8.3 C
Prizren
E enjte, 23 Prill, 2026
Home Blog Page 8980

Thaçi i sjell në Prizren Erdoganin dhe Ramën

0

Erdogan dhe ramaKryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan do të bëjë bujë në Kosovë. Vizita e tij me 23 tetor, kur edhe hapet terminali i ri në ANP ‘Adem Jashari’, do të ketë edhe agjendë tjetër.

Burime të Reporteri.net brenda Qeverisë së Kosovës kanë bërë me dije se Erdogan do të bëjë një vizitë edhe në Prizren bashkë më ‘vëllanë’ e tij kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Por të dytë do të shoqërohen edhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Detajet e agjendës në Prizren të tre kryeministrave do të bëhen me dije gjatë këtyre ditëve.

Kryeministri turk kësaj radhe do të sjellë edhe bashkëshorten me vete, Emine Erdogan e cila po ashtu do të ketë një agjendë të veçantë e që kryesisht do të fokusohet në vizita në institucione të ndryshme shoqërore dhe kulturore.

Një agjendë kësisoj e Erdogan në Prizren, por edhe prezenca e Edi Ramës mund të jenë një plus i fortë për Thaçin për të mbajtur Prizrenin edhe për një mandat.

Berisha i vendosur për shtet ligjor dhe demokratik

0

Berisha-billushKandidati për kryetar të Komunës së Prizrenit nga radhët e Bashkimit Demokratik, Zafir Berisha, i shoqëruar nga bartësi i listës Osman Hajdari dhe kandidatët për Kuvend Komunal, Shqipe Bytyqi dhe Shani Berisha, kanë takuar banorët e fshatit Billushë (Kushtrim).

Berisha në vendlindjen e tij tha se edhe 100 vjet jetë më pasë, nuk do heq dorë nga angazhimi i tij për bërjen e shtetit ligjor dhe demokratik të Kosovës.

“Premtimi më i madh që mund ta bëj në vendlindjen time është se do të mbetem Zafir Berisha, i cili të mirën dhe të keqën në të gjitha kohët e kemi ndarë së bashku dhe iu garantoj se edhe 100 vjet jetë me i pasë, nuk do heq dorë nga angazhimi im për bërjen e shtetit ligjor dhe demokratik të shtetit të Kosovës, shtet të cilit po i rrezikohet perspektiva evropiane nga krimi dhe korrupsioni”, tha Berisha.

Sipas tij, ardhja e Bashkimit Demokratik në pushtet në Komunën e Prizrenit dhe Dragashit nënkupton fundin e klasës politike e cila po e degradon qytetin e Prizrenit me ndërtime dhe mbindërtim, e cila e ka sjellë buzë greminës sociale qytetarin e Prizrenit dhe Kosovës, andaj

“Për ne ashtu edhe si me parë është obligim që për t’i dalë zot këtij vendi dhe për ti kthyer krenarinë qytetarëve këtij vendi”, tha Berisha, duke kërkuar nga të pranishmit që të dalin në mënyrë masive në zgjedhje dhe me votën tyre ta pensionojnë garniturën aktuale politike.

Kurse, bartësi i listës Osman Hajdari, tha se banorët e Billushës duhet të ndihen krenarë që kanë bashkëfshatar të tyre Zafir Berishën i cili është i gatshëm që në të gjitha kohërat të jetë afër interesave të qytetarëve. Ndërkaq kandidatët për asambleistë nga ky lokalitet Shqipe Bytyqi dhe Shani Berisha, premtuan që do të jenë zë i fuqishëm i qytetarëve të kësaj ane në Komunën e Prizrenit./PrizrenPress.com/

Opozita: Raporti i progresit evidenton ngecje

0

Kuvendi_i_Kosoves_7Partitë opozitare të Kosovës, thonë se Raporti i Progresit në disa raste është edhe më i keq se vitet e kaluara. Kjo siç u shprehen ata për shkak të krimit të organizuar, korrupsionit, mosfunksionimit të mjaftueshëm të Qeverisë, Parlamentit dhe disa institucioneve tjera. Deputetët e opozitës kritikuan sidomos mos përmbushjet e kritereve bazë.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, tha se Kosova duhet të ofrojë dëshmi konkrete, në luftimin e krimit të organizuar, trafikimit dhe kontrabandës. Ai tha se kjo është një gjendje e vazhdueshme që po e përcjell Kosovën, duke kritikuar Qeverinë për situatën e krijuar në vend.

“Po të shikohet vetëm janë rritur skandalet, janë rritur opinionet e këqija, por edhe defektet si në kërkesat e legjislacionit, qeverisë por edhe implementimit të tyre. Siç e keni parë nga Raporti i Progresit e metë edhe më e madhe është rritja e krimit të organizuar, trafikimit me qenie njerëzore që është njollë e zezë për Kosovën. Kjo tregon qartë se nuk ka luftim të krimit dhe të korrupsionit në Kosovë dhe nuk ka zbatim të ligjeve d.m.th masat mungojnë në mënyrë të vazhdueshme dhe kjo është e meta kryesore që kjo qeveri nuk e ka vullnetin dhe institucionet e pavarura nuk e kanë vullnetin për shkak të ndikimit qeveritar për të mos u zbatuar ligjet, që besoj se shumica prej tyre kishin mundur të arrijnë efektin e duhur”, tha Zemaj, transmeton RTK.

Deputeti i AAK-së, Burim Ramadani, duke përmendur elementet shqetësuese në këtë raport, tha se opozita duhet të vazhdojë presionin publik ndaj qeverisë dhe në të njëjtën kohë të përgatitet që të ndërrojë qeverinë.

“Qarkullim i parasë është elementi kryesor në të cilat raporti thotë se institucionet e zbatimit të ligjit në Kosovë hezitojnë me fillua punën aty dhe kërkon që të fillohet puna menjëherë nga policia, prokuroria që të hetohen aspektet financiare. Kjo i bie që institucionet dhe udhëheqësit mos me vjedh dhe me lejua mundësinë që institucionet e zbatimit të ligjit me krye punën e vet, mos me ndërhy politikisht. Deri sa jemi kështu kemi me marrë gjithnjë raporte të njëjta”, tha ai.

Ndërsa, deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, thotë se Raporti i Progresit tregon gjendjen reale ku ndodhet Kosova, pra siç tha, dështimin dhe regresin e shënuar si pasojë e Qeverisë së papërgjegjshme.

“Dora e padukshme e qeverisë në sistemin e drejtësisë krimi i organizuar e korrupsioni, trafikimi me qenie njerëzore, mungesa e lirisë së mediave, e të tjera…janë vetëm disa nga gjetjet e përmendura në raport dhe kjo vjen si pasojë e qeverisë së papërgjegjshme. Kur ishte çështja për të arriturat që duhet të bëjë Kosova Lëvizja Vetëvendosje ka dhënë kontributin në shumë aspekte, mirëpo nuk mund të kemi asnjëherë progres përderisa e kemi këtë qeveri në pushtet”, tha ajo.

Partitë opozitare i bënë thirrje qeverisë, që urgjentisht t’i adresojë mangësitë. Ndryshe, në Raportin e Progresit janë përpiluar nga Komisioni Evropian, përparimet, që Kosova ka ndërmarrë karshi anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Kryeziu: Ndryshimi vjen me LDK-në

0

EqremKryeziu9-26Kandidati i LDK-së për kryetar të Prizrenit Eqrem Kryeziu ka mbajtur takime parazgjedhore në fshatrat e Hasit.

Në fshatrat Romajë, Kabash, Kushnin dhe Palnejë, Kryeziu ka shpalosur vizionin e LDK-së për udhëheqjen e Prizrenit.

Ai në këto takime ka premtuar se do të luftojë korrupsionin. ”Është momenti kur në tërë Kosovën vota do ta ndëshkojë keqqeverisjen”, tha Kryeziu.

Sipas tij, këto zgjedhje janë rasti që në Koosvë të ndodh kthesa. ”Ndryshimi vjen me LDK-në”.

Kryeziu në takimet në Has është pritur nga një numër i madh i anëtarëve dhe simpatizantëve të LDK-së.

Hasjanët në këto takime kanë dhën mesazhin se në Has Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të jetë forca kryesore.

Aktivistët e LDK-së në fshatrat e Hasit, Haziz Hodaj, Jusuf Nezaj, Fejzë Kabashi, Kimete Shatri, Smajl Cabrati, dhe shumë aktivistë anëtarë e simpatizantë të LDK-së premtuan votën për ndëshkimin e qeverisje së keqe të PDK-së. /PrizrenPress.com/

Kuçi: Premtimeve të Kilajt, do t’i shtohen edhe 20 % investime më shumë

0

kuqi pagarushZëvendëskryeministri i vendit, Hajredin Kuçi para banorëve të fshatit Pagarushë tha se se premtimeve të Kilajt, për investimet në Malishevë në përgjithësi dhe në Pagarushë në veçanti, do t’i shtohen edhe 20 % më shumë investime nga ana e qeverisë.
Ai tha se programi i Isni Kilajt, jo vetëm që do të realizohet, por do të tejkalohet, me mbështetjen e fuqishme nga kryeministri Hashim Thaçi.

Ndërsa kandidati Kilaj, premtoi se do të vazhdohet me qeverisjen e mirë në Malishevë, dhe se të gjitha premtimet, ashtu sikur i ka realizuar gjatë gjashtë viteve të qeverisjes, ashtu edhe do t’i mbaj ato premtime.

Ai premtoi se do të vazhdohet me përkrahjen në zhvillimin e bujqësisë dhe se çdo vit do të investohen nga gjysmë milioni në përkrahje të bujqësisë

Sali Bashota lë Bibliotekën, zgjedh Universitetin

0

sali bashotaDrejtori i Bibliotekës Kombëtare Universitare të Kosovës, Sali Bashota, ka dhënë dorëheqje nga ky post. Vendimin Bashota ia ka bërë të ditur Ministrit të Arsimit Ramë Buja për të përfillur vendimin e rektorit të Universitetit të Prishtinës, lidhur me përcaktimin e marrëdhënies së rregullt të punës.”Dorëheqjen time e ndiej, në radhë të parë, si një festë shpirtërore dhe intelektuale për punën time dhjetëvjeçare në drejtimin e këtij Tempulli të Dijes”, citon kultplus letrën e dorëheqjes së Bashotës drejtuar ministrit të Arsimit, Shkencës e Teknologjisë Ramë Buja.

Bashota do të vazhdojë të punojë vetëm si profesor i rregullt në Fakultetin e Filologjisë, në Universitetin e Prishtinës.

Doktorata të dyshimta “Made in Shqipëria”

0

f1_17doktorata1381995315Bordi i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) ka vendosur që t’u bëjë “bllok” doktoratave të dyshimta nga Shqipëria, të cilat, sipas tyre, nuk ofrojnë kurrfarë sigurie për vlefshmërinë e tyre.Kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë në AKA, Ferdije Zhushi-Etemi, gjatë një interviste për “Zërin” ka thënë se institucioni që ajo e drejton nuk do të lejojë të hyjnë në tregun e Kosovës as diplomat që merren në universitetet e rajonit, për të cilat ekzistojnë dyshime për vlefshmërinë e tyre.

Dyshimet e agjencisë, sipas kryetares së këtij këshilli, Zhushi-Etemi, janë fokusuar në studimet e doktoratës në Universitetin Evropian të Tiranës (UET). “Universiteti Evropian i Tiranës është institucion privat i themeluar para dy-tri viteve dhe rrezikon të lëshojë diploma të doktoratës pa asnjë kontroll.

Një numër i madh i kandidatëve dhe në Kosovë duke mos pritur që AKA-ja të akreditojë doktoraturën sipas kritereve, janë regjistruar të marrin diploma në këtë universitet në fushën e ekonomisë, juridikut dhe shkencave sociale”, ka thënë Zhushi-Etemi, duke shtuar se vetë kriteri i regjistrimit të kandidatëve është i ulët. Për të arsyetuar këtë, ajo thekson si dëshmi kriterin e pranimit, që sipas saj është “merren të hollat”, dhe kandidati kalon kushtin për të vijuar studimet në UET.

Ajo bën të ditur për gazetën se është bërë trend që nëse kërkohet doktoratë për një vend pune në Kosovë të sillet brenda disa ditëve vërtetimi se kandidati bën doktoratën në UET.

Argument tjetër se cilësia është e ulët në këtë institucion, është se ky institucion me veç dy vite përvojë ka të regjistruar 300 kandidatë në vit në doktoratë, shkruan kjo gazetë.

Haradinaj kërkon vota për Kabashin

0

kabashi3Kandidati i koalicionit AAK-LDD për kryetar të Prizrenit, Lulëzim Kabashi është takuar me veteranët dhe shoqatat e dala nga lufta. Në këtë takim ka marrë pjesë edhe kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj.

Kabashi, në këtë takim prezantoi platformën e tij zgjedhore për të qeverisur Prizrenin.Ai premtoi mbështetje dhe përkrahje të vazhdueshme edhe për veteranët dhe shoqatat e dala nga lufta.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, ndërkaq kërkoi nga veteranët, familjarët e dëshmorëve dhe invalidët e luftës që të përkrahin kandidaturën e Kabashi për kryetar të Prizrenit.

“Lulëzim Kabashi është njeri i luftës dhe punëtor i zellshëm, i cili e ka dëshmuar vetën si në luftë ashtu edhe në politikë”.

Ndërkaq, Stiven Shuk, këshilltar i Haradinajt në këtë takim foli për kujdesin e shtetit amerikan që ka ndaj veteranëve të luftës, kujdes ky që do të duhej t’ju kushtohet edhe veteranëve të luftës në Kosovë. /PrizrenPress.com/

Debat për programet për kulturë të kandidatëve të Prizrenit

0

Valon XhabaliRrjeti i Organizatave të Kulturës në Prizren (RrOK Prizren) organizon debatin me temën “Programet për kulturë të kandidatëve të Prizrenit”. Debati mbahet nesër në ora në orën 11.00, në Qendrën Evropa në Prizren.

Valon Xhabali nga “EC Ma Ndryshe” tha se të ftuar në këtë debat janë të gjithë kandidatët për kryetar të Komunës së Prizrenit si dhe aktivistët e shoqërisë civile dhe të komunitetit të kulturës në Prizren. “Qëllimi themelor i këtij debati është shpalosja e planeve, projekteve dhe programeve të kandidatëve për kryetar të Komunës për kulturën”,tha Xhabili.

Sipas tij, secili kandidat për kryetar të Komunë, do t’i ketë në dispozicion pesë minuta për të paraqitur pikat kryesore të programit të cultures.

“Ndërsa kjo do të pasohet me debatin mes tyre dhe pjesëtarëve të shoqërisë civile. ”Gjatë këtij debati, kandidatët për kryetar të Komunës së Prizrenit do t’i përgjigjen pyetjeve dhe kërkesave të pjesëmarrësve për kulturën, trashëgiminë kulturore dhe turizmin e qytetit.

“Në fund të debatit, RrOK Prizren do t’i ofrojë secilit kandidat për kryetar të Komunës një deklaratë zotimi. Në këtë deklaratë janë të listuara kërkesat e komunitetit të kulturës së qytetit, ndërsa ajo do t’i ofrohet të githë kandidatëve për nënshkrim”.

Rrjeti i Organizatave Kulturore i Prizrenit është rrjet joformal i organizatave të kulturës në komunën e Prizrenit. Misioni i këtij Rrjeti është arritja e një ekonomie të zhvilluar lokale në Prizren përmes pasurimit dhe strukturimit të ofertës turistike bazuar në rritjen e cilësisë dhe vëllimit të aktiviteteve kulturore. Objektivat themelorë të punës së Rrjetit në Prizren përfshijnë: pasurimin e jetës kulturore, ngritjen e cilësisë së aktiviteteve ekzistuese kulturore, strukturimin e ofertës kulturistike, përmirësimin e politikave kulturore në nivel komunal, menaxhimin e decentralizuar të kulturës, diversifikimin e financimit të aktiviteteve kulturore dhe nxitjen e qytetarisë aktive dhe të përgjegjshme./PrizrenPress.com/

 

Pema e Jenicereve

0

15Pema e jeniçerëve, një nga romanët më të bukur historik të shkruar vitet e fundit, nga historiani dhe shkrimtari i njohur anglez Jason Goodwin, tashmë mund të lexohet edhe në shqip nga shtëpia botuese Saras, nën përkthimin e Fari Laçkës. Nëpërmjet ngjarjeve të vendosura në Stambollin e viteve ‘1800, libri Pema e jeniçerëve ofron një panoramë nga afër të botës ekzotike të Perandorisë Osmane të vonë. Atmosfera në Perandori shfaqet plot me konflikte dhe luhatje ndërmjet dëshirës për të ringjallur traditat që po humbasin dhe forcave për ndryshim që kërkojnë të revolucionarizojnë perandorinë dhe ta vënë atë përkrah me fuqitë moderne të Europës së asaj kohe. Libri nuk është vetëm një përshkrim i ndier për Stambollin apo Perandorinë Otomane. Libri është dhe një rrëfim për historinë tjetër të Shqipërisë. Asaj historie që ne e gjejmë në rreshta librash qofshin ata dhe letrarë, si në rastin e këtij libri. Në rrugëtimin e tij historik, Goodwin na njeh me shumë personazhe shqiptare që i takoi në Stambollin e atyre viteve, mes të cilëve dhe një personazh të njohur, siç ishte Ali Pashë Tepelena. Libri është një dëshmi për rolin që kanë pasur shqiptarët në zhvillimin e Perandorisë Osmane, duke i përshkruar ata si njerëz me karakter të fortë e të aftë për të t’ia dalë çdo situate. “Një shqiptar nuk e ka problem luftën”, thotë ai. Dhe pse një libër letrar, në të sqarohen shumë raporte historike. “Është e pamundur të shmangesh nga ndikimi që historia ka te ty dhe në momentin kur je duke bërë një rrëfim letrar”, shprehet Goodwin. Teksa është përpjekur të rindërtojë Stambollin e pas viteve 1800, ai ka hyrë në filozofinë që mbajti gjallë një nga perandoritë më të mëdha në Ballkan e më gjerë, duke kuptuar mirë, rregullat e pashkruara që ende janë të forta sot në funksionimin e një shteti. Pema e jeniçerëve është një leksion i madh historie, një lexim i kujdesshëm i të cilit të bën të kuptosh raportet me të tashmen.

Në vitin 2007, libri Pema e jeniçerëve është nderuar me çmimin Edgarpër novelën më të mirë të vitit dhe është përkthyer në mbi 40 gjuhë. Jason Goodwin e ka bazuar librin mbi historinë e një detektivi, Jashimit, i cili do të bëhet protagonisti që do ta frymëzojë dhe për tri novela të tjera që do të vijnë për lexuesin sërish nga shtëpia botuese Saras, Guri i Gjarprit, Karta Belini dhe Syri i keq. Seritë portretizojnë Jashimin, një eunuk në rolin e detektivit, i cili njeh shumë mirë kulturën osmane dhe atë perëndimore, gëzon besimin e sulltanit dhe zyrtarëve të lartë dhe më shumë i pëlqen të jetojë në një banesë modeste jashtë pallatit madhështor. Gjithë historia e Pemës së jeniçerëve bazohet në një ngjarje të vërtetë. Në qershor të vitit 1826, sulltani Mahmud II shpërbën dhe vret mijëra prej trupave jeniçere që dikur kishin qenë elita e forcave ushtarake të Perandorisë Osmane, por që me kalimin e kohës ishin kthyer në elementë turbullues dhe kishin dalë jashtë kontrollit të sulltanit. Dhjetë vjet më vonë, trupat e reja të modernizuara sipas modelit perëndimor, të cilat zëvendësuan jeniçerët, duhet të paraqesin para njerëzve disa manovra dhe taktika ushtarake gjatë një parade. Dhjetë ditë para kësaj ngjarjeje, katër nga oficerët zhduken. Njeri prej tyre gjendet i vdekur. Kryekomandanti ia beson detyrën për të zgjidhur këtë mister Jashimit. Ndërkohë vritet konkubina e re e sulltanit dhe vidhen edhe xhevahiret e nënës së tij. Jashimi duhet të hetojë tri raste të ndryshme në të njëjtën kohë. Për shkak të këtij misioni, këmba e Jashimit shkel në vende të ndryshme si: ambasada, xhami dhe nëpër rrugët e rrugicat e Stambollit. Për të zgjedhur këto vrasje, Jashimi kërkon ndihmën e ambasadorit polak dhe gruas së ambasadorit rus. Ai zbulon se rastet kanë lidhje me njëri–tjetrin dhe përfshijnë jo vetëm intrigën për hakmarrje nga ana e jeniçerëve të mbetur gjallë dhe të fshehur diku, por edhe luftën për pushtet midis eunukëve të pallatit dhe orvatjet pa fund të ushtarakëve për demokratizimin e jetës, shoqërisë dhe vendit.

Në fund, krejt ndryshe nga sa pritej, Jashimi ia del mbanë të parandalojë disa konspiracione me sukses.

Rrëfimi që Goodwin i bën kësaj historie është i jashtëzakonshëm. Stambolli i shekullit XIX shfaqet nga njëra fletë tek tjetra e librit, e duket sikur vetë Goodwin e shpie lexuesin nëpër qytet, ndërkohë që përshkrimet e tij mbi qytetin të ofrojnë një kënaqësi të pafund. E gjitha kjo e kombinuar me një protagonist, të cilit rrethanat e vështira i japin mundësinë që me mendjemprehtësi të zhbirojë natyrën komplekse të pushtetit dhe seksualitetit dhe në mënyrë të pashmangshme detektivi osman i Goodwin del ngadhënjimtar. Më shumë se një mister historik dhe ekzotik, ky libër lexohet si letërsi dhe përjetohet si një thriller. Por ajo çfarë e bën Pemën e jeniçerëve të jetë një libër i cili lexohet me një frymë është dhe mënyra sesi Goodwin shkruan. Vetë ai tregon në një intervistë se është dashuruar me Stambollin, që kur nisi të studionte histori në Kembrixh. Stambolli nuk është vetëm qyteti i pamjeve të bukura historike, por dhe qyteti ku mund të kuptosh më mirë forcën e pushtetit. Jason Goodwin ka lindur në vitin 1964 dhe është shkrimtar e historian britanik. Ai ka studiuar histori bizantine në Universitetin e Kembrixhit. Pas suksesit me librin Kopshtet e Barutit, ose Kohë për një çaj: Udhëtime në Kinë dhe Indi në kërkim të çaji, bëri një udhëtim nga Polonia në Stamboll të Turqisë. Me rrëfimin e tij mbi këtë udhëtim i titulluar Më këmbë deri në Bririn e Artë, në vitin 1993, mori çmimin John Llewellyn Rhys/Mail on Sunday. Më pas shkroi Zotat e horizonteve: Një histori e Perandorisë Osmane. Më vonë u bë i njohur si autori i serive misterioze duke filluar me librin Pema e jeniçerëve. Ngjarjet e novelës tjetër me personazh eunukun Jashim, Karta Belini, zhvillohen në Venecia. Novela e titulluar Syri i heq, me epiqendër haremin e sulltanit, doli në pranverë të vitit 2011 dhe një tjetër aventurë në Stamboll e titulluar Lexuesi latin, pritet të publikohet në vitin 2013.

 
Ali Pasha, dhelpër e vërtetë
Për Jason Goodwin, Ali Pasha është një personazh i njohur në Stambollin e pas viteve 1800. Teksa shfletonte letrat pafund të arkivave turke, ai është ndeshur shpesh me emrin e këtij shqiptari jo të zakonshëm. Në Stambollin e atyre viteve, shqiptarët mund t’i gjeje kudo. Goodwin është i magjepsur nga forca e këtyre njerëzve, të cilët, edhe pse mijëra kilometra larg, flisnin me aq dashuri për vendin e tyre dhe dinin të mbronin njëri-tjetrin. Te Pema e jeniçerëve shqiptarët janë kudo. Ata i gjen në ushtrinë e jeniçerëve, apo në kuzhinën e sulltanit, apo roje të rëndësishme në portat e perandorisë… Por një prej tyre ishte ndryshe. Ai ishte Ali Pasha. “Ali Pasha ishte një kryekomandant, i cili me dinakëri dhe mizori kishte ngritur një gjysmë shteti të pavarur në malet e Shqipërisë dhe Greqisë Veriore. Katërmbëdhjetë vjet më parë, Jashimi kishte parë kokën e tij të vënë në një nga kolonat e portave të sarajeve të sulltanit. Luani, – ngriti zërin Mustafai. – Kështu e quanim ne atë. Kam shërbyer në ushtrinë e tij. E bëja për vendin tim. Por Ali Pasha ishte dhelpër e vërtetë. Ai na dha paqe. Unë doja luftë. Në vitin 1806 shkova në Danub. Atje u bashkova edhe me trupat. Me jeniçerët? Mjeshtri i supës tundi kokën. Si kuzhinier. Që atëherë isha kuzhinier. Lufta nuk ka shumë rëndësi për një njeri. Një shqiptar s’e ka fare problem. Pyesni grekët. Por gatimi…. – Ai mërmëriti i kënaqur.
Jashimi bashkoi duart dhe u fryu. – Unë jam njeri i traditës, – vazhdoi mjeshtri. – Për mua, jeniçerët ishin simbol i traditës. Këtë perandori e ndërtuan ata, apo jo? Dhe një i huaj e ka të vështirë ta kuptojë këtë gjë. Regjimenti i jeniçerëve ishte si një familje….” – shkruan Goodwin në Pema e jeniçerëve. Dhe pse libri është një krijim letrar, Goodwin tregon se në shkrimin e kësaj historie është bazuar te dokumente të ndryshme historike, që për vite me radhë i ka kërkuar në arkivat e Stambollit./Shqip/