të gëzonin postet e premtuara. Shqipëria i ngjante një teatri, ku në të njëjtën skenë luhej herë drama e robërisë e herë ajo e lirisë, pa u qartësuar asnjëherë se cila ishte e vërteta dhe cila e rremja.

Në këtë luftë maskash, kombi shqiptar humbte çdo stinë e çdo vit. Shfaqeshin çdo stinë shqiptarë me famë dhe pasuri, por, ashtu si në përrallat me kapërcim të ylberit, fill pas kapërcimit, pra matanë ylberit, ata s’ishin më shqiptarë. Rrallëherë në histori kishte qëlluar që fama dhe lavdia vetjake e personazheve, në vend që t’i vinte në ndihmë kombit që i përkisnin, ktheheshin kundër tij. Do të mjaftonte vetëm shembulli i postit të kryeministrit perandorak, që iu dha shqiptarëve, prej të njëjtit shtet që ndalonte me dekret shkrimin e gjuhës shqipe, për të kuptuar se në ç’nyjë tragjike kishte hyrë fati shqiptar…
Tiranë-Paris,
Verë dhe dimër 2010-2012

(Panorama)

Promovohet “Lekë Matranga” nga autori arbëresh, Matteo Mandalà

0

ooooVjen më në fund në duart e lexuesve dhe studiuesve një tjetër botim shumë i rëndësishëm, siç është libri “Leke Matranga”, nga autori arbëresh Matteo Mandala.Kjo vepër konsiderohet të ketë vlerë të madhe historike dhe gjuhësore, pasi është shkruar duke u bazuar në dorëshkrimet e Lekë Matrangës, që datojnë në vitin 1592, disa vite pas “Mesharit” të Gjon Buzukut. Vetë Mandala thotë se kjo vepër është rezultat i një pune kërkimore shumëvjeçare.

Ky libër me vlerë të madhe për studiuesit e gjuhës shqipe, vjen sot duke iu përmbajtur personazheve dhe mënyrës origjinale të të trajtuarit të tyre nga Lekë Matranga.

Ikin nga partitë e tjera, aderojnë në PDK

0

Lubizhd mujaIshin të ngushta ambientet e SHFMU “Mustafa Bakiu” për t’i zënë të gjitha simpatizantët e PDK-së të Nëndegëve “10 Qershori” , “Vëllezërit Stavileci” dhe “Lidhja e Prizrenit”, të cilën të mbrëmjen e së enjten ishin mbledhur për t’i dhënë mbështetje kandidatit të PDK-së Ramadan Muja dhe kandidatëve të këtyre nëndegëve. E veçanta e këtij takimi ishte se në këtë takim pati mbi 20 aderime të reja në PDK nga partitë tjera. “Jemi bindur se e vetmja alternativë për Prizrenin është PDK-ja dhe nuk duam që vota jonë të humbet, por të shkojë në atë parti që ka bërë e do të bëjë për Prizrenin Europian”.

Kandidati për kryetar të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, ka theksuar se banorët e këtyre tri lagjeve në të ardhëm do ta kenë mbështetjen e Komunës edhe më shumë, se sa sot.”Brenda pak viteve do të jenë pjesa nga do të kalojë rruga që të shpie në Zonën Turistike të Kalasë së Prizrenit, projekt ky që do të jetë një risi për turizmin e qytetit tonë historik”

Ndërsa Enver Hoxhaj, ministër i Punëve të Jashtme duke folur për ndryshimet që i ka përjetuar Prizreni me udhëheqjen e Ramadan Muja, i cili me votën e qytetarëve të Prizrenit do ta meritojë edhe në të ardhmen përkrahjen e Qeverisë së Kosovës.

Në këtë tubim pos bartësit të listës së PDK-së kanë folur edhe kandidatët për Kuvendin e Prizrenit Skender Kapra, Ali Thaqi , Nue Çollaku dhe Elhame Berisha, të cilët kanë kërkuar që kështu siç kanë ardhur sot në tubim, të dalin masovikisht në votime edhe në ditën e zgjedhjeve më 3 nëntor dhe të votojnë për numrin 99 për ardhmërinë e Prizrenit./PrizrenPress.com/

 

“Bajram Curri” ia garanton votën Mujës

0

Tubimi ne Bajram Curr 222Kandidati i PDK-së për kryetar të komunës së Prizrenit, Ramadan Muja i shoqëruar nga Ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj, anëtarë të Kryesisë së PDK-së, ka mbajtur një tubim me banorët e Lagjes “Bajram Curri”. Muja në këtë lagje është pritur në mënyrë masovike .Enver Hoxha, duke folur për portretin e Ramadan Mujës, ka theksuar se Prizreni ka fatin që ta ketë një akademik të nderuar, që është i përkushtuar ta bëj Prizrenin Europian. Ai në vazhdim ka folur për përkrahjen e madhe që ka Prizreni nga Qeveria e Kosovës dhe “se këtë përkrahje do ta ketë edhe në të ardhmen”.

“PDK-ja është e bindur në fitore, andaj qytetarët nuk duhet të hamendën për votën e tyre, por të vendosin që PDK-ja ta vazhdoj qeverisjen për një ndërtim dhe zhvillimin të hovshëm”. Kandidati për kryetar të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, duke shpalosur programin zgjedhor të PDK-së është ndalur te lagjja “Bajram Curri”.

Ai tha se në këtë lagje gjatë këtyre viteve janë investuar mbi 8 milion euro.”Kjo lagje është shndërruar në lagje moderne”. Në këtë lagje janë ndërtuar dy shkolla dhe në pranverë pritet që të nisin punimet edhe shkolla e mesme, përkatësisht të një gjimnaz.”Në këtë mënyrë kjo lagje do të bëhet Kompleks i shkollave të mesme, meqë e kanë edhe Universitetin më afër se çdo lagje tjetër”. Ndërsa kandidati për Kuvend të Prizrenit nga kjo lagje ,Masar Shala tha se çdo votë është obligim për të përmisuar jetën e qytetarëve të kësaj lagjeje.

“Kërkoj që me 3 nëntor të mos hamendeni fare për ta hedhur votën më 3 nëntor për PDK-në, sepse nuk ka alternativë tjetër, që do të jetë në gjendje të bëjë më shumë për banorët lagjes sonë dhe për Prizrenin në përgjithësi sesa PDK-ja, andaj vota për PDK-në është votë për një zhvillim dhe përparim të shpejtë” Në këtë tubim spektakular ku kanë qenë mbi 700 kryefamiljarë të kësaj lagjeje, ka folur edhe bartësi i listës së PDK-së për PDK-në Nijazi Kryesiu./PrizrenPress.com/

Përdrinia përkrah fuqishëm Ramadan Mujën

0

Tubim ne PerdriniPDK-ja në Prizren fushatën zgjedhore e ka vazhduar në fshtrat e Përdrinisë. Të pranishëm në këto tubime, kryesisht kanë qenë kryefamiljarë. Ata kanë premtuar se mosovikisht do të dalin më 3 nëntor në votime dhe do të votojnë për PDK-në dhe ramadan Mujën për kryetar të Prizrenit.

Nënkryetari i parë i Degës së PDK-së dhe njëherësh deputet në Parlamentin e Kosovës, Nait Hasani para banorve të fshatit Zojz ka kërkuar që së pari të votohet PDK-ja dhe Ramadan Muja, e pastaj të votohen kandidatetë për Kuvendin e Prizrenit nga Pëdrinia. “Kërkoj nga ju që më 3 nëntor, të dilni masovikisht në zgjedhje së bashku me familjet tuaja, të votoni për PDK-në, që është alternativa e vetme serioze për të ardhmën më të mirë tonën”, tha Hasani.
Tubim elektoral është mbajtur edhe në nëndegët e fshatrave Qëndresë dhe Landovicë, ku nga anëtarët e kryesisë dhe shtabit zgjedhor me pjesëmarrjen edhe të kandidatëve është kërkuar të që të votojnë për PDK-në dhe kryetarin e Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja.
Në këto tubime kandidatët kanë rikujtuar , investimet që janë bërë si dhe programi zgjedhor i PDK-së.
“PDK-ja ka dëshmuar me punën e mrekullueshme që e ka bërë në këto anë e meriton ta ketë mbështetjen dhe votën tonë”
Në vazhdën e takimeve me banorë të fshatrave të përdrinisë është mbajtur mbrëmë edhe një takim me banorët e fshatit Medvec, ku kryetari i nëndegës Bislim Krasniqi nga të pranishmit ka kërkuar votën për PDK-në dhe kandidatin për kryetar komune Ramadan Muja./PrizrenPress.com/

Tiranë, filmi “The Superintendent” përzgjidhet tek Festivali Ndërkombëtar i Filmit

0

74862Filmi i regjizorit të talentuar Roland Uruçi me titull “The Superintendent” do shfaqet në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë te premten, me datë 25 tetor 2013. Filmi me metrazh të shkurtër, me skenar dhe regji të Roland Uruçit ka tre protagonistë kryesorë: Kate Mason, Brooke Volkert dhe John Noel. Kinematografi i filmit është Albert Elmazovski me producent asistent të xhirimit, Kastriot Uruçi.

“Ta kem filmin tim të parë si përzgjedhje e Festivalit të Filmit në Tiranë është si të marr aprovim nga familja ime shqiptare. Ndjehem tepër i gëzuar që filmi im gjeti vatrën e vet,” u shpreh regjizori dhe skenaristi i njohur Roland Uruçi.

Xhiruar në New York, Amerikë filmi bazohet në një histori të shkurtër shkruar nga Blerta Alikaj. Produksioni u mbarua në 2013-të dhe filmi zgjat 18 minuta.

Filmi i referohet një teme shumë interesante të kulturës shqiptare, burrneshat dhe rrëfen historinë se si një burrneshë, Shota, imigron në Amerikë dhe bëhet manaxhere roje pallati. Të gjithë mendojnë se Shota (luajtur bukur nga Brooke Volkert) është burrë sepse ka karakteristika mashkullore.

Filmi nxjerr në pah një histori shumë emocionuese dhe të fuqishme dhe tregon se çfarë ndodh kur e vërteta del në pah dhe pasojat që le pas. Shpeshherë në jetë ndodh që njerëzit kanë sypozimet e tyre për dikë, pa ditur sakrificat, sfidat dhe të vërtetën që kalon ai person. Shota detyrohet t’i rrëfejë sekretin e saj një të huaji dhe historia ndërthur shumë bukur konfliktet socio-kulturore dhe ato gjinore të shoqërisë.

Ky fenomen akoma praktikohet sot në Shqipërinë veriore, Kosovë, Montenegro dhe Bosnje, një traditë e vjetër lindur para 300 vitesh, përmendur që me Kanunin e Lekë Dukagjinit. Ndërkohë kur vashat e reja ëndërrojnë të martohen, ndër shekuj burrneshat betohen për virgjëri para krerëve të fshatit për t’u bërë burrë për të dalë në luftë ose për të përballuar detyrat e familjes. Ky koncept kulturor është mjaft i huaj për kulturën amerikane dhe ndryshon nga termi “orientimi seksual” siç përdoret më shumë në Sh.B.A.

“Burrneshat kanë karakteristika shumë të veçanta dhe të papara për vendet e tjera të botës. Për shqiptarët ka të bëjë me identitetin dhe perceptimin e karakterit të fortë, vjen nga një kulturë e lashtë që pranohet si traditë nga shoqëria shqiptare. Ky koncept është i huaj për kulturën amerikane dhe bie në konflikt me pranimin e orientimit dhe identitetit. Kur u shfaq filmi në New York ka patur shumë komente pozitive dhe filmi u pëlqye shumë sepse është një film tepër unik,” tha regjizori i filmit ‘The Superintendent’, Roland Uruçi.

Regjizori Uruçi ndjehet krenar me projektin e tij të parë, që nxorri në pah një histori majft të veçantë për publikun amerikan dhe atë të huaj, duke i nxitur të mendojnë rreth temave të identitetit, kulturës dhe rolit gjinor në familje.

“Ishte një eksperiencë shumë e mirë në krijimin e një historie duke i shtuar aspekte të kulturës time shqiptare dhe duke e bërë të pranueshme për publikun amerikan. Falenderoj Blerta Alikën që më besoi mua me historinë që ajo shkruajti për ta zhvilluar në film, si dhe Albert Elmazovski (kinematograf i filmit The Superintendent, nga Dibra me origjinë) që e solli vizionin tim në kamera për të krijuar një histori reale dhe të bukur,” shtoi regjizori Roland Uruçi./BW/

Kabashi premton punësim edhe në Caparc

0

k ne caparc

Në vazhdën e takimeve elektorale për zgjedhjet e 3 nëntorit, kandidati i koalicionit AAK-LDD për kryetar të Prizrenit Lulzim Kabashi i shoqëruar nga bashkëpunëtorë të tij ka mbajtur takim me banorët e fshatit Caparc,.

Ai në këtë fshat prezantoi programin e tij qeverisës për komunën e Prizrenit, gjatë katër viteve të ardhshme.

Kabashi tha se gjatë mandatit të ardhshëm qeverisës, secila familje në komunën e Prizrenit do të ketë së paku një anëtar të punësuar, dhe kjo do të arrihet përmes zhvillimit ekonomik të bazuar në katër shtylla të qëndrueshme duke përfshirë funksionalizimin e zonave industriale, investimet në bujqësi, turizëm dhe ndërtimtari.

“Funksionalizimi i zonave industriale, investimet në bujqësi duke përfshirë blegtorinë dhe nënsektorët tjerë të bujqësisë, investimet në turizëm dhe ndërtimtari, do të ndikojnë në hapjen e vendeve të reja të punës, i cili është edhe synimi jonë kryesor”, tha Kabashi.

Ndërkaq sa i përket investimeve kapitale në rregullimin e ujësjellësit, kanalizimit dhe infrastrukturës rrugore në përgjithësi, Kabashi tha se këto janë kërkesa të mundshme për t’u realizuar, dhe qeveria e ardhshme komunale do të ketë vëmendje të posaçme që këto të rregullohen në gjithë territorin e komunës së Prizrenit duke përfshirë edhe fshatin Caparc, sepse këto janë gjëra elementare për jetë të cilat tashmë do duhej të ishin të rregulluara./PrizrenPress.com/

 

Kabashi vizitoi UPZ-në

0

kabashi upzKandidati i koalicionit AAK-LDD për kryetar të Prizrenit Lulzim Kabashi, është takuar me Rektorin e Universitetit të Prizrenit Mazllum Baraliu.

Kabashi e Baraliu në këtë takim kanë biseduar për gjendjen aktuale të funksionimit të Universitetit të Prizrenit, dhe problemet e përgjithshme të këtij institucioni të rëndësishëm arsimor për qytetin e Prizrenit. /PrizrenPress.com/

Kabashi vizitoi Shoqatën “Hadër”

0

kabashi haderKandidati i koalicionit AAK-LDD për kryetar të Prizrenit Lulzim Kabashi me bashkëpunëtorë të tij është takuar me drejtues të Shoqatës Humanitare “ Hader “.

Ai premtoi se në qeverisjen e ardhshme Komunës së Prizrenit që do të udhëhiqet nga koalicioni dhe ai si kryetar do të ketë vëmendje shumë të madhe për personat me ngecje në zhvillim mendor.

Ndër kërkesat e drejtuesve të shoqatës ” Hader ” , ishte rritja e stafit edhe për katër punëtorë. Kryetarja e kësaj shoqate Resmie Krasniqi, njoftoi Kabashin se aktualisht në këtë shoqatë trajtohen dhe jetojnë dymbëdhjetë persona me aftësi të kufizuara mendore që kanë ngelur pa prindër, ndërsa numri i përgjithshëm i anëtarëve të regjistruar në këtë shoqatë ka arritur shifrën në 205.

“Krejt aktiviteti që bëhet në këtë qendër, realizohet në saje të punës vullnetare”, tha ajo. /PrizrenPress.com/