8.6 C
Prizren
E enjte, 23 Prill, 2026
Home Blog Page 8970

Gjet Ndoj, drejtor i Arkivit të Shtetit të Shqipërisë

0

NdojKryetari i Partisë Aleanca Arbnore Kombëtare është emëruar nga
kryeministri Edi Rama drejtor i Arkivit Qendror të Shtetit. Dje Ndoj është
prezantuar në institucionin e ri që do të drejtojë nga këshilltari juridik i
kryeministrit Rama, Artur Metani, para administratës së Arkivit Qendror. Ndoj,
me profesion historian, ishte kryetar i AAK, e cila hyri në koalicionin
parazgjedhor të drejtuar nga PS dhe LSI në zgjedhjet e 23 qershorit. Partia që
ai drejton mori 3575 vota në këto zgjedhje, ndërsa në muajin korrik drejtuesi i
koalicionit fitues, Edi Rama, e emëroi koordinator të koalicionit fitues për
zbatimin e marrëveshjes së PS-së me 35 partitë aleate.

Gjet Ndoj, me profesion historian, numëron
disa botime të karakterit historik. Në vitin 2005 ai boton “Udha e
shqiptarëve”, në 2006 Gjin Marku dhe lufta, në 2009 Ndoj boton “Antologji
historike”, ndërsa në 2012 ai është bashkautor me pesë studiues të tjerë në
librin “Mirdita në konferencë”.

Sekuestrohen armë në Malishevë

0

ArmaNë vazhdën e një operacioni ndërkombëtar kundër narkotikëve, janë bastisur dy shtëpi: njëra në Malishevë dhe tjetra në Maxharrë, me ç’rast gjatë bastisjes janë gjetur armë.

“Në një shtëpi në rrugën “Imer Krasniqi” në Malishevë janë gjetur dy armë automatike: një kallashnikov AK-47 me numër serik 056027-88 me 50 fishekë dhe një armë automatike EN-MP5 me numër serik YU06922HI e kalibrit 9X19 mm me 21 fishekë. Për hetime te më tejme një person është arrestuar dhe po mbahet nën masën e arrestit policor për 48 orë.

Ndërkaq në Maxharrë, në një shtëpi, gjatë bastisjes është gjetur një pistoletë me gaz e tipit “Bruni “ modeli 92 kalibri 8 mm. Armët e sekuestruara dhe shkresat e lëndës do t’i kalojnë prokurorisë për procedura të më tejme”, thuhet në kumtesën e policisë në Prizren. /PrizrenPress.com/

Vetëvendosje! përballë partive të tjera në Malishevë

0

Krasniqi-LlaziceLëvizja Vetëvendosje! Qendra në Malishevë, ka mbajtur tubim me qytetarët e fshatit Llazicë, ku kanë shpalosur Alternativën qeverisëse lokale.

Kandidati për kryetar të Komunës së Malishevës, Alban Krasniqi, kritikoi investimet jocilësore, të bazuara vetëm në interesin elektoral, duke u shprehur se fshati Llazicë, njësoj si e gjithë Komuna, duhet t’i dënojë me votë pushtetarët në ikje, që motiv të keqqeverisjes së tyre e kanë pasur trashjen e xhepave nëpërmjet asfalteve të hollë. Sipas Krasniqit, gara në Malishevë është vetëm midis dy subjekteve: Lëvizjes Vetëvendosje! dhe partive të tjera, të cilat janë krejt njësoj midis tyre.

“Vetëvendosje! angazhohet për një qeverisje me qytetarët dhe për qytetarët, duke u përqendruar tek administrata efektive; zhvillimi i bujqësisë dhe hapja e vendeve të reja të punës; shkollat apartiake dhe shëndetësia cilësore për të gjithë; infrastruktura dhe ambienti që sigurojnë një jetë normale për qytetarët”, tha Krasniqi.

Ai tha se është koha që Malisheva të ndryshojë, dhe ndryshimi i vërtetë vjen me Alternativën e Lëvizjes Vetëvendosje!. “Me ne, buxheti i komunës do të jetë thjeshtë dhe vetëm buxhet i qytetarëve, e jo sikurse sot, buxhet i keqpërdorur nga hajnat. Prandaj, të angazhohemi bashkërisht për ndryshimin e madh. Lëvizja Vetëvendosje! ka guximin, idetë, vizionin dhe njerëzit energjikë për ta transformuar e zhvilluar Komunën e Malishevës”, përfundoi Krasniqi.

Ndërsa, bartësi i listës për Kuvend Komunal, Muhamet Bytyçi, para banorëve të Llazijës u shpreh se qytetarët e Malishevës nuk duhet të votojnë në bazë të premtimeve a shantazheve që mund t’u bëhen nga pushtetarët e sotëm, por mbi bazën e veprimtarisë së gjithsecilit subjekt politik. “Lëvizja Vetëvendosje! ka treguar se është Alternativa e vetme, e cila ka qëndruar gjithmonë përkrah qytetarëve. 3 nëntori vendos ndryshimin pozitiv që ofron VETËVENDOSJE!, ndryshim i cili nuk është vetëm për të tashmen, por edhe për gjeneratat e ardhshme”, tha Bytyçi.

Ndërkaq, anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje!, Gani Krasniqi, tha se i vinte mirë që kudo ku shkon në fshatrat e Malishevës, vë re një mbështetje të madhe të të rinjve për Vetëvendosje!-n. “Rinia është shpresa për ndryshime rrënjësore, është lokomotiva e ndryshimit dhe zhvillimit shoqëror”, u shpreh Krasniqi. Ai iu bëri thirrje pjesëmarrësve në tubim që ta mbështetësin Lëvizjen Vetëvendosje!, duke u bazuar tek parimet, idealet, aktiviteti i deritashëm dhe programi i saj politik./PrizrenPress.com/

Kilaj: Çdo gjë që planifikojmë, e realizojmë

0

SONY DSCPartia Demokratike e Kosovës dhe Insi Kilaj, kanë vazhduar mbrëmë, prezantimin e programit qeverisës për katër vitet e ardhshme, para banorëve të fshatrave Tërpezë, Fshati i Ri dhe Berishë.

Kandidati për kryetar të Malishevës, Insi Kilaj, premtoi për fshatin Tërpezë, se brenda pak ditëve do të rregullohet kanalizimi i fshatit, pasi procedurat e tenderimit kanë përfunduar. Ndërsa për banorët e Fshatit të Ri dhe Berishës, ju premtoi vazhdimin e ndërtimit të rrugës, dhe nërtimin e një objekti të ri të shkollës.

“Të gjitha këto janë të planifikuara mirë, me shuma dhe me buxhet. Kjo do të thotë se çdo gjë që planifikojmë, re e realizojmë dhe këtë e kemi dëshmuar, me punë, andaj edhe kemi të drejt të kërkojmë edhe më tek mbështetjen tuaj, për vazhdimin e qeverisjes së mirë për Malishevën”, tha Kilaj.

“Pjesa e juaj, tashmë është e shpallur zonë e mbrojtur nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe kjo përputhet edhe me programin tonë për mbrojtje të ambientit dhe zhvillim të turizmit. Kjo pjesë ka vlera të mëdha historike, sikur edhe ka bukuri natyrore të rralla, për çka, në vitet në vazhdim, do të jetë jo vetëm pikë e veçantë në hartën turistike të vendit, por njëri nga vendet më të vizituara dhe të gjitha këto gjenerojnë edhe vende pune”, tha ai.

“Po ashtu edhe bujqësia si njëra prej shtyllave më të rëndësishme të zhvillimit ekonomik, do të përkrahet me rreth 2 milion euro në katër vitet e ardhshme dhe ju keni mundësit më të mira të zhvillimit të bujqësisë, më saktësisht blegtorisë, por edhe në grumbullimin e frutave të malit, si një fushë shumë e kërkuar dhe shumë fitim prurës, e për këto ne do t’iu mbështesim gjatë mandatit të ardhshëm”, tha Kilaj./PrizrenPress.com/

Zgjedhjet mund të rrezikohen

0

adriana_hoxhiqAdriana Hoxhiq, shefe e Zyrës Administrative në Veri, e ka vlerësuar të tensionuar gjendjen në këtë pjesë të Kosovës, sidomos pas sulmeve të njëpasnjëshme me bomba.
Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Hoxhiq ka thënë se këtë pasiguri janë duke e shkaktuar strukturat radikale të cilat veprojnë në veri të Kosovës. “Një logjikë e thjeshtë na dërgon në atë drejtim se strukturat radikale së bashku me ato kriminele qëndrojnë prapa këtyre sulmeve”, ka deklaruar Hoxhiq. Në këtë kontekst, Hoxhiq ka thënë se këto struktura radikale janë duke tentuar t’i frikësojnë qytetarët e veriut për të mos dalë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. “Nëse vazhdohet me shpërthime dhe me presione, rrezikohet që në votime të dalin një numër i vogël i qytetarëve në veri të Mitrovicës. Jam duke bërë përpjekje ta sensibilizoj faktorin vendor dhe ndërkombëtar për gjendjen e cila mbretëron aktualisht në veri. Po ashtu, për çdo ditë marr informata nga qytetarët për presione të ndryshme”, është shprehur Hoxhiq, duke shtuar se individë të caktuar janë duke lobuar të dështojnë këto zgjedhje. “Rregullisht në veri të Mitrovicës sillet një veturë me njerëz, të cilët e kanë një megafon dhe u bëjnë thirrje qytetarëve mos të marrin pjesë në këto zgjedhje, të cilat ata i quajnë tradhtarë. Kjo veturë rregullisht sillet nëpër qytet dhe thërret për bojkot”, ka thënë Hoxhiq. Sipas saj, nëse institucionet vendore dhe ndërkombëtare nuk ndërmarrin ndonjë veprim për të siguruar një ambient të sigurt, në veri mund të rrezikohen zgjedhjet demokratike. “Nëse nuk ndryshohet dhe trajtohet si duhet gjendja aktuale në veri mund të rrezikohen zgjedhjet demokratike”, është shprehur Hoxhiq.
Kandidatja e pavarur për kryetare të Komunës së Mitrovicës veriore, Adriana Hoxhiq, e ka vlerësuar të dëmshme deklaratën e kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq, për përkrahjen e Listës Unike Serbe për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. “Mendoj se një thirrje, sipas së cilës favorizohet një listë, me të vërtetë i dëmton të gjitha parimet e demokracisë”, ka thënë Hoxhiq.

“Epoka e re”: Znj. Hoxhiq, çfarë situate është duke mbretëruar në veri të Kosovës, kur kanë mbetur edhe pak ditë nga mbajtja e zgjedhjeve lokale?
Hoxhiq: Me të vërtetë tensionet në veri janë duke u ngritur dita-ditës në Mitrovicën veriore. Të gjitha shpërthimet që kanë ndodhur ditët e fundit, qytetarët e Mitrovicës veriore janë duke i ndërlidhur me zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen më 3 nëntor. Qytetarët janë duke e pyetur njëri-tjetrin se a është ide e mirë të dilet në zgjedhje apo të rrinë në shtëpi. Tani është e domosdoshme t’i kemi deklaratat dhe reagimet e institucioneve ndërkombëtare, të Kosovës dhe të Serbisë, për këto sulme. Është koha që këto institucione t’i ndërmarrin hapat e domosdoshëm që në veri të ketë siguri.

“Epoka e re”: Kush, sipas jush, qëndron pas këtyre sulmeve të njëpasnjëshme atje?
Hoxhiq: Nuk mund të them se kush ka dorë në këto sulme sepse nuk i kam parë se kush është duke i bërë këto akte të shëmtuara. E dimë se në veri të Mitrovicës e kemi një opsion, i cili është radikal dhe kundër zgjedhjeve të 3 nëntorit. Pra, një logjikë e thjeshtë na dërgon në atë drejtim, se strukturat radikale së bashku me ato kriminale qëndrojnë prapa këtyre sulmeve. Në këtë drejtim i dënoj këto sulme dhe kërkoj nga institucionet e sigurisë ta bëjnë një strategji dhe të dalin në terren për ta ndalur këtë gjendje të pakëndshme dhe të pasigurt.

“Epoka e re”: A ka dorë politika e Beogradit në këto struktura radikale?
Hoxhiq: Nuk besoj se Beogradi ka dorë në këto aktivitete. Besoj se ndryshimi i gjendjes për më mirë në veri të Kosovës u pengon vetëm atyre strukturave, të cilat kanë biznese dhe ato biznese janë profitabile vetëm në një ambient, në të cilin nuk ka rend dhe ligj.

“Epoka e re”: Doni të thoni se strukturat radikale janë duke u frikësuar nga vendosja e rendit dhe ligjit?
Hoxhiq: Absolutisht po.

“Epoka e re”: I vlerësoni të qëllimshme sulmet në veri?
Hoxhiq: Të gjitha sulmet që janë duke ndodhur në veri janë të qëllimshme.

“Epoka e re”: Cili është qëllimi i këtyre sulmeve?
Hoxhiq: Qëllimi kryesor i tyre është destabilizimi i veriut dhe regjionit në përgjithësi. Po ashtu, qëllim tjetër është mbjellja e frikës te qytetarët, me theks të veçantë te votuesit.

“Epoka e re”: A është veriu i sigurt që të bëhet fushatë zgjedhore?
Hoxhiq: Në një ambient ku në çdo të dytën natë kemi shpërthime të ndryshme, nuk besoj se është një ambient i sigurt për të bërë fushatë transparente. Çdo tentim për mbajtjen e një fushate transparente elektorale në veri të Mitrovicës merret si provokim tek ata qytetarë, të cilët nuk dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhje dhe për këtë arsyeje unë kam vendosur ta kem një minikampanjë të profilit të ulët, me ç’rast bisedoj drejtpërdrejt me qytetarë të ndryshëm të Mitrovicës veriore. Puna e parë që bëj në tubimet elektorale me qytetarë është rëndësia e pjesëmarrjes në këto zgjedhje, pastaj i inkurajoj ata të dalin dhe të votojnë sipas vullnetit të tyre.

“Epoka e re”: Do të ndikojnë këto sulme në daljen e numrit të votuesve në zgjedhjet e 3 nëntorit?
Hoxhiq: Nëse vazhdohet me shpërthime dhe me presione, rrezikohet që në votime të dalin një numër i vogël i qytetarëve në veri të Mitrovicës. Jam duke bërë përpjekje ta sensibilizoj faktorin vendor dhe ndërkombëtar për gjendjen e cila mbretëron në veri. Po ashtu, për çdo ditë marr informata nga qytetarët për presione të ndryshme. Në aspektin e sigurisë shumë pak ka progres në veri të Mitrovicës dhe nëse nuk ndryshohet e trajtohet si duhet gjendja aktuale në veri mund të rrezikohen zgjedhjet demokratike.

“Epoka e re”: Pse?
Hoxhiq: Rregullisht në veri të Mitrovicës sillet një veturë me njerëz, të cilët e kanë një megafon dhe u bëjnë thirrje qytetarëve mos të marrin pjesë në këto zgjedhje, të cilat ata i quajnë tradhtarë. Kjo veturë rregullisht sillet nëpër qytet dhe thërret për bojkot. Me të vërtetë kjo është irrituese sepse qytetarët janë në presion të vazhdueshëm për të mos dalë në zgjedhje.

“Epoka e re”: A kanë adresë këta njerëz, të cilët janë duke e vozitur atë veturë dhe që thërrasin për bojkot?
Hoxhiq: Nuk jam personi adekuat për t’i dhënë këto informata. Qytetarët e dinë shumë mirë se kush janë këta njerëz dhe cilat janë qëllimet e tyre.

“Epoka e re”: Si e vlerësoni deklaratën e Ivica Daçiqit në Graçanicë, i cili publikisht ka dalë në përkrahje të Listës Unike Serbe?
Hoxhiq: Mendoj se një thirrje, sipas së cilës favorizohet një listë, me të vërtetë i dëmton të gjitha parimet e demokracisë. Po kjo deklaratë krijon konfuzitet. Mund ta imagjinoni një situatë kur kemi qytetarë të Mitrovicës veriore, të cilët janë të ngopur nga politika dhe zgjedhjet. Gjithashtu, ata nuk janë të lumtur se duhet të dalin në zgjedhje. Dhe më në fund dikush u thotë se duhet të votoni si t’ju them unë. Personalisht kam dëgjuar një deklaratë nga një femër, e cila ka thënë se pas këtij presioni njihet si të jetë e dënuar.

“Epoka e re”: Është duke u bërë presion Daçiqi serbëve të Kosovës me këto deklarata?
Hoxhiq: Nuk e di se si ndihen serbët, por një logjikë e thjeshtë thotë se preferencat për vetëm një opsion, pa marrë parasysh mendimin e të tjerëve, e dëmtojnë demokracinë.

“Epoka e re”: A po tenton Daçiqi t’i përçajë serbët në Kosovë?
Hoxhiq: Për besë nuk kam kohë të merrem me deklaratat e zyrtarëve nga Serbia.

Shehu: Qeverisja ime bazohet në filozofin e Rugovës

0

2Kandidati i LDK-së për kryetar të Rahovecit, Fahredin Shehu, aktiviteti zgjedhore e ka vazhduar në lagjen “Ali Sokoli”, “Ali Hadri” dhe “Qendra”.

Banorët e këtyre lagjeve ofruan një mbështetje tejet te madhe për,Shehun. Në këto tubime kandidati Shehu, shpalosi programin qeverisës të Rahovecit. “Modeli i qeverisjes sime bazohet në filozofinë Rugoviane, i cili është i bazuar në ligje”.

Në këtë tubim ishte i pranishëm edhe anëtari i Kryesisë së LDK – së, Avdullah Hoti, i cili kërkoi mbështetjen për LDK – në dhe Fahredin Shehun./PrizrenPress.com/

Vajtuesit dhe ngushëlluesit e Prizrenit

0

Blerim Cocaj (1)Blerim ÇOÇAJ

Vajet janë pjesë përbërëse të ceremonive rituale të vdekjes. Me ndryshime të vogla, ato janë të njëjta ndër të gjithë popujt e botës. Për nga mënyra e të shprehurit, vajet kanë më tepër formën e poezisë epike, pasi që përshkruajnë ngjarjen. Edhe pse janë klithma dhembjeje për njeriun që ndahet nga të gjallët, ato në Prizren nga partitë politike, kryesisht opozitare, janë shndërruar në klithma dhembje për njerëzit e gjallë.

Këto parti politike në Prizren, kanë arrit të përvetësojnë rolin e llojit të vajtuesve profesional. Ky lloj i vajeve të profesionistëve, në ceremonitë rituale të vdekjes, në letërsinë popullore, paraqitet si burim ndjenjash spontane, pasi që nuk e qajnë njeriun e tyre dhe si të tilla nuk e ndjenë fatkeqësinë si farefisi i të vdekurit.

Përfaqësuesit e partive politike në këtë qytet, gjatë dhjetë ditëve të parë të fushatës zgjedhore kanë filluar të bisedojnë me qytetarët e vet, sikur vajtuesit profesionist, që bisedojnë me të vdekurin, gjatë riteve mortore.

Dallimi i vetëm i riteve të vdekjes në ceremonitë mortore nga “ritet” e këtyre partive politike, që po i përdorin në kuadër të fushatës zgjedhore është vetëm shpresa për të jetuar. Në vend të premtimeve dhe shpalosjes së programit para elektoratit nga goja e këtyre politikanëve nuk dëgjohet asgjë tjetër, përveç klithma dhe dhembje për “qeverisjen e keqe të Prizrenit”.Konstatimi i tyre,mbase edhe mund të jetë i saktë, mirëpo koha e fushatës zgjedhore nuk duhet të shndërrohet në vaje.

Nuk do të duhej që për të bërë me “inetsrant” fushatën e procesit zgjedhor, të krijojnë ceremoni të “riteve të vdekjes”. Është normale dhe s’ka asgjë të keqe që opozita të përdorë fuqinë e saj. Të përcjellë çdo shkelje eventuale ligjore të pushtetit te qytetarët. Disa parti politike për dy mandate, kanë mundur që të përdorin më shumë fuqinë opozitare në Kuvend.

Një gjë të tillë nuk e kanë shfrytëzuar, prandaj përpjekja e tyre për të “kompensuar” këtë të metë në këtë kohë nuk sjellë ndonjë rezultat zgjedhor.

Nëse nuk kanë pasur guxim që shqetësimet për keqpërdorime të ndryshme t’i dërgojnë tek qytetarët me kohë, fushata zgjedhore nuk do të duhej të shfrytëzohej për një gjë të tillë.

Votuesve në fushatën zgjedhore nuk iu duhen akuzat e ndërsjella. Ata nga partitë politike në tubimet elektorale, presin zbërthimin e programit të tyre zgjedhor.

Nuk duan tubime elektorale, të cilat i ngjajnë ceremonive rituale të vdekjes, ku në vend të shpalimit të ndonjë programi shpresëdhënës, dëgjojnë vaje për “jetën e zezë” të tyre! Fundja kjo nuk është as alternativë.

Votuesit janë mirë të informuar për “Qeverinë Muja”. Ata s’kanë nevojë që gjërat që kanë dëgjuar gjatë këtyre dy mandateve t’i dëgjojnë edhe gjatë fushatës zgjedhore. Nuk besoj se ka qytetar në Prizren, që nuk është i informuar për procesin gjyqësor të Mujës dhe pesë drejtorëve të tij. Ata i kanë parë dhe prekur të gjitha të mirat dhe të këqijat e këtij pushteti. Prandaj, fushata zgjedhore duhet të shfrytëzohet për shpalosjen e programit nga secila parti politike. Votuesit nuk kanë nevojë për akuza të ndërsjella. Ata po i presin platformat e tyre për Prizrenin.

* * *
Ndryshe nga partitë opozitare, partia në pushtet nuk po e praktikon vajtimin. Si kundërpërgjigje ndajë “ritit mortor” të kundërshtarëve ajo po e praktikon ngushëllimin. Edhe pozita njëjtë si në ceremonitë mortore të vdekjes, (ku vizitorët kërkojnë nga kryefamiljari i njeriut që është ndarë nga të gjallët, që të gjejë forcën për ta përballuar dhembjen dhe të vazhdojë jetën), ngushëllojnë qytetarët me punën që kanë bërë gjatë qeverisjes së tyre.

Përmendin projektet kapitale të cilat gjatë këtyre dy mandateve i kanë realizuar. Krenohen me investimet kapitale, që i kanë realizuar në ndërtimin e infrastrukturës në arsim, e sidomos në infrastrukturën rrugore. Premtojnë se investimet e tilla kapitale, do të ketë edhe në të ardhmen. Madje, kryeministri Hashim Thaçi u tregua dorëlirë në hapjen e fushatës zgjedhore të PDK-së. Ai premtoi hiq më pak se 100 milion eruro investime për Prizrenin.

Partitë politike në Prizren me këtë formë, vajtimin dhe ngushëllimin e kanë bërë pjesë e fushatës zgjedhore. Zgjedhjet lokale të 3 nëntorit do të shënojnë një pikë kthese në historinë e Prizrenit.

Prandaj, ato do të duhej të kalojnë pa konflikte dhe pa gjuhë nxitëse, ashtu siç organizohen në vendet me traditë të demokracisë. Pse të mos e marrin shembull, partitë tona, fushatat në SHBA, Angli…, të cilat janë shumë korrekte dhe shumë përmbajtjesore, pa dhunë dhe pa shtrëngime. Në këto shtete krijohet një ambient paqësor, në të cilën mund të shkëmbehen edhe mendime më një diversitet të ashpër, por shumë paqësor. Fushata agresive me “rite mortore”, sigurisht se do të reflektojë negativisht te votuesit.

Nuk do të ishte ndonjë e papritur dhe një lajm i keq, nëse ata (votuesit), do t’i bojkotojnë edhe kësaj radhe zgjedhjet. Për një bojkotim eventual, përgjegjësin kryesore do të duhej ta marrin vetë partitë politike, të cilat fushatën zgjedhore nuk po e përdorin për shpërndarjen e programit para qytetarëve në mënyrë që t’i bindin që të dalin në zgjedhje.

Zgjedhjet e 3 nëntorit të këtij viti, për shumë arsye, do të jenë më të rëndësishmet në Prizren.Qytetarët, me votën e tyre, do të kenë mundësi të përcaktohen për vajtuesit apo ngushëlluesit?!

UNMIK-u destruktiv ndaj Kosovës

0

gashiiiMinistri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Dardan Gashi, të hënën në një takim njoftues ka takuar përfaqësuesin e ri të UNDP-së, Andrew Russell.
Ministri Gashi ka njoftuar Russellin rreth bashkëpunimit dhe mbështetjes që i ka dhënë UNDP-ja Kosovës në rrafshin e mbrojtjes së mjedisit, zonimit të parqeve kombëtare dhe asistencës së dhënë në implementimin e ligjeve për zonat e veçanta të mbrojtura. Megjithatë, ministri Gashi ka kërkuar nga UNDP-ja që zyra e UNMIK-ut në Kosovë të heqë dorë nga qasja destruktive që po mban ndaj Kosovës, duke bllokuar anëtarësimin e Kosovës në shumë konventa ndërkombëtare.

Përveç bllokimit të drejtpërdrejtë në anëtarësim në këto konventa, sipas Gashit, UNMIK-u po e bllokon edhe pjesëmarrjen e delegacioneve nga shteti i Kosovës në konferenca ndërkombëtare, duke kushtëzuar pjesëmarrjen me përfaqësimin nën ombrellën e Rezolutës 1244. “Për këtë arsye MMPH-ja i ka refuzuar ftesat për shumë konferenca të rëndësishme botërore në fushën e mjedisit, prandaj ka mbetur prapa vendeve të rajonit në përpilimin e strategjive”, ka thënë Gashi, duke shtuar se pas njohjes nga 105 shtete anëtare të OKB-së shteti i Kosovës meriton një trajtim më konstruktiv.

Përfaqësuesi nga UNDP-ja, Russell, ka thënë se pas ardhjes së tij në Kosovë e ka kuptuar më mirë pozitën e Kosovës, duke shtuar se nuk është aspak e drejtë që për arsye të një procesi të vazhdueshëm politik Kosova të mos mund ketë qasje të barabartë në programet e OKB-së. Ai ka thënë se në fushën e mjedisit duhet të ketë qasje gjithëpërfshirëse rajonale e botërore dhe ka premtuar ndihmë nga organizata që ai përfaqëson në lehtësimin e anëtarësimit dhe pjesëmarrjes së Kosovës në konventat e OKB-së.

Fushata zbrazë Kuvendin

0

KuvendiKosoves5-27Dështimi i vazhdueshëm i seancave parlamentare, për mungesë kuorumi, ka shtyrë kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi, që të thërrasë të martën në mbledhje shefat e grupeve parlamentare, nga të cilët do të kërkojë mendimin nëse do të vazhdohet me seanca gjatë fushatës apo do të ketë pauzë. Analistët thonë se partitë politike interesat personale po i vënë para interesave të qytetarëve.

Driton Selmanaj, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka theksuar për Telegrafin se fushata elektorale është njëra nga arsyet se pse Kuvendi i Kosovës nuk po arrin t’i realizojë agjendat parlamentare. Megjithatë, sipas tij, tani është edhe një problem tjetër politik: subjektet politike që qeverisin me vendin, përmes sabotimit apo ikjes nga seancat plenare, po tentojnë ta vënë jashtë funksionit Kuvendin e Kosovës.

Ai ka vlerësuar se ikja nga seancat parlamentare, e deputetëve të koalicionit qeverisës, po bëhet me qëllim që të pengohen iniciativat e opozitës (siç është rasti i komisionit hetimor për PTK-në). Sipas tij, kjo bëhet edhe nga frika se shumica parlamentare nuk i ka numrat e nevojshëm për ruajtjen e stabilitetit qeverisës.

“Subjektet politike në qeverisje, po kërkojnë kohë për t’i përcaktuar veprimet e mëtutjeshme. Ato si duket po presin rezultatet e zgjedhjeve lokale, për të vendosur se si të veprojnë: qoftë në kuadër të Kuvendit apo edhe në institucionet tjera qeverisëse. Kjo qasje dëshmon që interesat e qytetarëve janë vënë në rendin e dytë apo tretë, kurse primare janë interesat e ngushta të individëve dhe grupeve politike, për ta kuptuar se cili është vendi i tyre sipas votave të qytetarëve. Mendoj se qytetarët nuk po arrijnë t’i njohin kandidatët për kryetarë të komunave, sepse liderët e subjekteve të tyre politike, si dhe përfaqësuesit tjerë, po i lënë ata nën hije. Duket se këta të fundit po i masin forcat në mes veti dhe po e testojnë përkrahjen potenciale të publikut për zgjedhjet e ardhshme nacionale”, ka thënë Selmanaj.

Kenan Tora, nga Lëvizja FOL, mendon se deputetët e Kuvendit të Kosovës janë përfaqësues të zgjedhur nga populli, për të përfaqësuar interesin e tyre në Kuvendin e Kosovës. Ndaj, në këtë rast, ky do të duhej të ishte “misioni i tyre primar në aktivitetin që ata zhvillojnë”.

Tora ka vlerësuar se në kohën e proceseve zgjedhore, pjesa më e madhe e vëmendjes së opinionit publik po përqendrohet tek fushata elektorale dhe zgjedhjet.

”Kjo po ndikon që temat apo proceset e tjera të mbesin nën hije dhe rrjedhimisht të kenë më pak vëmendje. Institucionet e Kosovës do të duhej të krijonin potenciale që edhe në kohë të proceseve të rëndësishme, siç janë zgjedhjet, temat dhe proceset e tjera të gëzojnë të njëjtën vëmendje, për arsye se vendi ynë gjendet në mes të proceseve shumë të rëndësishme për të ardhmen, siç është ai i integrimit evropian”, ka thënë Tora për Telegrafin.

Sipas tij, qëllimi primar i partive politike është të fitojnë pushtet apo të mbajnë pushtetin e fituar, duke shtuar se qytetarët e Kosovës do të duhej që vëmendjen më të madhe t’ia kushtojnë zgjedhjes së ofertës për pushtetin lokal, për të cilën ata mendojnë se do të ishte në shërbim të nevojave dhe një të ardhmeje më të mirë të tyre. (B.D) /Telegrafi/

Muja habitet me investimet në Caparc dhe Skorrobisht

0

CaparcNë kuadër të aktiviteteve elektorale të cilat është duke i zhvilluar Dega e PDK-së në Prizren, në krye me kandidatin për kryetar të komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, sot gjatë ditës kanë takuar strukturat dhe aktivistët e fshatit Caparc dhe Skorrobisht të Prizrenit.

Muja, gjatë fjalimit të tij në fshatin Caparc, tha se gjatë ardhjes nëpër rrugët e këtij fshati të jetë ndjerë i habitur me ndryshimet e shumta pozitive të cilat kanë ndodhur në këtë fshat

“Rruga e asfaltuar që lidhë fshatin Caparc me rrugën regjionale, qindra kilometra infrastruktura nëntokësore, shkolla e ndërtuar, i japin atributet e një fshati modern vendbanimit tuaj”.

“Ne në mandatin qeverisës do i rrisim subvencionet për fermerët e komunës sonë, që merren me bujqësi, blegtori dhe pemëtari, sepse konsiderojmë se këto veprimtari janë tejet të rëndësishëm për banorët e kësaj ane dhe në përgjithësi për komunën e Prizrenit”

“Gjithashtu jashtë vëmendjes sonë nuk do të jetë edhe ndërtimi i një qendre të mjekësisë familjare për këtë fshat, sepse konsiderojmë se shëndeti i banorëve të komunës sonë dhe mirëqenia e tyre janë dhe do vazhdojnë të jenë preokupim i yni”, tha Muja.

Bartësi i listës së kandidatëve për kuvendar të PDK-së, Nijazi Kryeziu,tha se Caparci është sinonim i mbajtjes së fjalës. “ Andaj jemi të bindur se fitorja e kryetarit Muja dhe e PDK-së në këtë fshat do të jetë e thellë me datën 3 nëntor”, tha Kryeziu.

Gjithashtu tubim elektoral është mbajtur edhe në fshatin Skorrobisht, ku qindra qytetarë në mënyrë madhështore kanë pritur kryetarin aktual dhe të ardhshëm të komunës së Prizrenit, Ramdan Muja me bashkëpunëtorë.
“Ju jeni qytetar punëtor e të palodhshëm të cilët i kontribuoni jo vetëm familjeve tuaja por edhe qytetit dhe vendit në përgjithësi.

Ne kemi synim që ta zhvillojmë komunën tonë ekonomikisht, andaj do krijojmë lokacione të shumta, ku qytetarët e komunës sonë të cilët kanë fuqi ekonomike do kenë mundësi që të investojnë kapitalin e tyre”, tha Muja./PrizrenPress.com/