17.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Lamtumirë zonjë!

drita-pelingu-7-150x150Drita Pelingu nuk donte të ikte. E ulur në kolltukun bri tavolinës së drunjtë, ku një vazo e madhe me lule natyrale varej bri portreteve të njerëzve të saj të dashur të vendosur në korniza, vetëm pak kohë më parë, ajo vazhdonte të fliste për të ardhmen… Orët e gjata të kësaj sëmundjeje e kishin lodhur, por portreti i saj nuk shfaqte shenja dorëzimi… Kishte shpresë se ndërhyrjet e fundit që kishte bërë në këmbë do ta bënin ta prekte sërish skenën apo të ngrihej prej kolltukut dhe t’ua hapte vetë derën miqve që nuk mungonin në apartamentin e saj… Gjithë jeta e saj ndodhej në muret e atij apartamenti, ku prej vitesh jetonte e vetme pas vdekjes së të shoqit.

Fotografitë e mëdha në mure risillnin imazhet e njerëzve që dikur endeshin në këtë shtëpi. E pak më tej, një portret i madh, ku ajo shfaqet e qeshur me flokët e hedhur mbi supe në rolin e Gertrudës… Ka kaluar gjysmëshekulli që atëherë, kur përkrah Naim Frashërit interpretoi në dramën e Shekspirit… “Të luaje me Naim Frashërin nuk ishte vetëm fat, por lumturi. Forca sugjestionuese e syve të tij të trondiste. Ishte partneri im kryesor, por jo vetëm partner, por edhe shok e mik i familjes”, thotë me mundim ajo. Sytë e saj tashmë reflektonin atë dhembjen e heshtur që kritiku Andon Pano shihte dikur te Gertruda e saj. Por tashmë ajo nuk ishte në rolin e Gertrudës, por duke prekur fundin e jetës së saj, që dukej sikur e ndiente teksa përpiqej ta largonte me planet për të ardhmen… Nuk ishte në gjendje të jepte intervistë të gjatë. Bisedat tona ishin në ato pak kohë, kur ajo qetësohej nga dhembja, por sërish nuk mjaftonin për të folur për një jetë… Besonte se një ditë do të ishte më mirë për të folur më gjatë. Kohët në shtëpi nuk ishin të lehta për një grua plot energji si ajo, që ishte mësuar të shihte çdo ditë jashtë dritën… Tashmë gjithë kohën e bisedave me miqtë ajo e kishte zëvendësuar me një tjetër mik që u bë i domosdoshëm në muajt e fundit të jetës së saj, ditarin. Drita Pelingu kishte nisur të hidhte në letër gjithë jetën e saj duke shkruar kujtime.

Si pedagoge dhe një grua që i kishte pëlqyer gjithnjë të lexonte, ajo shkruante aq bukur. Kujtimet e saj i ruante me fanatizëm, por një ditë besonte se do t’i kishte në një libër. Ato janë testamenti i një jete të jetuar plot dashuri, i një aktoreje të rrallë që do t’i mungojë gjatë skenës shqiptare. Do të donte të kishte ruajtur letrat e spektatorëve pas duartrokitjeve që merrte në çdo shfaqje. “Pas duartrokitjeve, spektatorët na fusnin shumë letra në duar. Bashkë me Naim Frashërin dhe bashkëshortët tanë i lexonim dhe i grisnim. Kështu grisëm kujtesën tonë, sepse ato ishin dokumente shumë të rëndësishme”, kujtonte ajo.

Dje, Drita Pelingu mbylli sytë përgjithmonë, duke iu dorëzuar dhembjes. Në apartamentin ku ndau gjithë jetën e saj, tashmë miqtë nuk do të mund ta gjejnë më gruan që fliste me aq dashuri për jetën, e s’mund ta mendonte atë pa teatrin. Drita Pelingu nuk është më, por rolet e saj të mbetura në foto do të jenë historia e teatrit shqiptar. E lindur në Vlorë, më 3 dhjetor të vitit 1926, ajo ishte e vetmja vajzë që konkurroi në dhjetor të vitit 1944 dhe hyri në janar 1945 në të parën shkollë të artit dramatik shqiptar, duke thyer të gjitha normat e shoqërisë feudale dhe jo pa pasoja. Ishte vajza e vetme mes shumë meshkujve, si Kadri Roshi, Naim Frashëri, Prokop Mima, Lazër Filipi etj. Më 1946-n është aktore profesioniste e Teatrit Popullor. Në karrierën e saj të gjatë, mbi gjashtë dekada, krijimtaria e saj artistike është e larmishme dhe e suksesshme dhe përfshin tri fusha: si aktore e teatrit dhe kinematografisë, Drita numëron rreth 150 role, ku mbi gjysma e tyre janë role kryesore, madje kryerole femërore të dramaturgjisë botërore dhe asaj shqiptare. Role si Luiza Miller “Intrigë dhe dashuri” e Shilerit, Gonerola te “Mbreti Lir”, Gertruda “Hamleti”, Missis Ford “Gratë gazmore të Uindsorit” nga Shekspiri, Diana te “Qeni i kopshtarit” e Lope de Vegës, Zoicika te “Një letër e humbur” e Karexhalës etj. Një kontribut të veçantë ajo ka edhe në kinematografi, ku ka interpretuar rreth 15 role, por edhe në fushën pedagogjike, e atë të regjisurës. Drita ka vendosur në skenë si regjisore pjesë të suksesshme në skenën e Teatrit Kombëtar, në skenën e Teatrit “Petro Marko” të Vlorës dhe në Teatrin e Kombësive në Shkup.

Për 33 vjet më radhë që nga viti 1976, eksperienca, inteligjenca, kultura profesionale e saj, kanë shërbyer si premisat që ajo të quhej si një prej pedagogeve më të mira të artit skenik. Për kontributet e saj të veçanta, Drita Pelinkut iu akordua nga Presidenti i Republikës titulli “Mjeshtre e madhe”, “Çmimi i karrierës” dhe gjithashtu titulli “Artiste e merituar”, çmimi “Ismail Qemali”, ndërsa bordi drejtues i Institutit Amerikan të Biografive e ka zgjedhur ndër 500 udhëheqësit më me influencë në botë. Së fundmi, qyteti i lindjes e ka çmuar si “Qytetare nderi” të Vlorës dhe Presidenti i Republikës i ka akorduar titullin më të lartë, “Nder i kombit”. Homazhet për nder të saj nisin sot në orën 11:00 te holli i Teatrit Kombëtar.Alda Bardhyli

Më Shumë

Përplasje mes deputetëve të PDK-së dhe LVV-së për planin e ndërtimit të tunelit në rrugën Prizren – Tetovë

Marrëveshja për hartimin e projektit për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren, ka nxitur debat të ashpër mes deputetit të PDK-së Ferat Shala dhe...

Kurti: 200 milionë euro investime për infrastrukturën në futboll

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, të dielën ka premtuar 200 milionë euro investime për transformim rrënjësor të infrastrukturës së futbollit në vend. Tashmë...

Lajmet e Fundit