„Kujdes, mos më bëhesh pre e marrëzisë në Shqipëri!“ – Porosia, që i dha perandori Wilhelm II nipit të vet, princ Vidit, kur në 1914 u nis drejt Shqipërisë.
Fisniku gjerman Wilhelm zu Wied (princ Vidi) u bë monarku i parë i Shqipërisë, ndonëse regjenca e tij zgjati vetëm gjashtë muaj. Deri në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore Shqipëria ishte si një plaçkë në duart e politikës europiane.
Në shkurtin e ftohtë të vitit 1914 qyteti i vogël gjerman Neuwied priti vizitorë të pazakontë. Me nderime të mëdha qyteti u uroi mirëseardhjen të deleguarve nga Shqipëria e largët. Përfaqësues të të gjitha fiseve shqiptare udhëtuan në qytetin anës Rinit, për të takuar të kështjellën e rezidencës të riun Wilhelm zu Wied. Ky gjerman 37 vjeçar, një pinjoll i një fisi të vjetër e të nderuar do të ishte princi i ri i Shqipërisë. Me përulësi kryetari i delegacionit iu lut atij të pranojë fronin. „Unë pranoj!“, duhet të jetë përgjigjur plot mirësjellje Wilhelmi. Shqipëria kësisoj kishte një princ gjerman. Megjithatë Wilhelm Friedrich Heinrich Princ i Wied-it, siç quhej ai, nuk pati ndonjë kënaqësi me principatën e tij të re. Shqipëria ishte e varfër, e përçarë mjerueshëm dhe e kthyer thuajse si në një plaçkë loje në duart e vendeve fqinje.
Një pazar diplomatik
Nëntorin e vitit 1912 shqiptarët shpallën pavarësinë nga Perandoria Osmane. Ballkani në këtë kohë ishte si një fuçi baruti. Pothuajse të gjitha shtetet ngrinin pretendime territoriale ndaj fqinjëve. Kryesisht pretendimet ndaj Shqipërisë së sapo krijuar ndezën konflikte. Serbia synonte daljen në det, nga këndvështrimi i saj Shqipëria bëhej pengesë për këtë. Rusia mbështeste Serbinë, Austro-Hungaria nga ana e saj donte ta pengonte depërtimin e Serbisë. Në veri të Shqipërisë qëndronin trupat malazeze dhe në jug ushtarët grekë. Gjashtë fuqitë e mëdha europiane Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Italia dhe Rusia e morën shtetin e ri nën mbrojtjen e tyre, por pa qenë vetë në unanimitet, se cilët do të ishin kufijtë e këtij shteti.
Ndaj duhej një princ shqiptar për të vendosur rendin, për këtë ranë shumë shpejt dakord fuqitë e mëdha. Por përzgjedhja e kandidatëve rezultoi e vështirë. Në asnjë mënyrë nuk duhej të ishte një shqiptar, sepse asnjë prej fiseve nuk do ta pranonte princin nga radhët e një fisi tjetër. Po ashtu përjashtohej që princi të ishte një mysliman, një katolik, apo një ortodoks, sepse secili nga grupet fetare do të ndihej i anashkaluar. Një kandidat nga një shtet, që kishte pretendimet e veta ndaj Shqipërisë, ishte gjithashtu i pamundur, pra princi s’mund të ishte p.sh. as rus, as serb, as austriak dhe as grek.
Propozimi i hallës
Propozimi me zgjidhjen, që i çliroi të tërë erdhi nga Rumania. Mbretëresha e atjeshme propozoi nipin e saj: Wilhelm zu Wied. Një përzgjedhje perfekte kjo nga jashtë: Wilhelm ishte protestant dhe Gjermania nuk kishte interesa ndaj Shqipërisë. Në mars të 1914-ës princi i ri mbërriti më në fund në mbretërinë e vet, i shoqëruar nga anijet luftarake austriake, britanike, italiane dhe franceze. Kushdo duhej ta kishte të qartë, se pas Wied-it qëndronte pushteti i fuqive të mëdha europiane. Wiedi zbarkoi në portin e Durrësit, ku u prit plot entuziazëm. Ndoshta në këto momente princit të ri të Shqipërisë i kishin mbetur vath në vesh fjalët paralajmëruse të xhaxhait të tij të madh. Perandori Wilhelm II duhet t’i ketë thënë atij: „Kujdes, mos më bëhesh pre e marrëzisë në Shqipëri!“
E megjithatë Wilhelmi u zhyt në këtë vorbull. Në Durrës monarku e kishte rezidencën në një ish-kazermë osmane, ku banonte me gruan dhe fëmijët. Pushteti i tij nuk i kalonte kufijtë e qytetit. Në mbarë Shqipërinë marshonin trupa të huaja, që i bënin pjesë të tëra të vendit të pasigurta. Përveç kësaj s’kishte asgjë, me çfarë Wilhelmi mund të qeveriste: as administratë e pothuajse asnjë mundësi komunikacioni rrugor. “Gjithçka i duhej një shteti, duhej krijuar nga zeroja“, do të ankohej më vonë princi. Kësaj i shtohej edhe fakti se Wilhelmi ishte oficer dhe nuk kish mësuar asnjëherë, se si qeveriset një vend. Shoqëria shqiptare ishte e përçarë thellë mes të krishterëve dhe myslimanëve, mes veriut e jugut, si dhe mes fiseve.
Mbreti pa vend
Kryengritjet shumë shpejt e tronditën vendin dhe fuqitë e mëdha nuk iu përmbajtën premtimit për një mbështetje të fuqishme, që i kishin dhënë princit. Kur në qershor të vitit 1914 në Sarajevë u vranë trashëgimtari austro-hungarez i fronit dhe gruaja e tij, nisi fillimi i fundit, jo vetëm për Wiedin dhe jo vetëm për Ballkanin. Në gusht shpërtheu Lufta e Parë Botërore. Fuqitë e mëdha filluan të ushtronin presion ndaj princit shqiptar. Austriakët donin, që ai të sulmonte serbët në armiqësi me Austro-Hungarinë, italianët donin të aneksonin bregdetin shqiptar. E kjo në një kohë që fuqitë europiane kishin rënë dakord për neutralitetin shqiptar. Wied për muaj të tërë mbeti i rrethuar në Durrës nga kryengritësit shqiptarë.
Nën breshërinë e lamtumirës më 3 shtator 1914 Wilhelm zu Wied u largua nga Shqipëria, me një anije luftarake italiane i veshur me uniformë parade. „Po largohem që të mpreh shpatën për Gjermaninë“, deklaroi ai. Shqipëria u zhyt në kaos dhe ushtritë greke, italiane, bullgare, austriake, serbe, malazeze dhe franceze pushtuan vendin. Mijëra shqiptarë humbën jetën. Wilhelm zu Wied luftoi në Luftën e Parë Botërore dhe më pas vajtoi për fronin e tij. Ai nuk arriti ta qeverisë Shqipërinë as për 200 ditë./DW/