11.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Brovina kërkon më shumë femra në Qeverinë e Kosovës

FloraBrovina-deputete

Në Qeverinë e Kosovës e cila drejtohet nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, më së paku ka vend për gratë e PDK-së. Janë dy zëvendëskryeministre, Edita Tahiri dhe Mimoza Kusari, kjo e fundit edhe ministre e Tregtisë. Por PDK-ja përfaqësohet në ekzekutiv vetëm me Vlora Çitakun, e cila është ministre e Integrimit Evropian. Ndonëse në ekzekutiv nuk qëndron mirë, brenda PDK-së, gruaja ka zënë pozitë më të favorshme pas zgjedhjeve të fundit brenda këtij subjekti politik.

Deputete në të gjitha legjislaturat e Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina në vazhdimësi ka pasur pozitë të lartë edhe brenda Partisë Demokratike të Kosovës. Madje në zgjedhjet e para pas luftës, ajo ishte e nominuar nga PDK-ja për presidente të vendit. Brovina thotë për Radio Kosovën se pas zgjedhjeve të fundit në PDK, gruaja ka përmirësuar pozitën e saj, duke u përfaqësuar me disa anëtare në kryesinë e partisë dhe me një nënkryetare. Por, sipas saj, kjo nuk është e mjaftueshme, ngase në ekzekutiv mungon gruaja e PDK-së.

“PDK-ja herë pas here di të befasojë duke i dhënë një pozicion të mirë gruas, duke i dhënë një pozicion të mirë gruas, por mandej del si jorealiste, sepse deri tash, edhe pse do duhej të printe sa i përket barazisë gjinore, ajo ngecë në përfaqësimin e gruas. Tani po më pyetni për ekzekutivin. Kjo pyetje duhet t’i shtrohet kryeministrit, sepse ai i zgjedh bashkëpunëtorët”, tha Brovina për Radio Kosovën.

Sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Basri Musmurati, flet për një pozitë të mirë të femrës në PDK, por për praninë në ekzekutiv thotë se varet nga interesimi i vetë femrave të inkuadruara në politikë.

“Këto punë nuk bëhen aq shpejt edhe varet prej interesimit të tyre që është. Ne i kemi për shembull kryetare të degëve dy femrave, në kryesi janë tetë ose më shumë, në Këshillin Drejtues gjithashtu janë së paku 40 për qind femra, në institucione ka udhëheqëse të ndryshme, por te pozitat e ministrave e të tjera, varet sa janë të interesuara ato”, tha Musmurati për Radio Kosovën.

Kjo qasje e Musmuratit, nuk i pëlqen deputetes Flora Brovina. “Kjo nuk qëndron dhe unë do doja ta kem një duel të drejpërdrejt me sekretarin dhe t’i them se nuk është kështu, sepse gratë kur hyjnë në politikë ato marrin përsipër të gjitha obligimet dhe përgjegjësitë politike. Shpeshherë e kam thënë se gratë në PDK janë më të përgatitura edhe se burrat”, tha ajo.

Nga ana tjetër, PDK-ja asnjëherë deri më tani nuk ka kandiduar ndonjë femër për kryetare të komunës. Sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Basri Musmurati nuk e përjashton mundësinë që në zgjedhjet e ardhshme lokale, të ketë ndonjë femër kandidate.

Ndryshe, përfaqësimi i gruas së PDK-së në ekzekutiv mbeti në nivelin e njëjtë edhe pas freskimeve të fundit në Qeverinë e Kosovës ku u bënë ndërrimet e disa zëvendësministrave.

Më Shumë

Mërgimtari nga Suhareka vdes në aksident tragjik në Itali

Haris Shala është 25-vjeçari shqiptar që humbi jetën një ditë më parë në një aksident tragjik në Itali. I riu shqiptar, babai i një vajze...

Reshjet e borës e bëjnë me “bardhësi” Prevallën (VIDEO)

Pas reshjeve të shpeshta të shiut që kanë rënë këto ditë, kanë nisur edhe ato të borës. Lexues të Klankosova.tv kanë dërguar video nga Prevalla...

Lajmet e Fundit