8.1 C
Prizren
E martë, 21 Prill, 2026
Home Blog Page 9005

LDK-ja në Malishevë, fushatën zgjedhore e filloi Bellanicë

0

BallanicKryetari i Nëndegës së LDK-së në Bellanicë Sami Kafexholli falenderoi për pjesëmarrjen masive, në hapjen e fushatës së LDK-së. Ai tha se Nëndega e LDK-së në Bellanicë është e nderuar që hapja e fushatës elektorale bëhet pikërishtë këtu në Bellanicë. “Kjo nuk ka ndodhur rastësishtë pasi pikërishtë këtu është mbajtur edhe Kuvendi i Parë i LDK-së pas luftës”, tha Kafexholli.

Sipas tij, Bellanica ka mbajtur gjallë arsimin paralel të viteve 90-ta, dhe  ka kontribuar shumë në luftën e fundit çlirimtare. Ai tha se një kotribut të madhë për fshatin Bellanicë kanë dhënë edhe mergimtarët tanë të cilët që nga vitet e 60-ta gjenden në Evropën Perendimore.

Kryetari i Degës së LDK-së në Malishevë Januz Kastrati, ndërkaq falenderoi të pranishëmit për organizimin madhështor si dhe për mbështetjen e vazhdueshme. “Këtë herë LDK-ja do të fitojë bindshëm dhe pa balotazh, sepse kandidati i LDK-së për kryetar të Komunës Salih Morina si dhe kandidatët të cilët garojn për Asamblen Komunale janë më të mirët dhe do të jenë përfaqësues të zërit tuaj në qeverisjen e Malishevës”, tha Kastrati.

Hapjen e fushatës zgjedhore e nderoi me pranin e tij edhe ish- komandanti i Kosharës legjendare Anton Quni.
Ai tha  se ndihet i priveligjuar që në hapjen e fushatës zgjedhore ndodhet në bastionin e LDK-së, në Bellanicën, që ka dhënë një kontribut të madh si para lufte ashtu edhe pas lufte. Quni u  bëri thirrje banorëve të Bellanicës që në këto zgjedhje të votojn për ndryshimin, të votojn për LDK dhe Salih Morinën.

Kandidati për kryetar të Komunës së Malishevës Salih Morina tha ndërkaq  se Bellanica gjithmonë ka dhënë kontributë të çmuar si para lufte, gjatë, dhe pas lufte.

“Prioritet për Bellanicën sot është kthimi i pronave qytetarëve të cilat janë uzurpuar nga pushteti serbo-sllav në vitet e 58- 59, dhe tash së fundi të uzurpuara nga grupet kriminale të interesit të cilat janë të afërta me pushtetin. Ne si pushtet lokal do të bëjmë përpjekjet maksimale për zgjidhjen e këtij problemi jetik për Bellanicën”, tha ai.

Morina premtoi para  banorëve të Bellanicës një qeverisje e cila do të jet në dobi të qytetarëve të Malishevës dhe se do të qëndrojë gjithmonë pranë kërkesave dhe nevojave të banorëve të Bellanicës./PrizrenPress.com/

Rexhaj: Ndryshimi bëhet së bashku

0

VV yusuzLëvizja Vetëvendosje! në Prizren është takuar me banorët e lagjes “Tusuz”. Kandidati për kryetar, Arbër Rexhaj dhe kandidatët për Ansamblenë Komunale , premtuan se VV-ja nuk mund të bëj ndryshimin e qeverisjes së keqe pa qytetarët.

“Ndryshimi kësaj gjendje të padrejtë mund të bëhet vetëm së bashku, prandaj më 3 nëntor kërkojmë mbështetjen tuaj. Vota juaj le të jetë ndëshkim për padrejtësinë” , tha Rexhaj./PrizrenPress.com/

Kizolli: Qeverisjes së keqe, do t’i jap fund në Prizren

0

Hapja e fushates KizolliPartia Koservatore e Kosovës ka hapur fushatën zgjedhore në Prizren. Kryetari i PK-së, Munir Basha tha se ky subjekt politik, do të sjellë ndryshime në Prizren.
“Prezenca juaj dëshmon edhe njëherë përkushtimin tonë dhe arsyetimin se Partia Konservatore e Kosovës është një lëvizje e duhur, kuptimplotë dhe një nevojë e domosdoshme që do të sjellë ndryshime pozitive në Prizren, një parti që do të mbush zbrazësinë politike me frymë konservatore që i mbron vlerat dhe promovon përparim dhe zhvillim me dinjitet. Vizioni politik i Partisë Konservatore të Kosovës nuk është përjashtues, por përqafues, jo përçarës por bashkues që në epiqendër vendos qytetarin si sovranin kryesor të vendit”, tha Basha.

Partia Konsrevatore e Kosovës, fushatën zgjedhore e ka filluar pranë rrapit të vjetër në Marsh. Ky rrap tregon vjetërsinë, fortësinë, krenarinë dhe mbijetesën nëpër vështirësitë kohore.Në hapjen e fushatës zgjedhore të PK-së, kanë marrë pjesë mbi 500 qytetarë dhe simpatizantë të këtij subjekti politik.

Kandidati i PK-së për kryetar të komunës së Prizrenit, Beni Kizolli, ka shpalosur programin dhe ofertën e tij qeverisëse të mbështetur nga Kabineti për Qeverisje të Mirë.

“Tani kur ju shoh juve këtu, prezencën dhe mbështetjen tuaj, jam shumë i bindur se do të korrim sukses, jo vetëm se Unë dhe Kabineti im do të punojmë për të nxjerrë Prizrenit nga kaosi i qeverisjes së keqe, jo vetëm se ne kemi vizion për një ardhmëri të ndritshme, por edhe pse Ju qytetar të nderuar, ithtarët e Partisë Konservatore të Kosovës jeni gati që me votën tuaj të bëni ndryshime, jeni të përkushtuar që njëherë e përgjithmonë të thoni jo papunësisë, të thoni Jo skamjes dhe varfërisë, të thoni jo borxhit, të thoni jo pasurimit të pushtetarëve nën kurrizin tuaj. Do të korrim sukses sepse të gjithë së bashku kemi vizion, kemi projekte konkrete zhvillimore, kemi mbështetje të fuqishme nga partnerët tanë dhe kemi ide se si qeveriset një vend duke zëvendësuar politikën e vjetër të skaduar moralisht me një politikë të re që i takon të së ardhmes”, tha Kizolli.

Në fund janë prezantuar edhe kandidatët e Partisë Konservatore të Kosovës për anëtarët e Kuvendit të Prizrenit që garojnë në zgjedhjet e 3 nëntorit, të përcjellur me një duartrokitje frenetike./PrizrenPress.com/

 

Jorgo Bulo: Mos falsifikoni, Çajupi nuk ka poezi perverse

0

73789Janë bërë në modë sot në jetën tonë kulturore disa tipa grafomanësh diletanto-gazetaro-amatorë, që kanë mbirë si kërpudhat pas shiut, në klimën e një rrumpalle të përgjithshme. Reagimi profesional ose mungon, ose është i zbehtë për t’i vënë fre kësaj dukurie që përhapet e zë vend si pa kuptuar, duke krijuar një “kulturë”, a më mirë një antikulturë lirie spekulimesh dhe dezinformimi të opinionit publik, një terren lulëzimi të diletantizmit e zhvlerësimi të standardeve profesionale në kërkimin shkencor, duke rrënuar dhe seriozitetin e medias e të botimeve në fusha të ndryshme, por sidomos në fushë të historisë e të kulturës kombëtare. Kjo na detyron të merremi me rastin e botimit kohët e fundit në disa faqe kulturore të një poezie me titull “Kënga e kandarit” a “Elegji në pleqëri, për të shkretën djalëri”, që i atribuohet poetit të shquar A.Z. Çajupit. Nuk është hera e parë që Çajupit i atribuohen ose krijime të ashtuquajtura “adespotë”, d.m.th. pa zot, ose krijime “me zot”, por të paidentifikuara nga botuesit, gazetarët a redaktorët e faqeve përkatëse kulturore, për shkak të mungesës së përgatitjes së tyre filologjike dhe historiko-kulturore për ta bërë një gjë të tillë. Disa raste të kësaj kategorisë së dytë i kemi denoncuar duke vënë në vend të vërtetën. Rasti i fundit i vjershës “Kënga e kandarit”, i përket kategorisë së parë të teksteve “adespote”. Një tekst i tillë “pa zot”, sipas filologes italiane Luçia Çezarini Martineli, “mund të krahasohet lehtë me një qen rrugësh, me një bastard me racë të papërcaktuar” që i lihet në derë “vjedhurazi” një botuesi si një tekst “fals”, d.m.th. si një tekst që i atribuohet qëllimisht një autori të ndryshëm nga ai i vërteti”, i cili në rastin tonë nuk dihet kush është. Në këto raste “viktima” e supozuar si autor i tekstit është zakonisht një personalitet i njohur, me emër, sepse falsifikatori a mistifikatori ka interes të përfitojë nga ky “zbulim”. Dhe përfitimi në rastin konkret nuk është i vogël, është “zbuluar” e vënë në qarkullim një poezi e panjohur e një poeti të shquar, e A.Z.Çajupit (!?).
* * *
“Kënga e kandarit” nën okelon “Poezi të zgjedhura nga A.Z. Çajupi” botohet në faqe kulturore, krahas poezive, a fragmente poezish erotike të poetit Zagorit, si një plotësim i repertorit të vjershave të tij për dashurinë. Këto gjashtë poezi janë të njohura si krijime të poetit, të përfshira edhe në botimin e veprës së plotë të tij, çka nuk vë në dyshim autorësinë e tyre. Por botimi në këtë faqe i “Këngës së kandarit”, e panjohur deri sot si vepër e Çajupit, do të kërkonte disa argumente që do të provonin se është vepër e tij. Fjala vjen, cili është burimi nga është marrë poezia, a ekziston një dorëshkrim autograf i saj, a ka ndonjë të dhënë të drejtpërdrejtë a të tërthortë nga autori për “pronësinë” mbi të, ç’arsye dhe argumente ka botuesi që ta besojmë se kjo poezi i përket Çajupit. Asnjë shpjegim, asnjë argument, asnjë shënim qoftë edhe hipotetik; përkundrazi, poezisë i jepet statusi si vepër e Çajupit njëlloj si poezive të njohura të tij, si “Kopshti i dashurisë” e të tjera.
Është e qartë se bashkëpunëtori i gazetës, redaktori i faqes a gazetari përkatës, kushdo qoftë personi që ka marrë përgjegjësinë ta paraqesë “Këngën e kandarit” si vepër të Çajupit, e që nuk dihet pse mbetet anonim, nuk ka në dorë as burime arkivore, as burime bio-bibliografike, as argumente filologjike e historiko-letrare, asnjë provë që të provojë se poezia është e Çajupit. Në qoftë se do t’i kishte, duhet t’i përdorte për të qenë korrekt me autorin e supozuar e me lexuesin dhe bindës për “zbulimin” e tij.
* * *
Në kushtet e mungesës së këtyre të dhënave botuesi do të duhej të bënte “ekspertizën” a “ADN”-në e tekstit, d.m.th. analizën e tekstit, të gjuhës, të stilit, dhe të gjithë përbërësve të tij. Por as këtë nuk e bën, ose se nuk është në gjendje ta bëjë, ose se rezultati i kësaj ekspertize do të ishte kundër tij dhe kundër aventurës së tij.
Nga një vështrim i shpejtë me një sy të vëmendshëm kuptohet qartë se “Kënga e kandarit” është një bejt që nuk ka lidhje me krijimtarinë e Çajupit, me profilin e tij poetik dhe me ligjërimin e tij poetik. Nuk do të ndalem në këtë të fundit sa i përket “Këngës së kandarit” ku bie në sy një thyerje që vjen nga përzierja e tipit të ligjërimit popullor me atë libresk. Do të mjaftonte vetëm një krahasim i leksikut të këtij teksti, me leksikun poetik të Çajupit, për të kuptuar hendekun kohor midis tyre, çka dëshmohet nga prania e njësive leksikore, të cilat nuk i përkasin korpusit të fjalorit poetik të Çajupit. Kemi mundur të verifikojmë e të veçojmë plot 19 fjalë, duke filluar nga fjala kandar që në titull të poezisë, e duke vazhduar me: Aleti, bandill, turfulloj, bythëzbuluar, patëllxhan, i rraskapitur, sisëplota, sisëmëdha, shurrë, virgjëresha, meazallah, qofte, taze, sejmen, kuplara, bionde, meskëputura dhe persiane, fjalë që nuk figurojnë në asnjë tekst poetik a në prozë të Çajupit, e që, siç kuptohet nga kjo listë, edhe pa i verifikuar, një specialist i kupton se nuk janë tipike për fondin leksikor të veprës së tij.
* * *
Ka një varg në tekstin adespot të “Këngës së kandarit”, që nuk mund të mos i bjerë në sy një lexuesi të zakonshëm, jo më një specialisti që guxon të “zgjidhë” çështjen e autorësisë së tij.
Në strofën 5 të tekstit të botuar lexojmë:
“Po sot ç’ka që është mërzitur
Trup e shpirt i rraskapitur”
Ky vargu i fundit nuk mund të mos tingëllojë si një reminishencë nga F.S. Noli. Le të kujtojmë vargun e tij të njohur ‘Trup e shpirt i sakatosur’, të poezisë “Anës lumenjve” shkruar më 1930, kur Çajupi ishte në shtratin e vdekjes (ai u nda nga jeta në korrik të atij viti) dhe botuar prej Nolit për herë të parë më 1943 tek “Dielli” e pastaj te “Albumi” më 1948, fakt që e bën absurd çdo hamendje për një ndikim të Çajupit prej poezisë së Nolit. Kjo dëshmi e një distance kohore të dukshme, tregon se “Kënga e kandarit” është një prodhim i vonë, si të thuash i kohës sonë, jo i kohës së Çajupit. E kemi dëgjuar dhe e kemi të regjistruar nga disa “qejfli” bejtesh liçensioze, në disa variante, me ndryshime herë-herë të dukshme, çka tregon se “Kënga” ka bërë jetën folklorike, siç bëjnë zakonisht krijimet e poetëve anonimë popullorë. Pra “Kënga e kandarit” ka vite që qarkullon si një krijim anonim folklorik, por asnjë çajupolog a thjesht botues nuk ka kuturisur ta përfshijë në veprën e plotë të Çajupit, e cila ka njohur disa botime e ribotime këtu dhe në Prishtinë. Këtë kuturisje, me një mungesë të plotë përgjegjësie dhe serioziteti, e mori përsipër ta bëjë një anonim, mistifikator sharlatan, në mos dashakeq, duke i atribuuar poetit një bejt ordiner si një mish të huaj në krijimtarinë e tij. Çajupi është një poet i madh, edhe erotik, por elegant; ai nuk është as një poet banal e vulgar, as një poet pervers.
* * *
Edhe sikur bejti në fjalë të ishte a të jetë një vepër me vlera antologjike, akti i atribuimit të saj një poeti vepër e të cilit nuk është, përbën një veprim të palejueshëm, amoral dhe joprofesional. Krijuesit e mëdhenj nuk kanë nevojë për një “bamirësi” të tillë. Përkundrazi, morali dhe dinjiteti i tyre nuk pranon as t’u preket “fëmija” i tyre, për ta bërë “më të bukur”, jo më të pranojnë fëmijën e huaj, që ua lë në derë dikush si me qenë gjoja fëmija i tyre. Le të kujtojmë me këtë rast marrëdhënien e Sami Frashërit me botuesin e veprës së tij në Bukuresht. Ai kishte maninë të ndërhynte “për t’ia ndrequr” Samiut tekstet e shkrimeve të tij. I revoltuar nga kjo, shkrimtari dhe shkencëtari i madh i shkruante botuesit të tij se “çdo njeri do djalën e ti, pa le të jetë i shëmtuar e i dobëtë, më mirë se sa doçnë e së shoqes të bukur e të shëndoshë”. Aq më keq kur Çajupit botuesi i “Këngës së Kandarit” nuk i ka “dhuruar” një fëmijë aq të bukur e të shëndoshë.
Në qoftë se botuesi i “Këngës së kandarit” bën atë që s’e ka bërë, d.m.th. paraqet argumente dhe prova bindëse se ky krijim është i Çajupit, ne do t’i kërkonim ndjesë publikisht, përndryshe, me ndjenjën qytetare dhe me përgjegjësinë e një studiuesi dhe botuesi të veprës së Çajupit, pse jo dhe me të drejtën e një trashëgimtari familjar të saj, do të kërkonim nga autori i këtij falsifikimi të lypte ndjesë publike për dëmin moral që i ka shkaktuar me këtë veprim poetit të “Baba Tomorit”.
Duke përfunduar këto radhë dëshiroj t’i kujtoj tufës së falsifikatorëve dhe mistifikatorëve, një mësim të nxjerrë nga përvoja e shkencës filologjike, se “falsi i përkryer, është si krimi i përkryer” nga që “falsifikuesi lë gjithmonë ndonjë gjurmë që e tradhton”, sado të përpiqet t’ia përshtatë tekstin e falsifikuar stilit të autorit që ia atribuon.
* * *
Si u tha që në krye, u detyruam të ndërhyjmë me këtë shkrim meqë nuk është fjala për një a dy raste të izoluara, por për një fenomen të përhapur, për një epidemi nga e cila lëngon sot kultura e “lajmeve kulturore”, duke i kthyer ato në një lëndë konsumi të përditshëm thashethemesh.

Ekspozita “Të bllokuar në lëvizje” në kryeqytet

0

ekspozitFotografi dhe xhirime e përbëjnë ekspozitën “Të bllokuar në lëvizje”, e cila është punuar nga artisti kosovar, Dren Maliqi, dhe dy artistët gjermanë: Paul Phillip Heinze dhe Mattaias Krause. Video dhe audioinstalacioni janë punuar nga xhirimet në Ulpianë të Vjetër dhe Novobërdë, shkruan kultplus.

Dren Maliqi, artist nga Kosova së bashku me dy artistët gjermanë: Paul Phillip Heinze dhe Mattaias Krause, kanë hapur ekspozitën e tyre me titullin “Të bllokuar në lëvizje”(Make a match) në mbrëmjen e së enjtes, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, te kompleksi “Qafa”, në Prishtinë.

Këta artistë kishin zgjedhur që t’i xhironin disa pamje para Bibliotekës Kombëtare, pamje nga Ulpiana e vjetër (Lipjan) si dhe kodrat e larta të Novobërdës.

Qëllimi i projektit është që të ndërtohet bashkëpunimi i qëndrueshëm i cili do të zhvillohet në të ardhmen, të ngrit vetëdijen në kulturën e tjetrit, të zgjeroj dhe ndërtoj perspektiva të qëndrueshme të cilat zhvillohen në diskutime, ku artistët dhe vizitorët reflektojnë në punën, shoqërinë dhe të qenit ndryshe.

Dren Maliqi, artist pjesëmarrës i këtij projekti theksoi për “Kultplus”, se projektin “Të bllokuar në lëvizje”, e kanë realizuar për dy javë dhe janë munduar të zgjedhin vende të përshtatshme për konceptin e projektit.

”Projektit “Make a match”, tashmë i ka ardhur radha që të shfaqet në Prishtinë, ku nikoqir apo artist lokal jam dhe artsitët ndërkombëtarë Matthiasi dhe Philipp që janë nga Berlini. Këtu në Kosovë ata kanë qëndruar dy javë dhe e kemi krijuar një vepër artistike së bashku. Meqenëse është hera e parë që jemi njoftuar përmes këtij projekti me djemtë nga Berlini, kemi vendosur të eksperimentojmë dhe t’i bëjmë bashkë disa fotografi dhe xhirime të zakonta. Vendet ku i kemi realizuar këto janë në Prishtinë dhe jashtë saj, pra, në Ulpianë të vjetër dhe Novobërdë.”, ka thënë Maliqi.

Mathias Krause, artist nga Gjermania, është shprehur se gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, ka parë vende të cilat i kanë lënë shumë përshtypje.

“Ky projekt ka qenë me ftesë ku ideja kryesore e “Make a match”, ka qenë që artistë të vendeve të ndryshme të bashkëpunojnë ndërmjet veti për ta krijuar një vepër artistike. Më ka pëlqyer ideja që të vi në Kosovë dhe pa hezituar kam marrë pjesë në këtë projekt. Vendet ku kemi shkuar si në Prishtinë, Ulpianë e vjetër dhe në kodrat e Novobërdës që t’i xhirojmë disa pamje më kanë pëlqyer shumë. Megjithëkëtë, besoj që kemi arritur të bëjmë punë të mirë”, ka thënë Krause.

Projekti “Make a match”(Të bllokuar në lëvizje) ka ardhur në Prishtinë pas ekspozimit në : Tel Aviv, Bazel, Vjenë dhe Stokholm.

Ky projekt ishte i bazuar në idenë e shkëmbimit kulturor të artistëve të cilët jetojnë dhe punojnë në qytete të ndryshme.

Ekspozita që është hapë më 3 tetor do të qëndrojë e hapur deri më 17 të këtij muaji.

“Qeveria Muja” për gjashtë muaji shpenzoi 113 mijë euro për karburante të vetuarave

0

Shtepia e Bardhe-PrizrenKomuna e Prizrenit në gjashtë muajt e parë të këtij viti ka harxhuar 113 mijë euro për karburante. Ndërkaq, për mirëmbajtjen dhe riparimin e vetuarave janë paguar fatuar në vlerë prej 35 mijë eurosh. Drejtuesit e komunës së Prizrenit nuk kanë kursyer as për udhëtimet , si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës.

Për udhëtimert në Kosovë janë shpenzuar 22 mijë e 600 euro, ndërsa për udhëtimet jashtë vendit janë shpenzuar 25 mijë euro , bashkë me 6 mijë e 500 euro të paguara në emër të mëditjeve. Drejtori për Buxhet dhe Finaca ,Mehmet Butuç ka konfirmuar shpenzimet e bëra nga qeveria komunale, duke shqaruar se në disa raste ka pasur edhe shlyrje të borxheve të vitit të kaluar.

Ai ka thënë se nuk janë shpenzuar për karburante 113 mijë euro, por 80 mijë euro. “Në periudhën janar-qershor 2013 janë shpenzuar 80 mijë e 142 euro për karburante.55 mijë e 450 euro janë karburante për vetuar dhe 24 mijë e 680 euro janë derivate për gjenerator”, ka thënë Butuç për Kohën Ditore.

Opozita, ndërkaq ka kritikuar shpenzimet që ka bërë Komuna e Prizrenit. Sipas tyre, ky pushtet më shumë është intersuar të krijojë luks për vete ,se sa të përmisojë jetën e qytetarëve të Prizrenit. /PrizrenPress.com/

Lamtumirë zonjë!

0

drita-pelingu-7-150x150Drita Pelingu nuk donte të ikte. E ulur në kolltukun bri tavolinës së drunjtë, ku një vazo e madhe me lule natyrale varej bri portreteve të njerëzve të saj të dashur të vendosur në korniza, vetëm pak kohë më parë, ajo vazhdonte të fliste për të ardhmen… Orët e gjata të kësaj sëmundjeje e kishin lodhur, por portreti i saj nuk shfaqte shenja dorëzimi… Kishte shpresë se ndërhyrjet e fundit që kishte bërë në këmbë do ta bënin ta prekte sërish skenën apo të ngrihej prej kolltukut dhe t’ua hapte vetë derën miqve që nuk mungonin në apartamentin e saj… Gjithë jeta e saj ndodhej në muret e atij apartamenti, ku prej vitesh jetonte e vetme pas vdekjes së të shoqit.

Fotografitë e mëdha në mure risillnin imazhet e njerëzve që dikur endeshin në këtë shtëpi. E pak më tej, një portret i madh, ku ajo shfaqet e qeshur me flokët e hedhur mbi supe në rolin e Gertrudës… Ka kaluar gjysmëshekulli që atëherë, kur përkrah Naim Frashërit interpretoi në dramën e Shekspirit… “Të luaje me Naim Frashërin nuk ishte vetëm fat, por lumturi. Forca sugjestionuese e syve të tij të trondiste. Ishte partneri im kryesor, por jo vetëm partner, por edhe shok e mik i familjes”, thotë me mundim ajo. Sytë e saj tashmë reflektonin atë dhembjen e heshtur që kritiku Andon Pano shihte dikur te Gertruda e saj. Por tashmë ajo nuk ishte në rolin e Gertrudës, por duke prekur fundin e jetës së saj, që dukej sikur e ndiente teksa përpiqej ta largonte me planet për të ardhmen… Nuk ishte në gjendje të jepte intervistë të gjatë. Bisedat tona ishin në ato pak kohë, kur ajo qetësohej nga dhembja, por sërish nuk mjaftonin për të folur për një jetë… Besonte se një ditë do të ishte më mirë për të folur më gjatë. Kohët në shtëpi nuk ishin të lehta për një grua plot energji si ajo, që ishte mësuar të shihte çdo ditë jashtë dritën… Tashmë gjithë kohën e bisedave me miqtë ajo e kishte zëvendësuar me një tjetër mik që u bë i domosdoshëm në muajt e fundit të jetës së saj, ditarin. Drita Pelingu kishte nisur të hidhte në letër gjithë jetën e saj duke shkruar kujtime.

Si pedagoge dhe një grua që i kishte pëlqyer gjithnjë të lexonte, ajo shkruante aq bukur. Kujtimet e saj i ruante me fanatizëm, por një ditë besonte se do t’i kishte në një libër. Ato janë testamenti i një jete të jetuar plot dashuri, i një aktoreje të rrallë që do t’i mungojë gjatë skenës shqiptare. Do të donte të kishte ruajtur letrat e spektatorëve pas duartrokitjeve që merrte në çdo shfaqje. “Pas duartrokitjeve, spektatorët na fusnin shumë letra në duar. Bashkë me Naim Frashërin dhe bashkëshortët tanë i lexonim dhe i grisnim. Kështu grisëm kujtesën tonë, sepse ato ishin dokumente shumë të rëndësishme”, kujtonte ajo.

Dje, Drita Pelingu mbylli sytë përgjithmonë, duke iu dorëzuar dhembjes. Në apartamentin ku ndau gjithë jetën e saj, tashmë miqtë nuk do të mund ta gjejnë më gruan që fliste me aq dashuri për jetën, e s’mund ta mendonte atë pa teatrin. Drita Pelingu nuk është më, por rolet e saj të mbetura në foto do të jenë historia e teatrit shqiptar. E lindur në Vlorë, më 3 dhjetor të vitit 1926, ajo ishte e vetmja vajzë që konkurroi në dhjetor të vitit 1944 dhe hyri në janar 1945 në të parën shkollë të artit dramatik shqiptar, duke thyer të gjitha normat e shoqërisë feudale dhe jo pa pasoja. Ishte vajza e vetme mes shumë meshkujve, si Kadri Roshi, Naim Frashëri, Prokop Mima, Lazër Filipi etj. Më 1946-n është aktore profesioniste e Teatrit Popullor. Në karrierën e saj të gjatë, mbi gjashtë dekada, krijimtaria e saj artistike është e larmishme dhe e suksesshme dhe përfshin tri fusha: si aktore e teatrit dhe kinematografisë, Drita numëron rreth 150 role, ku mbi gjysma e tyre janë role kryesore, madje kryerole femërore të dramaturgjisë botërore dhe asaj shqiptare. Role si Luiza Miller “Intrigë dhe dashuri” e Shilerit, Gonerola te “Mbreti Lir”, Gertruda “Hamleti”, Missis Ford “Gratë gazmore të Uindsorit” nga Shekspiri, Diana te “Qeni i kopshtarit” e Lope de Vegës, Zoicika te “Një letër e humbur” e Karexhalës etj. Një kontribut të veçantë ajo ka edhe në kinematografi, ku ka interpretuar rreth 15 role, por edhe në fushën pedagogjike, e atë të regjisurës. Drita ka vendosur në skenë si regjisore pjesë të suksesshme në skenën e Teatrit Kombëtar, në skenën e Teatrit “Petro Marko” të Vlorës dhe në Teatrin e Kombësive në Shkup.

Për 33 vjet më radhë që nga viti 1976, eksperienca, inteligjenca, kultura profesionale e saj, kanë shërbyer si premisat që ajo të quhej si një prej pedagogeve më të mira të artit skenik. Për kontributet e saj të veçanta, Drita Pelinkut iu akordua nga Presidenti i Republikës titulli “Mjeshtre e madhe”, “Çmimi i karrierës” dhe gjithashtu titulli “Artiste e merituar”, çmimi “Ismail Qemali”, ndërsa bordi drejtues i Institutit Amerikan të Biografive e ka zgjedhur ndër 500 udhëheqësit më me influencë në botë. Së fundmi, qyteti i lindjes e ka çmuar si “Qytetare nderi” të Vlorës dhe Presidenti i Republikës i ka akorduar titullin më të lartë, “Nder i kombit”. Homazhet për nder të saj nisin sot në orën 11:00 te holli i Teatrit Kombëtar.Alda Bardhyli

LDK-ja dhe Vetëvendosje! sot hapin fushatën zgjedhore në Prizren

0

Vetëvendosje-LDK-logoLidhja Demokratike e Kosovës(LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje! do të hapin sot fshatën zgjedhore në Prizren. LDK-ja fushatën zgjedhore do të hapë në qendër të qytetit “Shatërvan” në ora 16:30.”Kemi kënaqësin t’ju njoftojmë në manifestimin e hapjes së fushatës zgjedhore të LDK-së, Dega në Prizren. Tubimi mbahet me 4.10.2013(e premte) në ora 16:30 në sheshin “Shatërvan”. Tubimin tonë e nderon edhe pjesëmarrja e kryetarit të LDK-së, dr. Isa Mustafa”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Po sot fushatën zgjedhore e fillon edhe Lëvizja Vetëvendosje! në Prizren. “Me datën 4 tetor (e premte), ora: 15:00 në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha”, mbahet tubimi i hapjes së fushatës elektorale të Lëvizjes Vetëvendosje! në Prizren”, thuhet në njoftimin e VV-së në Prizren./PrizrenPress.com/

 

Bëni fushatë të ndershme

0

ValdeteDaka-zgjedhjetKryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka kërkuar nga subjektet politike që të zhvillojnë fushatë fer dhe demokratike, shkruan Epoka e re.

“Shpresojmë se me mbajtjen e këtyre zgjedhjeve do të përmirësohet imazhi i Kosovës, i cili është dëmtuar nga proceset e kaluara zgjedhore”, tha Daka.

Blair: Ndërhyrja në Kosovë, ndërhyrje e duhur

0

TonyBlair-kosoveKam marrë pjesë në shumë ndërhyrje, por mendoj që Kosova ka qenë ndërhyrja e duhur. Kështu mendoja atë herë, kështu mendoj edhe tani, ka thënë ish kryeministri britanik, Tony Blair.

“Duhej të ndërhynim. Unë besoj që nëse toleron spastrimin etnik, atëherë ke lejuar jo vetëm aktin, por ke lejuar të tjerët që të thonë: kjo bëhet dhe bashkësia ndërkombëtare nuk ndërhyn. Ky është një mesazh shumë i keq. Kur kam vizituar kampet e refugjatëve dhe kur e kuptova se çfarë kishin vuajtur, e kuptova që të qëndronim mënjanë do të ishte tërësisht e gabuar, sepse është pjesë e sistemit tim të vlerave dhe besimit tim. Bashkësia ndërkombëtare duhet të tregojë autoritet tek ata njerëz që pësojnë shtypjen dhe duhet të qëndrojë në krah të tyre”, ka thënë ai, shkruan Shekulli.