13.6 C
Prizren
E enjte, 23 Prill, 2026
Home Blog Page 8973

Meta e Limaj, takohen në Prizren

0

Meta e LimajKryetari i Parlamentit të Shqipërisë Iliri Meta ka bërë një vizitë jozyrtare në Kosovë. Ai gjatë ditës së diele është takuar në një nga restoranet e Prizrenit me Fatmir Limajn. Ky takim megjithëse nuk është zyrtar, duket se ka pasur një qëllim politik. Duket se e vetmja arsye e takimit të Metës me Fatmir Limajn është ndërmjetësimi i tij për të ulur “gjakrat’ në mes të konfliktit të hapur politik të Limajt me Hashim Thaçin.

Burime të sigurta të gazetës “Bota sot’ bëjnë të ditur se në këtë takim temë kryesore ka qenë konflikti i fundit politik ne mes të Thaçit e Limajt. Kryetari i Parlamentit duket se ka marrë porosi nga vetë Edi Rama e Hashim Thaçi që të ndikojnë te Fatmir Limaj që të mos sulmojë aq shumë PDK-në dhe Hashim Thaçin sepse me humbjen eventuale të PDK-së në këto zgjedhje humbin që të dy, edhe Thaçi edhe Limaj.

Burime tona nuk bëjnë të ditur se sa ka arritur të ndikojë Ilir Meta te Fatmir Limaj. Por se zyrtarët e shtetit shqiptar janë të interesuar që të ruajnë stabilitetin dhe pushtetin aktual në Kosovë kjo nuk do shumë koment. Rama e Meta në Shqipëri preferojnë që të kenë Hashim Thaçin në pushtet në Kosovë e pse jo edhe Limajn bashkë me kryeministrin e Kosovës./Bota Sot/

Kilaj: Do të ketë edhe më shumë investime, se sa ju premtojmë

0

SONY DSCKandidati për kryetar të Komunës së Malishevës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Isni Kilaj, mbrëmë ka prezantuar programin e tij qeverisës për katër vitet e ardhshme, me moton “Qeverisja e mirë vazhdon…për Malishevën Evropiane”, para banorëve të fshatit Guncat të Malishevës.

Kilaj tha se duhet t’i besoni punës sonë, sepse i kemi bërë premtimet realitet dhe asnjëherë nuk kemi premtuar me fjalë boshe dhe pa mbulesë. “Edhe këto projekte për katër vitet e ardhshme, janë kryekëput të planifikuara me buxhetin komunal. E kësaj kur i shtohen edhe premtimet për mbështetje nga Qeveria e Kosovës dhe kryeministrit Thaçi, atëherë, Malisheva, do të ketë edhe më shumë investime, se sa ne ju premtojmë”, tha ai.

Kandidati për kryetar, Isni Kilaj tha se brenda dy viteve, të gjitha rrugët dhe rrugicat në fshatra do të ndërtohen. “Ne për katër vite i kemi shtruar rreth 200 km asfalt, e për dy vite, nuk do ta kemi problem, ti ndërtojmë edhe më pak se 50 km, të mbetura nëpër rrugicat e fshatrave tona”, tha Kilaj.

Në fund, Kilaj tha se pasi të kemi rregulluar infrastrukturën, atëherë fokusimi do jetë zhvillimi ekonomik, me theks të veçantë bujqësia, ndërsa mbrojtja e ambientit, do të jetë pikë tjetër me rëndësi për qeverisjen tonë.

Ndërkaq, deputetët e Kuvendit të Kosovës, Hasime Mazreku-Krasniqi dhe Halit Krasniqi, duke i dhënë mbështetje Kilajt, thanë se oferta e PDK-së është serioze. “Kjo është oferta më serioze, më e realizueshme dhe çdo shtyllë e programit, e planifikuar mirë për mënyrën e financimit dhe realizimit”./PrizrenPress.com/

Cirku i Prizrenit

0

Naim QelajShkruan: Naim Qelaj

Nuk kam shkruar me parë për gazetë. Nuk i leverdis as profesionit tim, por po marrë guximin nga kanosja e një të ardhme të zymtë.
Partitë politike në Prizren kanë hyrë në fushatën zgjedhore të zgjedhjeve lokale me problem të shumta dhe mungesë lidershipi, në mungesë të një vizioni të qartë dhe pa programe zgjedhore.
Fushata e sivjetme zgjedhore ngjason me shfaqje cirku ku persona të njëjtë nga zgjedhjet e kaluara mundohen të promovojnë ide të njëjta pa pikë frymëzimi, të zbehura nga dështimi e pse jo edhe të mbushura me gënjeshtra e pallavra që janë bërë demode dhe nuk u beson askush. Mbi të gjitha , të njëjtat nuk i besojnë edhe vetë ata që i thonë.
Kjo mungesë vizioni dhe ideve kreative, tregon krizën me të cilën po përballet klasa politike në komunën e Prizrenit dhe në gjithë Kosovën.
Partitë që kanë qeverisur këtë komunë, kanë rikandiduar të njëjtit kandidat të cilët nuk kanë çfarë të ofrojnë për qytetarët dhe komunën sepse secili prej tyre së pari duhet të përballet me gabimet, dështimet dhe shkeljet ligjore që kanë bërë gjatë mandateve paraprake.
Kryetari aktual përballet me problem serioze sa i përket mungesës së aftësive menaxhuese ngase gjatë gjithë periudhës qeverisëse të tij ka qenë “ kukull” në duart e grupeve të ngushta dhe klaneve të interesit dhe asnjëherë nuk ka arritur të krijoj imazh të kryetarit. Ai vetëm luajtur rolin e një servili që e shet vetën pa pardon.

Kësisoj stafi i tij ka bërë shkeljet ligjore. Shumica e drejtorëve të drejtorive aktuale përballën me akuza të konfirmuara për shkak të keqpërdorimeve të shumta me detyrat zyrtare dhe me abuzimin me paranë publike. Aktakuzë ka edhe për kryetarin, ndonbëse qyteti e di se ai ka qenë vetëm “kukulla” që ka nënshkruar, e asnjëherë personi vendimmarrës.
Profesori i moshuar, me shëndet të shembur e më aktakuzë të konfirmuar është në hall të madh.
I detyruar që të i`u shmanget debateve publike, mban takime zgjedhore të tipit komunist, ku nuk mungojnë lëvdatat e ndërsjella për të “arriturat” në mandatin e tij, e që tek qytetari i komunës ngjall ndjenjën e mllefit. Ky mllef vjen natyrshëm kur dihet gjendja në të cilën ndodhet qytetari sot. Qytetarit të pashpresë, me probleme sociale, me qytet të degraduar politika ua premton “Prizrenin Evropian”.
Si për ironi, mbështetja më e madhe për vizionarët që thonë se e ofrojnë Evropën, u vjen nga lindja.
PDK-në në Prizren e mbështet lindja, Turqia dhe Erdogani por jo Evropa. Evropa i pati porositur që të mos kandidojnë njerëzit e akuzuar për korrupsion, por këta nuk e dëgjuan.

Nga ana tjetër, kemi kandidatin e LDK-së që mendohet të jetë alternativa e kryetarit aktual.
Ai është përgjegjës për shumë skandale që lidhen më të e që janë pasojë e veprimeve të pa ndërgjegjshme të tija. Fushatën e ka nisur me mesele e barcoleta dhe jam i sigurt që po me këto barcoleta edhe do ta mbyll. Ky njeri tallet me qytetarin kulturën, traditën dhe është i pa përgjegjshëm në raport me vet subjektin e tij politik prandaj shtrohet pyetja si mund të jetë serioz me komunën.
Degraduesi i “Prevallës”, përgjegjësi i zhdukjes nga zjarri i dokumentacionit kadastral, ofron ofertë qeverisëse duke menduar se populli harron!!
Nuk ka antivlerë më të madhe se kjo që i ofrohet nga këta dy kandidatë Prizrenit. Nuk di ku gjejnë forcën morale të dalin e të kërkojnë besimin e nëpërkëmbur sa herë nga vetë këta individ të cilët në vend që të përballën dhe të japin përgjegjësi kërkojnë të vazhdojnë gabimet e tyre.
Kjo mungesë e lidershipit politik, në këto zgjedhje lokale në Prizren, kanë ndikuar që partitë tjera rivale sidomos Koalicioni për Prizrenin të AAK-LDD-së dhe kandidati i përbashkët Lulzim Kabashi. Ai dhe të tjerët e partive tjera po përballen në fushatë me Hashim Thaçin e jo me Ramadan Mujën. Me simbolikën e ish presidentin Ibrahim Rugova e jo me Eqrem Kryeziun. Këtë fakt më së miri e vërteton fushata që po bënë kryeministri i Kosovës në Prizren. Shefi i qeverisë këto ditë është degraduar duke e ushtruar praktikisht rolin e shefit të shtabit të Ramadan Mujës. Ai me militantët në mënyrë të turpshme “pushtuan “ Shtëpinë e Lidhjes dhe nga aty dhanë mesazhin më të keq se ky kryeministër nuk zgjedhë rrugë dhe metoda për të arritur synimet e tij.

Populli nuk e duron këtë hipokrizi dhe turp që po bëhet në emrin e tij, prandaj duhet të vijë momenti i ndëshkimit, momenti i gjykimit të atyre që kanë luajtur dhe janë tallur me ne, e ky gjykim e ndëshkim është vota kundër atyre që po tallën me ne që 14 vite.
Kosova nuk meriton këtë klasë politike, nuk meriton këtë lidership. Prizreni nuk meriton qeverisje nga pensionistë që kanë dështuar në politik, që me keqqeverisjen e tyre kanë degraduar vlerat me te cilat mburrej qyteti. Nuk meriton krrokëritjen e atyre qe luftojnë për mbijetesë politike. I duhet një vizion i ri, një energji e re që i jep shpresë qytetarit për të ardhme të sigurt, zhvillim e mirëqenie.

(Autori është avokat nga Prizreni. Ky shkrim është bërë për gazetën Tribuna)

Cili ishte gjermani, që qeverisi për pak kohë Shqipërinë?

0

Princi Vilhelm zu Vid„Kujdes, mos më bëhesh pre e marrëzisë në Shqipëri!“ – Porosia, që i dha perandori Wilhelm II nipit të vet, princ Vidit, kur në 1914 u nis drejt Shqipërisë.

Fisniku gjerman Wilhelm zu Wied (princ Vidi) u bë monarku i parë i Shqipërisë, ndonëse regjenca e tij zgjati vetëm gjashtë muaj. Deri në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore Shqipëria ishte si një plaçkë në duart e politikës europiane.
Në shkurtin e ftohtë të vitit 1914 qyteti i vogël gjerman Neuwied priti vizitorë të pazakontë. Me nderime të mëdha qyteti u uroi mirëseardhjen të deleguarve nga Shqipëria e largët. Përfaqësues të të gjitha fiseve shqiptare udhëtuan në qytetin anës Rinit, për të takuar të kështjellën e rezidencës të riun Wilhelm zu Wied. Ky gjerman 37 vjeçar, një pinjoll i një fisi të vjetër e të nderuar do të ishte princi i ri i Shqipërisë. Me përulësi kryetari i delegacionit iu lut atij të pranojë fronin. „Unë pranoj!“, duhet të jetë përgjigjur plot mirësjellje Wilhelmi. Shqipëria kësisoj kishte një princ gjerman. Megjithatë Wilhelm Friedrich Heinrich Princ i Wied-it, siç quhej ai, nuk pati ndonjë kënaqësi me principatën e tij të re. Shqipëria ishte e varfër, e përçarë mjerueshëm dhe e kthyer thuajse si në një plaçkë loje në duart e vendeve fqinje.

Një pazar diplomatik

Nëntorin e vitit 1912 shqiptarët shpallën pavarësinë nga Perandoria Osmane. Ballkani në këtë kohë ishte si një fuçi baruti. Pothuajse të gjitha shtetet ngrinin pretendime territoriale ndaj fqinjëve. Kryesisht pretendimet ndaj Shqipërisë së sapo krijuar ndezën konflikte. Serbia synonte daljen në det, nga këndvështrimi i saj Shqipëria bëhej pengesë për këtë. Rusia mbështeste Serbinë, Austro-Hungaria nga ana e saj donte ta pengonte depërtimin e Serbisë. Në veri të Shqipërisë qëndronin trupat malazeze dhe në jug ushtarët grekë. Gjashtë fuqitë e mëdha europiane Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Italia dhe Rusia e morën shtetin e ri nën mbrojtjen e tyre, por pa qenë vetë në unanimitet, se cilët do të ishin kufijtë e këtij shteti.

Ndaj duhej një princ shqiptar për të vendosur rendin, për këtë ranë shumë shpejt dakord fuqitë e mëdha. Por përzgjedhja e kandidatëve rezultoi e vështirë. Në asnjë mënyrë nuk duhej të ishte një shqiptar, sepse asnjë prej fiseve nuk do ta pranonte princin nga radhët e një fisi tjetër. Po ashtu përjashtohej që princi të ishte një mysliman, një katolik, apo një ortodoks, sepse secili nga grupet fetare do të ndihej i anashkaluar. Një kandidat nga një shtet, që kishte pretendimet e veta ndaj Shqipërisë, ishte gjithashtu i pamundur, pra princi s’mund të ishte p.sh. as rus, as serb, as austriak dhe as grek.

Propozimi i hallës

Propozimi me zgjidhjen, që i çliroi të tërë erdhi nga Rumania. Mbretëresha e atjeshme propozoi nipin e saj: Wilhelm zu Wied. Një përzgjedhje perfekte kjo nga jashtë: Wilhelm ishte protestant dhe Gjermania nuk kishte interesa ndaj Shqipërisë. Në mars të 1914-ës princi i ri mbërriti më në fund në mbretërinë e vet, i shoqëruar nga anijet luftarake austriake, britanike, italiane dhe franceze. Kushdo duhej ta kishte të qartë, se pas Wied-it qëndronte pushteti i fuqive të mëdha europiane. Wiedi zbarkoi në portin e Durrësit, ku u prit plot entuziazëm. Ndoshta në këto momente princit të ri të Shqipërisë i kishin mbetur vath në vesh fjalët paralajmëruse të xhaxhait të tij të madh. Perandori Wilhelm II duhet t’i ketë thënë atij: „Kujdes, mos më bëhesh pre e marrëzisë në Shqipëri!“

E megjithatë Wilhelmi u zhyt në këtë vorbull. Në Durrës monarku e kishte rezidencën në një ish-kazermë osmane, ku banonte me gruan dhe fëmijët. Pushteti i tij nuk i kalonte kufijtë e qytetit. Në mbarë Shqipërinë marshonin trupa të huaja, që i bënin pjesë të tëra të vendit të pasigurta. Përveç kësaj s’kishte asgjë, me çfarë Wilhelmi mund të qeveriste: as administratë e pothuajse asnjë mundësi komunikacioni rrugor. “Gjithçka i duhej një shteti, duhej krijuar nga zeroja“, do të ankohej më vonë princi. Kësaj i shtohej edhe fakti se Wilhelmi ishte oficer dhe nuk kish mësuar asnjëherë, se si qeveriset një vend. Shoqëria shqiptare ishte e përçarë thellë mes të krishterëve dhe myslimanëve, mes veriut e jugut, si dhe mes fiseve.

Mbreti pa vend

Kryengritjet shumë shpejt e tronditën vendin dhe fuqitë e mëdha nuk iu përmbajtën premtimit për një mbështetje të fuqishme, që i kishin dhënë princit. Kur në qershor të vitit 1914 në Sarajevë u vranë trashëgimtari austro-hungarez i fronit dhe gruaja e tij, nisi fillimi i fundit, jo vetëm për Wiedin dhe jo vetëm për Ballkanin. Në gusht shpërtheu Lufta e Parë Botërore. Fuqitë e mëdha filluan të ushtronin presion ndaj princit shqiptar. Austriakët donin, që ai të sulmonte serbët në armiqësi me Austro-Hungarinë, italianët donin të aneksonin bregdetin shqiptar. E kjo në një kohë që fuqitë europiane kishin rënë dakord për neutralitetin shqiptar. Wied për muaj të tërë mbeti i rrethuar në Durrës nga kryengritësit shqiptarë.

Nën breshërinë e lamtumirës më 3 shtator 1914 Wilhelm zu Wied u largua nga Shqipëria, me një anije luftarake italiane i veshur me uniformë parade. „Po largohem që të mpreh shpatën për Gjermaninë“, deklaroi ai. Shqipëria u zhyt në kaos dhe ushtritë greke, italiane, bullgare, austriake, serbe, malazeze dhe franceze pushtuan vendin. Mijëra shqiptarë humbën jetën. Wilhelm zu Wied luftoi në Luftën e Parë Botërore dhe më pas vajtoi për fronin e tij. Ai nuk arriti ta qeverisë Shqipërinë as për 200 ditë./DW/

Raundi i ardhshëm Prishtinë-Beograd pas zgjedhjeve

0

flamuri i kosoves dhe serbeveDialogu i Beogradit dhe Prishtnës, me ndërmjetësimin e BE-së, do të vazhdojë në nëntor, ka deklaruare mbrëmë kryeministri serb Ivica Daçiq.

Ai, siç bën të ditur Koha, ka saktësuar se raundi i radhës së dialogut do të mbahet në javën e parë të nëntorit, menjëherë pas zgjedhjeve lokale në Kosovë, më 3 nëntor.

Sot vendoset për punën e Kuvendit

0

KuvendiKosoves5-27Fushata e partive politike ka ndikuar edhe në punën e Kuvendit të Kosovës dhe për këtë arsye sot Kryesia e Kuvendit pritet të vendos se a do të vazhdojnë me seancat gjatë fushatës parazgjedhore apo do të ndërpriten derisa të mbahen zgjedhjet.

Shqyrtimi i kësaj pike u njoftua në seancën e së enjtes nga kryetari i Kuvendit, Jakup Krasini, me rastin e ndërprerjes së seancës për shkak të kuorumit, ku mungonin deputetët e koalicionit qeverisës dhe kabineti qeveritar.

Ai tha se për vazhdimin e punës së mëtutjeshme të Kuvendit gjatë fushatës do të vendoset të hënën në bashkëpunim me Grupet Parlamentare.

Kosova rrezikohet nga trazirat sociale

0

Mitrovice-VeriuKosova mund të përfshihet nga trazirat sociale pas zgjedhjeve të 3 nëntorit, paralajmërohet në raportin e organizatës “IHS Jane’s”, të cilën e posedon Tribuna. Kjo organizatë me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbledh rreth vetes profesionistë të cilët angazhohen për të bërë hulumtime dhe analiza të proceseve të ndryshme, në bazë të nevojave të tregut.

Këtë radhë ekspertët e organizatës i kanë bërë një analizë situatës në Kosovë në prag të zgjedhjeve të 3 nëntorit, ndërsa aty kanë përfshirë gjitha elementet që mund ta karakterizojnë këtë proces. Dokumenti është finalizuar me 14 tetor ndërsa në pjesën kur flitet për sigurinë, ai specifikon se vendit i kanoset një rrezik i madh nga trazirat sociale nëse pas zgjedhjeve të 3 nëntorit nuk shuhen strukturat paralele në veri.

“Ka potencial të madh për trazira sociale pas zgjedhjeve të 3 nëntorit. Një gjë e tillë do të ndodhë sidomos nëse nuk shpërbehen shpejtë strukturat ilegale të sigurisë përfshirë ato të inteligjencës”, vlerësohet në raport, shkruan Tribuna. Sipas tij nëse nuk krijohet shpejt Asociacioni i Komunave Serbe dhe punonjësit nuk integrohen në institucionet e Kosovës por mbesin të papunë, atëherë edhe ky mund të jetë element potencial për trazira.

Tahiri: Daçiqi e shkeli marrëveshjen

0

EditaTahiri-adkZëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka thënë se kryeministri Ivica Daçiq gjatë vizitës në Manastirin e Graçanicës ka shkelur marrëveshjen e Brukselit, duke mos i respektuar procedurat mbi të cilat i është lejuar vizita në Kosovë.

“Si kryenegociatore mund t’ju them se ai në këtë rast ka bërë shkelje të marrëveshjes së Brukselit të datës 19 prill, se nuk është sjell si një udhëheqës demokratik. E për qëndrimet zyrtaret duhet të prisni pak derisa të bëhen vlerësimet në Qeveri”, është shprehur Tahiri për gazetën Epoka e Re.

Ajo ka thënë se ftesa e Daçiqitm që serbët më 3 nëntor të votojnë për një subjekt politik, tregon mentalitetin e tij komunist dhe antipluralist./Epoka e Re/

Zëri premtues

0

Zana DodaPremton se do të jetë zëri i qytetarëve  në Asamblenë Komunale në Prizren. Dëshiron  që energjin e saj ta  shfrytëzojë në të mirë të vendit. Zana Doda në zgjedhjet e 3 nëntorit, garon për Asamblenë Komunale nga koalicioni AAK-së-LDD-së.

Doda është absolvente në Fakultetin e Edukimit në Prizren. Ajo me politikë ka filluar të merret që nga viti 2007. “Unë si një qytetare e Prizrenit, e dua më të mirën për vendlindjen time, dhe shpresoj se pas 3 nëntorit, unë do të jam  pjesë e Asamblesë Komunale, dhe do t’i  mbroj interesat e të gjithë qytetarëve”, thotë Doda.

Ajo tregon se arsyeja e vetme, pse i është bashkuar AAK-së në vitin 2007, ka qenë uniteti i këtij subjekti politik, karshi qëndrimeve me rëndësi për qytetarët dhe Kosovën.

Pse keni vendosur të kandidoni për Asamblenë Komunale të Prizrenit?

Doda: Gjithmonë jam bazuar në fjalimin e famshëm të  John Kennedy-t, ku thotë: Mos pyesni se çfarë, vendi juaj mund të bëjë për ju,  por pyesni, se çfarë mund të bëni ju për vendin tuaj”. Andaj edhe unë si një qytetare e Prizrenit, e dua më të mirën për vendlindjen time, dhe shpresoj se pas 3 nëntorit, unë do të jam pjesë e Asamblesë Komunale të Prizreniot dhe do të mborj interesat e të gjithë qytetarëve.

Cili është synimi i juaj?

Doda: Kandidati i koalicionit AAK-LDD, për kryetar të Prizrenit, Lulëzim Kabashi, në programin e tij qeverisës, ka përfshirë zhvillimin ekonomik të vendit, përmes katër shtyllave kryesore: funksionalizimin e zonave industriale, investimet në bujqësi, turizëm dhe ndërtimtari. Krejt këto kanë për qëllim punësimin e qytetarëve, andaj edhe unë si nëse do t’i fitoj votat si asambleiste e ardhshme, do të ndjehesha shumë e lumtur kur brenda katër vjeçarit të ardhshëm, nën menaxhimin e Komunës nga kryetari i ardhshëm i Prizrenit, Lulzëim Kabashi, do të ketë  ndryshime. Këto ndryshime do të ndodhin vetëm me koalicionin AAK-LDD, dhe  për këtë jam shumë e bindur. Unë  do të jem zë i fuqishem për të mborjtur interesat dhe kërkesat e realizueshme të të gjithë qytetarëve prizrenas.

A i frikësohesh  konkurencës?

Doda: Jo, nuk i frikohem konkurencës. Dëshiroj që partia ta fitoj garën,sepse besoj se secili kandidatë  që ta fitojë garën do të tregojë suksesin e vet për të mirën e qytetarëve.

Cilat janë ambiciet tuaja si politikane?

Doda: Unë mendoj  që aktualisht, nuk ka kohë për t’u përfshirë në luksin e qetësisë, e të mbeten gjërat të zhvillohen në këtë mënyrë siç janë bërë deri më tash. Tani është koha kur ne i kemi vënë synim vetes, që të punojmë në të mirë të qytetarëve të Komunës së Prizrenit.

Cila është porosia juaj?

Doda: Të punohet sa më shumë që është e mundur dhe të mborjmë interesat e vendit tonë dhe qytetarëve tanë. Unë tash, por edhe pas 3 nëntorit, do të jem plotësisht e hapur, që të punoj më të gjithë kandidatët, por edhe ata që nuk janë pjesë e kësaj gare, dhe padyshim që mirëpres ndihmën edhe të shoqërisë civile, por edhe të të gjithë qytetarëve tanë. /Intervistoi: RA/

Limaj: Kërkoj votën e besimit, jo të shantazhit

0

Limaj astruzup2Ish-nënkryetari i parë i PDK-së, Fatmir Limaj, votëbesimin për IQPM-në e ka kërkuar në fshatin Astrazup. Në këtë fshat, Limaj ka marrë edhe një mbështetje të fuqishme për zgjedhjet e 3 nëntorit. Hapësira ku është mbajtur tubimi, nuk ka mjaftur për t’i zënë të gjithë banorët e këtij fshati, të cilët kanë shprehur dëshirën për të dëgjuar konceptin politik të Limajt dhe programin e IQPM-së.

Banorët e Astrazupit kanë garantuar Limajn se në zgjedhjet e 3 nëntorit do të votojnë IQPM-në dhe kandidatin e saj, Ragip Begaj.

Kandidati Begaj, ndërkaq premtoi se pas 3 nëntorit pushteti në Malishevë, do të jetë i qytetarëve e jo i  pushtetarëve.“Me marrjen e pushtetit do t’i depolitizojmë shkollat si dhe do të ndahen bursa për nxënësit me nevoja, e jo në baza familjare siç është bërë deri tani”.Aztrazup

Ndërkaq Fatmir Limaj, kërkoi nga qytetarët që para së gjithash ta ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e ndonjë provokimi. ”Ka individ të cilët mundohen të na prishin festën.Unë kërkoj votën e besimit dhe jo të shantazheve e të kërcnimeve”, tha Limaj./PrizrenPress.com/